E merkure, 24.04.2024, 03:03 AM (GMT+1)

Sport » Sporti

Hysen Sharra, mjeshtër i dyfishtë

E premte, 30.01.2009, 01:23 AM


Një nga boksierët absolutë që nuk njohu kundërshtarë në peshën e rëndë

Nga Agron Sejamini

Edhe nëse nuk do të ishte sportist me karrierë të shkëlqyer, Hysen Sharra, përsëri do të ishte i respektuar dhe i dashur në shoqëri. Ai është një njeri i thjeshtë dhe i sinqertë që nuk ka prishur gojë dhe qejf me askënd. Përherë fjalëpakët dhe i qeshur. Ndaj e duan dhe e dëshirojnë aq shumë shokët e vet, ndaj dhe përshëndetet me shumë kënaqësi nga ata që e kanë parë, duke notuar apo boksuar. Mirësia e tij të imponohet. Edhe ky suplement mbase nuk do të ishte sot, nëse nuk do kishte lënë "radhën" e tij, Muhamet Përmeti, mjeshtri i koshit shqiptar.

- Për mua shkruaj ndonjëherë tjetër. Cenit i jeni borxh ju dhe gjithë ne të tjerët, sepse ky ka qenë njeri dhe sportist i madh...

Kur shokët e tij mezi prisnin të zbardhej që të luanin, ai duhej të ishte në punë pa dalë dielli. Largimi i parakohshëm nga jeta i të atit, e detyroi që të fillonte punë në moshën 13- vjeçare pranë Kantierit Detar në Durrës. Edhe nga Tirana vështirësitë ekonomike e detyruan familjen e tij që të zhvendosej në qytetin bregdetar. Por kjo që i ndodhi tani, ishte hall përmbi hall... Mosha e re dhe të ardhurat që siguronte për të mbajtur familjen, e bënin që të harronte lodhjen. Jo pak e ç'lodhte dhe gëzonte edhe deti. Madje, veç çokollatës së artë, trupit të tij i shtohej nga dita në ditë edhe hijeshia dhe lartësia. Nuk e dinte Ceni se me këtë përgatitje fizike të përditshme skiconte pa dashje edhe të ardhmen e tij. Kështu një ditë, dy komshinjtë e tij, vëllezërit Sabri e Syrja Kapexhiu, i thanë se pasdite do të shkonin bashkë në Currila. Ceni hallexhi ndjehej me fat kur dhe e përshëndesnin ata kampionë kombëtarë në not, e jo më ta merrnin për ta përgatitur si notar të ekipit. Nuk vonoi dhe Ceni ua shpërbleu atyre dhe Durrësit me tituj kampion...

Ai nuk dinte të grindej me shokët, por dallonte mes tyre në ato lojëra që shpalosnin elegancën, fuqinë dhe hijeshinë e tij fizike. Mbase në një çast të tillë mund ta ketë parë edhe Artisti i Popullit, Nikolin Xhoja, atë djalosh elegant. I futi krahun menjëherë artisti, për ta takuar me Ilmi Rekën, trainerin e boksit...

Nuk ju krijuan më shanse në jetë Hysen Sharrës, veç notit dhe boksit... Dhe në të dy këto sporte, ai u shpall mjeshtër i merituar.

Por edhe artisti i shquar durrsak mund ta kishte humbur atë bast, nëse Ceni nuk do të kishte rënë në dorën e "artistit" të boksit shqiptar, të madhit Ali Kastrati. Natyrisht, kush i hyn këtij sporti duhet të dallojë nga fiziku, rezistenca, fuqia, por ajo që vendos dhe bën diferencën është zgjuarsia, finesa, mjeshtëria. Nuk mund të ketë kombinim më perfekt të virtyteve dhe veçorive dalluese që shpalos në ringun e boksit një trainer e sportist, si në duetin Kastrati-Sharra. Aq sa e ke të vështirë të përcaktosh se ku fillon merita e njërit dhe ku mbaron e tjetrit. Nuk i harron Ceni ende ato këshilla që i jepte Aliu në seancat e para stërvitore. "Jo kështu! Duhet finesë! Mund të jesh i fuqishëm, sa të shtrish për tokë dhe një dem, por edhe duhet të dish të mbrohesh e të qëllosh në çastin e duhur mund të mposhtë edhe një kundërshtar që është me gjysmën e peshës tënde...Mbroje fytyrën or djalë, mos e lër për asnjë çast zbuluar! Kundërshtari nuk të fal, sekondën kërkon. Jo vetëm të djathtën... Të majtën e ke edhe më të fuqishme. Mos harro, vëre në lëvizje. Kujdes me goditjet nga poshtë. Ato janë ekspresive, por dhe mjaft deçizive... " Por, Ali Kastrati, ishte dhe një psikolog i përkryer...

Mjafton të kujtojmë ndodhinë e Spartakiadës së Laipcigut më 1958. Ishte kusht që në boksim duhej të garoje në të dhjetë peshat. Kastrati mendoj se në këtë peshë denjësisht mund të konkuronte vetëm Ceni. Edhe ky ishte një kilogram më pak se kufiri minimal i lejimit për konkurim. Por ky ishte problemi më i lehtë për t'u zgjidhur... I japin të pijë një kilogram ujë dhe shigjeta e peshores shkon atje ku e deshte gjyqtaria. Ajo që ishte më e vështira në këtë dyluftim nuk mund ta zgjidhte, as traineri e as sportisti. Përballë Hysen Sharrës në ring do të ngjitej rusi Abramov, kampion i Evropës. 120 kilogram ishte pesha e tij, por jo më pak i "rëndonte" përvoja dhe mjeshtria. Kastrati, nuk e kishte lejuar boksierin e vet ta shihte në stërvitje rusin. Ndërkohë, gati e kishte shpallur fitues Cenin me ato fjalë të bukura, frymëzuese dhe entuziaste, duke ja paraqitur kundërshtarin si trupmadh, por të dobët teknikisht. I pari, ngjitet shqiptari. E gjithë salla oshëtin nga ovacionet dhe brohoritjet "Albania!, "Albania". Mbase jo nga tifozlliku se sa nga keqardhja apo surpriza që ky djalosh do të sfidonte kampionin e Europës. Më pas i afrohet tek litarët edhe ambasadori ynë. Ai e porosit që të mos dorëzohet, por të luftojë si burrat për të nderuar Partinë dhe shtetin... Ju shtuan akoma më shumë emocionet e fitores dhe nuk po i durohej Cenit, që të vinte kundërshtari. Mirëpo... U befasua kur pa gjigandin rus. Ai edhe në pamje ishte dyfishi i tij. Edhe porositë e Partisë, harroi Ceni kur filloi boksimi. Krejt raundin e parë e bëri vrap nëpër ring. Ai vrapo, rusi ndiq... Për fat nuk mori asnjë goditje. Ulet dhe mezi arrin të rregullojë frymëmarrjen nga lodhja së vrapuari. I lutet trainerit që ta tërheqi, pasi nuk mundej ta përballonte... Por as që bëhej fjalë për këtë. Nuk pritej fitorja, por kurrësesi as dhe një humbje e tillë poshtëruese. Nën ovacionet e fuqishme për boksierin tonë fillon raundi i dytë. Nga cepi i ringut, Kastrati nuk rreshtëte së udhëzuari. Gjuaj me të majtën... Por një e djathtë e fuqishme ja mjegulloi sytë boksierit tonë. Kishte dhe dy minuta që për të dukeshin orë... Edhe me të vrapuar u lodh. Në çast, i hidhet rusit gati mbi shpinë dhe rrotullohet bashkë me të. Gjyqtari jep faull. Sa zbret në tapet, rusi nervoz për veprimin e Cenit, e shtyn dhe e hedh te litarët. Faull edhe për të. Fillon takimi. Përsëriten të njëjtat skena. Faull për të dy. Edhe një herë tjetër shqiptari i kacavirret kundërshtarit në qafë...Atëhere gjyqtaria ndërpret ndeshjen, duke e skualifikuar për faulle. Humbet ndeshjen, por shpëton nga dëmtimi dhe poshtërimi i mundshëm, nga ky duel i pa barabartë në peshë dhe në përvojë. Të nesërmen, në gazetat e ditës, Hyseni kishte parë të botuar edhe një fotografi të rusit, në gjoksin e të cilit vareshin mbi 15 medalje fituese...

Nuk është rastësi që të gjitha takimet ndërkombëtare të Hysen Sharrës janë për të treguar. Tregohen, pasi kanë brenda jo vetëm emocionet, por pas Laipcigut edhe shijen e triumfit, të fitores...

Në vitin 1959 në Shqipëri vjen për një takim miqësor ekipi i Hungarisë. Ceni kishte një muaj që nuk stërvitej, pasi kishte thyer gishtin. Por kur bëhej fjalë për fitore, siguria gjendej vetëm te Hysen Sharra. Dhe më shpejt se kushdo atë mund ta bindëte veçse profesor Rexhep Rama. Ngjitet në ring për t'u ndeshur me kampionin hungarez vetëm, duke i besuar të majtës. Sapo e pa traineri, i pëshpërit lojtarit të vet që të bëj kujdes, pasi kundërshtari është i fortë. Hungarezi e kishte fiksuar Cenin nga takimi i Laipcigut. Raundin e parë e përballoi shumë mirë me të majtën. Por në raundin e dytë, hungarezi ndjeu se e djathta e kundërshtarit ishte pasive. Ndaj filloi të sulmonte më shumë, në atë krah ku dhe nuk gjente mbrojtje. Kur edhe takimi ishte në barazpeshë, hungarezi që në sekondat e para të raundit të tretë sulmoi furishëm në krahun e djathtë. Dhe kur Ceni e pa që gjithçka ishte kuptuar, "harron" dhe shpërthen edhe me të djathtën... Përfundimisht del fitues edhe pse gishti pëson në këtë raund, thyerrjen e dytë. Suksesi i Hysen Sharrës përcaktoi edhe fitoren ndaj ekipit hungarez. Nuk mundi të merrte pjesë në banketin e fitores Ceni, ngaqë iku në spital për të hedhur në allçi gishtin...Pas disa ditësh, ishte po Rexhep Ramaj që tregon kujdes për Hysen Sharrën. Bashkë ikin për t'ju nënshtruar terapisë së një mjeku të shquar në Berat. "Honvedi" i Budapestit kishte shprehur dëshirën që të organizonte një takim miqësor me ekipin e "Partizanit". Ndaj nuk kishte kohë, për të pritur që të shërohej sipas këshillave të mjekëve, gishti i thyer i Hysen Sharrës. Dhe erdhi ajo ditë, kur stadiumi "Studenti" u mbush përsëri nga mijëra sportdashës për të ndjekur takimin e dytë me hungarezët. Ceni jo vetëm se e meritonte, por edhe për sakrificën që po bënte ishte kapiten i ekipit. Një nder që edhe mund të mos i bëhej... Sepse e nxorri zbuluar në atë takim përshëndetës kapitenash, kur në vend të dorës së djathtë zgjati të majtën. Por këtë radhë boksieri hungarez, u dëmtua edhe nga mëndjemadhësia. Falë karrierës së suksesshme ai shfaqej kapriçioz, mbivlerësues, i sigurtë dhe ironik... Filloi me dëshirën për ta mbyllur ndeshjen që në raundin e parë. Preferenca e tij për të shfaqur ndjesitë e tij egoiste, ishte dyluftimi i afërt. Duke synuar goditjen në mjekër, ai realizonte spektaklin, fitoren dhe mëndjemadhësinë. Por dinakëria e tij u bë e pavlefshme para thjeshtësisë, saktësisë dhe fuqisë së Cenit. Pas fitores, përgëzime dhe përqafime sportisti shqiptar, mori edhe nga stafi hungarez. Deshën t'i thoshin i tregove mjeshtërinë, por i poshtërove edhe mëndjemadhësinë...

Kështu të dy takimet që kemi zhvilluar me ekipet hungareze janë fituar nga ekipet tona. Dy humbje që ata nuk mundën t'i harrojnë lehtë. Aq sa, dhe kur në vendin tonë, u ndalua sporti i boksit, ata dërgonin ftesa për takime të përbashkëta...

Fati krijoi mundësinë që boksierët tanë të dëshmonin mjeshtërinë e tyre edhe në Lojrat e Ganefos që u organizuan në Xhakarta në vitin 1963. Pjesë e delegacionit tonë sportiv ishte edhe boksi. Trajneri Ali Kastrati stërviti për këtë aktivitet ndërkombëtar, Ramiz Sadushin e peshës së lehtë, Martin Çetën e asaj të lehtë dhe në gjysëm të rëndë, Hysen Sharrën. Ngjalli entusiazëm fitorja e Medaljes së bronxit nga Sadushi. Pasi mundi boksierin kamboxhian, u ndesh me një korean, që në rast fitoreje do i jepte shqiptarit të argjentën. Por edhe vendi i tretë ishte ngjarje e shënuar për sportin tonë. Çeta nuk mundi të vazhdonte garën, pasi në raundin e dytë u dëmtua, çka solli skualifikimin e tij. Me shumë interes dhe shpresë pritej gara e Cenit. Në takimin e parë u ndesh me një egjiptian. E fitoi, por nuk e shijoi shumë, pasi e dëmtoi që në raundin e parë kundërshtarin. Ja pse në takimin e radhës, ishte më i dëshiruar për fitore edhe pse përballë kishte një kundërshtar shumë të fortë, kampionin e Afrikës. Por, ditën e takimit u befasua kur mësoi se do t'i mungonte traineri i tij, Ali Kastrati. Ai ishte caktuar gjyqtar, në një takim tjetër boksi. Nënkuptohej se tani e tutje boksi në Shqipëri nuk kishte më interes. Gjithsesi, për Hysen Sharrën boksi vazhdonte... Shikon në cepin e ringut me peshqir në krah, si trainer, shokun e tij, basketbollistin Muhamet Përmeti. Por edhe pse ishte për të qeshur kjo pamje, ndjeu se traineri i ri ishte jo më pak ambicioz dhe sedërlli për fitoren. Pas raundit të parë, bashkë me freskun e peshqirit, Muhameti e nxiste dhe inkurajonte se do të fitonte takimin. Nga mesi i raundit të dytë e struk afrikanin në cep të ringut... Muhameti nga gëzimi kalon litarët dhe duke bërtitur: "Bjeri!", "Bjeri!", "Rrëzoje!", hyn në ring. Gjyqtari ndalon ndeshjen, për ta larguar nga ringu. Pa dashje ka ndihmuar edhe afrikanin që të qetësohej për pak sekonda nga breshëria e Cenit. Në pushim të raundit të dytë më shumë se sa me peshqir e freskon dhe e mobilizon Cenin me fjalë: "O ti o ai në tokë!, Të fitosh pa tjetër! Po nuk fitove do të heqin nga puna, shtëpi nuk do të japin, as pashaportizimin nuk do ta bëjnë...". I tërbuar nga këto pasoja që i renditi shoku i vet, çohet nga stoli, duke bërtitur: "Gati jam...Më lër të iki ta rrëzoj!". Në të tretin ishte më luftarak se në dy të parët. Kur pritej që të ngrihej dora fituese e Cenit, gjyqtari rus tundëte krahun e zi... 2:1 gjyqtari shpalli fitues afrikanin. Në atë inat dhe tërbim, Muhameti i fliste shokut të vet në shqip: "Ec! Mos rri më me ata se janë kapitalista e revizionista..." Në atë kohë, ne ishim prishur edhe me Bashkimin Sovjetik, ndaj Muhameti fajtor për këtë humbje të pamerituar bënte edhe gjyqtarin kryesor që ishte rus...

Emri: HYSEN

Mbiemri: SHARRA

Atësia: NEVRUZ

Datëlindja: 15.11.1935

Vendlindja: TIRANË

Trofe

Not:

Tre medalje kampioni

(dy stafetë dhe në 100 m)

Vaterpol:

Gjashtë medalje kampioni

(dy me Durrësin, katër me "Partizanin".

Boks:

Nëntë medalje kampioni në peshat e mesme, e dytë, gjysëm e rëndë dhe e rëndë

Vlerësime nga specialistë të boksit, për Hysen Sharrën:

Ahmet Golemi:

"Hysen Sharra mbetet boksier i peshave të rënda, që shquhej për një bagazh teknik. Tek ky talent i ringut tonë binin në sy, nuhatja e largësive dhe respektimi i tyre me goditje përkatëse. Goditjet e drejta, anësore dhe veçanërisht ato nga poshtë, demonstroheshin lehtësisht nga krahët e gjatë dhe të fuqishëm të Cenit"

Ramiz Reka:

"Hyseni mund të përcaktohet si më i përgatituri teknikisht nga peshat e rënda dhe nuk i ka munguar asnjëherë kapaciteti vital e qëndrueshmëria speciale. Ai është karakterizuar dhe si sportist human"

Ethem Ibrahimi:

"Me të drejtë mund të quhet kampioni i emocioneve të mëdha para ndeshjeve. Kjo dhe për arsye të përgjegjësisë së madhe që ai ndjente për rezultatin e saj. Këto e nxisnin Hysenin të ishte më i kujdesshëm dhe i kalonte shumë qetësisht për t'i kthyer në fitore të gjitha duelet".



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora