Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Lorenci i Arabisë

| E hene, 02.02.2009, 12:05 AM |


Legjenda dhe misteri

"Jo të gjithë njerëzit ëndërrojnë në të njëjtën mënyrë, ata që ëndërrojnë natën në qoshet e fshehta të mendjes së tyre, zbulojnë kur zgjohen kotësinë e atyre imazheve, por ata që ëndërrojnë ditën janë njerëz të rrezikshëm, sepse ndoshta recitojnë ëndrrat e tyre me sy hapur për t'i bërë më pas realitet... këtë bëra unë. Doja të krijoja një komb të ri, të rivendosja një ndikim që ishte zbehur tashmë, t'u jepja njëzetë milion semitëve bazën mbi të cilën të ndërtonin një pallat të frymëzuar ëndrrash për mendimin e tyre kombëtar...". në këtë citim të kryeveprës së tij, "Shtatë kolonat e diturisë", qëndron e mbyllur filozofia e jetës së një prej personazheve më legjendarë të shekullit XX, kolonelit Tomas Eduards Lorenc, i njohur më mirë si Lorenci i Arabisë, mbreti pa kurorë i arabëve, i cili vdiq më vonë gjatë një aksidenti me motorr në 18 maj 1935.

Gjatë viteve të Luftës së Parë Botërore, ai ishte nxitësi i parë i revoltës arabe kundër dominimit osman, në avantazh të anglezëve. I lindur në 1888 në Uells, ai ishte i dyti i dy fëmijëve të paligjshëm, që i ati pati gjatë një marrëdhënieje me një shërbyese.

Legjenda e Lorencit, strategut, spiunit, heroit romantik, u ndërtua të nesërmen e luftës nga një gazetar amerikan: Lauëll Tomas, i cili ndoqi në terren bëmat e Lorencit të Arabisë gjatë viteve të luftës. Në dimrin e vitit 1919, në Albert Hall të Londrës, Tomas prezantoi "Travelogue"-n e tij, një rrëfim i udhëtimit të tij në formën e një konference-spektakël, i shoqëruar me filmime dhe fotografi që komentoheshin direkt nga vetë gazetari. Bëhet fjalë ndoshta për një prej të parëve reportazhe të filmuar të luftës. Nga dy pjesët që përbënin Travelogue-n, një ia ka dedikuar gjeneralit Elënbaj dhe tjetra Lorencit, ishte kjo e fundit që pati më shumë sukses. Llogaritet se miliona persona morën pjesë në spektakël, duke përfshirë familjen mbretërore britanike. Që aty lindi legjenda e Lorencit të Arabisë, e mbështjellë nga atmosfera ekzotike e "Një mijë e një netëve": simbol i luftës së anglezëve në shkretëtirë. Përveç legjendës, sipërmarrja e tij është gjithashtu në qendër të një çështjeje historike konkrete dhe shumë komplekse, që çoi më pas në lindjen e disa shteteve: Libanit, Irakut, Sirisë, Jordanisë, shtete këta që janë një sajim i politikës. Për të kuptuar atë që po ndodh sot në atë zonë, duhet t'ia fillosh që nga ajo që ndodhi në fundin e Luftës së Parë Botërore si dhe nga veprimtaria e vetë Lorencit.

Lorenc ishte shumë i njohur me botën arabe për shkak të studimeve arkeologjike në Kolegjin Jezus të Oksfordit në vitin 1911, nën drejtimin e Profesorit Dejvid Hogart, agjent i Shërbimit të Fshehtë britanik për çështjet ushtarake të Lindjes së Mesme. Tunelet në Karkemish, mes Sirisë dhe Turqisë u lejonin anglezëve që të siguronin informacione të dorës së parë mbi dislokimin e forcave osmane në territor. Në vitin 1914, Lorenci kalon në shërbimin kartografik për të kaluar pas dy vitesh në shërbimin e fshehtë. Ishte një periudhë e tranzicionit nga kolonializmi i modës së vjetër drejt formave moderne të protektoratit, që do të parashikonin hapësira të mëdha autonomie për popullsitë lokale. Pikërisht këtu lindte edhe ëndrra e Lorencit, për krijimin e një shteti të madh për të gjithë arabët të shpërndarë prej më shumë se 400 vitesh.

Jemi në vitet e Luftës së Parë Botërore. Nga njëra anë janë hedhur Rusia, Anglia, Franca dhe Italia dhe nga ana tjetër, Gjermania dhe Austria, aleate me Perandorinë Osmane. Frontit kryesor evropian shumë shpejt iu shtua edhe një tjetër në Lindjen e Mesme, i dominuar nga Turqit. Ishte Lorenci që nuhati potencialin për revoltë nga ana e shumë tribuve arabe të shpërndara në shkretëtirën e paanë. Në 10 qershor 1916, nisi revolta kundër Turqisë. Sinjalin me një të shtënë pushke që nga tarraca e pallatit të tij e dha sherifi Husein i Mekës, nga një familje hashemite, pasardhës të drejtpërdrejtë të Muhamedit. Por ai që e drejtori ushtarakisht revoltën ishte një djalë i Huseinit: Emiri Feisal, për të cilin Lorenci shfaqte një admirim shumë të madh: "Menjëherë, që me shikimin e parë kuptova se ishte ai njeriu që kërkoja, luftëtari që do të çonte drejt suksesit të plotë revoltën arabe... shumë i zoti, i ngjashëm me një kolonë në veshjen e tij me mëndafsh të bardhë. Qepallat i kishte të ulura; mjekrra e zezë dhe fytyra e zbehtë ishte si një maskë që bënte kontrast me gjallërinë mbresëlënëse të trupit". Lorenci, bashkë me feisalin u vunë në krye të një ushtrie beduinësh, nisën operacionet e sabotazhit dhe gueriljes në linjën hekurudhore Damask-Medinë, me qëllimin që të pengonin furnizimet për turqit. Kryevepra e tij ushtarake ishte marrja e Portit të Akabës në Detin e Kuq në Jordani, një pikë strategjike që i hapi rrugën trupave të rregullta të Gjeneralit Edmund Ellënbaj drejt Jeruzalemit, i cili do të pushtohej në dhjetor 1917. Fushata e Lorencit vazhdoi me marrjen e Damaskut në Siri, në 1 tetor 1918.

Lorenci besonte se pushtimi i Damaskut do të përbënte lindjen e një shteti arab të pavarur, shtrirë nga Mesopotamia deri në Egjipt, me në krye Feisalin. Por, ndoshta ai injoronte, apo shpresonte që të ndryshonte në tryezën e tratativave, marrëveshjen e fshehtë Sikes-Picot (firmosur në maj 1916), me të cilën Franca dhe Britania e Madhe kishin projektuar tashmë sferat e influencës në zonë. Si përkthyes dhe këshilltar i Feisalit, ai mori pjesë në vitin 1919 në tratativat e paqes në Paris, por aty u kuptua se pakti ishte i blinduar. Libani dhe Siria u vunë nën mandatin francez; Iraku dhe Cisjordania, përveç protektorateve të Palestinës dhe Arabisë i shkuan Anglisë. Marrëveshjet e paqes parashikonin edhe krijimin e një qendre hebrenjsh në Palestinë (Deklarata Balfour, 1917). Për Lorencin, zbulimi i këtij mashtrimi shënoi edhe fillimin e një krize, nga e cila nuk do ta merrte kurrë veten. Ai vazhdoi veprimtarnë e tij diplomatike si këshilltar i ministrit të atëhershëm të kolonive, Uinston Churchill, dhe merr pjesë në Konferencën e Kajros të vitit 1921 ku, nën protektoratin britanik, siguron për bijtë e Husein nga një mbretëri për secilin: Irakun për Feisalin dhe Jordaninë për Abdullahun.

Nga ai moment, koloneli Lorenc doli nga skena dhe u mbyll për gjashtë muaj në një apartament londinez në Rrugën "Bartën" për të shkruajtur kolonat e tij të diturisë ('The Seven Pillars of Wisdom), historia intime dhe e romantizuar e luftës së tij të luftuar me kurorën angleze në krah dhe në emër të popullit arab. Një libër kujtimesh, (por edhe rrëfim poetik) i botuar fillimisht me titullin "Revolta në shkretëtirë" dhe më pas, në 1936 në versionin integral. Shtatë kolonat e diturisë do të konsiderohej më vonë si një prej kryeveprave të letërsisë angleze.

Nga 1922, në kërkim të një identiteti të ri, Lorenci anulon tërësisht të tijin dhe shndërrohet në ushtarin T.E.Smith dhe më vonë në mekanikun T.E.Shou dhe në fund mori emrin Xhon Hjum ros, emër me të cilin rregjistrohet në RAF (Forca Ajrore Mbretërore). Brenda shtatë viteve, u dëbua dhe më pas u ripranua dy herë në RAF. Si mekanik avionësh, Lorenc ishte në qendër të një incidenti pak të njohur në mbrëmjen e 17 majit 1919 në aeroportin roman të Centocelle-s. Gjatë një defekti teknik në udhëtimin nga Anglia drejt Kairos, avioni i tij - për shkak të pamjes së dobët - avioni i tij u përmbys: dy pjesëtarë të ekuipazhit gjetën vdekjen, ndërsa të tjerët, mes tyre dhe Lorenci mbetën të plagosur rëndë. Kur mësoi lajmin për incidentin, mbreti Viktor Emanueli II, shkoi personalisht në spital për të vizituar Lorencin.

Prej kohësh kanë nisur të dalin në sipërfaqe zëra dhe zbulime mbi jetën e tij private, supozime për tendencat e tij homoseksuale dhe mazokiste, për më tepër të lidhura me atë që ai vetë përmendte tek Shtatë Shtyllat si incidenti i Derasë (kur, si i burgosur nga turqit, u bë viktimë e dhunës seksuale).

Ky dhe episode të tjerë - edhe pse biografët nuk bien gjithnjë dakord - mbështeten nga dokumenta të bërë publiku së fundmi prej Zyrës Britanike të të Dhënave; mes të tjerave, një dosje me ditarë dhe letra që iu dorëzuan Librarisë bodleiane pas vdekjes së tij, nga i vëllai, Arnold. U mësua kështu për dërgesat e parave që Lorenci, përmes RAF, bënte në favor të personave të ndryshëm, mes të cilëve edhe dy zonja; dhe me njërën prej tyre, një mësuese me emrin Rabi Brajënt, thuhej se kishte kontratë martese. Në 13 maj 1935, ndërkohë që ecte me motocikletën e tij në një rrugë të vogël fshati, Lorenci mbeti viktimë e një aksidenti, sipas shumëkujt jo edhe aq rastësor. Do të futej në gjendje kome dhe do të ndërronte jetë disa ditë më vonë, në 18 maj.

Si lindi miti

Legjenda e Lorencit, strategut, spiunit, heroit romantik, u ndërtua të nesërmen e luftës nga një gazetar amerikan: Lauwll Tomas, i cili ndoqi në terren bëmat e Lorencit të Arabisë gjatë viteve të luftës. Në dimrin e vitit 1919, në Albert Hall të Londrës, Tomas prezantoi "Travelogue"-n e tij, një rrëfim i udhëtimit të tij në formën e një konference-spektakël, i shoqëruar me filmime dhe fotografi që komentoheshin direkt nga vetë gazetari. Bëhet fjalë ndoshta për një prej të parëve reportazhe të filmuar të luftës. Nga dy pjesët që përbënin Travelogue-n, një ia ka dedikuar gjeneralit Elënbaj dhe tjetra Lorencit, ishte kjo e fundit që pati më shumë sukses.

Bernard Shaw: Eshtë një kryevepër!

"Shtatë Kolonat... është një kryevepër. Një ndër të rrallat e llojit të vet në botë". Kështu komentonte Bernard Shou në vitin 1923, pasi kish lexuar tekstin e Oksfordit të librit të Lorencit, "Shtatë kolonat e Diturisë". Dhe kujt ia komentonte? Stenli Belduinit, kryeministrit të Britanisë. E megjithatë, në Angli ky tekst më i plotë i klasikut të Lorencit mbeti i papublikuar për 75 vite. Dhe ai nuk është botuar asnjëherë në Amerikë. Pas vdekjes së Lorencit në vitin 1935, përmbaruesi i tij vendosi që të botojë vetëm versionin e shkurtuar të vitit 1926, dhe jo origjinalin e vitit 1922. Pati shumë zhgënjim. Artikujt kritikë të E.M. Forster dhe St. Xhon Filbi, bënin thirrje për nxjerrjen në botim të tekstit të plotë. Por versioni i shkurtuar i Shtatë Kolonave ishte një sukses i paimagjinueshëm, dhe teksti i plotë i Oksfordit mbeti i pabotuar deri në vitin 1997. Shtatë Kolonat e Diturisë, Versioni Komplet i vitit 1922 është 1/3 herë më i madh se sa versioni i shkurtuar - një ndryshim prej afro 200 faqesh. Për shumicën e njerëzve, materiali shtesë do të ishte një arsye e mjaftueshme për të lexuar versionin e Oksfordit. Më mirë akoma, shumëkush bie dakord me idenë e hedhur nga Robert Greivs, se teksti i Oksfordit është më i lehtë për t'u lexuar.

Të gjithë njerëzit ëndërrojnë, por jo njësoj. Ata që ëndërrojnë natën në qoshet e pluhurosura të mendjeve të tyre zgjohen për të zbuluar se ishte gjithçka një kotësi: por ëndërrimtarët e ditës janë njerëz të rrezikshëm, sepse ata mund të vënë në jetë atë që kanë parë në ëndërr me sy hapur, me qëllimin që ta bëjnë të mundur.

Mos u përpiq të bësh shumë me duart e tua. Më mirë arabët ta bëjnë njëmendësisht, se sa ta bësh ti në mënyrë të përsosur. Eshtë lufta e tyre, dhe je për t'i ndihmuar, e jo ta fitosh luftën për ta. Gjithashtu, duke patur parasysh situatën e çuditshme të Arabisë, ajo çfarë realizon në praktikë mund të mos jetë aq e mirë sa mendon t'i.

T'i pyet veten se çfarë bëj unë? E vërteta është se edhe unë pyes veten. Ditët duket se agojnë, diejt shkëlqejnë, muzgjet pasojnë, dhe më pas unë fle. Ajo që kam bërë, ajo që bëj, ajo që do të bëj, më ngatërrojnë dhe më trullosin. A ke qenë ndonjëherë një gjethe dhe ke rënë nga pema jote në vjeshtë, e më pas ke mbetur vërtetë i shastisur për atë që të ka ndodhur? Ja, kështu ndihem.

Një provincë fitohej kur ne i mësonim civilët e saj që të vdisnin për idealin tonë të lirisë. Prania e armikut ishte dytësore.

Të desha, prandaj mora këtë valë njerëzish në duart e mia, dhe shkruajta më pas testamentin tim në qiell, mes yjeve.

Shpata nënkupton gjithashtu pastërti... dhe vdekje.

RD