E enjte, 25.04.2024, 11:46 AM (GMT+1)

Shtesë » Lajme

Luftërat për pushtet në Azi

E diele, 01.02.2009, 11:19 AM


Loja e madhe vazhdon

John Lawton

Fara e "luftës" së sotme u mboll gjatë shekullit 19, kur Rusia u angazhua në krijimin e një perandorie shumë të madhe në krahun e vet jugor, ndërkohë që britanikët - të trembur për vdekje nga rreziku që ky zgjerim përbënte për praninë e tyre në Indi - bënë të pamundurën për ta ndaluar. Loja e madhe, siç u bë e njohur nga ata që rrezikuan jetën, ishte lufta në hije, e pashpallur - përjetësuar në romanin e Rudiard Kiplingut, 'Kim" - mes Britanisë dhe Rusisë, për kontrollin e një hapësire të madhe shkretëtirash dhe malesh që ndanin perandoritë aziatike. Eksploratorë ushtarakë, diplomatë dhe aventurierë nga të dy palët u përpoqën të ushtrojnë ndikim mbi tokat dhe mbretëritë që përbënin këtë territor, i cili shtrihej nga Deti i Zi në Perëndim, deri në Kinë në Lindje, si dhe tokat e Perandorisë Perse që po shembej në Kaukaz dhe bazenin e Kaspikut.

Deri në vitin 1900, rusët kishin pushtuar thuajse të gjithën. Në vitin 1927, sovjetikët i përfshinë zotërimet e tyre në Kaukaz dhe Azinë Qendrore si Republika të BRSS, duke u vënë emra sipas kombësive më të mëdha të rajonit; Azerbajxhan, Kazakistan, Kirgistan, Turkmenistan dhe Uzbekistan, plus Gjeorgjinë. Turkic Xinjiang në skajin e Azisë Qendrore u gllabërua nga Kina, dhe India britanike krijoi shtetin amortizues të Afganistanit, ndërmjet asaj vetë, Rusisë dhe Kinës.

Ngjarjet e atyre kohërave kanë marrë një domethënie të re, teksa Rusia përpiqet të krijojë një "Perandori Energjitike" ndërsa SHBA dhe BE përpiqen ta pengojnë. Në "tavë" janë një sasi e madhe pasurie prej naftës si dhe rezerva gazi ende të pashfrytëzuara. Kazakistani dhe Azerbajxhani kanë vendburime nafte që rivalizojnë ata të Lindjes së Mesme, ndërkohë që Irani dhe Turkmenistani renditein respektivisht i 3 dhe i 4 për rezervat e gazit natyror. Gjeorgjia shtrihet në korridorin strategjik që lidh këta vendburime energjitike me Perëndimin.

Shpërbërja e Bashkimit Sovjetik shkaktoi një "përleshje" të vërtetë për këto pasuri. Në një përsëritje të Lojës së Madhe, Perëndimi po përpiqet që të fitojë akses në rubinetat e energjisë në Azinë Qendrore, ndërkohë që Moska përpiqet që të ruajë kontrollin e epokës sovjetike mbi ta. Kina ka ndërtuar një tubacion me Kazakistanin fqinjë, ndërkohë që në Jug, India ka në plan të ndërtojë një gazjellës me Iranin.

Pavarësia i kapi në befasi ish-republikat Sovjetike. Të gjitha janë shtete të reja, jo aq të njohura me demokracinë. Ndonëse një kredo e re nacionaliste ka zëvendësuar marksizmin, ata gjithsesi besojnë në ish-zyrtarë të Partisë Komuniste për udhëheqjen e tyre.

Në sfondin e çmimeve të paqëndrueshëm të energjisë, SHBA dhe BE po përpiqen që të thyejnë bastionet e Kremlinit në rajon, duke krijuar një korridor transkaukazian që do të mundësonte kalimin e naftës dhe gazit në drejtim të Evropës pa shkuar përmes Rusisë, e cila ka praktikisht një monopol sot të furnizimit nga Azia Qendrore. Analistët bien dakord se, Perëndimi po lufton fort që të afrojë "putrat".

"Shqetësimi i vërtetë i Moskës në Azinë Qendrore është çimentimi i kontrollit të saj mbi burimet energjitike si dhe përmbyllja me sukses e Lojës së madhe", thotë shkrimtari Ahmed Rashid. "Që nga rënia e Perdes së Hekurt, Rusia ka ruajtur kontrollin në rezervat e mëdha të naftës dhe gazit në Azinë Qendrore, duke kufizuar aksesin në tubacionet e eksportit, shumica e të cilëve kalojnë në territor rus. SHBA dhe BE po mbështetin projekte alternativë nafte dhe gazsjellësish, që nuk kalojnë në tokë ruse".

Perëndimi dëshiron ndërtimin e një naftësjellësi që kalon përmes Turqisë, një shtet anëtar i NATO-s, i quajtur Nabucco, i cili anashkalon Rusinë. Moska mbështet një sistem rival, i njohur si South Stream, e që do të vazhdojë të transportojë gaz drejt Evropës, përmes Rusisë. Të dy projektet konkurojnë për të njëjtin gaz të Kaspikut.

Monopoli rus i gazit, Gazprom, është i vetmi furnizues me gaz për vende si Finlanda, Estonia, Sllovakia, Letonia dhe Bosnja-Hercegovina. Rusia ofron aktualisht një të katërtën e furnizimit total të Evropës me gaz. Ajo plotëson respektivisht 30 dhe 40 përqind të kërkesës italiane dhe gjermane për gaz.

Reduktimi i varësisë së Evropës nga gazi rus është shndërruar në një obsesion për politikën e jashtme të BE. BE është angazhuar seriozisht që nga nëntori 2006, duke punuar për një partneritet energjitik me Azerbajxhanin, Kazakistanin dhe Turkmenistanin. Por, pavarësisht përpjekjet për të diversifikuar burimin e energjisë, analistët thonë se, Moska "ia ka hedhur' në mënyrë të përsëritur BE-së. Deri tani nuk ka patur asgjë më shumë se sa thjeshtë një "vullnet politik" dhe asnjë kontratë konkrete, thotë Francis Perrin, kryeredaktor i revistës "arab Oil and gas" me qendër në Paris. Nga ana e saj, Rusia ka arritur që të hedhë dyshime mbi nevojën për ndërtimin e Nabuccos; duke patur parasysh projektin alternativ South Stream, si dhe rënien e madhe të besimit tek korridori kaukazian pas inkursionit të saj ushtarak në Gjeorgji në vitin 2008.

"Gjeorgjia është vetëm një ushtar në lojën e Madhe", thotë Craig Murray, ish-ambasador britanik në Kazakistan. Eshtë një lojë që kryeministri rus, Putin ka arritur ta fitojë në pesë vitet e fundit. Ai ka larguar influencën e SHBA nga Uzbekistani dhe ka shtënë në duar burimet e gazit në Turkmenistan. Gjeorgjia ishte ngacmuesi i fundit properëndimor", thotë Murray, që beson se tani Rusia po "përgatitet të rrisë trysninë ndaj Kazakistanit".

Alarme të ngjashëm janë dëgjuar edhe gjatë viteve të Lojës së Madhe. "Unë deklaroj solemnisht", shkruante Gjenerali Charles MacGregor në vitin 1884, se "nuk mund të ketë një zgjidhje reale të problemit anglo-rus deri kur Rusia të jetë dëbuar nga Kaukazi dhe Turkestani". Si drejtor i Shërbimit të Fshehtë Ushtarak i Indive britanike - si dhe modeli i kryespiunit me emrin Kolonel Creighton tek filmi "Kim" - MacGregor, ishte i bindur se rusët kishin në plan që të aneksonin Indinë.

Shqetësimet e tij jehojnë sot në fjalët e Gordon Brown. Në gazetën "The Observer" të 31 gushtit të vitit që kaloi, Brown argumentonte se BE duhet të përshpejtojë punën për të krijuar një treg të vetëm energjitik evropian si "një mbrojtje kolektive për të siguruar furnizimet tona me energji si dhe për të arritur në marrëveshje kolektive me Rusinë për furnizimin me energji. Asnjë shtet nuk mund të lejohet të shkaktojë një kacafytje energjitike mbi Evropën", shkruante ai.

Duke komentuar mbi dekaratat e Brown, "The Observer" shkruante se "ndërhyrja e tij pasqyron frikat se konflikti territorial për Osetinë Jugore, rrezikon të shndërrohet në një luftë energjitike, me Rusinë që përdor rezervat e saj të mëdha të naftës dhe gazit - mbi të cilat varen shumë shtete evropianë - për t'i bërë shantazh Perëndimit që të nënshtrohet".

"The Times" e sheh strategjinë ruse si një "shfaqje brilante dhe brutale e lojës kombëtare të Rusisë, shahut. Putini humbi shumë ushtarë në tavolinë - Kosovën, Irakun, anëtarësimin në NATO të Shteteve të Balltikut, raketat ruse në Poloni dhe Republikën Çeke. Por ai priti. Kurthi u ngrit në Gjeorgji, Presidenti i së cilës, Saakashvili bëri një proçkë në Osetinë Jugore në një përpjekje për të rimarrë provincën rebele. Që nga dita kur tanket ruse hynë në Osetinë Jugore, Rusia nuk ka bërë asnjë lëvizje të gabuar. Në 5 ditë arriti të shndërrojë një gafë të një njeriu të mbështetur nga Perëndimi në një shfaqje të pamundësisë së Perëndimit".

Një pamundësi e tillë u shfaq dukshëm tek "The Times" në 1842, e cila përshkruante "si inteligjencë të natyrës më shkatërrimtare dhe më melankolike", ekzekutimin e dy lojtarëve britanikë në Lojën e Madhe: Kolonelit Charles Stoddart dhe kapitenit Arthur Conolly. Stoddart u dërgua në Bukhara në përpjëkje për të krijuar një aleancë me Emirin Nasrullah, por ai e ofendoi Emirin, duke iu afruar Pallatit të tij i hipur mbi kalë në vend që ta respektonte, duke ardhur në këmbë. Emiri e konsideroi Conollyn, i cili u përpoq të fuste në fuqi faljen e Stoddartit, po kaq fyes kështu që u preu kokën të dyve në një vend sot ku nisen të mbushur plot autobusët me turistë të huaj, që shkojnë të vizitojnë fortesën e lashtë të Bukharasë. Të dërguarit të Carit, Princit Ferdinand zu Sayn-Ëittgenstein-Berleburg iu rezervua një pritje më e sjellshme kur ai vizitoi në 1884. Ndonëse, siç bënte të ditur Henri Moser, një zviceran që e shoqëronte, Emiri përsëri kërkoi respekt: "Kur mbaroi pritja, Dastarkhani, ose gostia zyrtare u servir në një tendë të zgjedhur dhe mysafirëve iu dërguan dhurata si dhe pelerina mëndafshi që t'i mbanin ngrohtë. Megjithatë, etiketa kërkonte që ata të linin pelerinat të varura mbi një karrige, gjë që tregonte se drita e pranisë së emirit ishte e mjaftueshme për të larguar të ftohtin".

Sundimtarët e Azisë Qendrore po ledhatohen sërish nga emisarë të huaj dhe premtimet e tyre për naftë dhe gazë po vërtetohen po aq iluzivë sa edhe dhuratat e pelerinave të mëndafshta të paraardhësve të tyre. Analistja Susanne Nies në Institutin francez të Marrëdhënieve me Jashtë sheh me një sy skeptik premtimin e Presidentit të Turkmenistanit, Gurbanguly Berdymukhamedov për të furnizuar Evropën me 10 miliard metra kub gaz çdo vit, që nga 2009, përmes gazjellësit të Nabuccos. "Është një shaka, ai i ka shitur tashmë katër herë burimet e tij në të gjithë botën", thotë Nies.

Edhe Azerbajxhani ka premtuar të furnizojë me gaz Evropën përmes Nabuccos, por nga ana tjetër po negocion për shitje të mundshme të gazit për Gazpromin. Ky vend, që shiti 10.3 miliard metër kub gaz vitin që kaloi, nga 6.3 miliard në vitin 2006 sipas BP, është djepi i industrisë së naftës. Nga burimet e tij është nxjerrë naftë që në shekullin e pestë dhe, deri në zbulimin e naftës në Lindjen e Mesme, vendburimi më i madh i naftës në botë ishte në Bregun Perëndimor të Detit Kaspik. Kur Marco Polo kaloi aty pranë teksa shkonte rrugës për në Kinë, ai vërejti "një shatërvan, nga i cili dilte një rrjedhë vaji, në një sasi të tillë që 100 anije mund të mbushen njëkohësisht". Ky vaj, shkruante ai në bestseller-in e tij të shekullit 12, "Udhëtimet", "nuk është i mirë për t'u ngrënë; por është i mirë për t'u djegur si dhe ilaç për njerëz apo gamilje që kanë kruajtje apo zgjebe. Burrat vijnë nga distanca të largëta për të gjetur këtë vaj...". në vitin 1848, i pari pus modern nafte u ngrit pranë kryeqytetit, Baku, dhe deri në fund të viteve 1800 Azerbajxhani ishte bërë prodhuesi kryesor i naftës së përpunuar në botë.

Ashtu si në të kaluarën, rusët po priten ngrohtësisht në të gjithë rajonin. Në kryeqytetin turkmen, Ashgabat, Presidenti Berdymukhamedov i tha homologut të tij, Dimitri Medvedev, se vendi i tij - prodhuesi më i madh i gazit në Azinë Qendrore - do të vazhdojë të dërgojë pjesën më të madhe të gazit që prodhon drejt Rusisë dhe ra dakord me Moskën që të ndërtojë një gazjellës të ri në Kaspik për të rritur edhe më shumë sasinë e ngarkesave. Turkmenistani rriti prodhimin e gazit deri në 67.4 miliard metra kub vitin që kaloi, nga 62.2 miliard në 2006. Kazakistani, prodhuesi më i madh i naftës bruto në Azinë Qendrore, firmosi një memorandum për të rritur më shumë se dyfish eksportet drejt Rusisë. Vizitat e Medvedevit pasuan delegacionet nga BE dhe SHBA, që përpiqeshin të lironin disi kontrollin e Rusisë mbi gazin dhe naftën e Azisë Qendrore si dhe të kërkonin me ngulm ndërtimin e një tubacioni transKaspik nga Turkmenistani në Azerbajxhan, i cili mund të lidhet me gazjsllësin e planifikuar Nabucco.

Nabucco, që ka marrë emrin e mbretit asirian të një prej operave të Giuseppe Verdit, është në qendër të strategjisë së diversifikimit të burimeve energjitike të BE. Por ndërkohë që opera e Verdit ishte një sukses i menjëhershëm, projekti i gazjellësit mund të kërkojë më shumë kohë. Deri tani, projekti "ka ngecur plotësisht" në mungesë të garancive se do të ketë gaz të mjaftueshëm që do të kalojë nëpër të, thotë Susanne Nies.

Konsorciumi i gazjellësit Nabucco që ka mbështetjen e BE, i përbërë nga kompani energjitike nga Austria, Bullgaria, Gjermania, Hungaria, Rumania dhe Turqia, shpreson që gazi që vjen nga Azerbajxhani dhe Turkmenistani do të kalojë nëpër këtë linjë gjatë fazës së parë të furnizimit të parashikuar për në 2013. Por përtej kësaj, asnjë prej aksionerëve të konsorciumit Nabucco nuk mundet që të ofendojë Rusinë, eksportuesi kryesor në botë. Gazi natyror rus, 607.4 miliard metër kub vetëm vitin që kaloi, zuri 20.6 përqind të prodhimit total botëror. Gazi natyror dhe nafta bruto janë eksportet më të mëdhenj të Rusisë, duke sjellë një tepricë tregtare prej 84.3 miliard në pesë muajt e parë të 2008.

Fred Kagan, që shihet si kryearkitekti i strategjisë kundër kryengritësve në Irak, thotë se lufta e Rusisë me Tbilisin vitin që kaloi kishte për qëllim rrëzimin e Presidentit gjeorgjian, Saakashvili, një kundërshtrar i paepur i Moskës; si dhe për të bindur investitorët që të qëndrojnë larg projekteve të hidrokarbureve në Kaukaz ku Gjeorgjia është e përfshirë. Rusia shiste deri para krizës 500 milion dollarë naftë përditë dhe nisi të shfaqet si një perandori energjitike. Dhe teksa bëhet gjithnjë e më e varur nga nafta dhe gazi, energjia është shndërruar në mjetin kryesor të Kremlinit për të siguruar suksesin e iniciativave të veta në politikën e jashtme si dhe rritjen ekonomike në vend. Në dimrin e vitit 1889, teksa Rusia nisi të përvijohet si një shtet i gjithëpushtetshëm në Azinë Qendrore, një takim shumë interesant zhvillohej në zonën malore të Karakoramit mes dy prej lojtarëve më të mëdhenj në Lojën e Madhe. Koloneli rus B.L. Grombtchevski dhe Kapiteni britanik, Francis Younghusband u takuan rastësisht, tek bënin përpjekje për të shtuar edhe mbretërinë e Hunzas në sferat e tyre respektive të influencës.

Pavarësisht rivalitetit të këtyre dy burrave, sipas biografit të Younghusband, Patrick French, ata të dy patën në mënyrë të menjëhershme një marrëdhënie interesante dhe u angazhuan në një diplomaci të jashtëzakonshme skërmitjesh, në lidhje me ambiciet e vendeve të tyre respektivë në Azi. Grombtchevski u brohorit nga kavaleria e tij e kozakëve, kur ai deklaroi se gjysmë milioni trupa ruse do të ishin gati të pushtonin Indinë brenda pak ditësh, ndërkohë që Younghusband, befasoi rivalin e tij duke urdhëruar eskortën e tij të Gurkhasve - e stërvitur në mënyrë të shkëlqyer - që të paraqiste armët. Pas kësaj, secili vazhdoi në rrugën e tij. Younghusband mund të ketë qenë fare mirë i Fundmi Aventurier i Madh Imperial - sipas titullit të librit të biografit të tij French: por Loja e Madhe vazhdon.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora