Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


E vërteta dhe opinionet për një femër të madhe

| E hene, 02.02.2009, 12:07 AM |


Helena Petrovna Blavatsky
Helena Petrovna Blavatsky
Shumë njerëz e kanë sharë, shumë e kanë përbuzur. Të tjerë e kanë adhuruar, shenjtëruar dhe kanë gjetur shpëtim tek ajo. Por, cila është e vërteta rreth mësimeve dhe misionit të Helena Petrovna Blavatsky?

Biografia e Helena Petrovna Blavatsky përmban të dhëna mbi familjen e saj, prejardhjen dhe moshën e saj fëminore, e cila u shoqërua nga fenomene të çuditshme dhe të pashpjegueshme. Gjithashtu, ishte dhe takimi i parë me mësuesin e saj, martesa dhe largimi i saj nga shtëpia dhe pas gjithë këtyre ngjarjeve fillojnë udhëtimet dhe njohja me qytetërimet dhe traditat e ndryshme.

Periudha e kërkimeve të saj mbaron atëherë kur krijon Shkollën Teozofike dhe vëmendja e saj kthehet në zhvillimin dhe rritjen e kësaj organizate dhe sigurisht vazhdon të punojë, të punojë …

Shkruan veprat e saj: "Isis e zbuluar", "Doktrina Sekrete", "Fjalor Teozofik", "Çelësi i Teozofisë", "Zëri i Qetësisë" dhe qindra artikuj të tjerë - i gjithë koleksioni i veprave të saj formon 15 vëllime.

Helena kishte një karakter të vështirë. Mund të shante si një "shofer" dhe përreth saj kur punonte mund të shihte dikush mbetjet e cigareve të hedhura përdhe, nuk dinte të vishej sipas modës dhe mund të shpenzonte paratë e saj të fundit për diçka të parëndësishme dhe mund të thonte ose të shkruante shumë më tepër se sa duhej.

Nga ana tjetër, Helena ishte një njeri që i falte gabimet e njerëzve, mbyllte sytë përpara defekteve të bashkëpunëtorëve të saj, jepte rëndësi sidomos virtyteteve të njerëzve dhe kjo gjë e bënte të dukej naive dhe të tregonte më tepër besim se sa duhej. 15 vitet e fundit të jetës së saj rrjedhin pas tavolinës së zyrës së saj. 18 orë në 24 ishte solide në përpjekjen e saj për shënjestrën që kishte vënë.

Këto janë disa nga karakteristikat e personalitetit të saj dhe nuk kanë shumë rëndësi ashtu si dhe fuqitë e saj parapsikologjike, sepse parapsikologjia nuk është një fenomen shpirtëror, por një fenomen psikologjik. Në Tibet, Helena mësoi se si t'i kontrollonte këto fuqi dhe se si të mund të mbizotëronte personalitetin e saj dhe nga medium të bëhej Andepto.

Një tjetër histori

Përveç asaj jete midis njerëzve, mbi të cilën janë shkruar shumë libra, ekziston dhe një histori tjetër, META-HISTORIA për Blavatskin.

Ishte një initacionante, nxënëse dhe mësuese. Kjo histori tjetër është një udhëtim nëpërmes hapësirës - kohës brendësore, histori që ka teste të mëdha dhe fitore të mëdha që e udhëheqin në fitimin e hapësirës brendësore të shpirtit. Jeta brendësore e Helenës është jeta e një nxënësi, jeta e një njeriu të detyrës, devotshmërie dhe besueshmërie në udhën që ajo kishte zgjedhur.

Disa herë Helena nuk kuptonte këshillat dhe kërkesat e mësuesve të saj dhe gjithmonë kishte mundësinë për t'i refuzuar duke thënë: "Unë nuk dua ta bëj një gjë të tillë" dhe megjithatë … mbeti solide dhe e patundur, ishte gjithmonë në disponimin e tyre dhe bënte gjithçka që kalonte nga duart e saj. Pasi asgjë nuk kishte aq rëndësi se sa detyra e saj përpara mësuesve dhe veprës së teozofisë: "Atyre u përket i gjithë gjaku im deri në pikën e fundit. Atyre do t'u jepet dhe rrahja e fundit e zemrës sime".

Por si e shikonin Blavatskin shokët, të afërmit dhe nxënësit e saj?

Njohja me veprat e Blavatskit dhe opinionet e ndryshme të asaj epoke, e shtynë të kërkojë dhe të gjejë imazhin e vërtetë të njeriut që krijoi kaq ndjenja të ndryshme në botën e asaj kohe.

"Sa më shumë përparoja në eksplorimin e jetës së saj, aq më i qartë bëhej mendimi se për biografinë e vërtetë të Helenës, që do të mund të jepte imazhin e duhur, nuk kishte ardhur akoma koha. Organizimi i pazakontë psikologjik i saj që shfaqte aftësitë, të cilat në njeriun e sotëm ndodhen në një gjendje latale, ishin shumë më përpara aftësive të intelektualeve të sotëm. Vetëm psikologjia e së ardhmes do të mund t'i zbulojë dhe t'i interpretojë në mënyrën e duhur….''

Helena shfaqet në periudhën në të cilën mënyra e komunikimit ishte tashmë e shpejtë, ku gjithçka mësohet dhe bëhet pronë popullore. Blavatski ishte kaq e hapur për të gjithë njerëzit saqë asnjëri nuk mund të injoronte ekzistencën e saj, por dhe as ta mitozanonin.

"Helena nuk është një teori - është një fakt. Dhe ky fakt tregon me një këmbëngulje se shkenca duhet të hapë kufijtë e saj dhe të pranojë në gjirin e saj jo vetëm fenomene fizike, por edhe ato mbifizike dhe pranë zhvillimit të formave të njohë edhe zhvillimin e psikisë dhe shpirtit të njeriut, përndryshe do t'i duhet të ulë armët e saj dhe të deklarojë paaftësi përpara fenomeneve të niveleve të larta…"

Helena kishte një fuqi dhe një madhështi kaq të madhe, por ishte edhe një njeri shumë i vetëm. Vetmia e saj arrin atje ku akoma dhe njerëzit e saj më të afërt dhe më të dashur e kanë të pamundur ta kuptojnë dhe të besojnë në aftësitë e pazakonta të saj. Tragjedia e kësaj vetmie, shfaqet kur dikush lexon kujtimet e motrës së saj, e cila pavarësisht se mbështet Helenën me dashuri dhe mundohet ta mbrojë nga gjuhët e këqija, i është kaq e pamundur të kuptojë madhështinë e motrës së saj. Sa çudi, tronditje dhe habi dallohet nga fjalët e saj!

Nadejda Jelixovskaia (mbesa e Helenës)

Një nga karakteristikat e Helenës ishte humori i saj i shkëlqyeshëm, shumë i përzemërt, por edhe disa herë dhe si acid për "unat ambicioze". Mbesa e saj, Nadejda Jelixovskaia, shkruan:

"Tezja ime kishte një karakteristikë të shkëlqyer - për gallatë mund të paraqiste histori imagjinare për veten e saj. Ne disa herë mbanim barkun me dorë nga të qeshurat, kur dëgjonim për intervistat e saj me gazetarë nga Londra. Nëna jonë e ndalonte: "Përse i thua këto fantazi?", ndërsa tezja ime përgjigjej se gazetarët kishin nevojë të nxirnin para për fëmijët e tyre. Disa herë në momentet e gëzuara me shokët e saj teozofë, tregonte këto histori fantastike duke bërë shaka. Atëherë dhe ne qeshnim, por padituria njerëzore nuk i kupton këto shaka dhe për faj të saj u krijuan shumë probleme. Me sa duket, disa nga ata që nuk i kuptonin shakatë e saj, u prekën nga ato dhe u kthyen në armiq të saj…"

Henry Olkott

"Asnjeri nga ata që njihte Helenën nuk mund ta harrojë, asnjëri nuk mund ta zëvendësojë. Ekzistojnë njerëz që zotërojnë disa nga dhuntitë e saj, por të gjitha dhuntitë e saj nuk i zotëron askush… Jeta e saj, atë që unë njoha nëpërmes 17 viteve si shok, bashkëudhëtar dhe bashkëpunëtor, ishte e mbushur me vuajtje për dashurinë për njerëzit. Helena digjej për të mirën e tyre shpirtërore, për lirinë e tyre shpirtërore. Ishte larg çdo lloj motivi vetjak. Dedikoi jetën dhe fuqinë e saj në veprën e dashurisë, pa pritur as mirënjohje, as shpërblim dhe për këtë arsye u ndoq nga shpifjet e farisëjve dhe të të mjeruarve deri në ditën e vdekjes së saj, të cilën e përshpejtuan me ligësinë e tyre… Ishim miq të ngushtë, jetonim dhe punonim bashkë dhe drejtoheshim në të njëjtin synim. Njerëz me një temperament krejt të ndryshëm, ndryshonim shpesh në detaje, por përsa i përket punës sonë, besnikërisë kundrejt mësuesve - ishim një shpirt dhe një zemër. Unë doja tek ajo atë tjetrën, atë ekzistencë superiore, që ishte kaq misterioze! Dhe pavarësisht besimit që kishim tek njëri tjetri, Helena mbeti për mua një enigmë deri në ditën e fundit të jetës së saj. Kurrë nuk arrita të njoh - KUSH ISHTE - jo H.P. Blavatski me mbiemrin e lindjes Han, mbesë e gjeneralit Fandef dhe të Konteshës Dolgorukova, por atë individualitetin misterioz që shkruante librat dhe bënte mrekulli… Shpirti i madh i saj ndizte gjakrat tonë të butë, entusiazmi i saj ishte si një flakë që nuk shuhet dhe nga e cila të gjithë teozofët ndiznin pishtarët e tyre".

Annie Besant

"Aftësia për të rezistuar - virtyti më i madh, aftësia e durimit - dhuratë e shpirtit fisnik …

Aftësia e rezistencës gjatë vështirësive pa u grindur dhe virtyti i durimit ishin karakteristikat kryesore të Helenës, kështu sikur e njoha në vitet e fundit të saj. Ana e shkëlqyeshme e karakterit të saj ishte forca - solide dhe e fortë si shkëmbi. Tolerimi i saj në aktivitetet e vogla dhe të jashtme nuk kishte kufi, por në temat e rëndësishme Helena ishte konfirmuar dhe e palëvizshme sa asnjëri tjetër.

Ah sikur të dinin armiqtë e saj se kujt i hidhnin baltë! Një ndjenje të tillë të brishtë të nderit që kishte Blavatski, duhet ta kërkojë dikush vetëm në ëndrrat që krijojnë imazhin e 'kalorësit pa frikë'. Sinqeriteti dhe pastërtia e motiveve të saj ishin kaq të admirueshme sa edhe fuqia e karakterit të saj që nuk thyhej kurrë nga goditjet e jetës.

E akuzojnë për gënjeshtra! Por, si mund të turpërohej në këtë mënyrë kur nuk i interesonte se çfarë thonin për të? Dhe të gjitha motivet brendësore, të cilat detyrojnë njerëzit e thjeshtë për të përdorur gënjeshtra, për atë kishte vite që i kishte tejkaluar.

Mua personalisht Helena më solli një dobishmëri të madhe - më udhëhoqi drejt vetëdijes. Më dukej e çuditshme kur flisnin se si Blavatski mund të bënte gabim për njerëzit dhe të besonte njerëzit që më vonë do ta tradhëtonin. A nuk kuptonin ata njerëz që flisnin kështu se Blavatski konsideronte si detyrën e saj për t'i dhënë çdonjeriu shansin për t'u korigjuar dhe kurrë nuk i interesonte nëse do të dështonte apo nëse do të gjendej në një pozicion të vështirë. Unë vëzhgoja komunikimin e saj me ata që e kërkonin vetëm për fenomenet e saj parapsikologjike dhe ju afroheshin me motive jo të pastra. Helena fliste me ta me të njëjtën mënyrë të hapur ashtu si edhe me miqtë e saj. Por, gjithashtu, shikoja se me çfarë mprehtësie shikonin sytë e saj ata njerëz dhe se me sa hidhërim i kthente shikimin e saj kur konfirmonte që ata njerëz nuk ishin të sinqertë.

Por nëse dikush me të vërtetë kërkonte dijen më të vështirë nga të gjitha - vetëdijen - atëherë ajo e ndihmonte me dhuntinë e saj të rrallë të mprehtësisë (depërtimit). E paralajmëronte për rreziqet e fshehta, i shpjegonte karakteristikat e thella të tij dhe e mbështeste në përpjekjen e tij për të njohur vetveten".

Herbert Burroughs

"E njoha vetëm për dy vjet … dhe nëse është i drejtë opinioni se jeta e njeriut duhet të matet sipas periudhave të zhvillimit shpirtëror, atëherë koha që nga momenti që për herë të parë shtrëngova dorën e saj e deri atëherë kur rrija afër arkivolit të saj, ishte koha më e pasur dhe më e mbushur, koha më e gjatë nga e gjithë jeta njerëzore.

Erdha tek ajo si një materialist dhe ika si teozof dhe mbi këtë greminë, H.P.B. arriti të ndërtonte një urë në shpirtin tim. Ishte nëna ime shpirtërore dhe nuk ekzistonte tjetër që mund të donte më shumë dhe të ishte më e duruar dhe më e ngrohtë. Blavatski e vërtetë u shfaqte përpara nesh shumë rrallë dhe i vetmi çelës që mund të kuptonim këtë ekzistencë të veçantë ishte shembulli i gjallë që na jepte me jetën e saj. Jeta e saj na mësoi të mos shohim të mirat materiale si synime, por të shikojmë synimin e vërtetë në shërbimin e njerëzimit, një shërbim pa grindje, deri në fund".

Kontesha Wachtmeister

"Në vitin 1885 e gjeta të dobët dhe të lodhur nga vuajtjet trupore dhe psikike dhe e pyeta përse vazhdon të torturohet kur ka në duart e saj të gjitha mjetet për të lehtësuar dhimbjen? Pse duke shkruar një vepër kaq të rëndësishme (Doktrina Sekrete) që ka nevojë për qetësi dhe shëndet, ajo nuk lëviz as gishtin e vogël për të përmisuar kushtet e jetës së saj?

Dhe përgjigjja e saj ishte gjithmonë e njëjtë: "Çdo nxënës i esoterizmit jep premtimin se KURRË nuk do të përdorë dijet dhe fuqitë për të mirën personale. Nëse nuk e bën një gjë të tillë dhe vepron ndryshe është sikur të ecësh në një rrugë që të dërgon drejt greminës… unë dhashë premtimin dhe kurrë nuk kam për ta thyer, pasi njoh esencën e tij të shenjtë… më e lehtë është për mua t'u rezistoj torturave të ndryshme sesa të thyej betimin tim… dhe të rezistoj jo vetëm dhimbjes trupore, por akoma dhe më rëndë - torturat etike: që të bëhem shënjestër talljesh dhe përbuzjesh''.

Këto fjalë nuk ishin të ekzagjeruara. Pak njerëz e dinë. Tek ajo, e cila ishte si një mburojë përpara teozofëve, binin shigjetat e helmosura të talljeve dhe të shpifjeve. Blavatski ishte një viktimë vullnetare, nën torturat e padrejta mbi të cilat u ndërtua dhe u forcua jeta dhe suksesi i shoqërisë teofizike.

Charles Johnston

"Përshtypja ime e parë për Helenën ishte fuqia e pazakontë e saj… ajo ndjenjë e fuqisë së saj nuk mbyste dhe as nuk përbuzte më të dobtit, ajo ishte ndjenja e thellësisë dhe madhësisë së shpirtit që përqafon të gjithë qënien dhe arrin deri tek burimi. Asnjë nga karakteristikat e saj të rralla nuk më bënte më shumë përshtypje aq sa modestia e saj dhe ndershmëria e saj. Gjithmonë gëzohej për virtytet e të tjerëve dhe harronte dhuntitë e saj.

Helena ngjante me një lum malor që buronte nga liqeni i thellë dhe shkëlqyes, i cili fshihej pas reve. Lumi i cili sillte bashkë me të nga lartësitë malore, kokrra ari dhe gurë të çmuar duke i shpërndarë ato në rërën e luginës. Dhe kur banorët e saj t'i gjenin, atëherë fillojnë të besojnë se atje tej në male, ekzistojnë thesarë dhe deri në vdekjen e tyre do të mundohen t'i arrijnë".

Bertram Keightley

"Para se të njihja Helenën, jeta ime nuk kishte asnjë ideal. Shikoja vetëm zhdukjen e plotë të botës dhe kjo gjë vriste brenda meje çdo lloj motivi fisnik… nga kjo gjendje më nxori Helena, ashtu si edhe shumë të tjerë, me mësimdhënien e saj dhe më tepër me shembullin e saj të jetës. Na dha dritën e yjësisë që ndriçonte rrugën e jetës sonë. Helena u mësoi atyre që mund të dëgjonin, mënyrën me të cilën të gjejnë rrezet e asaj drite brenda vetvetes, u tregoi drejtimin e një udhe dhe bëri që të pranojnë se vetëm ai i cili mund të harrojë veten e tij dhe të dashurojë, do të gjejë çelësin në labirintin e jetës, pasi vetëm me këtë lloj kuptimi fillon të rritet shpirti dhe zemra e njeriut dhe ndërgjegjeja e tij mund të mbushet me dituri... Me shembullin e saj të çdo momenti ndizte shpirtin e atij që donte të lartësohej deri në ndërgjegjjen e detyrës, të vetërefuzimit dhe shërbimit të së vërtetës. Një nga karakteristikat e saj të mrekullueshme ishte 'thjeshtësia e zemrës' së saj, Blavatski ishte shërbëtorja e çdo njeriu që me të vërtetë kërkonte ndihmën e saj… Dhe për atë nuk nevojitej të falte asnjeri, sepse çdo ligësi ishte kaq larg nga Helena aq larg sa është toka nga ylli qiellor… Dhe të punonte në një mënyrë altruistike mundej, kështu që vetëm me atë stërviste shpirtin dhe vullnetin tek njerëzit që ndodheshin përreth saj… Helena donte të mos thyhej zinxhiri i dashurisë që na bashkon të gjithëve për të ndihmuar të tjerët ashtu sikur ajo na ndihmoi ne".

William Kingsland

"Helena na dha teozofinë jo si një mësimdhënie, fe, filozofi apo teori, por si një fuqi të gjallë që duhet të tejkalojë tek të gjithë thellësitë e jetës sonë. E mira, mesazhi i pastër për t'u transferuar në botë, duhet të kthehet në mësimdhënie, të marrë formën e jashtme, por nuk na mësonte mbi të jashtmet, por na nxiste të shikojmë më tej formës dhe të kemi si motiv të veprimeve tona principin e gjallë. Me termin 'teozofi', Helena konsideronte shumë më tepër se ato që kishte shkruar. Nota kryesore në të gjitha mësimet e saj dhe në të gjithë jetën e saj ishte vetësakrifica. Më mirë se kudo tjetër e shpreh tek 'Zëri i Qetësisë'.

Por kujdes nxënës. Dëgjo edhe një fjalë akoma. Dhembshurinë hyjnore po mundohesh të shkatërrosh? Dhembshuria nuk është një veçori. Ky është Ligji i LIGJEVE, është harmonia e përjetshme, esencë universale pa brigje, drita e mirësisë së përjetshme dhe përshtatja e të gjitha gjërave, ligji i dashurisë së përjetshme".

Lahiri, Rai Bahadur, B. K.

"Nëse dikush do të mendojë se unë jam Vrahman nga India dhe i kastës së Lartë, atëherë është e qartë se asgjë tjetër përveç së vërtetës nuk do të mund të më detyronte të them fjalë mbështetëse për individin që jep mësimdhëniet e mëdha të parardhësve të mi tek ata që, pavarësisht se kanë shkencën dhe qytetërimin e përparuar, në të vërtetë janë barbarë.

Ai që quan Helenën gënjeshtare - nuk kupton se çfarë thotë! Unë do t'i jepja të gjitha jetët e mija atij që do të më mësonte të gënjeja sikur ajo!

Ndoshta për njerëzit e Perëndimit nuk është e mjaftueshme, nëse Vrahmani krenar që kurrë dhe për asnjeri nuk ulte kokën, përveçse Ekzistencës së Madhe, nëse ai Vrahman përpara kësaj jogeje të bardhë të Perëndimit do të ulë duart e tij si një fëmijë i bindshëm?

Kush është motivi i tij?

Helena kaloi pragun dhe çdo indian, madje dhe vrahmani më i pastër nga të pastrit, do ta quajë nder të madh dhe gëzim të tijin ta quajë nënë.''

Cila është e vërteta për Helena Petrovna Blavatski?

Mund të themi se ekzistojnë shumë të vërteta relative mbi Helenën. Për dikë ishte mësuesja e dashur dhe mikesha, për dikë tjetër ishte një gënjeshtare dhe një sharlatane, për të tjerë ishte ajo që trondiste rregullat bazë të besimeve fetare, tjetërkush e shikonte si njeriun me fuqi të çuditshme parapsikologjike…

Të gjitha këto janë të vërteta relative…

Çdonjëri, si miqtë ashtu dhe armiqtë e saj, e shikojnë nëpërmes prizmës të konceptimeve të tyre dhe na tregojnë fakte të jetës së saj duke i ngjyrosur me ndjenjat e tyre.

Kur ne takojmë diçka të madhe, është e vështirë ta kuptojmë dhe akoma më e vështirë ta shpjegojmë. Dhe e rëndësishme është, para se të nxjerrim konkluzione të nxituara për H.P.Blavatskin, të studiojmë veprat e saj, jetën e saj dhe pa paragjykime të mundohemi të prekim natyrën e saj. Vetëm atëherë do të mund të kuptojmë se, përveç biografisë së saj dhe fakteve të jetës brenda njerëzve, për Blavatskin ekziston dhe një tjetër e vërtetë - që ka të bëjë me filozofinë dhe metafizikën, një histori tjetër - histori udhëtimi brenda dimensionit brendësor të shpirtit. Do të shohim idealin e saj, kërkimet e saj, gëzimet dhe dhimbjet, të gjitha ato që ishin mbështetjet e saj dhe të gjitha ato për të cilat ajo jetoi.

Përgatiti

KLARITA BAJRAKTARI - RD