E enjte, 18.04.2024, 05:48 PM (GMT+1)

Faleminderit

Ismail Qemali, Sekretet e jetës së plakut të Shqipërisë

E hene, 02.02.2009, 07:18 AM


Ismail Qemali
Ismail Qemali
Nga Darling Ismail Vlora

Ismail Qemali lindi në Vlorë, më 24 janar 1844, në një nga familjet më të lashta të Shqipërisë. “Themeluesi i familjes Vlora, nga e cila rrjedh unë, -kujton Ismail Qemali, -ka qenë Sinan Pasha, i cili, pasi kishte qenë Vezir i Madh, erdhi në Vlorë, në kohën e Sulejman Madhështorit, në cilësinë e Kapudan Pashait, ose Admiralit të Madh të Flotës. Ai u vendos përfundimisht aty, deri sa vdiq”(1). Që nga ajo kohë, për gati 5 shekuj, “gjejmë pothuaj pa ndërprerje 18 anëtarë të kësaj shtëpie në ofiqin e mëkëmbësit të Sulltanit në Vlorë (shpeshherë edhe të bashkuar me atë të Elbasanit dhe Delvinës). Edhe kur ky post nuk mbahej nga ndonjëri prej anëtarëve të kësaj familje, në kështjellën e Kaninës do ishte gjithmonë një i tillë si zëvendës (myteselim) i sanxhakbeut në fuqi...”(2).
I ati i Ismail Qemalit ishte Mahmud bej Vlora (1812-1866) ndërsa nëna, Hedie hanëmi, vajzë e Tahir bej Libohovës, nga familja e njohur Arsllan-Pashali, Vezir të Janinës.
Më 1847, Porta e Lartë vendosi të zbatojë në Shqipëri ligjin themelor, njohur me emrin Tanzimat, të cilin Sami Frashëri e kishte quajtur “robërim të dytë të Shqipërisë”. Ky ligj, midis të tjerave, impononte taksa direkte dhe shërbimin e detyruar ushtarak, gjë që ra ndesh me interesat e fisnikëve, por edhe të mbarë popullsisë shqiptare. Për rrjedhim shpërtheu kryengritja e përgjithshme, e njohur në historinë tonë si “kryengritja popullore kundër reformave të Tanzimatit”. Mahmud bej Vlora ishte një ndër udhëheqësit kryesorë të kësaj kryengritje, përkrah Rrapo Hekalit e Zenel Gjolekës. Pas luftimesh të gjata forcat perandorake arritën ta shtypin kryengritjen dhe për pasojë “të gjithë krerët e aristokracisë, si dhe paria që kishin marrë pjesë në kryengritje, u arrestuan dhe u internuan në Konia të Azisë së Vogël, ose u burgosën në Stamboll. Familjet e krerëve kryesorë u internuan në Selanik dhe në lokalitete të ndryshme të Maqedonisë”(3). Mahmud bej Vlora, së bashku me kushëririn e tij, Selim Pasha Vlora, “u arrestuan dhe u dërguan në Manastir, ku ishte qendra e përgjithshme ushtarake e korparmatës së Rumelisë”(4).
Pas arrestimit të Mahmud beut, familja e tij u urdhërua të largohej nga Vlora dhe të vendosej në Selanik. Në këtë qytet ata gjetën mbështetjen e madhe të konsullit francez, Grasset(5), i cili kishte patur miqësi me Mahmud beun dhe njihte personalisht familjen e vlorajve, që nga koha kur kishte qenë konsull në Janinë. “Kur mori vesh që po arrinim, -kujton Ismail Qemali, -na doli përpara me një karrocë e na çoi në shtëpinë që kishte përgatitur për ne... Gjatë mërgimit tonë trevjeçar, në Selanik, jetuam nën mbrojtjen direkte të këtij konsulli kaq fisnik...”(6). Më 1851, Mahmud bej Vlora u fal dhe, së bashku me familjen, u kthye në Vlorë, ku mori sërish në dorë administrimin e vendit.
Rreth vitit 1855 Ismail Qemali u rregjistrua në gjimnazin “Zosimea” të Janinës, një nga shkollat e mesme më të ngritura të Perandorisë Osmane, e cila “shquhej si qendër e përhapjes së iluminizmit përparimtar europian.... Ky ishte një hap i guximshëm, meritë e madhe e familjes së tij, e cila zgjodhi për çunakun një vatër kulturore përparimtare pa marrë parasysh përkatësitë fetare të arsimtarëve”(7). Megjithatë kjo nuk ishte një rastësi. Mahmud bej Vlora “fisnik dhe idealist”(8), siç e quan Eqrem bej Vlora, “kishte marrë edukatë europiane, gjë e rrallë për atë kohë, lexonte e shkruante turqisht, italisht e greqisht dhe kuptonte frengjisht. Veç kësaj ai ishte shumë i njohur me letërsinë e vendeve perëndimore, me qytetarët e të cilëve kishte marrëdhënie të shpeshta”(9) ndërsa, Hedie hanëmi, fliste dhe shkruante mjaft mirë greqisht(10). Për këtë fakt, “dukuri tepër e rrallë në familjet e tjera aristokratike të Shqipërisë”(11), Mahmud beu dhe Hedie hanëmi, u përpoqën që t’i ushqenin të birit “dëshirën dhe shijen për kulturën europiane”(12), por pa harruar që t’i jepnin dhe një edukatë tipike shqiptare, që të bëhej kështu “një shqiptar i vërtetë”(13).
Më 1859, ndërsa përgatitej për provimet e fundit, Mahmud beu vendosi që ta dërgonte të birin në Stamboll. Këtu ka një moment mjaft interesant. Gjatë luftës ruso-turke, të vitit 1854, andartët grekë kërkuan të përfitojnë nga rrethanat dhe nisën pushtimin e Thesalisë dhe Epirit. Në krye të trupave perandorake, për të zbrapsur grekët nga territoret e pushtuara, u caktua Fuad Pasha. Grekët, të drejtuar nga gjenerali Theodoros Grivas (1797-1862), ishin fortifikuar në Meçovë, por të sulmuar nga forcat e Mahmud bej Vlorës, u detyruan të “tërhiqeshin, nga ai vend që konsiderohej i pakapshëm, dhe i gjithë rajoni u çlirua dhe u vendos rendi(14). Për këtë aksion Fuad Pasha e dekoroi, Mahmud beun, me një gradë të lartë dhe një shpatë nderi, duke ruajtur gjithmonë një dashamirësi të veçantë për të. Ishin pikërisht Fuad Pasha, në atë kohë Ministër i Jashtëm i Perandorisë Osmane, dhe Ismail Pasha Plasa, që i propozuan atij të dërgonte të birin në kryeqytet, duke i ofruar edhe mbështetjen e tyre të plotë.
Më 15 korrik 1859, përpara kohe, Ismail Qemali dha provimet e vitit të fundit në “Zosimea” dhe, përveç diplomës shkollore, u pais edhe me një “dëshmi të veçantë për sjellje të mira”(15). Në maj të vitit 1860 u vendos në Stamboll, kryeqyteti i famshëm i Perandorisë Osmane, ku bënte pjesë edhe Shqipëria. Meqënëse Ismail Pasha Plasa kishte vdekur, pikërisht në fillim të po atij viti, Ismail Qemali u prit nga ish-Veziri i Madh, Mustafa Pasha Gjiriti, i cili ishte fis i nënës së tij. Po atë vit, me propozim të Fuad Pashës, filloi punë në zyrën e përkthimeve, pranë Ministrisë së Jashtme, njohur si djepi i burrave të shtetit turq. Gjatë shërbimit, gati 50-vjeçar, në administratën shtetërore turke, Ismail Qemali mbuloi detyra të rëndësishme duke krijuar lidhje dhe bashkëpunuar me diplomatë dhe burra shteti nga më të shquarit e kohës, si brënda dhe jashtë Perandorisë.
Më 1864, siç shkruan edhe vetë, Ismail Qemali u martua me një grua nga Konica, e cila vdiq në vitin e parë të martesës, së bashku me vajzën (ndoshta gjatë lindjes). Më 1867, duke qenë me punë në Rusçuk (Bullgari), Ismail Qemali u dashurua me Kleoniqi Surmeli, e bija e Antonit, një fisnik grek nga Edirneja, nga familja e Vezirit të Madh, Ali Pasha Surmeli (Vezir i Madh 1694-95). Duke qenë se familja e vajzës, kryesisht e njerka, për shkak të ndryshimit të fesë, nuk ishte dakord që të martoheshin, Ismail Qemali, me njerëzit e tij të besuar, e rrëmbeu gruan e tij të ardhëshme dhe, po të njëjtën ditë, në prani të dëshmitarëve nënshkroi “kontratën e martesës” sipas të cilës, nga pikpamja islamike, hiqej çdo mundësi tjetër për një martesë të dytë. “Martesa ime, -shkruan Ismail Qemali, -me gjithë zhurmën që kishte shkaktuar, më dha shumë prova simpatie nga ana e miqve të mi”(16). I pari që e uroi për këtë martesë ishte vetë Mit’hat Pasha, i cili nuk u zëmërua aspak edhe pse, pak përpara, Ismail Qemalit i ishte propozuar që të martohej pikërisht me vajzën e tij. Me Kleoniqi Surmelin pati “lumturinë”, siç do shprehej edhe vetë, të kishte 10 fëmijë: gjashtë djem: Mahmud bej (1871-1920), Tahir bej (1875-1932), Et’hem bej (1885-1937), Xhevdet bej (1888-1910), Qazim bej (1893-1953), Qamil bej (1895-1950) dhe katër vajza: Mevedet (1873-1954), Alije (xx-1955), Ylvije (xx-1934), një vajzë vdiq pak pas lindjes.
Më 1869, në moshën 25-vjeçar (duke refuzuar titullin Pasha), Ismail Qemali u emërua guvernator në Varna (Bullgari). Më pas guvernator në Tulçea (Bullgari); Guvernator i Përgjithshëm i krahinës së Danubit të Poshtëm; Kryetar i Komisionit Europian të Danubit; Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Punëve të Jashtme; Guvernator në Bolu dhe në Galipoli (Turqi); Governator i Përgjithshëm në Bejrut (Liban); Guvernator (ad interim) i Sirisë; Anëtar i Këshillit të Shtetit, etj., ku nxorri gjithmonë në pah dëshirën për t’i shërbyer përparimit të Perandorisë Osmane, ku bënte pjesë edhe atdheu i tij. Që në moshë të re ai bashkëpunoi ngushtë me reformatorin e madh Mit’hat Pashën dhe mori pjesë në hartimin e Kushtetutës së parë osmane, shpallur më 1876. Artikulli 108 i kësaj Kushtetute pranonte që “Administrata e krahinave do të kishte si themel parimin e decentralizimit”(17). Një nga idetë e Mit’hat Pashës, emëruar për të dytën herë Vezir i Madh, më 1876, ishte krijimi i një Vilajeti shqiptar. Fatkeqësisht, pak muaj pas emërimit, reformatori i madh turk u arrestua, u dëbua nga Turqia dhe, më vonë u vra. Kushtetuta, e cila kishte për qëllim forcimin e Perandorisë, mbeti e pazbatuar deri më 1908. Për idetë e tij liberale dhe bashkëpunimin me Mit’hat Pashën, që binin ndesh me regjimin absolutist të Abdul Hamid-it IItë, Ismail Qemali vuajti 7 vite internim (1877-1884)(18). Më 1897 ai i paraqiti një “Promemorie” Sulltanit, ku i sugjeronte që të ndërmerrte reforma të menjëhershme për të shpëtuar Perandorinë nga “fundi shumë tragjik”. Për të vënë në jetë këto reforma Ismail Qemali e këshillonte Abdul Hamid-in që të vinte në zbatim, pa asnjë vonesë, Kushtetutën e vitit 1876(19). Duke u përpjekur për forcimin e Perandorisë, ai mbronte edhe tërësinë territoriale të atdheut të tij. “Promemoria” iu dërgua fshehtas shtypit europian, nga vetë Ismail Qemali. “Le Temps”, e Parisit, duke e krahasuar këtë “Promemorie” me raportin e famshëm, që Necker-i, ministri i financave francez, i drejtoi Luigj-it XVI, më 1782, e publikoi të plotë, më 8 prill 1897, ndërsa “The Times” i Londrës, në të njëjtën ditë, publikoi një përmbledhje të gjatë të saj(20).
Idetë liberale dhe këmbëngulja e vazhdueshme për zbatimin e reformave, që do ndihmonin në përparimin e Perandorisë Osmane, mbështetur në një politikë të hapur me vendet e zhvilluara europiane dhe sidomos me Anglinë, të cilën e shihte si një fuqi që kërkonte ta ndihmonte miqësisht Perandorinë, gjatë periudhës së vështirë që po kalonte, solli si pasojë acarimin e marrëdhënieve të tij me sulltan Abdul Hamid-in IItë, i cili gjatë gjithë jetës e çmoi por edhe ia pati frikën burrit të ardhshëm të shtetit shqiptar. Në prill të vitit 1900 Abdul Hamid-i e emëroi Guvernator të Përgjithshëm në Tripoli. Duke dyshuar në një internim ose eleminim të mundshëm, gjë që kishte ndodhur me shumë elementë përparimtarë në Perandori, dhe sidomos pak vite më parë me bashkëpunëtorin dhe mikun e tij Mit’hat Pashën, Ismail Qemali kërkoi strehim politik në një luftanije angleze(21). Më 1 maj 1900, së bashku me tre mga djemtë e tij: Et’hem bej, Xhevdet bej dhe Qazim bej, në bordin e anijes egjiptiane Salamander, u largua nga Turqia. Që nga ky vit, e deri më 1908, jetoi në qytete të ndryshme të Europës si Bruksel, Romë, Paris, Londër, Athinë, etj., ku zhvilloi një aktivitet të dendur për çështjen shqiptare.
Pas fitores së Revolucionit të xhonturqve (korrik 1908) u kthye në Shqipëri dhe u zgjodh deputet i Sanxhakut të Beratit, në Parlamentin Osman. Pritja që i bëri populli i Vlorës, ditën që u kthye në atdhe, më 18 shtator 1908, mori pamjen e një manifestimi patriotik madhështor. Me mijëra njerëz ishin mbledhur në Skelë për të pritur bashkëatdhetarin e shquar. Për të treguar dashurinë dhe respektin e madh, që populli ushqente për birin e tij, karrocës së Ismail Qemalit i hoqën kuajt dhe e morën në krahë përgjatë gjithë rrugës, prej afro 2km, deri në qendër të qytetit(22). Më 10 janar 1909, Qamil Pasha, emëruar për të tretën herë Vezir i Madh, “për të forcuar pozitat e Qeverisë së tij”(23) i ofroi postin e Ministrit të Jashtëm, post që e mbuloi ad interim deri në rrëzimin e Qamil Pashës, më 14 shkurt 1909. Politika e jashtme që donte të ndiqte Ismail Qemali u duk qartë në relacionin që Veziri i Madh paraqiti në Parlament, më 13 janar 1909. Ky relacion, përpiluar nga Ismail Qemali dhe deputeti armen Zohrab Effendi, u prit me brohoritje nga parlamentarët dhe pati jehonë të madhe në shtypin europian(24). Majft pozitiv për interesat dhe forcimin e Perandorisë Osmane ishte edhe akordi austro-turk që Ismail Qemali përpiloi në janar 1909, në bashkëpunim me ambasadorin austro-hungarez Johan von Pallavicini dhe ambasadorin gjerman Adolf Marschall von Bieberstein. Për të forcuar pozitat e tyre, më 14 shkurt 1909, xhonturqit rrëzuan qeverinë e Qamil Pashës, në mënyrë antikushtetuese. Si rezultat i pakënaqësisë së krijuar në popull, më 13 prill 1909, shpërtheu kundër-revolucioni, ku Ismail Qemali do luante një rol mjaft të rëndësishëm, në atë “ditë të paharruar”, siç do ta quante ai vetë. Me të gjitha forcat ai u përpoq të shmangte gjakderdhjen dhe në seancën parlamentare të mbledhur urgjentisht, rreth 100 deputetë e zgjodhën njëzëri Kryetar të Parlamentit(25). Të nesërmen, Abdul Hamid-i dhe Veziri i Madh, Ahmed Tefik Pasha, i ofruan postin e Ministrit të Brendshëm ose të Drejtësisë, por Ismail Qemali i refuzoi duke u shprehur se kërkonte të bënte thjesht detyrën si përfaqësues i vendit të tij. U vu në krye të opozitës dhe, në janar 1910, u zgjodh Kryetar i Partisë Liberale. Në krye të deputetëve përparimtar shqiptar bëri të gjitha përpjekjet që populli i tij mos ngelej mbrapa vendeve të tjera të Perandorisë Osmane. Përpjekjet gjatë periudhës 1908-1912, si deputet në Parlamentin Osman dhe përkrah kryengritjeve të armatosura, për autonominë e Shqipërisë, ku të përfshiheshin të katër vilajetet me popullsi shqiptare, ashtu siç kish qenë ëndrra e rilindasve të mëdhenj, e çuan gjithmonë në një konflikt të hapur me xhonturqit të cilët, me politikën e tyre ultra-nacionaliste, përshpejtuan shkatërrimin e Perandorisë Osmane.
I përkushtuar tërësisht në çështjen kombëtare, gjatë muajve tetor-nëntor 1912, në një nga periudhat më delikate që po kalonte Shqipëria, ndërmorri një turne në kryeqytetet europiane. Pasi siguroi mbështetjen e duhur nga Fuqitë e Mëdha, thirri Kuvendin Kombëtar në Vlorë dhe, më 28 nëntor 1912, Shpalli Pavarësinë e Atdheut të tij, duke kurorëzuar përpjekjet dhe aspiratat shekullore të popullit shqiptar. Nga Kuvendi i Vlorës u zgjodh njëzëri Kryetar i Qeverisë së parë shqiptare. Në kushte mjaft të vështira politiko-ekonomike, drejtoi për 14 muaj Qeverinë e Vlorës, e cila kreu “në mënyrë të shkëlqyer detyrat më të rëndësishme historike: siguroi ekzistencën e Shqipërisë së Pavarur; ngriti shtetin e ri shqiptar; përcaktoi qysh në lindje të Shqipërisë një politikë të jashtme të paqes, neutralitetit dhe ekuilibrave në Ballkan; hodhi themelet e arsimit shqiptar; u bë shprehësja e aspiratave të thella të popullit tonë për zhvillime europiane perëndimore”(26). Më 22 janar 1914, për t’i dhënë fund përçarjes brenda vendit, dha dorëheqjen nga Qeveria, duke kryer një akt tejet demokratik, dhe u largua përkohësisht nga Shqipëria, por pa pushuar për asnjë moment përpjekjet në mbrojtje të të drejtave të popullit të tij. Në nëntor 1917, një vit para mbarimit të Luftës së I-rë Botërore, “Partia Politike e Shqiptarëve të Amerikës” e zgjodhi përfaqësues të saj në Europë, me mandatin “për të siguruar e garantuar pavarësinë e plotë politike dhe ekonomike të Shqipërisë” dhe “për të realizuar ndryshimet e nevojshme të kufijve të Shqipërisë, ku të përfshiheshin të gjitha tokat dhe krahinat e banuara kryesisht me shqiptarë, që Konferenca e Ambasadorëve e Londrës, më 1912-13, me mospërfillje dhe padrejtësisht, ia kishte kaluar Greqisë, Serbisë e Malit të Zi”(27). Ndërsa ndodhej në Spanjë, u ftua nga Qeveria italiane, për të arritur një bashkëpunim rreth çështjes shqiptare. Pa nguruar u nis për Itali, i shoqëruar nga dy djem të tij: Et’hemi dhe Qazimi. Më 9 dhjetor 1918 arriti në Xhenova dhe më 20 dhjetor, përgjatë rrugës për Romë, u ndalua në Peruxhia, ku Qeveria italiane i kish “caktuar” rezidencën, në Hotel “Brufani”, me preteksin se “ata që e kishin ftuar nuk ndodheshin në kryeqytet”!!!(28). “Më hëngrën me të pabesë!” kishte shfryrë i tronditur Ismail Qemali, pasi e kuptoi se qëllimi i vërtetë i ftesës ishte izolimi i tij(29). Më 15 janar 1919, pasi priti më kot, gati një muaj në këtë “qytet të harruar” të Italisë, i drejtoi një “Promemorie” Kryeministrit italian Orlando, i cili ndodhej në Romë dhe përgatitej të shkonte në Paris, për të marrë pjesë në Konferencën e Paqes. Kjo “Promemorje” është dokumenti i fundit shkruar prej tij dhe, jo vetëm që është një kryevepër diplomatike por, padyshim, nxjerr edhe njëherë në pah dashurinë e madhe karshi atdheut, të cilit i dedikoj gjithë jetën e tij, deri në ditët e fundit:
“Kryetar i Këshillit të Ministrave, Romë
Përveç admirimit tim personal, me ndjenjën e dëshirës së përfaqësimit të idealeve shqiptare, realizimit të të cilave i kam kushtuar gjithë jetën time, e ndjej për detyrë t’i besoj shpresat e mia, për lirinë e vendit tim, në mbështetjen dhe mbrojtjen e lartë të Italisë, martirizimi i gjatë i së cilës ka qenë njëkohësisht po aq i madh sa edhe vet historia e saj e lavdishme dhe, triumfuse me luftrat mbinjerëzore, u ka siguruar përgjithmonë popujve të shtypur lirinë.
Duke qenë emëruar, në bazë të një akti formal të shqiptarëve të Amerikës, në cilësinë e delegatit, për të mbrojtur, pranë Konferencës së Paqes, të drejtat e Shqipërisë dhe për të kërkuar rikthimet e territoreve të shkëputura më parë, duke përfituar gjithashtu nga ftesa bujare, komunikuar nga Ambasada Mbretërore në Madrid, pasi vura në dijeni zgjedhësit e mi dhe u porosita të kenë besim të plotë, u nxitova të nisem për Romë, për t’u vënë në shërbim të Qeverisë Mbretërore, për të bashkërenduar qëllimet tona në përputhje me pikpamjet Tuaja të larta. Edhe pse i hidhëruar nga privimi i të drejtës për t’ju paraqitur personalisht Shkëlqesisë Suaj falenderimet dhe kërkesat legjitime të popullit shqiptar për rivendikimet territoriale të tij, fatet e të cilave varen nga dashamirësia dhe nga një mbështetje Juaj e fortë, pa asnjë hezitim, duke iu nënshtruar fatit, ndodhem në Peruxhia, në pritje të udhëzimeve Tuaja.
Megjithatë, duke qenë se Konferenca e Paqes, e cila do vendosë të ardhmen e njerëzimit si dhe fatin përfundimtar të Shqipërisë, fillon së shpejti punimet, edhe pse kujdesi i madh i Shkëlqesisë Suaj përbën një garanci për mbrojtjen e të drejtave dhe interesave të Shqipërisë, misioni im si përfaqësues i shqiptarëve të Amerikës dhe patriotizmi im i zjarrtë më diktojnë dëshirën legjitime dhe detyrën e shenjtë për të qenë pranë jush dhe për të ndjekur nga afër vendimet rreth fatit të vendit tim dhe të Orientit, aq më tepër që, për këtë qëllim, kam përgatitur një studim, i cili ka lidhje me origjinën e racës sonë, zonën etnografike dhe të drejtat historiko-gjeografike të Shqipërisë, të cilat do të dëshiroja t’ia paraqisja Konferencës dhe opinionit publik, sigurisht pasi të merrja edhe aprovimin Tuaj.
I lutem Shkëlqesisë Suaj që të marrë në konsideratë të veçantë lutjet e mia duke më trasmetuar telegrafisht porosit dhe sugjerimet Tuaja.
Ismail Kemal
15 Janar 1919.
Në rast se është nisur, ju lutem dërgojani në Paris”(30).
I gjendur në një izolim të plotë, pa asnjë lajm nga Qeveria italiane dhe në pamundësi lëvizje, më 23 janar, Ismail Qemali përgatiti një konferencë për gazetarët. “Pas buke, Ismail Qemali hyri në sallonin ku e prisnin korrespondentët. Që në fjalitë e para të bisedës, i zverdhur dhe i lëkundur, nisi të belbëzojë e të mos i lidhte dot fjalët. Kërkoi ta shpinin në odën e banjës. Atje e mbyti shkuma e të vjellët....”(31). Të nesërmen, 24 janar 1919, mbylli sytë, në moshën 75-vjeçare, në rrethana akoma të dyshimta.
I shoqëruar nga tre djem të tij: Et’hemi, Qazimi dhe Qamili dhe nga përfaqësues të Ministrisë së Jashtme italiane, më 8 shkurt 1919, trupi i Ismail Qemalit u dërgua me tren në Brindisi nga ku, në bordin e torpedinieres “Alpino”, u shoqërua në Vlorë. Më 12 shkurt, nën një ceremoni madhështore, trupi i tij, i vendosur mbi shtratin e topit dhe i mbështjellë me Flamurin Kombëtar, u shoqërua në Kaninë, ku u varros në oborrin e Teqesë, në varrezat e familjes Vlora.
“...Nëse masim madhështinë e një personaliteti politik me dashurinë e popullit të thjeshtë, -shkruante në ‘Kujtime familjare’, Safa Vlora, -duhet të pohojmë se asnjë nuk i afrohet Ismail Qemal Vlorës. Në ceremoninë e përmotshme... as fshatar as qytetar nuk qëndroi në shtëpi. Tërë faqet e maleve dhe brigjeve, që qëndronin gjatë udhëtimit, ishin mbushur me njerëz. Ishte një apotezë madhështore e të gjithë popullit, pa dallim, dhe një kurorë që Ai e fitoi me punën e tij të madhe në shërbim të vendit të tij, derisa dha frymën e fundit...”(32).
Më 28 nëntor 1932, me rastin e 20-vjetorit të Pavarësisë, me kërkesën e popullit të Vlorës dhe me vendim të Qeverisë Mbretërore, trupi i tij u zhvendos në Vlorë, në lulishten e qytetit, aty ku më parë ishte shtëpia ku ai kish lindur dhe nga ku Shpalli Pavarësinë e Shqipërisë. Sot, përbri varrit të tij, ngrihet një monument madhështor, që simbolizon atë ditë nëntori, që do t’i jepte emrin e bukur atij sheshi të madh: “Sheshi i Flamurit”. Ismail Qemal.
Pak vite para vdekjes, teksa linte “Kujtimet” e tij, gazetari anglez Sommerville Story do ta pyeste se përse u largua nga vendi dhe nuk e mbajti pushtetin me çdo kusht e me forcë, siç do të kishin bërë shumë të tjerë në pozitat e tij. Përgjigja, që Ismail Qemali do t’i jepte Story-t, është pikërisht filozofia e tij e jetës, ajo çka e udhëhoqi gjatë gjithë karrierës së gjatë në administratën e Perandorisë Osmane dhe në shërbim të Atdheut të tij: “Veprime të tilla nuk mund t’i bënte një njeri që kishte luftuar për Liberalizëm në një vend të prapambetur”(33).



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora