Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Ambasadorët e futbollit, ja si e ka pushtuar botën

| E hene, 02.02.2009, 07:17 AM |


Lorik Cana
Lorik Cana
Nga Dash Frashëri

Kapiteni i Olimpikut të Marsejës, Lorik Cana, në fund të dhjetorit të vitit 2008 u dekorua nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi, me Urdhrin “Ambasador i kombit”, teksa më parë është përzgjedhur nga UNICEF-i edhe ambasador i kësaj organizate, ku këtë status e gëzojnë emra të elitës botërore si Kaka, Ronaldinjo, Andrij Shevçenko, Ronaldo, Zinedin Zidan etj. Arjan Beqaj u shpall portieri më i mirë në kampionatin qipriot të vitit 2008 (çmim të cilin e fitoi për të dytin vit rresht). Igli Tare u emërua nga presidenti Klaudio Lotito në detyrën e lartë drejtor Sportiv i klubit të Lacios, i pesti për nga rëndësia në Itali. Të gjithë i kanë konsideruar sportistët si ambasadorët më të mirë të Shqipërisë në botë. Udhëtimi i tyre nis para viteve 1940, ku në Itali gjejmë emrat e disa prej lojtarëve më të mëdhenj shqiptarë, si Naim Kryeziu, kampioni legjendar i Romës, Riza Lushta me Juventusin e Napolin, apo Loro Boriçi me Lacion. Gjatë 20 viteve të demokracisë, në opinionin sportiv shqiptar është shtruar jo pak herë pyetja se çfarë mund të bënin me magjitë e tyre lojtarë të kalibrit të tillë si Panajot Pano apo Medin Zhega nëse do të luanin jashtë Shqipërisë. Por, gjithsesi, specialja e “Albania”-s ndërmerr këtë udhëtim në futbollin e “hapur” shqiptar, atë pas viteve 1990 e deri në ditët e sotme.

UDHËTIM NË BOTË
 
Të ndërmarrësh një udhëtim për të ndjekur të paktën një ndeshje të futbollistëve që luajnë jashtë Shqipërisë, apo të marrësh edhe një opinion formal të drejtuesve të klubeve ku ata kanë luajtur më parë, duhet të ndërtosh një itinerar të mirëpërcaktuar deri në detaje, pasi të duhet të prekësh një numër jo të vogël shtetesh dhe të dhjetëfishuar qytetesh. Nëse këtë do ta ndanim gjeografikisht, pa dyshim që Europa zë “pjesën e luanit”, por “avioni” do të ndalojë edhe në Azinë e Largët, në Japoni e Kinë, por dhe në Azerbajxhan e Kazakistan. “Këpucët me thumba” të futbollistëve shqiptarë kanë lënë gjurmë në të gjithë botën: nga Italia në Norvegji; nga Gjermania në Japoni; nga Ukraina në Kinë; nga Bullgaria në Kazakistan; nga Izraeli në Azerbajxhan; nga Franca në Zvicër; nga Sllovenia në Spanjë, nga Portugalia në Qipro; nga Greqia në Rumani; nga Malta në Austri; nga Turqia në Kroaci, nga Rusia në Arabinë Saudite.

GJEOGRAFIA

Dikur, në fillim të viteve 1990, ishte Greqia (për shkak të afërsisë gjeografike) vendi më i madh mikpritës i futbollistëve shqiptarë, por tashmë, në fillim të vitit 2009, pra gati 20 vjet më pas, është Gjermania ajo që numëron më shumë futbollistë shqiptarë, që luajnë në nivel të lartë nga Bundesliga 1 te ajo 3, pa përmendur një duzinë në kategoritë inferiore e futbollin amator. Ukraina është bastioni i dytë me 6 lojtarë, e më pas Italia. Qiproja është shndërruar në destinacionin e ri. Në ishullin e Afërditës kanë luajtur e luajnë dhjetë futbollistë.

YJET AKTUALË

Ia vlen të pranojmë, të paktën sipas parametrave tanë, se dhe Shqipëria ka yjet e saj në disa prej kampionateve më të forta në botë. Lorik Cana, lojtari më i shtrenjtë shqiptar, luan në Francë në një prej ekipeve më të mëdha të këtij vendi, Olimpikut të Marsejës. Madje është kapiteni i tij, ashtu si Dorian Bylykbashi te Kribvasi në Ukrainë, i konsideruar nga IFFHS (Instituti Ndërkombëtar i Historisë e Statistikave të Futbollit) si kampionati i 10-të më i fortë në botë. Emër tjetër i vlerësuar është edhe Altin Lala, ish-kapiten dhe lojtari më besnik i Hanoverit të Bundesligës 1 gjermane. Me të njëjtin respekt flitet edhe për Ervin Skelën, “brazilianin” shqiptar të goditjeve të lira. Mediat ukrainase gjithmonë gjenden në garë për t’i marrë një intervistë Debatik Currit apo Armend Dallkut, madje së fundi dy kosovarët kuqezinj janë intervistuar dyshe.

YJE NË RRITJE

Jahmir Hyka te Mainc 05 në Gjermani, Samir Ujkani te Palermo, Edgar Çani i huazuar te Palermo, Brian Filipi i blerë së fundi nga Palermo, por i huazuar te Ravena (të tre këta në Itali), Geri Malaj te Deportivo la Korunja në Spanjë, Semiran Çela te Angers në Francë, mund të konsiderohen pa hezitimin më të vogël si e ardhmja e futbollit modern shqiptar.

LEGJIONARËT “VETERANË”
 
Janë të shumtë, por gjithsesi më të paktë se futbollistët që luajnë aktualisht në Europë. Gjithsesi, janë të lavdishëm dhe kanë meritën se krijuan emrin e madh që vazhdon të hapë dyert e futbollistëve shqiptarë në klubet më të njohura të kontinentit tonë. Foto Strakosha në Greqi, Lefter Millo në Greqi, Rudi Vata në Skoci, Sulejman Demollari në Rumani, Kliton Bozgo në Slloveni, Ylli Shehu në Kroaci, Igli Tare në Itali, Altin Rraklli në Gjermani, Eduard Abazi në Portugali, Besnik Hasi në Belgjikë, të gjithë këta edhe sot e kësaj dite kujtohen si futbollistë cilësorë dhe të respektuar.

TRANSFERTAT E BUJSHME

Shifrat e transferimeve të lojtarëve shqiptarë nuk mund të konkurrojnë kurrsesi me ato të “yjeve” të përmasave botërore, megjithatë janë të respektuara. Erjon Bogdani është futbollisti shqiptar për të cilin është paguar më shumë. Duket e pabesueshme, por për shtatlartin kuqezi deri tani është derdhur shifra e 6.1 milionë eurove në transferimet që ai ka bërë nga njëra skuadër në tjetrën, ku numërohen 6 skuadra. Pas tij në renditje vjen kapiteni kosovar i Olimpik Marsejës, Lorik Cana. Për të presidenti marsejez Papa Diuf, u pagoi 4 milionë euro drejtuesve të Paris Saint-Germanin në verën e 2005-s. Për talentin e Kombëtares shqiptare, Jahmir Hyka, drejtuesit e klubit të Manz në Bundesligën 2 gjermane gjatë merkatos së verës 2008 paguan 3.7 milionë euro, rekord për një futbollist shqiptar vetëm 20 vjeç. Kalimi i Besart Berishës nga Hamburgu (Gjermani) për tek Burnli (Angli) kushtoi 500 mijë euro. Para në dorë janë paguar edhe për Edgar Çanin, Brian Filipin, Mërgim Mavrajn, Enco Malindin, Renato Arapin, Ahmed Januzin, Klodian Seminën, Parid Xhihanin.

Riza Lushta, shqiptari i parë i Italisë

Riza Lushta është shqiptari që ka luajtur për ngjyrat “azzure” të Napolit, edhe pse bëhet fjalë për një histori më shumë se 60 vjet më parë. Kosovari Riza Lushta, i lindur në Mitrovicë, u aktivizua me Rudarin, por në Itali shkoi pasi më parë kishte luajtur me Tiranën – fitoi 4 tituj kampionë, 1934, 1936, 1937 dhe 1939 dhe të parën Kupë të Shqipërisë, 1939. Lushta ka luajtur si sulmues me Napolin në vitet 1945-1947, teksa është aktivizuar në 27 ndeshje, duke shënuar 6 gola. Në Itali Lushta ka luajtur edhe me Juventusin, Barin, Alesandrinë, Forlin e Rapalon, ndërsa në Francë me Kanën. Në Serinë A, Lushta ka luajtur në total 170 ndeshje, duke shënuar 68 gola. Lushta, i lindur në vitin 1916, vdiq në moshën 81-vjeçare, në vitin 1997.

Loriku, lojtari më i shtrenjtë shqiptar

Lorik Cana mban dy rekorde: transferimin më të shtrenjtë, 4 milionë euro nga Paris Sën Zhermeni te Olimpiku i Marsejës (gusht 2005) dhe futbollisti shqiptar me vlerën më të madhe në treg, 14 milionë euro, sipas faqes së specializuar në merkato, transfertmarkt.de. Ia vlen të kujtojmë se Lorik Cana dhe presidenti i Olimpikut të Marsejës, Pape Diuf, hodhën poshtë një ofertë prej 12 milionë eurosh të bërë nga ana e skuadrës angleze, Evertonit.

Akset e largëta të transferimeve

JAPONI-KINË

“Këpucët” shqiptare nuk kanë mbetur pa lënë gjurmë edhe në Japoninë e Kinën e largët. Rudi Vata, një nga kapitenët legjendarë të Shqipërisë, pas përvojës unike në klubin më të famshëm skocez, Sëlltikun e Gllazgout, ka luajtur në Japoni, ndërkohë që mbrojtësi aktual i Elbasanit, Nevil Dede, të vetmen përvojë ndërkombëtare e ka në Kinë me Shenyang Ginde, gjatë vitit të kaluar.

AZERBAJXHAN-KAZAKISTAN

Edhe në tokën hebraike Shqipëria pati përfaqësuesin e saj “diplomatik”. Mbrojtësi i Vllaznisë e i Kombëtares shqiptare, Elvin Beqiri, u transferua nga Metallurg Donetsk (Ukrainë) te Maccabi Haifa (Izrael) për 1.5 milionë euro (vlera është dhënë nga transfertmark.de). Në Kazakistanin e largët luan ish-lojtari i Dajtit, Driton Stafsula, teksa vetëm disa javë më parë u transferua në Azerbajxhan mbrojtësi i Kombëtares, Admir Teli.

***

Jeta jashtë futbollit, nga moda te ditelindjet

Kapiteni i Kombëtares shqiptare dhe ish-kapiteni i Hanoverit, Altin Lala, është një nga lojtarët më të paguar të skuadrës. Mund të kenë gjithçka që duan. Por cila është jeta jashtë futbollit e legjionarëve tanë?

Preferencat e “xhuxhit” Lala

Pëlqen një “BMW”, madje të klasit 318, e vogël dhe sportive. Pëlqen ushqim sicilian, një pasta të stilit ishullor italian, po ashtu edhe kafenë italiane, të shoqëruar vetëm me ujë mineral. Edhe kur pëlqen filmin amerikan (Heat), aty nuk mund të mos jenë dy aktorë legjendarë italo-amerikanë si Robert de Niro dhe Al Paçino. Jo më kot edhe gruan e ka italiane… E vetmja gjë ku e “tradhton” Italinë (përveç bluzës së Kombëtares) është kënga e preferuar. Ajo quhet “Kam nevojë për një vajzë” (“I need a girl”) kënduar nga Paf Dedi (Puff Daddy) dhe Usher.

Seks-simbol e topmodel

Lorik Cana është lojtari më seksi në Francë nga lojtarët e Ligës 1. Përfundimin e ka nxjerrë një nga faqet sportive franceze në internet Myfreesport.fr, që nga ana e saj ka bërë edhe një klasifikim të futbollistëve më joshës. Loriku është pozicionuar në vendin e parë, duke lënë pas futbollistin e Bordosë, Yoann Gourcuff dhe atë Lilës, Tulio de Melo. Sipas një tjetër faqeje franceze, football.fr, ka disa muaj që qarkullojnë thashetheme, sipas të cilave mesfushori i Marsejës “fricoterait” (po kurdis) me këngëtaren marsejeze, Clara Morgane. “Cana, - shkruan football.fr, - duke qenë futbollisti më i këndshëm në Francë, natyrshëm që mund ta shijojë këtë marrëdhënie!”

Nofkat e futbollistëve

Kurrsesi nuk mund të shpëtonin as futbollistët tanë. Lorik Cana thirret nga tifozët e media franceze si “Le Guerier” (Luftëtari); Altin Lala ka nofkën “xhuxhi luftarak”; Erjon Bogdani quhet ndryshe dhe “Princi i Epirit”; Florjan Myrtaj, për shkak të mënyrës së veçantë të festimit të golave, duke lëvizur flamurin e këndit sikur vozit një varkë, quhet “skafisti”; Hamdi Salihi ka marrë epitetin “Gerd Myleri shqiptar”; ndërsa Edvin Murati “Maradona i Ballkanit”. Ja si shprehet Erjon Bogdani për nofkën e tij: “Princi i Epirit” m’u vendos në kohën kur luaja me Hellas Veronën në Serinë B. Gazeta e qytetit, “L’Arena”, ishte e para që ma vendosi. Bëra një sezon të madh atje dhe kam shënuar shumë gola, 17. Si shqiptar që isha më vendosën këtë nofkë. Edhe tani që luaj me Kievon shokët e ekipit më thërrasin shpesh kështu, nuk më thërrasin me emër por ‘Principe’ (princi). Për mua është një ‘super emër”. Iljaz Lika, - kështu thirret Ilion Lika në skuadrën e tij çeçene, Terek Grozni. Pagëzuesi i portierit shqiptar është vetë presidenti i klubit dhe i rajonit të Çeçenisë, Kadirov Ramzan Ahmatoviç. Madje bosi çeçen 32-vjeçar ka vendosur edhe një rregull ekstrem. Kush e thërret Likën me emrin e tij zyrtar, Ilion, ha një gjobë të majme. Lajmin e çuditshëm e ka pohuar vetë ish-portieri i Dinamos.

Futbollist, por dhe vjedhës bankash

“Shkonte në stërvitje i ngarkuar me mijëra euro nga bankat që vidhte”. Kështu shkruajnë gazeta greke “Proto Thema” dhe “Ethnos” për një futbollist 21-vjeçar shqiptar, tashmë të arrestuar. Sipas gazetarit Manoli Vaja, futbollisti shqiptar i skuadrës së Evias së Megalopolisit, kreu i një bande vjedhësish, kishte mundur të grabiste përmes kërcënimeve me armë një shumë që shkonte deri në 250 mijë euro. Banda kishte vjedhur nga muaji korrik i vitit të kaluar e deri në janar degë të bankës “Agrotiki” në Kallamata, Petalidhi, Mesinias, Korinthjo, Amarintho Evis dee Zografu të Atikit, si dhe në degët e bankave të “Emporiki” në Kallamata dhe Ksikokastro. Shenjat e gishtërinjve që la futbollisti dhe një 17-vjeçar çuan dhe në arrestimin e tyre. Në momentin që u arrestua futbollisti (ende pa emër të publikuar) qëlloi me pistoletë policinë në bulevardin “Leoforo Athinon”. Në shtëpinë e futbollistit në Haidhari u gjet edhe një pistoletë tjetër.

Ku ndodhen aktualisht

GJERMANI
Altin Lala (Hanover, Kat.I)
Ervin Skela (Energi Kobtus, Kat.I)
Edmond Kapllani (Karlsruhe, Kat.I)
Faton Toski (Eintraht Frankfurt, Kat.I)
Mërgim Mavraj (VfL Bokum, Kat.I)
Fatmir Vata (Tus Koblenc, Kat.2)
Jahmir Hyka (Mainc 05, Kat.2)
Njazi Kuqi (Tus Koblenc, Kat.2)
Ardian Gjokaj (Tus Koblenc, Kat.2)
Skerdilajd Curri (Erzgebirge, Kat.3)
Bekim Kastrati (Fortuna Dyseldorf, Kat.3)

UKRAINË
Debatik Curri (Vorskla, Kat.I)
Armend Dallku (Vorskla, Kat.I)
Ahmed Januzi (Vorskla, Kat.I)
Ervin Bulku (Kribvas, Kat.I)
Dorian Bylykbashi (Kribvas, Kat.I)
Parid Xhihani (Zorja Lugansk, Kat.I)

ITALI
Erjon Bogdani (Kievo, Kat.1)
Samir Ujkani (Palermo, Kat.1)
Edgar Çani (Askoli, Kat.2)
Brian Filipi (Kat.3)
Florjan Myrtaj (Kat.3)

QIPRO
Arjan Beqaj (Anorthosis, Kat.1)
Klodian Duro (Omnonia, Kat.1)
Altin Haxhi (Apoel, Kat.1)
Blerim Rustemi (Alki, Kat.1)

FRANCË
Lorik Cana (Olimpik Marsejë, Liga 1)
Semirjan Cela (Angers, Liga 2)

ANGLI
Shefki Kuqi (Kat.I)
Valon Behrami (Uest Ham, Kat.I)

GREQI
Alban Bushi (Levadhiakos, Kat.1)
Erion Koliqi (Iraklis, Kat.1)

DANIMARKË
Besart Berisha (AC Horsens, Kat.I)
Renato Arapi (Silkeborg, Kat.II)

AUSTRI
Hamdi Salihi (SV Ried, Kat.I)

RUSI
Ilion Lika (Terek Grozni, Kat.1)

BULLGARI
Enco Malindi (Spartak Varna, Kat.I)

KAZAKISTAN
Driton Stafsula (Astana, Kat.I)

AZERBAJXHAN
Admir Teli (Quarabach, Kat.I)

TURQI
Gilman Lika (Haccetepe, Kat.I)

POLONI
Labinot Haliti (Lodz, Kat.1)

HOLANDË
Shkodran Metaj (Ajaks, Kat.I)

Emrat “vjetër” që kanë bërë bujë

Rudi Vata
Edvin Murati
Igli Tare
Sulejman Demollari
Perlat Musta
Hysen Zmijani
Foto Strakosha
Elvin Beqiri
Ilir Bozhiqi
Geri Çipi
Lefter Millo
Kliton Bozgo
Ylli Shehu
Ledio Pano
Arjan Bellaj
Arjan Xhumba
Ardian Aliaj
Shkëlqim Muça
Roland Agalliu

Futbollistët kampionë me ekipet e huaja

1. Naim Kryeziu, Roma, Itali, 1941-42
2. Roland Agalliu, Universitatea Craiova, Rumani, 1990-91
3. Eduart Abazi, Hajduk Split, Kroaci 1991-92
4. Sulejman Demollari, Dinamo Bukuresht, Rumani 1991-92
5. Perlat Musta, Dinamo Bukuresht, Rumani 1991-92
6. Edmond Dosti, Olimpija Ljubljana, Slloveni 1994-95
7. Hysen Zmijani, Al-Nasr Ryadh, Arabia Saudite 1994-95
8. Alban Bushi, Liteks Lovec, Bullgari, 1997-98, 1998-99
9. Viktor Paço, Maribor, Slloveni 1996-97, 1997-98
10. Fotaq Strakosha, Olympiakos, Greqi, 1996-97
11. Mehmet Dragusha, Maribor, Slovenia 1998-99
12. Besnik Hasi, KRC Genk, Belgjikë 1998-99, Anderlecht Belgjikë 2000-01
13. Altin Haxhi, Liteks Lovec, Bullgari, 1998-99
14. Geri Çipi, Maribor, 1998-99, 1999-00
15. Kliton Bozgo, Maribor, Slloveni, 1998-99, 1999-00
16. Klodian Arbëri, Maribor, Slloveni 2000-01
17. Albert Duro, Steaua Bucharest, Rumani, 2000-01
18. Ervin Fakaj, KRC Genk, Belgjikë, 2001-02
19. Erion Rizvanolli, NK Zagreb, Kroaci, 2001-02
20. Ridvan Zeneli, HJK Helsinki, Finlandë, 2003
21. Besnik Hasi, Anderlecht, Belgjikë, 2003-04
22. Elton Shabani, Domagnano, San Marino, 2004-05

Bogdani, sulmuesi më i suksesshëm në Europë

Sulmuesi i Kombëtares shqiptare, Erjon Bogdani, është sulmuesi më i suksesshëm shqiptar aktualisht. “Er-Bomber”, i cili aktivizohet në Serinë A me skuadrën e Kievos, ka shënuar gol në secilin kampionat që është përfaqësuar në Europë. Në total ai ka shënuar 65 gola me kampionatet e huaja. Gjithsesi, Kliton Bozgo vazhdon të mbajë rekordin për golat e shënuar në kampionatet e vendeve europiane, ku ka realizuar 91 gola në Slloveni dhe 18 gola në Austri, një total prej 109 golash, i vetmi që ka arritur të realizojë më shumë se 100 gola. Rekordin për më shumë gola në një sezon si lojtar i një klubi europian e mban ish-sulmuesi i Partizanit, Edmond Dosti, i cili në një sezon të vetëm ka shënuar 22 gola për Olimpian në Slloveni.

G. Albania