E enjte, 25.04.2024, 01:02 AM (GMT+1)

Kulturë

Shqipe Zani: Njerëzit e dobët, të vegjël, dështak të bëjnë keq në jetë dhe në profesion

E hene, 02.02.2009, 02:10 AM


Shqipe Zani
Shqipe Zani
Në Kinë në 1975-ën, ishte një surprizë

Nga Albert Zholi
 
Një grua që i ka kushtuar jetën e saj muzikës operistike dhe asaj popullore të përpunuar. Një emër që rri gjithnjë i freskët dhe i pranishëm në skenën shqiptare.E ka nisur karrierën me qëllimin për të arritur suksesin, qëllim që e ka arritur hap pas hapi, me shumë përkushtim e sakrifica, duke ndërtuar një karrierë të sigurt, të ushqyer me shumë dashuri.

Zonja Shqipe ju çdo fund viti niseni për në Itali. Pra e prisni vitin e Ri në Itali? Ka lidhje me ndonjë koncert konkret kjo vizitë?

-Arsyeja e parë është se atje kam një motër të martuar me një italian dhe ajo ka mundësuar që unë prej 8 vjetësh të shkojë atje gjatë kohës së Krishtlindjeve, periudhë që ato e festojnë më shumë se Vitin e Ri. Rastësisht kur unë kam qenë atje, kam kënduar Nataliziet, këngët e bukura që këndohen për krishtlindje, të cilat kanë pasur shumë sukses. Në fakt drejtimi im i sivjetshëm ishte për në Prishtinë, ku unë para një viti kam realizuar një koncert recital me 16 materiale të muzikologut të madh Ramadan Sokoli. Por projekti ynë u shty për një kohë më të vonë dhe unë vendosa të ndiqja ritualin e përvitshëm të Italisë, një vend që më jep shumë emocione sepse italianët e duan shumë muzikën operistike.

Kush e ka zbuluar Shqipen si talent?

-Unë kam lindur në Gramsh. Gramshi ka qenë një qytezë e vogël por të gjithë mësuesit dhe pedagogët ne i kishim nga Elbasani dhe nga Korça. Unë kam qenë një vajzë që më pëlqente të endesha nëpër lulishte dhe kopshtet e mbushura me lule dhe të këndoja pa pasur ndroje. Këtë dëshirë shtëpitë e pionierit të atëhershme e zbuluan. Ka qenë një profesor violine, Eduart Ndoci, dhe pastaj babai im, i cili e pëlqente shumë muzikën klasike. Im atë ishte ekonomist, ka punuar si drejtor ndërmarrjeje po kur vinte në Tiranë me shërbim një natë ai do shkonte të shihte një opera. Ndaj dashurinë për operan e kam pikërisht nga ai. Ndërsa nga nëna kam dhuratë zërin. Ajo e pëlqente shumë muzikën popullore, gjëra që unë i kam gërshetuar të dyja me njëra tjetrën. Mendoj se prindërit ishin ato që më mbështetën kur u zbulua talenti që kisha.

Kur keni dalë për herë të parë në skenë fëmijë. Mbani mend se çfarë keni kënduar?

-Në Pallatin e Pionierit mbaj mend që kam kënduar me repertor të huaj, një këngë spanjolle. Ngaqë kam pasur vesh muzike bëja zërin e dytë. Dëshira ime për muzikë u dallua dhe nga kryetari i komitetit. Më kujtohet që në atë kohë që kam mbaruar unë klasën e shtatë, në qytet u hap fabrika e armëve dhe ne ishim një familje me 7 fëmijë. Shumë shoqe të miat menjëherë pas shkollës kërkuan të hynin në uzinë. Në një moment , mbaj mend që mamaja ime tha: “Po sikur ta fusnim dhe Shqipen në uzinë!” “Unë, kurrë! Unë do iki në Tiranë dhe të bëhem këngëtare”, u përgjigja unë. Këtë dëshirë ma ka mbështetur shumë babai im dhe kryetari i komitetit. Erdha në Liceun artistik në vitin 1964 dhe që në etapën e parë fitova. Në lice studiova për teoritikë sepse akoma nuk ish hapur dega e kantos. Dega e kantos u hap kur unë isha në vit të tretë. Më kujtohet që me tu hapur kjo degë trokita në derën e drejtorit dhe iu luta të më kalonte për kanto, po kjo ishte e pamundur. Gjithsesi rastisi të zgjidhesha për të kënduar në Dekadat e Majit një material të Çesk Zadesë, dhe kur erdhi koha për tu futur në Akademi u pranova pa u futur fare në konkurs. Gjatë Akademisë kam qenë një studente që nuk isha me të gjitha 10-ta në të gjitha lëndët, por në lëndët muzikore shkëlqeja.

Kur kënduat në Opera për herë të parë?

-Në vit të tretë në një koncert, ku kam kënduar 4 pjesë me një soliste të operas. Bëhet fjalë në vitin 1970. Atë kohë u zgjodha dhe për të bërë një turne me këngëtarët më të zotë që ishin në atë kohë:Nina Mula, Burhan Spahiu, Lili Tafai. Në atë kohë shkolla zgjaste tre vjet dhe një vit bënim stazh. Stazhin më caktuan ta bënim në opera. Me atë turne u bë një lloj prezantimi shumë i mirë i emrit tim. Në vit të katërt kur vajta unë në Opera, repertori klasik ishte hequr prej 8 vjetësh dhe viheshin në skenë vetëm vepra shqiptare. Mendoni pak që në botë çdo këngëtar profilizohet sipas zërit që ka. Askush nuk mund të këndojë një vepër që nuk është për trupin apo zërin e tij. Ne erdhëm në atë institucion dhe ishte opera “Mrika”, “Skënderbeu”, opereta “Brigada”. Ndërkohë që ne ishim përgatitur për vepra kontemporeane që luheshin në skenat e gjithë botës. Por pamvarësisht këtij fakti mendoj se kam pasur fat. Ngaqë unë shkova me emrat të mëdhenj, drejtuesit e operas krijuan besim dhe nisën të më çonin andej këndej, ndaj nisa të aktivizohesha shumë. Nisa të hyja në skenë dalëngadalë dhe të mos e kisha frikë përballjen me publikun. Për mua skena është dëshira më e madhe që mund të kem në jetë. Dëshirë që ka pasur dhe ajo frikërat e veta, që me kohën kam arritur t’i zbus dhe t’i eleminoj.

Mbas stazhit keni nisur direkt punë?

-Vajta si soliste në Opera dhe si soliste mbeta.

Kush kanë qenë rolet kryesore që keni interpretuar?

-Rolet e para kanë qenë role që kam bërë tek opera “Mrika”, “Brigata e grave”. Kur Avni Mula muzikoi “Karnevalet e Korçës” më besoi mua rolin e Afrovidit. Afroviti ishte një bum, sepse ajo dhe këndon dhe luan. Më pas u vu “Boheme” ku Gaqo më zgjodhi mua për Mozetë dhe pse unë doja të interpretoja Miminë. Këndonte në atë pjesë Gaqoja, Ramiz Kovaçi, Tatjana Kora dhe unë. Ka qenë një “Bohemë” e paharrueshme.

Më pas si vijoi karriera juaj?

-Pas kësaj u vu skena e “Toskë”-s, “Buterfly”. Arrita ta bëj Rozinën më vonë, sepse nga viti ‘77 në ‘79 mua më caktuan në Ansambël të Ushtrisë. Unë që ditën e parë bëra kërkesë tek Ramizi dhe më kthyen në opera. Kur më kthyen në opera në ‘8 3-in unë kam vënë në skenë “Berberin e Seviljes”. Atëherë ishte e rëndësishme të merrje role, sepse gjithësecili kishte publikun e vet. Organizoheshin shfaqje të shumta dhe një soliste këndonte natën e parë, njëra në të dytën, të tretën e kështu me rradhë. Pastaj u vu opera “Pagliaçi”. Më pas erdhi viti 91 me problemet e njohura shqiptare. Më kujtohet që kanë qenë skena paksa të llahtashme, ndërsa prisnin në skenë të na ndizej gjeneratori. Në atë kohë më besuan rolin e Leonorës nga opera “Trovatore” që nuk ishte shumë për vokalin tim, sepse ajo është një vepër dramatike. Punova shumë me atë rol. Unë në jetë kam punuar shumë për ta zbërthyer personazhin, për ta zbërthyer nëpërmjet tekstit dhe frazës. Asnjëherë nuk kam qenë rob i të kënduarit. Nuk kam menduar kurrë vetëm të kap notat. Gjithnjë brenda meje logjika është e lidhur me ndjenjën e transmetimit.

Gjatë kohës së monizmit keni patur mundësinë të takoni Enver Hoxhën ose Ramiz Alinë në ndonjë shfaqje?

-Kam qenë nga ato që kam kënduar shumë para Enver Hoxhës dhe Ramiz Alisë. Ato përgjithësisht na jepnin dorën, ndërkohë që Ramizi ka qenë më ndryshe. Kur kam marrë nga lidhja e Shkrimtarëve dekoratën “Naim Frashëri” klasi i tretë për interpretimin e muzikës shqiptare, Ramiz Alia ishte kryetar i Kuvendit Popullar dhe kur e kam marrë kemi qenë në Akademinë e Arteve. Çmimin ma dhuroi Nexhmije Hoxha.

Përveç muzikës operistike gjatë kësaj kohe u aktivizuat dhe me muzikën popullore të përpunuar?

- Unë e kam pasur të pandarë në repertorin tim muzikën shqiptare dhe atë popullore. Veprat shqiptare i kam kënduar shumë.

Sa koncerte keni dhënë deri më sot?

-Shumë recitale. Mund të jenë 15 të tilla, ndërkohë që daljet në skenë me koncerte dhe vepra janë 2000. Në kohën që ne bënin opera askush nuk i filmonte operat dhe as bënin fotografi. Unë kam qenë gjithnjë vetëm në Tiranë dhe të gjitha përkujdesjet dhe emocionet e skenës i kaloja vetë. Nuk kisha kohë për fotograf, nuk kisha të afërt, ndaj dhe nuk kam shumë fotografi. Mendoj se protreti im ka mbetur më shumë tek publiku sesa në polaroid.

Kur kënduat për herë të parë muzikën popullore shqiptare në opera?

-Menjëherë sa kam ardhur. Për herë të parë kam kënduar “Ta dish”, “Dola n’penxhere”, “N’atë zaman të asaj shurije” dhe turneu im i parë jashtë shtetit ka qenë në vitin 1874. Unë kam qenë një ndër të parat këngëtare të operas që kam kënduar jashtë kufijve të Shqipërisë. Kam qenë në Maqedoni, Kosovë dhe Mal të Zi, me një ansambël që e drejtonte Limoz Dizdari me studentë të akademisë, instrumentistë. Kjam kënduar gjithnjë popullore të përpunuar.

Si janë pritur këto këngë?

-Janë pritur shumë mirë. Duke qenë se unë këndoja muzikë popullore atëherë më ftonte shpeshherë Ansambli i Shtetit. Xhimi Zilmixhiu ishte profesori im i plastikës dhe estetikës kur kam qenë studente dhe kur ishte drejtor ai më këshillonte se ç’duhet të bëja. Një nga aktivitetet më të njohura të Teatrit të Operas dhe Baletit kanë qenë Dekadat e Majit, aktivitete për të cilin kompozitorët më me emër si Tish Daija, Feim Ibrahimi, Nikolla Zoraqi, Simon Gjoni. Çesk Zadeja, duke vazhduar me të rinjtë:Kujtim Laro, Sandër Peçi, Shpëtim Kushta realizonin krijimet më të mira. Ndërkohë që Bebi Kristidhi, Nora Çashku, Anita Tartari deri tek më e reja Rudina Ciko e shumë të tjerë kanë bërë emër nëpër dekadat e majit si interpretues. Kështu që drejtori mua më këshillonte të shkoja tek Instituti i Folklorit dhe të bashkëpunoja me kompozitorët për këngë popullore. Unë jam paraqitur gjithnjë me këngë popullore me zaren “Trëndelinë”, ”Jare shkodrane”, të cilat i këndoja dhe me operan dhe me orkestrën e radios. Jam pjestare e gjithë edicioneve të romancës shqiptare ku jam vlerësuar dhe me çmim të parë e të dytë.

A keni bërë ndonjë album me këngë popullore?

-Album, jo. Unë kam shumë inçizime, filmime.

Po si pedagoge kur keni nisur?

-Kam nisur si pedagoge e jashtme në vitin 198 4, kur isha soliste në opera. Në atë kohë Rifat Teqja, dirigjenti i madh shqiptar, i palodhuri, njeriu që i dha kaq shumë skenës, ai na bëri propozim disa sopranove. Në 91-in zëvëndësrektore ishte Suzana Shuteriqi dhe dy kolegët e mi Suzana Frashëri dhe Burhan Spahiu, të cilët donin të zgjeronin katedrën sepse ishin vetëm me dy pedagogë të brendshëm. Ato ranë dakord të isha unë, duke qenë se kishim bashkëpunim që në Opera dhe duke qenë natyrë dashamirëse dhe jokonfliktuale. Unë gjithnjë kam ndërtuar ura miqësie dhe dashamirësie në jetë. Pasioni qe shumë i madh për skenën, por fakti që në atë moshë unë isha 41 vjeç dhe për 4 vjet do dilja në pension, sepse ajo ishte ligj për të gjithë, zgjodha këtë rrugë që mu duk shumë e drejtë dhe në të njëjtën kohë i dhashë fjalën vetes të mos largohesha nga skena. Unë do isha në skenë nëpërmjet koncerteve dhe në fakt unë kam qenë në skenë deri në momentin që flas tani. 
 
Kush janë këngëtarët tuaj më të preferuar?

-Do ta nis me shqiptarët. Këngëtari im i preferuar është Gaqo Çako, Tefta Tashko, Marije Kraja, Ramiz Kovaçi, Mentor Xhemali. Nga të huajt ka shumë këngëtarë që këndojnë bukur. Pa dyshim Pavarottin dhe Callas, Plaçido Domingo, Angela Georgiu dhe pa dyshim dhe Inva Mulën.

Jeni xheloze për këngëtarët e tjerë të suksesshëm?

-Jo. Unë jam e arritur, vetë. Kam parë një film shumë interesant, që flet për Mojsiun e Biblës. Aty miku i vet i thotë Mojsiut: “Njerëzit e dobët, të vegjël, të bëjnë keq”. Dhe unë mendoj se dështaku bën keq në jetë. Unë jam nga ato që kam realizuar ëndrrën më të bukur në jetë. Jam bërë kjo që jam. Jam bërë këngëtare.

Kam lexuar se dita më e bukur e juaja ka qenë kur ju kanë vlerësuar me çmimin “Qytetare nderi” e Gramshit. Si jeni ndjerë?

-Për mua ka qenë titulli më i madh dhe më me vlerë që kam marrë. Sepse unë kam mbajtur gjithnjë lidhje me qytetin tim dhe jam krenare që ata e kanë vlerësuar emrin dhe kontributin tim.

Lidhjet me librin i mbani?

-Shumë e lidhur me muzikën dhe me librin. Tani jam duke lexuar librin e Ben Blushit. Por hobi im është të dëgjoj shumë muzikë instrumentale dhe sinfonike.

Ku ndjeheni më mirë si pedagoge apo si këngëtare?

-Gjithnjë si këngëtare dhe si pedagoge. Ndoshta kur të bëhem 70 vjeç mund të jem vetëm pedagoge. Unë e konsideroj veten më shumë si këngëtare dhe pse detyra e pedagoges është një detyrë shumë e lartë.

Pengu në lidhje me skenën

-Kam një peng, por që Zoti mua ma shpërbleu. Unë e kam pengun me operën “Traviata”. E kam bërë tregimin atëherë para jurisë artistike, më shkonte shumë ai rol, po për fat të keq nuk mu dha mua, por dy të tjerave. Unë nuk insistova sepse pësova një diziluzion, atëherë. Dhe kjo më dha një mësim të mirë për veten, që unë gjithnjë duhet të luftoj në jetë.

Momenti më i veçantë jashtë vendit

-Kur kam qenë në Kinë në 1975-ën. Pata sukses në koncert dhe pas tij, ambasadori Behar Shtylla më prezantoi përpara disa njerzve të rëndësishëm. E mbaj mend si tani që ai tha se këtë vajzë e kemi nga një vend shumë i veçantë, me një mal shumë të bukur që quhet Tomorr dhe ku luhen shumë bukur fyejt e Gramshit. Unë u ndjeva vërtet krenare që një vajzë nga Gramshi, erdhi, studioi, u bë soliste dhe vajti deri në Kinë për të përjetuar një prezantim të tillë. Më pas ne shkuam me koncert në Kore ku kam dalë dhjetë herë në skenë. Momenti i bukur ka qenë në Egjypt, ku kam qenë me Vaçe Zelën dhe me Naile Hoxhën, ku nuk ma mori mendja që do kishte shqiptarë dhe unë kisha në repertor një këngë kosovare “Në Prizren o në të bukurin vend…”Unë isha shumë e re dhe ka qenë viti 1984, për më tepër që ato ishin këngëtare shumë të mira, dhe dëgjoj duatrokitje të mëdha. Kur na përshëndetën na thanë se ishin studentë kosovarë. Në 94-ën kam qenë në Siçili, në Piana degli Albanesi dhe kam kënduar vetëm unë 12 pjesë. Ato më kërkun të këndoja “Brindizi”-n e Traviatës. E këndova pa shoqërim dhe pa partner dhe salla u elektrizua. Kam shumë emocione të tilla.
 
Kënga më e bukur e repertorit

-Sipas mendimit tim më ka shkuar shumë kënga shkodrane dhe ajo kosovare. Në 81-in unë kam bërë këngën “O zambak i bardhë” kur u bënë protestat e vitit 1981 me urdhër të Ramizit u tha se në Opera duhet të këndoheshin këngë kosovare dhe në atë kohë iu dha prioritet atyre. Unë kam kënduar 5 këngë kosovare, por ndër ato ajo që mbeti është “Zambaku”. Të gjitha këto të dekadave të Majit unë kam kënduar repertorin e Shkodrës dhe të Kosovës. Para 6 vjetësh është bërë një koncert me orkestrën e radios ku u kënduan pjesë shqiptare nga të gjitha trevat e Shqipërisë. Aty kam kënduar “Margjelon” që 2001-in që bëri një bum.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora