Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Ana, 6 vjet futboll me Tiranën, e maskuar si djalë

| E shtune, 31.01.2009, 12:56 AM |


Ana Baron
Ana Baron
Nga Eglantina Bardhi

Është golshënuesja më e mirë. Të gjitha kundërshtaret e kanë frikë, sepse sulmon si një tigër dhe nuk ndodh të gabojë. I ka dhuruar ekipit të saj 16 gola në kampionat dhe ndonëse është vetëm 16 vjeç, ka një eksperiencë më të gjatë se koleget e saj që janë më të rritura. Ana Baron, shoqet e thërrasin Ronaldinja. Historia e Anës është shumë e veçantë, sepse ajo ka luajtur me ekip djemsh që në moshën 5 vjeç dhe i është dashur që të maskohet si djalë, që të mos e përjashtonin nga ekipi. Ajo është nga Fieri, por ka lindur në Milano dhe jeton në Tiranë.

Ana, sa vjet keni që luani futboll?
Kam 8 vjet që luaj futboll.
Më kë luaje, duke qenë se para 8 vitesh nuk kishte ekip për femrat?
Luaja me djemtë. Në një ekip djemsh. Dhe nëse doni ta dini, nuk lejohej që të luaja në një ekip djemsh, por unë kam luajtur me ta për disa vjet me radhë.
Po si ia bënit që nuk të përjashtuan?
Sepse askush nuk e dinte që jam vajzë, përveç trajnerit që i kishte thënë babai. Ne jemi familje futbollistësh dhe babi e donet gjithmonë që unë të luaja, duke ditur edhe talentin tim. Kështu, vendosi të më fuste në ekip me çunat dhe në fakt ngjaja tamam si djalë. Isha çuni më i bukur i ekipit (qesh).
Po kundërshtarët ju dalluan ndonjëherë që jeni vajzë?
Ka qenë një moment kur po luanin me një ekip djemsh brenda Tiranës. Unë, në fakt, bëra një faull, pasi ndërhyrja ime ishte e parregullt dhe rrëzova kundërshtarin. Ai u ngrit dhe kërkoi karton ndaj meje. Ndërsa gjyqtari e kuptoi se jam vajzë dhe i tha, jo vetëm që nuk do t'i jap karton, por të vijë turp që të rrëzojë një vajzë.
Keni patur pengesë nga prindërit, që iu futët sportit të futbollit?
Absolutisht jo. Madje, po iu them që i kam patur mbështetjen time më të madhe. Mami është tifozja ime më e zjarrtë dhe më ndjek në të gjitha ndeshjet.
Ndërhyn organizatori i ekipit, Genc Ymeraj, duke thënë se, madje, mamaja e Anës shan sa herë i bëhen padrejtësi në fushë Anës. Ana: "O Genco, mos i thuaj të gjitha, se vetëm një herë ka ndodhur kjo".
Habiten njerëzit kur u tha që je futbolliste?
Duhet të pranojmë që futbolli i femrave nuk njihet në vendin tonë, ndaj dhe habia nga njerëzit ndodh shpesh.
Fakti që je futbolliste femër, të jep mundësinë të jesh më shumë në qendër të vëmendjes së djemve se vajzat e tjera?
Ah, këtë nuk e di.
Keni më shumë tifozë meshkuj apo femra?
Më shumë janë meshkuj, por nuk mungojnë as femrat.
Po adhurues meshkuj që ju ndjekin nëpër ndeshje keni?
Edhe ka. Gallata është se na hedhin numrat e telefonit në fushë, apo kur futemi në furgon për të ardhur në stadium. Nuk mund të them se ndodh shpesh, por ka edhe raste të tilla.
Cili është futbollisti që pëlqeni më shumë dhe me kë jeni tifoze?
Nëse më pyesni për të huaj, është Kaka dhe tifoze jam me Milanin. Ndërsa nga shqiptarët me pëlqen Lorik Cana.
Lorik Cana ju pëlqen se është i bukur, apo se është profesionist?
Është i bukur dhe profesionist (qesh).
Çfarë synoni të arrini si futbolliste?
Të luaj në ndonjë ekip të madh profesionistesh në Gjermani. Do punoj shumë që ta realizoj këtë ëndërr.

Shekulli