Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Familja Zinxhiria i ka dhënë futbollit beratas 4 emra të mirënjohur

| E merkure, 25.04.2007, 07:26 PM |


Asqeri Zinxhiria: Gjysmën e kohës në futboll si kapiten i ekipit "Tomori" 

Familja Zinxhiria për 30 vjet rresht i ka dhënë katër emra të njohur futbollit beratas, emra që meritojnë nderim dhe respekt.

Zinxhiritë përbëjnë një "zinxhir" të artë në futbollin beratas, ku në pararojë është Asqeriu, "skoda" e Tomorit, për të vazhduar me Bajazitin, Demokratin, Ismailin dhe në fund, Ilir Zinxhiria...

Të gjithë këta, jo aq veç e veç, se sa së bashku, kanë lënë gjurmë të pashlyera familjarisht në historinë e futbollit beratas.

Mbrojtësi i kudogjendur

Tashmë që është 73-vjeçar, ai kujton me mall e flet me pasion për vitet e rinisë së tij, që gjithsesi nisin me futbollin, sportin, të cilin e ushtroi prej më se 10 vjetëve dhe me të cilin u dashurua gjithë jetën.

Ishte viti 1955 kur Asqeri Zinxhiria do të kishte nderin që të luante për ngjyrat e "Tomorit" të rikthyer në kategorinë e parë. Në këtë kampionat, midis 16 skuadrave më të mira të vendit, Tomori zuri vendin e 12-të.

Në formacionin beratas të atij viti, përveç futbollistëve cilësorë si Hajdar Sherifi, Raqi Pisku, Naun Kondakçiu e Teki Dervishi të ardhur nga Lushnja, Jani Panajoti nga Fieri dhe futbollistëve të mëparshëm vendas, ra në sy edhe djaloshi i ardhur nga të rinjtë, mbrojtësi i të gjitha roleve, Asqeri Zinxhiria, i cili do të luante mbi 10 vjet në mbrojtjen beratase dhe për 5 vjet do të mbante shiritin e kapitenit të "Tomorit". Edhe sot që i ka kaluar të 70-at, Asqeriu kujton formacionin, Sherifi, Panajoti, Vera, Janinoti (trajner), Dervishi, Zinxhiria, Qojle, Pisku (portier), Behri, Preka, Koxhaku, Konomi (kapiten). Ndërkohë në ato vite (1955–1964), vetë Asqeri Zinxhiria luante herë si mbrojtës i majtë, herë si i djathtë, e herë si qendërmbrojtës.

Vetëm një karton të kuq

Interesant është fakti që ky futbollist ka luajtur rregullisht në të gjitha takimet e "Tomorit", me përjashtim të një pjese loje që ai është nxjerrë jashtë, siç thotë ai, padrejtësisht nga gjyqtari i ndeshjes.

"Luanim në Elbasan dhe nuk isha unë ai që ndërhyri rëndë ndaj sulmuesit kundërshtar, por gjyqtari në moment më ndëshkoi me karton të kuq, duke më larguar nga loja. Është e vetmja histori imja e hidhur ku ju them që sinqerisht jam ndier keq", thotë pas kaq vitesh veterani i "Tomorit", Asqeri Zinxhiria.

Por ai kujton edhe çastet e lumtura, ku sipas tij janë takimi final për Kupën e Shqipërisë në vitin 1962 me "Partizanin". Edhe pse "Tomori" e humbi takimin, Zinxhiria kujton se ishte nder të luaje përballë Boriçit, Resmes, Fagut, Krajës, Dedës dhe humbja as që të hynte në sy.

Vlerësim për të tjerët

Futbollisti, që për shkak të shpirtit dhe forcës në fushën e lojës ishte pagëzuar nga tifozeria me nofkën "skoda", gjen rastin të kujtoj kontributin që kanë dhënë për futbollin në Berat mjeshtrit Mandi Xhamo (trajneri i tij i parë), Stavri Janinoti, Thanas Jançe e Sabri Behri (trajneri i tij i fundit).

"Në kohën tonë futbolli luhej me shpirt në emër të pasionit, edhe pse na mungonin shumë gjëra. Na mungonin terrenet, ushqimi, dietat, baza materiale, vetëm shpirtin e kishim me shumicë. Gjithsesi, 'Tomori' ka nisur të luajë futboll me skema e të kohës, vetëm kur erdhi Thanas Jançe, njeriu me bagazh shumë të gjerë për futbollin e kohës", vlerëson Zinxhiria.

Dëshira e tij është që këtë copëz biografie sportive të tij ta mbyll me vlerësimin që ai ka për kontributin e figurave të njohura të futbollit beratas, si T.Zaho, L.Hodo, F.Buzi, V.Karaja, H.Mestani etj.

Pasardhësit e Asqeriut...

"Zinxhiri" i Zinxhirinjve, me "hallka" të tjera...

Vitet 1968-1977, që përbëjnë etapën e shtatë në historinë e futbollit beratas. Këto janë edhe vitet më të zbehta të "Tomorit", i cili herë shfaqet në kategorinë e parë e herë bie në të dytën.

Për të dalë nga ky rreth vicioz, pra nga kriza, nisën përpjekjet për të sjellë futbollistë cilësorë nga klube të tjerë dhe u bënë disa lëvizje trajnerësh.

Gjatë kësaj periudhe "Tomori" pati 4 raste për të dalë në kategorinë e parë, por vetëm dy herë ia arriti qëllimit.

Bajazit Zinxhiria

Sezoni 1969-1970 është i fundit për "Tomorin" në kategorinë e dytë.

Në këtë kampionat skuadra shënoi rekord golash, plot 53, dhe në takimin final me "Besëlidhjen" fiton 3:1 me dy gola të Hodos e 1 të Ajet Hoxhës.

Para kampionatit të Kategorisë së Parë, "Tomori" mori pjesë në kupën "Saranda".

Në këtë veprimtari ra në sy një futbollist i ardhur nga të rinjtë. Ky ishte Bajazit Zinxhiria, vëllai i Asqeriut, i cili ishte larguar nga futbolli.

Bajaziti u aktivizua rreth 8 vjet, nga të cilat vetëm 2 vjet në kategorinë e parë. Ai ka qenë një mbrojtës i fuqishëm dhe ka luajtur krahas Konomit, Lapardhasë, Kullaut, Gogut, Pavllit, Matës, Hoxhës, Zahos, Bodes, Duros, Spahos të drejtuar nga trajnerët Sabri Behri e Guxim Mukli.

Demokrat Zinxhiria

Kontributi i familjes së njohur Zinxhiria, do të ndihej edhe më vonë duke shënuar emra të tjerë në historikun e futbollit beratas. Djali i Asqeriut, Demokrati (Kati) u aktivizua me Tomorin për 6 vjet, në vitet 1984-1989 në rolin e mbrojtësit ku është shquar për lojë të kujdesshme e të sigurt.

Kati bën pjesë në plejadën kur luanin R.Kokalari, R.Halili, B.Kadëna, A.Matrapazi, P.Kovaci, A.Firaj, Komini, Popli, F.Karkanjozi, Th.Arbëri, A.Arbëri, K.Mile, F.Ciringiri etj., që drejtoheshin nga dyshja e njohur Mukli-Xheblati.

Ismail Zinxhiria

Përveç Demokratit nuk mund të mos përmendet emri i Ismail Zinxhirisë (Milit), vëllait të Katit, që edhe pse pati një karrierë të shkurtër prej dy vjetësh, la gjurmë të pashlyera te sportdashësit beratas, të cilët vlerësonin tek ai lojën e fortë dhe aftësinë për të shënuar në çdo pozicion, aftësi që i kishte fituar në shkollën e mjeshtërisë sportive.

Mili ka qenë një nga futbollistët më të mirë edhe tek ekipi i "Shkëndisë".

Ilir Zinxhiria

E për ta mbyllur kapitullin e dinastisë "Zinxhiria", në harresë nuk mund të lihet më i vogli i vëllezërve, Iliri, i cili luajti me të rinjtë "Tomorit".

Vërtet një zinxhir i artë që meriton të nderohet.

Të dhëna

Asqeri Zinxhiria

Futbollist i Tomorit në vitet 1952–1965, mbrojtës dhe qendërmbrojtës gati për 5 vjet. Është shquar për goditje të forta dhe luftën në ajër

Ismail (Mili) Zinxhiria

Ka qenë një ndër futbollistët më të mirë të ekipit Shkëndia. Me Tomorin ka luajtur në vitet 1985–1987 dhe është shquar si sulmues i qendrës.

Demokrat Zinxhiria

Mbrojtës i suksesshëm i Tomorit të viteve 1980, duke shërbyer plot 6 vjet. I kujdesshëm dhe i sigurt ndaj veprimeve me kundërshtarin.

Bajazit Zinxhiria

Është aktivizuar si mbrojtës në ekipin e Tomorit në vitet 1968–1975 dhe mbahet mend për lojën e fortë në duelin me kundërshtarin.

Në gjurmët e babait, Nezimi futbollist, ndërsa Mentori trajner basketbolli

Fiqiri Nuri

Themeluesi i "Tomorit", që grumbulloi edhe 500 frangat e para për skuadrën

Kampionati i Parë Kombëtar i Futbollit në vitin 1930, e la Tomorin jashtë aktivitetit, megjithëse ishte një nga skuadrat që do të merrte pjesë në këtë kampionat.

Para këtij evenimenti, skuadra kishte filluar stërvitjen nën drejtimin e një trajneri, rolin e të cilit e luante një futbollist. Ndërkohë që sportdashësit beratas prisnin me ankth fillimin e kampionatit, ndodhi ajo që nuk pritej. Qeveria njoftoi se kampionati do të zhvillohej, por pa Tomorin, pasi numri u reduktua nga 8 skuadra në 6. Shoqëria "Tomori" e konsideroi padrejtësi dhe protestoi pranë Federatës së Futbollit e në qeveri, por vendimi mbeti i pandryshuar.

Në kushte të tilla, atë vit, beratasit morën pjesë në kampionatin e kategorisë së dytë, ku bënin pjesë "Tomori", "Shqiponja", "Apolonia", "Lushnja", "Bardhyli".

Në bazë të rezultateve teknike, "Tomori" fitoi të drejtën që në kampionatin e vitit 1931 të luante në kategorinë e parë.

Në këtë kampionat u zbatua një skemë e re. Skuadrat u ndanë në dy grupe.

Në grupin A ishin "Tirana", "Bashkimi shkodran", "Ismail Qemali", në grupin B ishin "Skënderbeu", "Teuta", "Tomori", "Urani".

"Tomori" e mbylli debutimin vetëm me një pikë.

Fiqiri Nuri, themeluesi i "Tomorit"

Në kampionatin e vitit 1931, midis futbollistëve të njohur si Jani Kosta, Vasil Kajana, Alqiviadh Shyti, ra në sy edhe djaloshi Fiqiri Nuri.

Ky futbollist është një ndër themeluesit e skuadrës "Tomori", ku kontribuoi 7 vjet si futbollist dhe 3 vjet si sekretar i shoqatës "Tomori".

Fiqiri Nuri e nisi karrierën sportive në periudhën më të vështirë në vitet 1930, kur shpenzimet për skuadrën mezi siguroheshin. Në ato vite, kryesia e Shoqërisë Sportive "Tomori" organizoi një fushatë financiare me futbolldashësit, ku u mblodhën mbi 500 franga ari. Midis atyre që mblidhnin këto ndihma, ishte edhe futbollisti i "Tomorit" të viteve '30, Fiqiri Nuri.

Për 7 vjet rresht ai ka luajtur si mbrojtës dhe në vitet 1934-1935 ishte kapiten i skuadrës. Mbrojtësi energjik i "Tomorit" merrte pjesë edhe në veprimtaritë kombëtare të atletikës, ku ai konkurronte në hedhjen e gjyles.

Edhe pse Tomori garonte, deri në vitin 1936, në kategorinë e dytë, Fiqiri Nuri ishte lojtari numër një i mbrojtjes, duke luajtur krah emrave të mëdhenj të futbollit beratas dhe atij shqiptar, si Jani Kosta, Sulejman Protopapa, Xhavit Agolli, Loni Papuçiu, Lilo Xhimitiku, Selam Tepelena etj.

Edhe pas lënies së futbollit, në familjen Nuri, geni sportiv do të mbahej gjallë nga pasardhës të tjerë...

Nezimi, futbollist në gjurmët e babait

Stafeta e Fiqiriut ka vazhduar më tej...

"Tomori" në kampionatin e vitit 1970-1971, pas një vit "stazh" në kategorinë e dytë, rikthehet në kategorinë e parë. Në këtë sezon, krahas emrave të njohur, si V.Konomi, Dh.Lapardhaja, S.Gugu, B.Zinxhiria, H.Mata, T.Zaho, formacionit të Sabri Behrit e Guxim Muklit, iu shtua një emër i ri i ardhur nga skuadra e të rinjve, që drejtohej nga ish-portieri i shquar i Tomorit, Valentin Karaja.

Ky futbollist me të ardhme ishte Nezim Nuri, djali i ish-futbollistit të viteve '30, Fiqiri Nuri.

Për dy vjet, Nezimi luajti si titullar përballë skuadrave me emër, duke qenë në listën e golashënuesve më të mirë.

Golashënuesi më i mirë i ekipit të të rinjve dy vjet rresht, sulmuesi Nezim Nuri, në vitin 1972 shpallet golashënuesi më i mirë i Tomorit për të rritur.

Në vitin 1973, "Tomori" zbret në kategorinë e dytë.

Nuri ka qenë një sulmues i shpejtë, i fortë dhe nuhatës i portës. Ai është pjesëtar i ekipit të vitit 1977, që u shpall kampion i kategorisë së dytë dhe hyri në kategorinë e parë.

Në këtë kampionat, Nezim Nuri është autor i dy golave.

Është e paharrueshme ajo finale, ku përballë "Tomorit" ishte "Besëlidhja" e Lezhës. Lezhjanët fitojnë takimin e parë në Lezhë 1:0 dhe munden në Berat, në kohën shtesë 3:0, ku serinë e golave e çeli mjeshtri Përparim Kovaçi dhe e pasuan Bakalli e Buza.

Formacioni i Tomorit ishte Sami Shefa, Ylli Karkanjozi, Hysen Mata, Leonard Bakalli, Agim Matrapazi, Petrit Cilingiri, Robert Kokalari, Hektor Buza, Suvorov Seferi, Nezim Nuri, Përparim Kovaçi.

Nezim Nuri, përveç detyrës si ushtarak, iu përkushtua futbollit, duke qenë për disa vite trajner i ekipit të të rinjve dhe ndihmës trajner i të rriturve.

Familja Nuri, dy futbollistë e një trajner

Mentori, vëllai i Nezimit, trajner basketbolli

Vëllai i tij, Mentori, me profesionin matematicien, edhe pse nuk pati qenë futbollist, por ka luajtur basketboll me Tomorin, njihet si një nga intelektualët më të apasionuar pas sportit. Falë traditës familjare, ai në vitet 1989 mori përsipër detyrën e trajnerit të "Tomorit", të cilin e drejtoi për disa kohë.

Një familje me dy futbollistë, at e bir, dhe një trajner e basketbollist, meriton respekt dhe nderim të veçantë.

Të dhëna

Fiqiri Nuri

Futbollist i ekipit “Tomori” në vitet 1929–1936. Mbrojtës i fortë e energjik. Ai ka qenë kapiten ekipi në vitet 1934–1935. Përveç futbollit është aktivizuar si atlet, ku është dalluar në hedhjen e gjyles.

Nezim Nuri

Është aktivizuar me ekipet e të rinjve dhe të rriturve të Tomorit në vitet 1972–1979. Dy herë golashënuesi më i mirë për të rinjtë dhe një herë për të rriturit në 1972. Sulmues i fortë dhe sprinter i mirë.

Mentor Nuri

Me profesionin matematicien, edhe pse nuk pati qenë futbollist, ka luajtur basketboll me Tomorin. Falë traditës familjare, ai në vitet 1989 mori përsipër detyrën e trajnerit të "Tomorit", të cilin e drejtoi për disa kohë.

Metropol