E premte, 29.03.2024, 01:21 PM (GMT)

Faleminderit

Alfred Papuçiu: Vedat Kokona, profesori i fjalorëve

E diele, 01.02.2009, 01:34 PM


Alfred Papuçiu
Alfred Papuçiu
Vedat Kokona, profesori i fjalorëve

Nga Alfred Papuçiu*

Ai u largua nga kjo botë me kujtimin më të mirë, të profesorit flokëbardhë që na dha nocionet e para të artit të përkthimit. Shumë nga botimet e tij mbajnë autografin e tij të cilat i ruaj me kujdes në bibliotekën time. Më shkruante pak para se të ndronte jetë se shqipot nuk mendojne për fjalorë e lexim…Dolëm në fotografi bashkë me të në Tiranë, në shtëpinë e tij, ku i qëndronte pranë e shoqja, një grua e urtë dhe pafjalë, diskutuam për fjalorin e madh që kishte në dorë, për një botim tjetër që kishte dëshirë që unë ta sponsorizoja…Fliste me atë zërin e tij karakteristik, me gjuhën e pastër shqipe, për të cilën kishte punuar shumë dhe kishte botuar së fundi “Thërrime me mjaltë”-gramatikë e vogël e gjuhës shqipe. Më thoshte me keqardhje se “me kalimin e kohës në shtyp e në mjetet e komunikimit masiv përdoreshin shumë fjalë të huaja, duke e lënë pas dore gjuhën amtare, për të cilën u munduan aq shumë rilindasit që e shkruan edhe me gjak”.Mbi të gjitha kujtuam edhe vitet e shkuara, ato vite të 1965-66 kur shkonim bashkë me profesorin flokëbardhë në malin e Dajtit, duke u ngjitur në këmbë. Rrugës ai na mbante gjallë dhe megjithëse binte dëborë dhe bënte ftohtë na tregonte pambarim barcoleta me kripë dhe me “bum”. Kujtuam edhe vitet e fakultetit kur profesori i shquar na dha nocionet e pastra të përkthimit që më shërbyen pastaj tepër gjatë viteve. Kujtonte me nostalgji romanin e tij “Me valët e jetës”, si dhe dramën “Hijet e natës”, që ai ish kryeministri e kishte ndaluar pa kuptim. Sidoqoftë vite më vonë, ajo u vu përsëri në skenë dhe profesor Vedati ndjente një kënaqësi të veçantë. Kujtuam edhe raste të shumta kur ndonjë nga bashkëstudentët i emocionuar bënte gabime në shqiptimin e fjalëve frënge, e ai me dashamirësi e korigjonte, ose shtonte me shaka: “T’i  shkruajmë Akademisë Franceze që ta përfshijë këtë fjalë të re në fjalor”.Kujtuam edhe Rudinën e cila pyeti a ka në frëngjisht fjalë “përtoj” e ai ishte përgjigjur se nuk ka francezë përtacë, prandaj edhe folje të mirëfilltë në frëngjisht nuk ka. Ose mbaj akoma pranë letrën e tij të fundit që më dërgonte së largu, midis shumë të tjerave ku më shkruante me dashuri: “I dashur Alfred. Të uroj nga zemra, pak me vonesë ç’është e vërteta për dhuratën që më pate bërë shumë kohë më parë dhe për të falat që më ke dërguar disa herë. Nuk të kam shkruar, por ta dish se të kujtoj shpesh me dashuri. Je nga fort të pakë ish studentë të mi që të kam pranë shpirtërisht dhe shpesh e kujtoj shëtitjen në Dajt 30 vjet më parë dhe fjalët që shkrove për profesorin flokëbardhë. Me rastin më të parë që do të gjej do të të çoj një botim, me disa sonete të Shekspirit. Këtu gramatika thuajse s’po shitet. Shqipot s’kanë nevojë për gramatikën e gjuhës së tyre, të cilën e njohin shumë mirë. Urimet e mija më të përzemërta për Vitin e Ri dhe Krishlindjen ’96. Të përqafoj me mall. I Yti Vedati”… 
Ai u largua nga ne, por me kujtimin më të mirë të një njeriu zemërmirë, me pasion për jetën, për gjuhën, për frëngjishten që aq mirë e zotëronte, duke na lënë së fundi një dhuratë të çmuar për gjuhën: fjalorin 35 mijë fjalësh shqip-frëngjisht, botuar nga kmiku ynë i përbashkët Fatmir Toçi, i botimeve “Toena”…

*Mediator kulturor



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora