E enjte, 25.04.2024, 04:09 PM (GMT+1)

Faleminderit

Alfred Papuçiu: Në njëqindvjetor të Nonda Bulkës (Chri-Chri)…

E hene, 02.02.2009, 08:19 PM


Alfred Papuçiu
Alfred Papuçiu
Në njëqindvjetor të Nonda Bulkës (Chri-Chri)…

Nga Alfred Papuçiu*

Mbushen 100 vjet nga lindja e njërit prej korifejve të letërsisë shqipe, shkrimtarit Nonda Bulka. Kushdo që ka patur fatin të bisedojë me të, të dëgjojë fjalët e tij, të shohë fytyrën e tij të vrarë nga jeta, por të qeshur, ndjen një nostalgji të thellë, pasi ai nuk ndodhet më midis nesh, qysh nga viti 1972. E shihje gjithmonë të menduar me ato flokët e tij të gjatë, që e fisnikëronin atë burrë jo shtatgjatë, me një shikim të mprehtë. Në jetën e tij të shkurtër 66-të vjeçare (1906-1972), ai kishte qënë një prej penave më të mira midis shkrimtarëve të sërës së vet. Kishte shkruar shumë, por botuar pak. Kishte shumë për të thënë, por fliste pak. Kishte tepër merita, por kurrë nuk u mburr ! Ishte trim dhe krenar që ishte shqiptar gjë që e kishte shprehur edhe gjatë kohës që kishte bërë burg në Kështjellën e Ali Pashë Tepelenës. Më 1934 botoi me pseudonimin e tij Chri-Chri shkrimet e tij therëse, fejtone dhe skica, nën titullin « Kur qan e qesh biblili ». Bashkëpunoi tek « Besa », « Flaga », « Rilindja » (Korçë), « Bota e re » (Tiranë), « Diana ». Nonda bashkëpunoi dhe me gazetat dhe revistat « Arbënia », « Përpara », « Përpjekja shqiptare » etj., ku trajtoi probleme të shumta politike dhe shoqërore. Vite më pas çlirimit ai ju përkushtua punës si pedagog i gjuhës shqipe dhe frënge, por dha dhe një ndihmesë të çmuar me shkrimet e tij therëse në revistën « Hosteni ». Në vitin 1962 botoi « Bota siç ish kur qante dhe qeshte bilbili », si dhe një numër vëllimesh në prozë, por që janë më tepër publiçistikë letrare.

Kur i thashë njëherë profesorit tim të nderuar të letërsisë frënge në Universitet, me të cilin kuvendoja shpesh, se shokët e tij e kishin cilësuar jo më kot : « Biblil i Përmetit », ai m’u kthye duke ndezur si zakonisht atë gjysëm cigaren e tij : « Dëgjo, i dashur Fredi, Përmeti dhe Shqipëria kanë patur dhe kanë njerëz të shquar, më tepër se unë ». Nuk e zgjata, pasi nuk i pëlqente lavdërimet. Ishte tepër modest. Edhe kur bënte vërejtje për ndonjë shkrim të botuar apo shkruar nga studenti i tij, përpiqej që të « vriste me pambuk ». Bënte vërejtje shoqërore, por me tepër takt dhe maturi. Asnjëherë nuk i duroi padrejtësitë shoqërore, bile edhe kur ishte me ne si profesor letërsie. Nuk e përtypi mirë meskinitetin e një pedagogu profan që pengoi një grup të studentëve të tij të vazhdonin studimet jashtë shtetit, pasi sipas atij pedagogu « ishin akoma të rinj ». Nonda ishte ngritur kundër, por ai pedagogu me ofiq i vitit…66  « kishte fituar » me argumentat e tij banale. Nuk pranoi lavde, megjithëse i takonte për qëndrimin e tij të paepur, për prozën e tij poetike me nerv, për skicat humoristike nga më të mirat gjatë viteve 30-të e më tej, kur vazhdoi të botojë sidomos në « Hosteni ». Merrej edhe me përkthime nga letërsia frënge, të cilën na e shpjegonte me aq pasion e bukuri. Shpesh qëndronin me sy të ngulur te shikimi i tij serioz, te pamja e tij njerëzore, shprehëse dhe e zgjuar kur na tregonte për Hygoin, Rabelenë, Dumasin, Merimenë, Mopasanin, si dhe pena të tjera të shquara të letërsisë franceze, atje në katin e dytë të Fakultetit të Histori-Filologjisë. Megjithëse ishte një nga personalitetet e shtypit të viteve ’30,  polemist i shtypit të atyre viteve, ai fatkeqësisht është përmendur pak nga kritika e viteve të mëvonshme ose mund të themi se është anashkaluar pa të drejtë. E vërtetë se ishte modest së gjalli dhe nuk pranonte të jepte intervista apo të afishonte dijet, zgjuarsinë e tij të pamasë, por meritat e tij njihen nëpërmjet poezive, prozave poetike e sidomos skicave humoristike... Nonda Bulka njerëzori, i urti, i dashuri, i dhëmshuri, e meritonte më tepër të përmendej jo vetëm për to, por edhe për përkthimet me vlerë nga shkrimtarët francezë, për përmbledhjet e « Tregimeve të moçme shqiptare » të Mitrush Kutelit (Dhimitër Pasko), etj etj. Nga skicat, fejtonet dhe shkrimet e tij më të mira mbaj mend « Intervistë me Shën Pjetrin », « Mësim gjeografie », « Vija e vdekjes », « Kujtime tragjikomike », « Përralla abisine » etj. Profesor Nonda ishte tepër mirënjohës dhe gjatë kohës që kurohej në Rumani la këtë shënim : « Atdhetarit veteran Dhimitër Kristesku, i dhuroj këtë vepër modeste, në shënjë mirënjohjeje, për mikpritjen, dashurinë dhe ngrohtësinë që ka treguar ndaj meje, me gjithë familjen e tij »(Bukuresht, 31 maj 1972). Gjyshi i sime shoqeje, Dhimitër Kokoneshi që e kishte patur profesor Nondën, shok të ngushtë, pasi qëndronin bashkë në pushime në Pogradec, tregonte se ishte njeri me karakter, nuk mashtronte kurrë kur luanin sëbashku me letra, apo edhe e quante tepër modest, kur shokë të tjerë të një moshe pak a shumë të avancuar, nxirrnin meritat e tyre të « Luftës ». Ai vetëm buzëqeshte dhe vështronte me shikimin e tij të mprehtë, por tepër domethënës…U nda nga ne nga kjo jetë, më 14 nëntor 1972, pasi e breu sëmundja e pashërueshme, njeriun e mirë, të çiltër, të madhin Nonda Bulka. Vepra « Gazetarë dhe publicistë të shquar » (Fjalor enciklopedik) (botuar në 2005 nga Unioni i Gazetarëve Profesionistë të Veriut (UGPV), i jep një vend të dukshëm figurës së publicistit dhe shkrimtarit pendëartë, Nonda Bulka

Ja një nga kujtimet e mija të paharruara me profesorin tim Nonda Bulka.
 

Nonda Bulka
Nonda Bulka
Atë ditë pranvere të vitit 1966, profesori ynë  hyri në klasë dhe nuk na kërkoi si zakonisht leje për të pirë një gjysëm cigare, siç e kishte zakon, por na tha : “ Sot letërsinë, nëse jeni dakord, do ta bëjmë jashtë në natyrë, afër kodrave të liqenit artificial ”. Nuk e di por ishte diçka e veçantë që do ta ruaj si kujtim gjithë jetën time. Chri-Chri, pseudonimi i tij letrar në vitet 30-të,  na shpjegonte me aq dashuri dhe përsosmëri ecurinë e letërsisë frënge, sa ne shpesh kishim dëshirë të qëndronim akoma me të gjatë, edhe pas rënies së ziles që tregonte mbarimin e orës së mësimit. Kishte udhëtuar dhe lexuar shumë dhe dukej që kishte një formim të përkryer që shprehej dhe në shkrimet e tij realiste dhe tepër të forta në ide. Na fliste me aq pasion e dashuri për Viktor Hygonë, Romen Roland, Henri Barbusse dhe shkrimtarë të tjerë dhe me shpirtin e tij romantik na tërhiqte në atë botën e bukur të letërsisë frënge. Përkthente dhe vepra të letërsisë frënge, sidomos romane të shekullit XIX. Dhe po ta shohësh me kujdes veprën e Nonda Bulkës së paharruar ajo është një polemikë e një gazetari pendëhollë, e poetit, e narratorit apo e një kritiku dashamirës letrar. Pamfletet e tij të shkurtër në përmbledhjen e tij “Kur qante e qeshte bilbili”, botuar në 1932, “Vjershat satirike”, “Fabulat” dhe “Maska të çjerra” janë një pasqyrë e shpirtit të tij të pastër, njeriut me karakter të fortë, gjithmonë i buzëqeshur dhe tepër zemërmirë. Flisnim bashkë për letërsinë, i tregoja shkrimet e mija ku më bënte vërejtje të sakta, si fëmijës së tij, « pa më vrarë », por thjesht si një prind i vërtetë. Ishte njeri i madh dhe na donte si fëmijët e tij, na qëndronte pranë, na këshillonte, sepse jeta e tij tërë dallgë, nuk i kishte falur një fëmijë të vetin…

Profesor Nonda na thërriste herë pas here në shtëpinë e tij në rrugën e Durrësit, ku diskutonim me pasion për letërsinë frënge dhe shqipe dhe ku na servirte edhe ndonjë raki nga Përmeti i tij. Shihnim ndonjëherë televizion, pasi në atë kohë ishin të rrallë. Kishte marrë në Rumani, një xham me ngjyrë për televizorin dhe shikimi ishte me një refleks disa ngjyrësh. Në Rumani kishte shkuar për t’u kuruar nga gryka, sëmundje që fatkeqësisht ja shkurtoi jetën. Dhe një ditë e përcollëm në banesën e fundit në vitin 1972, në moshën 66 vjeçare.

Profesor Nonda kishte një bibliotekë shumë të pasur, sidomos me autorë francezë dhe herë pas here na jepte libra për t’ lexuar.

Njëherë një shok i fakultetit tonë u bë gati të merrte një libër nga biblioteka. Profesori, pa u ngritur, por me zërin e tij impulsiv, pjesë e karakterit të tij, e ndërpreu në hovin e tij : “ Djalë, para se të marrësh atë libër, ki parasysh se duhet të kthesh tjetrin që ke marrë ”…Dhe shtoi: “Dua t’u le dhe brezave të tjerë të shfletojnë librat e mi”. Kujtimi, shoku ynë i klasës, që u largua shpejt nga kjo jetë, me atë të qeshurën karakteristike, na bëri edhe neve që të shpërthenim në gaz.

Ky ishte një mësim i bukur për çdonjerin nga ne. Qysh atëhere më ka mbetur pasion i veçantë t’i ruaj librat me kujdes kudo që kam qënë, në banesën time në Tiranë dhe kudo që më kanë çuar rrugët e jetës.

*Mediator kulturor



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora