E merkure, 24.04.2024, 08:39 PM (GMT+1)

Kulturë

Eno Koço: Për një Himn të ri Kombëtar

E shtune, 31.01.2009, 01:09 PM


Eno Koço
Eno Koço
Për një Himn të ri Kombëtar

Nga Eno Koço

Në vitin që sapo lamë,  2008, u debatua ndër televizione e u shkrua së shumti për Himnin Kombëtar me që ishte 100-vjetori i ardhjes së tij në Shqipëri. Secili jepte mendimin e tij për vlerat e himnit. Pati dhe rezerva midis folësve, pasi sipas tyre, me të drejtë, evidentohej fakti se himni ishte kompozuar nga një autor i huaj dhe vargjet ishin po ashtu adoptuar nga një vjershë e huaj, të dyja këto rumune. Pra, është folur a shkruar duke analizuar vetëm vargjet dhe muzikën. Për këndimin e tij, apo për mënyrën si transmetohet nga zërat e njerëzve, pothuajse nuk është folur e shkruar kurrë. Ky komponent, transmetimi nëpërmjet këndimit, është thelbësor, është kolona e tretë që mban më këmbë ngrehinën e himnit, apo të çdo pjese muzikore. Fjalët dhe muzika do të ishin të vdekura pa interpretimin e tyre. Është pikërisht natyrshmëria me të cilën do të duhej të përcillej himni që dëshiroj të ngre në këtë shkrim. Por më parë, pak më tepër histori do të nevojitet, sepse për komponentët e tjerë, fjalët dhe muzikën, të cilët janë padyshim po aq të rëndësishëm sa dhe interpretimi, por që janë dhe më të kapshëm e më konkretë për këdo, prandaj dhe kanë bërë të ketë pasur kaq shumë diskutime rreth tyre.
Që nga koha kur himni u soll për herë të parë në Shqipëri 100 vjet të shkuara, pra më 1908. Duke qenë se ai ishte i huaj, janë bërë përpjekje për të krijuar himne të tjerë kombëtarë, me muzikë e fjalë nga krijues shqiptarë. Dëshira vërtet sublime, por që për rrethana të caktuara nuk janë çuar dot deri në fund. Është thënë dhe vazhdon të thuhet që himni ekzistues i ka rezistuar më së miri kohës, kështu që e ka fituar legjitimitetin e vet. Kjo është shumë e vërtetë. Është lënë të kuptohet që krijimet e tjera gjatë këtyre 100 vjetëve, si në gjysmën e parë të shek. XX, ashtu dhe në gjysmën e dytë të po të njëjtit shekull, nuk kanë qenë më të mira se sa himni ekzistues, prandaj dhe nuk i kanë plotësuar kushtet për ta zëvendësuar atë. E marr me shumë rezervë këtë fakt. Kam bindjen se ka qenë më tepër paaftësia për ta çuar deri në fund nismën, mbase dhe për shkaqe subjektive, siç na ndodh shpesh mosrënia në ujdi edhe për çështje të rëndësie të veçantë. Kështu, më mirë me atë të huajin se sa me ndonjë tonin që do t’i gjendej patjetër ndonjë kleçkë si dialekti, etniciteti, fryma që e karakterizon, shtrirja krahinore, intonacionet e melodisë, pulsi ritmik, deri tek prirjet fetare e të tjera, si e si për të mos rënë në një mendje për të pasur një himn tonin.
Himni ekzistues është i bukur, shumë i bukur. Ai përçon solemnitet e dinjitet, prandaj dhe i ka rezistuar bindshëm kohës. Jemi mësuar me të dhe breza të tërë shqiptarësh e kanë njësuar me identitetin e tyre kombëtar. Megjithatë, duhet thënë se ai është dhe mjaft i vështirë për t’u kënduar mirë. Kjo sepse kur u kompozua, ai nuk u mendua për të qenë himn masiv i shqiptarëve. Atë e solli koha dhe nevoja në Shqipëri. Fjalët dhe muzika e tij ishin krijuar nga rumunët Andrei Bârseanu (1858-1922) dhe Ciprian Porumbescu (1853-1883) për tjetër qëllim, më saktë, kushtuar Bashkimit të Principatave Rumune në vitet ’50 të shekullit XIX dhe himni përmbante një karakter të thellë patriotik rumun. Ky himn edhe sot vazhdon të këndohet si i tillë dhe të transmetohet në radio e televizione në Rumani. Madje, rumunët mburren, në kuptimin e mirë të fjalës, për faktin që një muzikë dhe vjershë patriotike e tyre është bërë himn kombëtar i një shteti tjetër.
Ishte pikërisht ky përçim i tij që i dha hov shpërthimit të ndjenjave kombëtare përmes këngës. Në traditën e këngëve korçare, si dhe të shqiptarëve të Rumanisë që e trashëguan këtë traditë, këngët në grup shprehnin ndjesi të natyrave të ndryshme, ku vend tepër të rëndësishëm zinin nocionet e bashkimit, protestës, mobilizimit e kushtrimit, me fjalë të tjera, ndjenjave patriotike. Janë pikërisht këto këngë, apo më mirë është interpretimi i këtyre këngëve, që çuan në atë që do të merrnin emrin si këngë karakteristike korçare, por që sot në mënyrë të vazhdueshme, thjesht nga naiviteti e mosnjohja, i ngatërrojnë me serenatat korçare. Adaptimi i melodive të huaja për nevojat shpirtërore të korçarëve, ishte një tipar karakteristik sa i qytetit, aq sa edhe ballkanik e mesdhetar. Pikërisht, pjesë e këtij frymëzimi në grup i të kënduarit, pa çka se nga ç’vend huazohej melodia, ishte dhe përshtatja që iu bë në Bukuresht këngës patriotike “Pe-al nostru steag e scris Unire” (“Rreth flamurit të përbashkuar”). Rrethanat e krijimit të këtij himni i ka shpjeguar më së miri poeti ynë i vlertë, Lasgush Poradeci. Por si poet që ishte, edhe ndonjë rrethanë të formimit të himnit e ka shpjeguar në mënyrë krijuese. Në fakt, fjalët me frymë patriotike të këngës u krijuan krejt spontanisht, në rrugë, duke marshuar nëpër rrugën Calea Victoriei të Bukureshtit pas një mbledhjeje të shqiptarëve. Ishin fjalë të shpërndara, pa shumë lidhje, por tërë vrull dhe patos. Të frymëzuar nga ky spontanitet krijues i fjalëve, shqiptarët i kërkuan Asdrenit që ky t’i kthente ato në vargje të mirëfillta. Ai e pa të udhës t’i referohej ndjenjave patriotike dhe fjalëve të Bârseanu-t, duke i përshtatur ato mjeshtërisht në shqip. Rrëfimin mbi zanafillën spontane të himnit ma ka thënë gojarisht Dhimitër Kristesku, nga Drenova, bashkëkohës i Asdrenit, që jetoi në Rumani dhe që u ndodh midis grumbullit të njerëzve që marshonin në Calea Victoriei. Gjithnjë sipas Lasgushit, “himni arriti të bëhej kësisoj Himni Kombëtar i Kolonisë së Bukureshtit, që përfaqësonte Shqipërinë në atë vend mërgimi aq të djegur për atdhe, duke u bërë zakon të këndohet rregullisht përpara dhe pas çdo ushtrimi të korit”.
Vargjet e Bârseanu-t, përshtatur nga Asdreni, i shkonin më së miri frymës patriotike që kalonte Ballkani aso kohe, më konkretisht Rumania dhe më pas Shqipëria, ndërsa muzika ishte kompozuar më 1880, kur Porumbescu studionte aso kohe në Vjenë në Konservatorium für Musik und darstellende Kunst, madje dhe u këndua atje si pjesë e programit të mbarimit të studimeve të tij më 1881. Dihet që himni me nota muzikore dhe fjalë u soll në Korçë nga Bukureshti më 1908 (ndoshta dhe më 1909!) nga emisarët atdhetarë ishin Tashko Ilo dhe Hilë Mosi. Lasgushi e përshkruan me ndjeshmëri të lartë këtë moment misionar. Kur në prag të Pavarësisë lindi nevoja për një himn kombëtar, kjo muzikë u përhap në Shqipëri me një shpejtësi të madhe. Kori i Korçës e këndoi himnin në shpalljen e Pavarësisë, në nëntor të 1912. Kush do ta mendonte që një ditë kjo muzikë dhe ato fjalë do të ktheheshin në simbolin kombëtar të shqiptarëve dhe do të jetonin jo pak, por njëqind vjet. Himni u shpërnda gojarisht në popull. Me një fjalë, ishte të kënduarit që përçoi fillimisht, pastaj u botua si vjershë në gazetën “Liri e Shqipërisë” të Sofjes më 1912 dhe më pas në të njëjtin vit në Bukuresht, në vëllimin e Asdrenit, “Ëndra e lotë”.
Himni u transmetua tek njerëzit jo nëpërmjet procesit të mendimit abstrakt, domethënë i porositur apo gjykuar për të qenë një himn kombëtar i shqiptarëve, edhe pse ishte krijuar si himn patriotik. Ai u përcoll në popull përmjet një procesi dinamik, për të përçuar energji dhe forcë, por dhe solemnitet, për të shprehur ndjenja patriotike, për të lëvizur nga një vend në tjetrin, për t’u adaptuar sipas kërkesave të rrethanave ku ai përdorej. Ai u regjistrua disa herë në disqe duke nisur që nga i pari i kënduar në duet nga arbëreshi Guisepe Mauro dhe muzikanti e poeti nga Korça, Spiridhon Ilo dhe prodhuar nga ky i fundit më 1918 dhe 1923 në ShBA. Por himni që u këndua në krye të herës në një nga sallat e provave të korit të Kolonisë Shqiptare të Bukureshtit, më pas do të përhapej në rrugë e sheshe, e më vonë i sjellë në Shqipëri do të përvetësohej nga grupe më të mëdha njerëzish. Në traditën tonë muzikore kemi këngë që ashtu si himni ynë ekzistues kanë lindur në momente vendimtare të historisë së Shqipërisë, të cilat kanë të njëjtën moshë të himnit ekzistues kombëtar dhe që shumë shpesh kanë luajtur rolin e një himni të vërtetë kombëtar. Ndryshe nga himni i Porumbescu-t, këngët masive korçare, që morën emrin patriotike, shpeshherë të dala nga buzët dhe shpirti i luftëtarëve të lirisë të çetave kryengritëse, ishin më të lehta për t’u kënduar dhe u fiksuan në memorien e popullit më mirë e më shpejtë se sa himni që do të bëhej më vonë kombëtar. Ato ishin më të shtruara, më të thjeshta, më të ngrohta, jo akademike, me një shtrirje zëri për të gjithë. Mjafton të përmend njërën prej tyre, “Për Mëmëdhenë”. Ka një shtrirje prej vetëm tetë notash (si shumica e himneve në botë), me intervale të afërt e të rrjedhshme që mund t’i këndojë çdo njeri, ka ngrohtësinë e përzemërsinë, ka dhe dinamizmin dhe pulsin e marshit në refren, ka fjalë kushtrimi thurur maleve të Shqipërisë si dhe evokon ndjesi të mirëfillta vendase. Megjithatë, kjo këngë nuk u bë dot kurrë himn, edhe pse teksti dhe muzika e mbanin peshën e himnit, aq më tepër të bëra prej një patrioti shqiptar, kryengritës, por dhe i lëçitur, siç ishte Mihal Gramano.
Përmenda më sipër që himni ekzistues kombëtar nuk është i lehtë për t’u kënduar mirë. E them me bindje këtë. Për këngëtarët profesionistë ai nuk paraqet vështirësi, por për masën e gjerë të njerëzve, nxënësit e shkollave, grupet entuziaste nëpër ceremoni të ndryshme e stadiume, e gjejnë jo të lehtë këndimin e tij, thjesht sepse ka shtrirje shumë të madhe vokale (13 nota) dhe që në fillim të tij ka intervale jo të lehta për t’u intonuar siç duhet nga njerëzit e zakonshëm. Në gjysmën e dytë të himnit, regjistri i të kënduarit shkon aq lartë sa kur i shikon fytyrat e njerëzve se si skuqen (shpesh edhe njerëz me dinjitet) dhe aq më tepër kur dëgjon zërat e tyre që shkojnë deri gjysmë toni poshtë, që edhe për një që, siç thuhet, nuk ka vesh për muzikë, e dallon që diçka nuk shkon, që diçka nuk është në rregull. Sigurisht, mund të bësh edhe sikur këndon për të ruajtur solemnitetin, por ndjesia për himnin nuk është e dalë nga shpirti yt.
Mendoj se çështja në se duhet të kemi një himn të ri, të këndueshëm nga të gjithë, do të duhet të shqyrtohet në rang akademik e jo të mjaftohet vetëm me debate televizive. Sot kemi kompozitorë që mund të përmbushin më së miri krijimin e një himni të ri kombëtar. Përpjekje për një himn të ri shqiptar janë bërë që në dhjetëvjeçarin e parë pas Pavarësisë, më 1922, dhe më pas përsëri më 1937 për tekstin e tij. Pas Luftës, më 1946 u shpallën dhe fituesit për një himn të ri kombëtar dhe në fillim të viteve 1970 u shpallën të tjerë finalistë për muzikën. Pra, 50 vjet përpjekje të vazhdueshme për të patur një himn të ri shqiptar, rezultuan të pa suksesshme. Në këto 40 vjetët e fundit shteruan edhe ato përpjekje që ishin bërë më parë si për të përligjur përfundimisht paaftësinë. Arsyetimet për këto mos realizime mund të jenë të ndryshme, por në vështrimin tim këto kanë qenë të gjitha dështime më tepër se sa përfundime që nuk u gjet himni i duhur. Himni ekzistues na u soll i gatshëm nga jashtë, me fjalë dhe muzikë, dhe pas 100 vjetësh ne nuk arritëm të bëjmë një tonin që të këndohet nga të gjithë por dhe që të mburremi që është i yni. Ai respekt i madh që kemi për të huajin dhe shpesh ajo mos konsideratë për atë të vendit, është reflektuar edhe në fushën e himnit. Madje, duhet thënë se himni ekzistues në vitet e pas-Luftës nisi të paraqitet apo harmonizohet ndryshe dhe të pësoj edhe ndonjë ndryshim arbitrar melodik, ndërsa në variantet e para-Luftës i kanë qëndruar më besnik muzikës origjinale të Porumbescu-t. Mjafton te futesh sot në internet e të dëgjosh variantin origjinal, kënduar në rumanisht dhe ekzekutuar nga një seri ansamblesh rumune, veçanërisht nga një variant shumë i bukur i korit të ushtrisë rumune, do të bindemi se diçka duhet bërë për të pasur edhe neve një himn tonin.
Kuptohet, ky sugjerim i imi për të vazhduar përpjekjet për të pasur himnin kombëtar, të shkruar e kompozuar nga autorë shqiptarë, është disi i ndjeshëm për shumë nga ata që do ta quanin të pa drejtë një ndërmarrje të tillë. Mendoj që përpjekjet janë gjithmonë të mira aq më tepër për një mision kaq madhor sa himni i vendit tënd. Janë përpjekje që kanë filluar që më 1922 dhe janë pasuar në regjime e qeveria shqiptare të disa spektrave politikë. Vërtet të jemi sot në një stad më të ulët ndërgjegjësimi për të bërë një analizë të thellë të kësaj çështjeje?



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora