Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Virgjil Kule: Shqiptarët në kontakt me botën kanë sot probleme të lidhura me mungesën e një imazhi pozitiv

| E shtune, 31.01.2009, 12:57 PM |


Ja si po punohet për filmat dokumentarë të Sarandës dhe Vlorës

Imazhi ndërkombëtar i vendit dhe identiteti kombëtar
 
Identiteti kombëtar nuk është domen i së kaluarës. Ai formësohet çdo ditë nga pak nëpërmjet punës komplekse për përcjelljen e imazhit ndërkombëtar të vendit.

Në botën e sotme të internetit video është shndërruar në mjet parësor komunikimi.

Nga Albert Zholi
 
Hyrje

Një telefonatë në mes gusht, bëri që të merrja rrugën e Sarandës për të takuar publicistin, ikonën e folësve të televizionit, regjisorin, studiuesin, përkthyesin, humanistin (10 vjet punë me organizata humanitare në gjysmën e botës), videoproducentin Virgjil Kule. Unë i kërkova një intervistë dhe ai më ftoi të shkoja në qytetin e bukur e piktoresk të Sarandës, ku po kryente filmime për realizimin e filmit të ri dokumentar turistik Saranda. E gjeta me djersë e kamer në krahë, duke ecur rrugëve të Mesopotamit (fshat në Sarandë), kur temperatura shënonte 40 gradë. Kërkesës time për një intervistë ju përgjigj me vështirësi (më shumë më fliste pë kryetarin e Bashkisë Sarandë Edmond Gjoka) pasi sipas tij nuk janë në natyrën e tij intervistat, por puna. I qeshur, i gjallë, ai të ftonte në debat të hapur duke zvogëluar çdo largësi. Njerëzor, por dhe shumë inteligjent, me të mendova të zhvilloj një cikël bisedash që kanë të bëjnë me dy filmat dokumentarë (Vlorës dhe Sarandës) që ai po realizon, për video imazhin, lënien pas dore të këtij lloj promovimi të bukurive shqiptare në botë, impresionet për kohën kur ai drejtonte RTSH-në, punën në studion prestigjioze “Fast-track Albania”, me drejtues z. Agron Shehu, momentin e rënies së bustit të Enver Hoxhës dhe në veçanti aktin aq të emancipuar dhe të pa imagjinuar për kohën (ndoshta i pari në historinë e Shqipërisë postkomuniste), atë të implementimin të institucionit të dorëheqjes si Drejtor i RTSH, takimet me producentin e videove promorcionale në Euroneës, z. Anton Daniel. Shqiptarët ndoshta e ruajnë të freskët në kujtesën e tyre zërin magjik të Virgjil Kules në TVSH gjatë transmetimit të lajmeve. Zë i cili edhe sot i mungon edhe televizioneve më prestigjioz. Sipas folësit dhe regjisorit të talentuar Dhimitër Gjoka, zëri brilant i Virgjil Kules, mbetet si një meteor i rrallë me një ngjyrim të veçantë në radhën apo armatën tashmë të shumtë të folësve shqiptarë.

Virgjil ju kohët e fundit po realizoni dy video dokumentare turistike për dy nga zonat më të bukura të Rivierës shqiptare, ku ju vetë jeni dhe operator, regjisor dhe folës. Cilat kanë qenë shtysat për këto realizime, që për nga mënyra dhe niveli artistik përbëjnë një risi në dokumentarin shqiptar?

Shtysa ka ardhur nga dëshira e jashtëzakonëshme për t’i bërë një portret dinjitoz vendit tim, dëshira e madhe për të nxjerrë në dukje një realitet pozitiv, cili nuk shikohet e nuk vlerësohet për shkak të psikozës nihiliste që ka mbërthyer pothuajse gjithë shoqërinë shqiptare. Shqipëria është një nga vendet më të bukura. Kompleksi i saj i përgjithshëm, (klimë, reliev, monumente, folklor, kostume, etj.) është nga të rrallët në botë, por puna është se deri më sot nuk po investohet siç duhet për t’i integruar ato me njëra tjetrën teorikisht dhe praktikisht. Më shqetëson shume fakti se vendi ynë vazhdon t’i paraqitet shqiptarëve dhe botes si një diçka e vobektë, pseudoheroike e në letargji permanente. Në fushën e promovimit ndërkombëtar të aseteve të një vendi nuk duhet të ketë vend për modesti dhe ngurim. Ekonomia e tregut shtrihet edhe në këtë fushë dhe pikërisht kjo është fusha ku ne ndihemi më të fortë e më të sigurt se në çdo fushë tjetër.
Por të gjitha institucionet që merren me këto çështje kanë një ndarje të theksuar sektoriale dhe punojnë në mënyrë të mbyllur e të vjetër. Ato nuk marrin parasysh konsumatorin masiv. Bëhen guida e fletëpalosje për monumentet, për hotelet, për vendet turistike etj, por në to nuk ka jetë, nuk ka bashkëveprim të pasurive kombëtare me njeriun. Fotot që përdoren janë pllakateske, përgjithësisht pa njerëz, d.mth pa konsumatorë dhe të japin përshtypjen e një vendi në jerm. Edhe ato pak video që qarkullojnë janë të bëra shpejt e shpejt, me montazhe të sajuara dhe me cilësi shumë të dobët. Sidomos në to elementi njeri mungon thuajse fare, ndërsa për veprim as që bëhet fjalë. Mungojnë shumë elemente esenciale të komunikimit interaktiv.

Si e zgjidhni ju këtë?

Duke aplikuar artin dhe teknikën për prodhimin e të ashtuquajturave video koorporative që, në thelb, do të thotë t’i paraqitësh vlerat tona turistike nëpërmjet mënyrës se si konsumatorët e tyre i shijojnë ato. Ky është çelësi. Unë nuk them: “Shihni sa e bukur është Shqipëria” por them “Shihni sa shumë kënaqen njerëzit në Shqipëri, shihni se ku janë vlerat e këtij vendi dhe vraponi të vini se ka shumë të tjerë që po i shijojnë ato para jush.” Ka një ndryshim shumë të madh në këto dy mënyra konceptimi, ndryshim që implikon një metodologji tjetër pune. Në të parën realiteti i përshtatet skenarit, në të dytën është ky i fundit që i përshtatet realitetit.

Pra ju përpiqeni të jepni një model kënaqësie për njerëzit, i bëni thirrje ndjesisë së përgjithshme të tyre si konsumatorë të turizmit. Dhe ky model kënaqësie realizohet në Shqipëri. Si e zbërtheni këtë në praktikë?

Duke i qëndruar besnik pjesës pozitive të realitetit që shpaloset para syve tanë dhe që shumë vetë nuk e shohin. Në filmat e mi dokumentarë qarkullojnë me mijëra njerëz, qindra personazhe reale të fushave të ndryshme me interes turistik, të cilët në thelb bashkëveprojnë me njëri tjetrin në mjedisin shqiptar. Dikush shijon plazhin, dikush natyrën, dikush restorantin, dikush viziton qendrat monumentale e kulturore dhe, të gjitha këto, në bashkëveprim me vendasit. Gjithçka, deti, uji, dielli, plazhet, monumentet kulturore etj. paraqiten në mënyrë aktive, si vlera në përdorim dhe jo si vlera në potencial. Në një film dokumentar turistik për gjithë zonën e Sarandës p.sh., nuk ka hapësirë për të përshkruar në detaj Butrintin antik, por Butrintin mund ta bësh shumë domethënës e tërheqës kur brenda 3 minutave jep aty imazhin konkret të dhjetëra mijëra njerëzve qe e vizitojnë atë çdo sezon. Efekti është i qartë; shikuesi, turisti i mundshëm, bën autosugjestion: diçka ka ky Butrinti që shkojnë aty kaq shumë njerëz, pse mos bëj edhe unë si të tjerët?!. Ky është konsumatori masiv. Ai ka nevojë për model kënaqësie dhe unë ia servir konkretisht këtë model. Qëllimi im është që ta çoj atë në Butrint, t’i tregoj rrugën që ndjekin ata që shkojnë dhe t’i paraqes sidomos kënaqësitë e vogla të udhëtimit para, gjatë dhe pas vizitës në Butrint në mënyrë që vizitori të ndjehet sa më komod. Pra të çoj sa më shumë njerëz para sportelit ku ata, domosdo, do të blejnë biletën për të hyrë në Butrint. Ky tip dokumentari ka si qëllim final konkretizimin e një biznesi, futjen e të ardhurave për sektorë të ndryshëm të ekonomisë, prandaj quhet koorporativ.

Ndonjë shembull tjetër?

Po ja, marrim bazilikën e mrekullueshme të Mesopotamit. Me të mund të merresh në mënyra të ndryshme. Shkolla klasike e dokumentarit jo turistik, jo koorporativ, do merrej me të duke e zbërthyer cep më cep, duke folur për çdo gur më vete e duke ndërtuar një histori pa fund me karakter gjysmë studimor. Stop. Ky material nuk është për turistin. Ai është për studjuesin, për një grup të vogël të interesuarish. Turisti i zakonshëm ka pretendime më sipërfaqësor ndaj një objekti të vetëm kulturor, por shumë më komplekse ndaj një itenerari të tërë ku përfshihet edhe ky objekt. Për turistin unë veproj kështu: në radhë të parë kërkoj dhe gjej një grup sa më origjinal turistësh të zakonshëm të identifikueshëm me target grupin tim. Në rastin konkret një familje franceze prej 4 vetësh të rritur që bredhin botën me një triçikël shumë interesant. Planet e tyre pastaj përzjehen me plane vizitorësh të tjerë. Pra një pyetje mori përgjigje: Kush? Francezët me tricikël, ti, unë, kushdo. Pastaj i ndjek ata para vizitës, gjatë saj dhe pas saj. Pra jap një model se si mund të kalohet një gjysmë dite në mënyrë të këndshme. Marrin përgjigje edhe pyetjet KU? dhe SI? Mbetet pyetja më e vështirë, PSE? Këtu duhet një gjetje tjetër që të sugjerojë autoritet për këtë monument kulturor dhe idenë se ja vlen të shkosh aty. Për këtë shfrytëzoj një grup studjuesish italianë që janë atje duke bërë matje me disa aparatura shumë moderne dhe i jap të kuptojë spektatorit mesazhin si më poshtë: ja vlen të shkosh në Mesopotam sepse aty shkojnë jo vetëm turistet e zakonshëm, por edhe studiues prestigjozë që ia dinë mirë vlerat këtij monumenti. Rezultati është shume efektiv: Brenda dy tre minutave arrihet që spektatori i dokumentarit të kënaqë kërkesat e tij paraprake individuale 1 – të dijë se ku të shkojë në kuadrin e një itenerari tre- katër ditor. 2 – të dijë edhe pse të shkojë – të dijë edhe se si shkohet. Dhe këto nuk thuhen në letër, por në video, pra në mënyrën më bindëse. Të jeni të sigurt se turisti që ka parë këtë video kur një ditë të mbërrijë në Mesopotam e të gjejë vetëm rojen që s’di të japë asnjë shpjegim (gjë që ndodh shpesh), nuk do të mendojë se ishte kohë e humbur kot mbasi në mendje do ketë ata studjuesit italianë që “dinë se ç’bëjnë”.

Qartë, po si arrin t’i ndërtosh këto skena?

Unë nuk ndërtoj skena. Unë i gjej ato të gatshme dhe i fiksoj. Natyrisht duke shkuar disa herë në të njëjtin vend. Kjo është kostoja e videos koorporative – gjueti me durim të madh. Për tre minuta të tilla në Mesopotam kam shkuar gjashtë herë. Studjuesit i gjeta herën e dytë kurse familjen franceze me triciklin e tyre e gjeta rastësisht në një bar restorant aty afër herën e gjashtë. Dhe menjëherë ndërtova në kokë skenarin duke i marrë ata për pikënisje. Po të punoja në mënyrë klasike pjesën e Mesopotamit duhet ta kisha mbaruar që herën e parë. Por nuk do të ishte edhe aq intriguese.
E njëjta gjë mund të thuhet për “Gurin me qiell”, këtë variant të mrekullueshëm të një “stonehenge” shqiptar në Vranisht të Vlorës. Për xhirimin e këtij monumenti impresiv që ndodhet në majë të një mali, 3 orë ngjitje me këmbë në vapën e gushtit, unë angazhova 20 vizitorë të tjerë, bile disa të veshur edhe me kostume popullore të zonës, me qëllimin e vetëm që kjo vlerë kulturore të paraqitet sa më e gjalle dhe komunikative.
Pra unë përpiqem të paraqes një komunitet sa më të madh turistësh në bashkëveprim aktiv me vlerat kulturore, duke iu qëndruar besnik shijeve të tyre individuale dhe kolektive. Mos harrojmë kryesoren: ky komunitet vepron në mjedisin shqiptar. Është mjedisi shqiptar që paraqitet në mënyrë interaktive dhe shumë tërheqëse.

Nisma dhe përfitimi material

Nisma të tilla nuk mund të frymëzohen thjesht nga përfitimi material sepse ky i fundit është më i garantuar në rrugë të shkelura e të sigurta. Shpërblimi material shikohet më shumë si domosdoshmëri për të vazhduar në këtë rrugë. Ajo është një rrugë e re dhe e vështirë si nga pikëpamja e përgatitjes së materialit ashtu edhe nga pikëpamja komerciale. Në Shqipëri nuk ekziston tregu koorporativ për video koorporative. Nuk ekziston as koncepti për të tilla produkte dhe as modalitetet për financimin e tyre. Prandaj edhe ato mungojnë dhe do të mungojnë për sa kohë nuk do të krijohet një ose disa prototipe. Dikush duhet t’i paraqesë këto prototipe. Kemi të bëjmë me një mënyrë të re të punës organizative për xhirimin e materialit, montimin, skenarin dhe regjinë. Ato nuk i përmbahen klisheve të vjetra të praktikuara këtu. Ato i përmbahen mënyrave bashkëkohore, ku arti gërshetohet fort me shkencën e komunikimit. Ky gërshetim është në thelbin e dokumentareve me karakter udhëtimi e zbulimi që transmetohen nga të gjitha kanalet televizive prestigjioze të botës. Në rastin e dokumentarit turistik, duhet një kohë e gjatë për realizim, duhet pavarësi absolute financiare dhe administrative. Por mbi të gjitha duhet një klimë kërkese, një merak nga ana e shtetit dhe organizmave të tij që të interesohen realisht për imazhin video të Shqipërisë në Ballkan dhe në botë.

Ku është motivi...

Motivi është fare i thjeshtë. Çdo kush ka për detyrë dhe të drejtë të hulumtojë dhe të kontribuojë në lëmin e identitetit të vet kombëtar. Disa e bëjnë në planin historik, disa në planin antropologjik, disa në atë social, disa të tjerë duke ulur e ngritur personazhe të ndryshme të së kaluarës e kështu me radhë, por përgjithësisht referimi është gjithmonë ndaj të kaluarës. Ka tashmë kontribute të mjaftueshme për të nxjerrë një konkluzion që është mjaft i dhimbshëm: përgjithësisht shqiptarët kanë rezultuar të vonuar në trenat e ndryshëm të historisë?!
Pohimi pa ndrojtje i kësaj të vërtete nuk përbën asnjë shkak për dekurajim dhe mungesë optimizmi. Përkundrazi është kusht për t’u bërë të vetëdijshëm e për të nxjerrë mësime në mënyrë që të mos humbasim trenat e sotëm dhe ata që do të kalojnë me vonë këtej nga anët tona. Një nga këta trena është treni i imazhit i cili ndikon shumë tek formësimi i identitetit. Këtë tren e kemi humbur rregullisht dhe ka rrezik të vazhdojmë ta humbasim për shkak se ende nuk kemi identifikuar as oraret dhe as stacionet e tij. Kjo ka shkaqet veta. Duke i kërkuar problemet e identitetit vetëm në të kaluarën, e tashmja dhe e ardhmja lihen jashtë vëmendjes. Harrohet se nëpërmjet kujdesit për imazhin e vendit , identiteti kombëtar ndërtohet e përsoset perditë në sy të bashkëkohësve kombëtare dhe ndërkombëtare. Pra nuk mjafton këndvështrimi historik e gjykues për identitetin, por duhet doemos edhe këndvështrimi aktual dhe perspektiv i tij. Mjedisi botëror në këtë pikë është i ngjashëm me një shoqëri të zakonshme djemsh e vajzash të rinj dhe energjikë ku gjithsecili merret nga të tjerët ashtu sikundër ai e paraqet veten ditë për ditë, në çdo takim, në çdo bisedë, në çdo veprimtari të përbashkët. Ky është një proces i përditshëm, i pandërprerë, që nuk lejon pauza e vonesa. Çdo mangësi në ndërtimin e imazhit sot, nesër kthehet në problem serioz për identitetin. Abraham Linkolni ka thënë: nuk mund t’i shmangesh përgjegjësive për të nesërmen duke i lënë ato për nesër.
Fakt është se gjithë shqiptarët në kontakt me botën kanë sot probleme të lidhura me mungesën e një imazhi pozitiv ose të paktën neutral të vendit të tyre. Përgjithësisht dominon imazhi negativ dhe çdo shqiptari i duhet të harxhojë energji të mëdha për të kompensuar individualisht mungesat në këtë drejtim. Kjo më shqetëson dhe pikërisht nga ky shqetësim buron edhe motivi frymëzues për të ndërmarrë aktivitetin që përmendët më sipër dhe që konsiston në kontribut për video imazhin pozitiv të vendit. Gjithësecili duhet të kontribuojë në atë fushë që e njeh më mirë dhe me mjetet shprehëse që zotëron më mirë.