E shtune, 20.04.2024, 12:37 PM (GMT+1)

Kulturë

Arsim Jonuzi: Kaltërsi

E premte, 30.01.2009, 06:55 PM


Ese

Kaltërsi

Nga Arsim JONUZI

Në mesin e kohës kur do ta lëshoja tokën për të shkuar kah qielli, ja, desha t'i ndaj emocionet me ju. Gëzohuni dhe krenohuni edhe ju bashkë me mua dhe me personazhet tjerë, të cilët do t'i kisha kategorizuar në: parësorë, dytësorë, pozitivë, negativë dhe disa të tjerë, të cilët është mëkat po nuk i konsideruam të artë...
Po t'i bënim një studim Shekspirit, do të ishim befasuar se sa të madhe e ka pasur imagjinatën. Vallë, si të mos i ishte zhvilluar imagjinata për reflektim, kur e dimë se me ç'lloje njerëzish ka pasur punë, ndonëse ndoshta jo në mënyrë aktive apo direkte, si të them?! Për më tej, po të ngjallej ai tash, kush e di se edhe për sa vjet të tjera do të mbetej i pavdekur me nam, kur do ta kishte përshkruar një proces tonin që ndodhi në këtë vend të bukur me tetë kënde. Them, ka gjasa që ta kishte quajtur "Kaltërsim qielli"...
Intuita më thotë se do të kishte ftuar vetëm tre veta si personazhe kryesore dhe shumë të tjerë që do të luanin në rolet tjera. Në kohën e tij, i ngrati nuk ka pasur ndoshta kamera digjitale, por sot patjetër se do të kishte gjetur të tilla. Madje, do të kishte angazhuar kameramanë shqiptarë, padyshim, meqë çështja kishte të bëjë me ta. Siç thashë, personazhi kryesor do të ishte një vajzë, e cila nuk e donte mësimin, ishte moralprishur e e përdalë dhe se kishte vendosur pakthyeshëm që ta ndërprente edhe shkollën në tërësi. Më tej, personazhi i dytë kryesor – edukatori dhe pedagogu i saj, vazhdimisht i bënte thirrje që të ndryshojë mendjen dhe ta vazhdojë edukimin. Ajo e mbante një orë dhe dilte, ndërsa pedagogu i saj angazhonte njerëz që ta përcjellin se a po hynte në mësim a jo. Aq shumë e donte, saqë shumë brengosej për të. Çudi, sikur ta kishte vajzë! Për më tepër, i bënte thirrje prindit të saj që të ndërmarrë ndonjë masë dhe t'ia mbushë mendjen të bijës së vet që të afrohet te shkolla dhe të hyjë në mësim. Pra, sipas Shekspirit, ashtu si e kishte paraparë, kjo punë nuk ishte zgjidhur, gjersa të vinte në shprehje personazhi i tretë kryesor – plaku i katundit...
Ai ishte aq i mençur dhe aq me autoritet në atë rrethinë, sipas regjisorit. Kur e godiste tavolinën, bashkë me gotat që ishin në tavolinë, të gjithë të pranishmit kërcenin lart. Ishte tamam personazh përkatës për këtë problem të shfaqur tek nënqielli tetëkëndor. Hyri në skenë dhe i gjithë publiku i drejtuan sytë kah ai, sikur iu duk se ishte shumë i ashpër. Përkundrazi, ai u ul në një karrige dhe pushoi për ca sekonda. Ashtu, sipas planit të regjisorit, e shikoi pikësëpari tërë skenën, i hapi krahët dhe tha: "Dëgjova se dikush është kah e prish rendin në shkollë! A mos je ti, moj vajzë? A mos je ti, të thashë???" dhe e goditi tavolinën me aq sa kishte forcë. Sa nuk e çau në dysh...
Skena përfundimtare ishe kështu: Edukatori e mori vajzën për dore, u drejtua kah plaku i katundit dhe, në emër të vajzës, foli: "I nderuari ynë, kjo gjë më nuk përsëritet. Unë kam marrë fjalën nga kjo nxënësja, tashmë me dëshirë për t'u përmirësuar, e zellshme e edhe e mbuluar – për të qenë me dinjitet, se ajo do të vijojë mësimin!". "Dua ta dëgjoj këtë nga vetë goja e vajzës!" – tha kryeplaku. "E vërtetë është, o njeri i urtë! Unë tashmë do ta vijoj mësimin dhe asnjëherë më nuk do të jem e keqe!" – tha vajza. Ndërkaq, plaku i katundit i tha: "Asnjëherë nuk do të kthehesh, a po jo?". "Kurrë më, të jap fjalën!" – i tha vajza...dhe me kaq përfundoi drama.
Pas përfundimit, të pranishmit, të gëzuar, po paksa të habitur, i thanë fjalë miradije regjisorit dhe e ftuan për të pirë një kafe. Pasi shkuan në lokal, i cili sa ora u mbush edhe nga gazetarët e vendit e edhe nga artistët – kolegët e dramaturgut në fjalë, ai u tha: "Të shumërespektuar kolegë, miq, dashamirë dhe ju të dashur people, më falni, e përzieva me gjuhën time, të dashur njerëz shqiptarë! Të më falni se mund të kem gabuar, por besoj se më kuptoni. Pra, kam nderin e madh që para jush prezantova me këtë dramë të vockël dhe, njëherit, më duhet patjetër t'i lavdëroj artistët, të cilët aktruan si është më së miri, apo jo? Unë dua që..." dhe gjersa ai po e vazhdonte fjalimin e rastit, një prej artistëve i tha shokut të vet: "Hej, a e di çfarë më tha Shekspiri?". – "Jo, tregomë!". – "A mund të shkoj te Dielli i Kodrës? Hahaha!". Ky tjetri: "I falet, ore! Po ky sa ka ecur nëpër kohë që të vijë, boll që ka thënë ashtu bile! Sa jemi këtu, gaboi edhe në disa vende të tjera, por s'ka gjë!"...

---


"Butësia nuk është luks pa të cilin mund të jetohet!" (Arsim JONUZI)

 



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora