E premte, 29.03.2024, 08:39 AM (GMT)

Kulturë

Doktori pogradecar që pajisi Ajnshtajnin me pasaportë shqiptare

E premte, 30.01.2009, 06:22 PM


Albert Einstein
Albert Einstein
Nga Bardhyl Berberi

Në një nga rrugicat karakteristike të qytetit të Pogradecit, në lagjen Burima, në krahun e djathtë të kishës së vjetër të qytetit, ndodhet një vilë dykatëshe e zhytur në mes të një lulishteje dhe një kopshti me mollë dhe hardhi rrushi.

Në katin e sipërm të shtëpisë valëvitet një flamur kombëtar. Është shtëpia e Bashove, aktualisht e doktor profesorit të asociuar, Jovan Bashos, shef i shërbimit në Qendrën Spitalore Universitare Nënë Tereza, në Tiranë.

Sapo futesh në shtëpinë e Bashove, do të ndeshesh me një portret të shkencëtarit të madh gjerman, Albert Ajnshtajnit, i cili është i vendosur në një nga pozicionet kryesore të shtëpisë.

Përqendrimi tek kjo foto nuk i habit pjesëtarët e familjes Basho, pasi ata na thanë se Albert Ajnshtajni ka qenë mik i madh i kësaj familjeje, madje shkencëtari i madh Albert Ajnshtajni, pas kontakteve të shumta në Vjenë më doktorin e famshëm Jani Basho (i cili pasi kthehet në Shqipëri punon si mjek personal i mbretit Zog), Ajnshtajni vjen në Shqipëri prillin e vitit 1931, kur ndiqej nga nazistët gjermanë, për shkak të origjinës së tij hebreje dhe më pas pajiset me një pasaportë shqiptare dhe të largohet me këtë pasaportë në drejtim të SHBA-së.

Po cilat janë faktet e kësaj nënshtetësie shqiptare të Albert Ajnshtajnit?

Në regjistrin e vjetër të vitit 1931, AK0 31, në faqen 53 /1, ndodhet ky shënim :

Sot më datën 10 prill 1931, u paraqit të zyrën e Bashkisë së Poradecit dr. Jani Bashua, i lindur më 1892 në lagjen Burima të Poradecit, i biri i Kozmait dhe Anastasisë, me profesion mjek personal pranë naltmadhënisë së tij Zogu i Parë, i cili na jep garanci që Albert Ajnshtajni të bëhet qytetar i Poradecit. Kjo bashki e pajis me vërtetim dhe certifikatë Albert Ajnshtajnin, si banor të Poradecit në lagjen Burima.

Nëpunsi i Bashkisë Dhënsi i garancisë

Reis Asllani Dr. Jani Basho

Dr. Jani Bashua, pas studimeve me rezultate të shkëlqyera në Vjenë, në vitin 1928 emërohet si mjek personal i mbretit Zogu i Parë. Në kujtimet e mbledhura nga nipi i tij, dr. Jovan Bashua, doktor Jani Bashua përshkruan me hollësi këtë moment:

Ka qenë 16 dhjetori 1930. Mbreti Zog, sapo hëngri darkë, i filluan disa dhimbje të forta barku. Pasi e viziton dr. Jani Bashua e këshillon mbretin që të shtrihej. Sipas Jani Bashos, mbreti Zog, prej dy vjetësh vuante nga një sëmundje zorrësh. Në këtë situatë u shtrua problemi që të vërtetohej diagnoza.

Pas dy ditësh, mbreti Zog thërret dr. Jani Bashon dhe i thotë që të përgatitej se do të shkonin së bashku në Romë për analiza të hollësishme. Dr. Jani Bashua i përgjigjet se ishte e drejta e tij, por nëse do t`i merrte mendim atij, duhet të shkonin të vizitoheshin në Vjenë.

Mbreti Zog ia miratoi propozimin dhe natën e 26 janarit, delegacioni i lartë shqiptar, me pasaporta me emra të falsifikuar për të ruajtur sekretin, u nis nga Durrësi me një kaçatorpedinier të flotës italiane, i cili të nesërmen i çoi në Trieste. Aty i priste treni personal i Viktor Emanuelit, me të cilin mbërritën në Vjenë dhe më pas u sistemuan në hotelin Imperial.

Në Vjenë, dr. Jani Bashua takoi profesorët e tij dhe njëherazi dhe miqtë e tij, ndër të cilët, aktorin e famshëm Aleksandër Moisiu. Në takimin që ai pati tek shokët e tij dhe miqtë e ngushtë, ata i bënë një kërkesë:

Miku i tij, Albert Ajnshtajni, ishte në rrezik dhe kërkohej nga nazistët gjermanë si hebre dhe duhej të largohej, por e kishte të pamundur, pasi pasaportën e tij gjermane ia kishte sekuestruar gestapoja. Kështu, i thanë ata, meqenëse ju jeni mjeku personal i mbretit Zog, i thoni mbretit t'i japë një pasaportë shqiptare.

Pas vizitave të shumta dhe analizave që iu bënë mbretit Zog nga mjekët më të mirë austriakë dhe veçanërisht prof. Hollznecht-i, i cili i bëri më shumë se 30 radiografi për t`i përcaktuar diagnozën, në një moment pushimi, kur mbreti Zog po pinte kafe me dr. Janin në ambientet e hotelit, dr. Jani Bashua i bën kërkesën mbretit Zog që të pajiset shkencëtari Albert Ajnshtajni me pasaportë shqiptare, sepse jeta e tij është në rrezik nga nazistët.

Mbreti, pasi e dëgjoi deri në fund propozimin e mjekut të tij personal, i thotë, dakord, thuaji të vijë në Shqipëri dhe bëje t`i doktor Jani një herë pogradecar, si banues të Poradecit, më pas i japim një pasaportë shqiptare.

Në kujtimet e tij, thotë dr. Bashua, atë ditë kur i bëri kërkesën, mbreti ishte në formë të mirë dhe në mbrëmje ata shkuan së bashku në operën e Vjenës për të parë "Aidën" e Verdit. Por, kur dolën jashtë tek porta anësore ku po prisnin dy makina, mbreti Zog ishte në makinën e parë me truprojën e tij Llesh Topallajn dhe me Eqerem Libohovën.

Sapo hipnim në makinë, kujton dr. Jani Bashua, u dëgjuan të shtëna armësh që na erdhën nga anash. Lleshi u rrëzua për tokë, ndërsa Eqerem Libohova ishte plagosur në pulpën e këmbës. Mbreti Zog u ul në gjunjë dhe mori pozicion dhe filloi që të shtjerë me pistoletën që kishte në brez andej nga erdhën krismat.

Dr. Jani Bashua thotë se menjëherë shkova tek mbreti Zog dhe e pyeta se si ishte, por ai më tha shiko të tjerët se ai ishte mirë. Shkova tek Topallaj dhe pashë që ai kishte vdekur nga një plumb që e kishte zënë në arterien kardiake në qafë. Më pas i lidha këmbën Eqerem Libohovës për të ndërprerë hemorragjinë dhe u nisëm drejt spitalit.

Por, vazhdon dr. Jani Bashua, mbreti Zog e mbajti premtimin dhe një ditë ma rikujtoi që t`i thuash atij shkencëtarit që të vijë në Shqipëri dhe ta pajisim me pasaportë shqiptare.

Po cilat janë dëshmitë e tjera që e vërtetojnë këtë?

Dr. Prof. Jovan Bashua, i cili është marrë me mbledhjen e kujtimeve të xhaxhait të babait të tij, Jani Basho, thotë për gazetën "Shekulli":

Para se të vinte në Shqipëri, në qershor të vitit 2002, mbretëresha Geraldinë i dha një intervistë një gazetari anglez në revistën "Style", me titull "Kthimi i mbretëreshës", ku deklaron se në Shqipëri kishte ardhur Albert Ajnshtajni dhe mbreti Zog e kishte pajisur me pasaportë shqiptare.

Së dyti, ish-bankieri i Bankës Kombëtare Shqiptare në kohën e Zogut, Ajeti Bega, i ka deklaruar ish-drejtorit të Fizikës Bërthamore, prof. Dr. Skënder Kojës, se Ajeti Bega kishte takuar personalisht në Bankën Shqiptare Albert Ajnshtajnin, në fillim të vitit 1931, kur Ajnshtajni i ishte paraqitur në Bankën Kombëtare Shqiptare për të kryer disa veprime midis Bankës Shqiptare dhe asaj gjermane.

Por, nëpunësi Bankës, Ajeti Bega, tregon se ai nuk e ndihmonte dot, pasi banka e tyre veprime të tilla nuk kishte kryer në atë kohë. Atëherë, Albert Ajnshtajni i ka thënë Ajeti Begës që t`i thoshte pak drejtorit të tij që e kërkonte Albert Ajnshtajni për të sqaruar diçka.

Sapo Ajeti është futur në zyrën e drejtorit të bankës, i cili ishte italian dhe i ka thënë se e kërkonte Albert Ajnshajni, ai është ngritur më vrull nga karrigia dhe ka thënë "si ka mundësi të më kërkojë Albert Ajnshtajni". Kush është ky, e kishte pyetur Ajeti Bega? Është një nga shkencëtarët më të mëdhenj të botës.

Më pas, Ajnshtajni ka prishur një çek me një shumë të caktuar që ia kishte dhënë mbreti Zog si dhuratë. Sipas dokumenteve zyrtare, Albert Ajnshtajni, në Bankën e Tiranës ka qenë më datën 9 prill 1931, ku ka kryer dhe veprimet e mësipërme.

Më datën 10 prill, dr. Jani Bashua ka marrë certifikatën me emrin e Ajnshtajnit në Pogradec dhe më pas është plotësuar me ndërhyrjen direkte të mbretit Zog pasaporta me nënshtetësi shqiptare e Albert Ajnshtajnit nga Ministria e Brendshme shqiptare.

Sipas të dhënave zyrtare, Albert Ajnshtajnit, pasaporta gjermane i ishte sekuestruar nga Gjermania naziste dhe sipas të dhënave zyrtare, Albert Ajnshtajni ka shkuar dy herë në Amerikë në dhjetor të 1931-shit dhe në vitin 1932, me pasaportën shqiptare që e pajisi mbreti Zog, pasi nuk kishte pasaportë tjetër.

Vetëm në fund të vitit 1932, Albert Ajnshtajni ka marrë edhe një pasaportë tjetër nga shteti zviceran, ndërkohë që të gjitha shërbimet e vitit 1931 dhe 1932 i ka kryer me pasaportën shqiptare.

Padyshim, thekson Dr. Prof. Jovan Bashua, populli ynë me të drejtë duhet të krenohet se ka shpëtuar mijëra hebrej dhe midis tyre dhe shkencëtarin më të madh të shek XX, Albert Ajnshtajnin.

Kush ishte Jani Bashua?

U lind në Pogradec në vitin 1892. Pogradeci i dha kaltërsinë e liqenit dhe mallin e pashuar për vendlindjen, qyteti i Manastirit i dha formimin fillestar ku kreu liceun, kurse Vjena i dha profesionin e mjekut me diplomë të shkëlqyer. Vjena e formoi si intelektual dhe si shkencëtar. Ndërkohë, revista "Djalëria" që ai drejtonte në Vjenë, i dha rastin të shpalosë talentin edhe si publicist.

Tirana, kryeqyteti i vendit të tij ku ai shërbeu për një kohë të gjatë, e bëri të njohur si mjek. Dr. Jani Bashua është ai që krijoi rrjetin e parë shëndetësor të vendit, përkrah me mjekët e famshëm të asaj kohe, Rifat Frashërin, Bilal Golemin, Frederik Shirokën, etj.
Doktor Jani Bashua ka bërë pjesë në ajkën e rinisë Universitare vjeneze të shekullit XX. Kjo e bëri të njohur më Aleksandër Moisiun dhe miqësinë shumëvjeçare me Albert Ajnshtajnin.

Mik i ngushtë me dy korifej të letrave, bashkëqytetarët e tij, Lasgush Poradecin dhe Mitrush Kutelin, dhe për shumë vite mjek personal i mbretit Zog, i cili jo vetëm kreu detyrën e mjekut, por dhe të një këshilltari të mirë. Pas çlirimit ka punuar në poste drejtuese si drejtor i spitalit Obstetrik-Gjinekologjik në Tiranë.

Më pas, dr. Jani Bashua krijoi bërthamën e spitaleve të qendrës spitalore "Nënë Tereza". Dr. Jani Bashua është themeluesi i Obstetrikës dhe Gjinekologjisë dhe hartuesi librave shkencorë të kësaj fushe. Ndahet nga jeta më 12.2.1957.

 



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora