E shtune, 04.04.2020, 02:23 PM (GMT+1)

Personalitete

Adem Demaçi: Saranda më mundësoi dimensionin njerëzor dhe atë natyror

E marte, 10.07.2007, 05:58 PM


Në mëngjes herët në rrugët e qytetit të Sarandës, bashkë me shumë njerëz të tjerë, ecën edhe një burrë i imët. Duke ecur, i menduar sikur mbi supe t’i rëndojnë tonelatat e vuajtjeve dhe shqetësimeve të qindra vjetëve, ai bie menjëherë në sy se është dikush që vjen nga larg. I thjeshtë dhe me vështrim të menduar, ai shkon në shitoret e qytetit. Është Adem Demaçi, i cili ka lënë Prishtinën, atje ku u lind para 72 vjetësh, ku u formua dhe nisi rrugën atdhetare për një Kosovë më vete, një Kosovë të pavarur dhe me një fytyrë ndryshe. Është një nga banorët më të rinj të Sarandës, ka më pak se një vit që banon aty.Po për Demaçin kjo periudhë është e mbushur me jetë, me veprimtari, me pjesëmarrje në takime në shkolla, shoqata, diskutime të ekspozitave dhe librave që dalin dhe kanë për autor shkrimtarë sarandjotë. Unë, thotë Ademi, jam i lumtur që kam gjetur një qytet që më ka hapur krahët dhe kam gjetur këtu jo vetëm dimensionin natyror, copëzën e kaltër të detit që kam përfytyruar në jetën tim të gjatë dhe plot andralla, por mbi të gjitha dimensionin njerëzor, shpirtin e lirë të njeriut të mirë. Këtu flas me të gjithë dhe jam mik i të tërëve. Këtu kam shokët e rinj që më respektojnë dhe më përshëndesin që nga larg. “Gjatë natës qëndroj para tavolinës së punës për të përfunduar librat e mi që tani kanë rastin të shfaqen para publikut. Unë kam brenda vetes shumë jetë. Kam shumë motive që dua ti përjetësoj dhe t’ia bëj të njohur të gjithë atyre që duan të lexojnë një të vërtetë që nuk lind nga dëshirat e pasioni, por që është gdhendur brenda meje si një shkëmb i fortë. Unë dua të latoj këtë reliev që të lexohet nga miqtë dhe ata që më kanë privuar vite të tëra duke me degdisur pas hekurave të burgut që nga viti 1958. Plot tre herë ose në vite, plot 28”, u shpreh ai. Profesor Adem Demaçi është në Sarandë në sytë e opinionit, jo një qytetar i rëndomtë që e zuri era dhe hodhi spirancën për të bujtur disa ditë. Përkundrazi ai është këtu një njeri që ngado e duan dhe përshëndesin si një hero si një Mandela shqiptar që përjetoi më shumë se cilido jetën e qelisë dhe që tërë komoditeti i tij jetësor kanë qenë katër mure të ftohtë. Ca libra e një laps me të cilat përditë ai ka hedhur në letër jetën e tij që ka rrjedhur si një lumë i vrullshëm. Po për ne që vite më parë nga Kosova kemi veçuar emrin e tij dhe për ata që janë më të rinj le t’ia lëmë fjalën, Adem Demaçit, kësaj ikone emblematike të shqiptarizmit që nuk u tut dhe aq më tepër nuk u lodh në kërkim të lirisë dhe jetës përballë urrejtjes dhe burgosjeve.

I jeni larguar Kosovës në ditët kur ajo ka nevojë më shumë për të gjithë, apo mos vallë Adem Demaçi ka hequr dorë nga politika duke qëndruar në një qosh të qetë në pritje të zgjidhjeve të mëdha të Kosovës, por këtë herë nga të tjerët?
Unë kudo jam një kosovar që mendoj për ardhmërinë e saj. Për Kosovën kam jetuar dhe luftuar tërë jetën, por situata në Kosovë ka ndryshuar shumë. Aktualisht dhe më parë në Kosovë kanë drejtuar njerëz, të cilët kanë bërë gabime të mëdha të pariparueshme. Tani zëri im dhe kontributet e mia janë të atilla që nuk u interesojnë atyre që drejtojnë sot atje, si vendasit edhe ata që realisht drejtojnë Kosovën. Drejtuesit e Kosovës për interesat  e   tyre të ngushta ishin të gatshëm të shisnin interesat e saj, të nxirrnin në pazare atë që ishte më e rëndësishme për të, pa pyetur se këto gabime kanë bërë që Kosova sot të jetë në një pozicion të vështirë larg aspiratave të saj kombëtare. Unë gjatë tërë këtyre viteve kam bërë përpjekje që opinionin publik ta sqaroj se rruga për zgjidhje nuk vinte nga rezolutat as nga Rambujesë, por nga lëvizja jonë mbarë kosovare. Forcat e  jashtme dhe ato të brendshme të Kosovës që u sollën në udhëheqje nuk vepruan sipas koncepteve dhe mendimeve të mia, por u futën në rrugë të tilla që e larguan Kosovën nga rruga për pavarësi dhe integritet kombëtar. Unë me shumë nga këto nuk kam qenë dakord dhe për tërë këtë e pashë të udhës që të mos u prishja punë atyre që gjykojnë ndryshe u mënjanova pak si vendbanim, por kjo nuk më ka penguar që të jem në Kosovë edhe fizikisht edhe mendërisht. Për të gjitha këto unë i jam kthyer punës për të kryer disa detyrime të miat që prej vitesh i kisha shtyrë. Fillova të hedh në letër romanet dhe krijimet e mia dhe këtu në Sarandë kam shkruar romanin tim më të ri, i cili është gati në botim. Vendi më ideal për të shkruar më duket se është Saranda.

Me sa duket ju nuk gjykoni se Kosova është drejt pavarësisë dhe për këtë punon Europa dhe SHBA?
Unë vlerësoj gjithçka që bëhet në emër të pavarësisë dhe të drejtave të kosovarëve. Jam simpatizant i Albin Kurtit, jam për atë zgjidhje që kërkon ai, jam për të lëvizur paqësisht që bota të kuptojë se pavarësia nuk është një dhuratë as ta fal kush. Jam për demonstrime paqësore, por jo për lëvizje me 5000-6000 vetë sa mblidhen në marshimet e lëvizjes për vetëvendosje, por për një pjesëmarrje të 600 e 700 mijë njerëzve që të gjithë të shohin se kosovarët dinë të kërkojnë dhe të marrin vet atë që kanë vite për të cilën luftojnë. Kështu siç po ndodh sot duket se mes shqiptarëve dhe serbëve ka një barazi fajësi, sikur jemi ata që kemi sulmuar dhe dëmtuar serbët kur realisht është e kundërta, janë ata që kanë vrarë e kanë bërë tërë të këqijat në Kosovë. Po nga mënyra si trajtohen gjërat në Kosovë edhe nga faktori ndërkombëtar flet për një pajtim me gjendjen. Në këtë mënyrë ajo që fiton është Serbia. Sa për Rusinë ajo kërkon të vërë veton dhe këtë e justifikon me rezolutën në fuqi, e cila është pranuar padrejtësisht nga udhëheqja kosovare. Unë vlerësoj se Rambujeja me gjithë zhurmën që u bë nuk i lëvizi problemet aq më tepër në aspektin juridik. Nuk ka kuptim që rezoluta mban të lidhur varësinë territoriale të Kosovës ende nga Serbia. Po kështu edhe mes popujve që jetojnë në Kosovë ka një barazi të çuditshme për sa i përket trajtimit të etnive si të barabarta në një kohë kur shqiptarët janë mbi 90 për qind. Të gjitha këto janë në dëm të Kosovës dhe në favor të Serbisë. Edhe diçka tjetër lë shteg rezoluta në fuqi. Në se Kosova do ta shpallë pavarësinë vet, atëherë Serbia do të ndërhyjë me pretekstin se është territor i shtetit të sajë dhe do të përpiqet me ushtri ta vendosë atë që ajo quan të drejtën legjitime të Serbisë. Dhe në këtë mënyrë ose do ta pushtonte ose do ta copëtonte, ashtu siç flitet për pjesë të saj si mbi lumin Ibër, variant që gati është i pranueshëm në heshtje edhe nga udhëheqja e sotme Kosovës.

Po në kohën e president Rugovës, a nuk ishin problemet më në vijë dhe gjërat në rendin e tyre të natyrshëm?
Jo. As në kohë të Rugovës nuk ishin gjerat në vijën e tyre të natyrshme. Bile, Zoti Rugova ishte kundër lëvizjes së kosovarëve, ai ishte për rrugë të pajtimit ishte për statukuon nën Serbi. Ai ishte paksa i friksuar dhe bëri përpjekje të mos shpërthente kryengritja. Po edhe post Rugovës udhëheqja e sotme është e pajtuar me atë që vendosin të tjerët për Kosovën. Mundet që ata që sot janë në Kosovë, UMNIK apo kushdoqoftë. KFOR të bien në beteja për të mbrojtur Kosovën. Mendoj se jo! Për Kosovën mundet të japin jetën nëse është e nevojshme vetëm kosovarët që janë bij të saj që janë rritur në ato troje që i duan atë toka që duan atdheun e tyre.

Zoti Demaçi, ju tani jeni edhe zyrtarisht banor i Sarandës, pra si të themi shtetas të Shqipërisë dhe besoj keni një koment për atë që po ndodh sot tek ne në politikën shqiptare, duket se edhe këtu nuk gjendet fjala si mendoni ju?
E vërteta është se unë jam shtetas shqiptar që nga viti 1992. Shtetësinë ma ka dhënë presidenti i asaj kohe Sali Berisha. Tani si shqiptar dhe shtetas i Shqipërisë kam edhe unë opinionet e mia. Po nuk kam dëshirë të bëjë publike këto opinione. Unë dua të jem i baraslarguar nga tërë politikanët shqiptar dhe nuk dua të bëhem zëdhënës i opinioneve të ndryshme.

Po përse mendoni ju që shqiptarët kanë në rrugën e tyre mundimet e gurit të Sizifit ecin si ameba herë para, herë mbrapsht dhe e kanë të vështirë të merren vesh mes tyre?
Po e kam një mendim. Së pari Shqipërisë, por edhe Kosovës i mungon klasa e vërtet kapitaliste. Shqipëria ka pasur para 1945 një klasë shumë të vogël kapitalistësh. Po sot kjo klasë ende nuk është e formësuar e pjekur. Kapitalistët e mirëfilltë janë motori që çojnë punët përpara, ata janë formësuesit e mendimit progresiv kombëtar, ata sjellin bashkë me teknologjinë e zhvillimit edhe atë të integrimit të virtyteve të progresit. Po ende në tërë trojet ku jetojnë shqiptarët dhe në Shqipëri kjo klasë nuk mundet të formësojë vetëdijen kombëtare, e cila është shtylla mbi të cilën lartësohet shoqëria. Mos harroni se atdheu është shumësia e kapitaleve e pasurive e kulturës e njerëzve që jetojnë në të, por pa kapitalist të fuqishëm nuk mundet të ketë një vetëdije, e cila të jetë udhëheqëse për tërë shoqërinë. Dhe pa këtë klasë të ndërgjegjshme gjithçka ngec në vend. Në mungesë të kësaj klase mungojnë ekuilibrit e brendshme dhe ajo që udhëheq është lufta për pushtet, pragmatizmi i egër për të qenë në krye, jo për të rregulluar shtetin, por për të pasuruar veten të afërmit ata që u shërbejnë.

Në Shqipëri u njohin si i burgosuri i përjetshëm. Kur ka filluar ky kalvar i gjatë dhe a e ka kapërcyer Demaçi fantazmën e burgjeve serbe?
Po unë jam burgosur që herët. Fillimisht, që shënon edhe herën e parë jam arrestuar në vitin 1958. Ishte 190 nëntor. U dënova tre vjet. Burgun e kreva në një burg të Vojvodinës në qytetin Sremsk të Mitrovicës. Mundet të harrosh çdo gjë, po jo datën kur të privojnë lirinë. Po kjo ishte vetëm fillimi. Në vitin 1964 u arrestova përsëri. Këtë here kurbani ishte i madh. U arrestuam 350 vete njëherësh. Arsyeja si gjithnjë, Persona të rrezikshëm për regjimin e Beogradit. Burgun e bëra pak në Nish kurse plot  9 vjet në burgun e Pozharevcit, Burgimi i trete ishte edhe më i gjati. Plot 15 vjet. Së bashku më bëhen 28 vjet burg. Një jetë në qeli. Dhe tërë këta vite burgu vetëm se unë kam kundërshtuar regjimin e serb dhe kam qenë për vetëvendosje dhe zgjidhje të problemeve kombëtare. Historitë e burgut i kam brenda vetes, ato qëndrojnë zgjuar të gatshme për t’u shkruar. Burgjet serbe ishin tmerri dhe ferri i vërtetë.

Sa Mandela paskeni bere burg apo jo?
Një vit më shumë. Po Mandela ka bërë burg në burgjet që ishin nën influencën angleze me komoditete. Ndryshe kanë qenë vitet e mia të burgut, ku kishim vetëm privacione.

Ju nuk jeni vetëm një emër që ka për portretizim vetëm emblemën politike, njëherësh gjysma juaj është shkrimtari, tregimtari, studiuesi i letërsisë njeriu i letrave, a mund të rrëfeni diçka për gazetën në këtë fushë?
Unë kam kryer gjimnazin e Prishtinës. Kam shkruar që në vitet e universitetit në Beograd. Pas përfundimit të universitetit kam filluar punë si redaktor ku kam qenë përgjegjës për letërsinë që botohej. Por ndërkohë kam shkruar në vijim. Fillimisht kam botuar rreth 20 tregime në revistën “Jeta e re”. Më pas kam filluar me romanin. E vërteta është se unë  kam filluar të shkruaj që kur isha gjimnazist në Prishtinë. Fillimisht në revistat e kohës. Ato për fëmije e më pa kam botuar gjini më të mëdha. 

Po cili është romani juaj i parë?
Romani im i pare është “Gjarpinjtë e gjakut”. Në pamje të parë të krijohet mendimi se është thjesht tema e gjakmarrjes. Po jo është zhvilluar ideja se këtë gjakmarrje e kanë nxitur ata që donin ta shikonin shqiptarin në vëllavrasje. Pikërisht politika serbe. Pas këtij romani kam shkruar romanin “Libër për Vetëmohimin” Një vepër politike-filozofike. Në vitin 2005 përfundova një tjetër roman të titulluar “Heli e Mimoza” Pas vendosjes në qytetin e Sarandës krijimtaria ime ka qenë më produktive. Kështu sapo kam dërguar për shtyp romanin më të fundit të cilin e kam titulluar ”Dashuria kuantike e Filanit” Një roman, i cili ka brenda vetes edhe pjesë të biografisë sime, por edhe tema dhe motive të tjera. Në faqet e këtij romani është shtjelluar lufta patriotike e kosovareve për pavarësi kundër regjimit të Serbisë. Në të bëhet një analizë e gjerë e qëndresës së kosovarëve. Në të zë vend qëndresa dhe lufta ndaj atyre që e kanë shtypur Kosovën. Nuk ka shumë personazhe. Në këtë roman përshkruhen ngjarje, të cilat përfshinë periudhën nga viti 1945 deri në 1961, por romani është botuar për shkaqe ekonomike me germa pak të vogla. Rreth 250 faqe. Me shkronja normale do të shkonte atje tek 350 faqe, por kjo nuk është esenciale.

Adem Demaçi është në Sarande i vetëm, po cila është pjesa tjetër e familjes tuaj dhe ku jetojnë ata?
Po, unë kam një djalë e një vajzë. Vajza jeton në Angli dhe ka dy djem. Djali ka një vajzë dhe një një djalë. Djali i madh quhet Dielli. Vajzën e quajnë Abetare, ajo ka një djalë që quhet Atdhe.

Po me se e përballon jetën Adem Demaçi kur ju duhet të jetoni, të botoni dhe për të gjitha këto nevojiten të holla?
Së pari unë jam një njeri pa pretendime. Nuk harxhoj shumë. Ndihmë kam nga fëmijët e mi. Po edhe nga miqtë, të cilët i kam jo të shumtë, por shumë të sinqertë dhe të gatshëm për të më ndihmuar?

Bëmë një udhëtim paksa  të gjatë ngacmuam kujtime, zbuluam brenga e mësuam diçka nga jeta juaj, po nesër çdo të bëjë Adem Demaçi?
Do të vazhdoj të  shkruaj. Të them atë që di atë që mendoj atë që dëshiroj. Unë kam brenda vetes shume motive dhe tema, të cilave duhet t’u jap udhë duke shkruar. Nëse e keni fjalën se do jem këtu apo atje në Kosovë, unë jam sa këtu, aq edhe atje.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT