E diele, 15.12.2019, 06:08 PM (GMT)

Komente

Petrit Krasniqi: Kosovës i duhet një sahatçi e jo Saatchi & Saatchi

E merkure, 28.01.2009, 06:48 PM


Kosovës i duhet një sahatçi e jo Saatchi & Saatchi ( Harxhimi i parave të popullit me fishekzjarrë)

Nga Petrit Krasniqi

Në gazetën Guardian të Londrës u shkrua se si qeveria e Kosovës paska caktuar kompaninë e njohur globale të reklamimit Saatchi & Saatchi që të ndreqë imazhin e vendit dhe atë me një shumë të majme prej 5.7 milion eurosh.

Shtrohet pyetja se sa do të ketë kjo sukses. Saatchi&Saatchi kanë dizajnuar dhe orkestruar shumë kampanja të suksesshme dhe njëra ndër to është edhe “Labour Isn’t Working”, reklamë që ndihmoj fitoren e partisë konzervative  të Britanisë në vitin 1979.

Saatchi&Saatchi janë shumë të mirë kur krijojnë reklama propagandistike për sytë dhe veshët e vendeve perëndimore, dhe nëse merret parasysh se shumica e vendeve Perëndimore që çojnë peshë e kanë pranuar pavarësinë e Kosovës atëherë pse tash të bëhet kjo punë?

Kosovës i duhet njohja edhe nga rreth 50 shtete myslimane të cilat nuk e kanë pranuar dhe ku imazhi i Kosovës nuk është i mirë. Kosova është një shtet me shumicë myslimane por është edhe një shtet sekular që aspak nuk përngjanë me shtetet e tjera myslimane. Popullata e saj në dukje moderne dhe evropiane ,sa është afër është edhe shumë larg Lindjes myslimane, dhe kjo iriton figurat vendimmarrëse në këto shtete.  Emërimi i një rruge kryesore të Prishtinës me emrin e ish-presidentit kontroversal amerikan , Xhorxh Bush, vetëm sa ngacmon ndjenjat kombëtare dhe fetare të vendeve arabe dhe myslimane.

Kampanja e ndreqjes së imazhit të Kosovës logjikisht do të duhet të orientohej nga këto 50 shtete, por si të bëhet kjo kur për këtë është zgjedhur dega Izraelite e kësaj kompanie? Aq më tepër kur dihet se kjo kompani në vitin 2006 punoj falas në ndreqjen e imazhit së Izraelit.

Neve shqiptarëve/kosovarëve  kjo nuk do të na hynte në punë, ne jemi miq të hebrenjve, ne ndihmuam hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe duhet të jemi krenarë për këtë, por në sytë e arabëve kjo e dëmton imazhin tonë. Ne jemi edhe miq të krejt botës së krishterë por pse mos të jemi edhe miq të myslimanëve në të njëjtën masë.

Kosova dhe Shqipëria janë vende që janë në një pozitë ideale, gjeografike dhe kulturore, me shumicë myslimane, moderne dhe liberale,  që do të ishin ura lidhëse perfekte në mes shteteve dhe botëkuptimeve krishtere dhe atyre myslimane, botëkuptime që momentalisht janë mjaft të dëmtuara.

Përgjigjja tipike në lidhje me këtë çështje do të ishte “punë e madhe që nuk po na pranojmë arabët dhe myslimanët”, dhe kjo është një gafë që ka një ton racist dhe që mund të na kushtoj shtrenjtë.

Themeluesit e Saatchi&Saatchi janë vllezërit Maurice dhe Charles  Saatchi me prejardhje irako-hebreje, dhe mbiemri i tyre rrjedh nga fjala persiane Saatchi (shq. Orëndreqës) fjalë kjo që përdoret edhe tek ne formën “sahatçi”, si mbiemër i shumë familjeve të kësaj zeje, trashëguar nga kohët Otomane.

Ajo që Saatchi&Saatchi duhet të bëjnë është që fillimisht të ndreqin orën e Kosovës që ka mbetur në një zonë muzgu por frikohem se nëse shpenzohen edhe dhjetë herë më shumë para kjo nuk do të ndreqet pa u ndreqë zemreku disfunksional që sot qeverisë Kosovën. Kosova ka mjaft sahatçinj,  të rinj dhe të vjetër,  që më së miri do të dinin të ndreqnin këtë orë të vjetër dhe të arnuar.

Ky është vetëm një lustrim që qeveria Thaci të thotë se po ecin me kohën, të duken të mençur, duke shpenzuar para të majme natyrisht, sepse “vetëm ekspertët e huaj dinë”, derisa me mijëra njerëz në Kosovë nuk kanë para të mbushin barkun e tyre të uritur. Por është koha ajo që do të tregoj se sa do të ketë kjo sukses; nëse dikush di të masë “ndreqjen e imazhit”.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT