Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Apostol Kotani: Shqipëria ishte i vetmi vend, ku nuk u persekutua asnjë hebre

| E merkure, 28.01.2009, 07:56 PM |


Dr. Apostol Kotani
Dr. Apostol Kotani: Populli shqiptar, shënohet si i vetmi nga popujt e pushtuar të Evropës, që pengoi dhe ndaloi shfarrosjen dhe ndjekjen e hebrenjve

Shqipëria ishte i vetmi vend, ku nuk u persekutua asnjë hebre

Me rastin e 27 Janarit, 64- vjetorit të dhënies fund të holokaustit nazist kundër hebrenjve

Nga Albert Zholi
 
Dr. Apostol Kotani (historian) është ndër themeluesit e Shoqatës së Miqësisë Shqipëri-Israel dhe i vetmi autor i studimit “Shqiptarët dhe Hebrejtë Gjatë Shekujve”. Ai në shtypin shqiptar ka bërë një sërë shkrimesh për problemin e hebrejve para dhe pas Luftës së Dytë Botërore. Me rastin e 27 Janarit, 64- vjetorit të dhënies fund të holokaustit nazist kundër hebrejve, ai eksluzivisht për “Telegraf” bën një pasqyrë të plotë të mbrojtjes që i ka bërë populli shqiptar hebrejve. 
 
Z. Apostol, si anëtar themelues dhe i kryesisë së Shoqatës së Miqësisë Shqipëri-Israel dhe i vetmi autor i studimit “Shqiptarët dhe Hebrejtë Gjatë Shekujve” a mund të na thoni se ç’përfaqëson 27 janari për Shqipërinë dhe shqiptarët?

27 janari i vitit 1945 përfaqëson dhënien fund të holokaustit nazist kundër hebrejve. Është data kur u çlirua edhe kampi i fundit nazist famëkeq i Aushvicit që kishte ngrënë qindra e mijëra jetë njerëzish, sidomos hebrenj. Shqipëria e ka përkujtuar dhe e përkujton këtë datë të shënuar edhe me ndjenjën e një dhimbjeje të thellë për shfarrosjen nëpër kampet naziste të 6 milionë hebrejve, ndër të cilët 1 milion e gjysmë fëmijë, por edhe me ndjenjën e një krenarie të ligjëshme sepse Shqipëria ishte i vetmi vënd i pushtuar nga nazistët, ku nuk u persekutua asnjë hebre, pasi ata i mori në mbrojtje populli duke rrezikuar edhe vehten e vet. Në këtë kuadër Shoqata e Miqësisë Shqipëri –Israel e themeluar qysh në prill të vitit 1991, çdo vit ka organizuar aktivitete të ndryshme si konferenca përkujtimore,emisione televizive, shkrime nëpër gazeta, brënda dhe jashtë vëndit, apo edhe me përshëndetje dhe kumtesa në aktivitete ndërkombëtare si: Në Konferencën e Parë Ndërkombëtare për Paqen në Jerusalem, në janarin e vitit 1999, në aktivitetin e zhvilluar në Neë York në majin e vitit 1005, në simpoziumin e zhvilluar në Sarajevë në tetorin e vitit 2006, në aktivitetin e zhvilluar në Paris dhe në Neë York më 2008 etj.. Të gjitha këto aktivitete e kanë bërë të njohur Shqipërinë në të gjithë botën për kontributin e dhënë në mbrojtje të hebrenjve nga përndjekjet shfarrosëse të nazistëve.

Vitin e kaluar çfarë aktivitetesh do të veçonit?

Edhe vitin e kaluar u zhvilluan një sërë aktivitetesh përkujtimore, nga Ministria e Punëve të Jashtme, nga Bashkia e Tiranës, nga Kryeministria dhe nga Kuvendi i Shqipërisë, ku morën pjesë përveç personaliteteve të larta shtetërore, deputetë, familje strehuesish te hebrejve, ambasadori i SHBA-së zoti John Ëithers, ambasadore e Israelit Zonja Amira Arnon, Kryetari i Komisionit të Trashëgimisë Kulturore të SHBA-ve, zoti Warnver Miller etj..
Në datat 20 dhe 21 maj 2008, në një nga sallat e Hotel International Tirana, zhvilloj punimet edhe një konferencë ndërkombëtare me temën ”Shqipëria, shqipëtarët dhe holokausti nazist kundër hebrenjve”, një çështje e jashtëzakonëshme në kontekst, organizuar nga Fakulteti i Histori Filologjisë i Universitetit të Tiranës dhe Instituti i Holokausit Arnold dhe Leona Finkler Ramal-Gan i Izraelit. Në këtë Konferencë përveç Kryemistrit Sali Berisha, Rektorit të Univërsitetit të Tiranës Prog.Dr Dhori Kule, Profesor Shezai Rokaj, Profesoreshës Valentina Duka e Fakultetit të Histori-Filologjisë, Prof.Dr.Petrit Zorba Kryetar i Shoqatës së Miqësisë Shqipëri Israel dhe studjues të tjerë,mernin pjesë gjithashtu Ambasadorja e Israelit për Shqipërinë z:Amira Arnon, Zoti Tonin Gjuraj Ambasador i Shqipërisë në Israel, Zoti Refael Faust, Konsull Nderi i Shqipërisë në Israel, Prof.Bernard Fischer nga Universiteti i Indiana në SHBA, Prof Dan Michman nga Yad Washemi etj.. Në të gjitha ligjëratat u vlerësua roli i Shqipërisë dhe i shqiptarëvë për mbrojtjen e hebrenjve. Por nga ndonjë autor, kryesisht vendës, bile edhe personalitete, që nuk më vjen mirë t’i përmend me emra, u thanë edhe gjëra që bien në kundërshtim me të vërtetat historiko- dokumentare.

A mund të na thoni cilat janë këto të pavërteta që thuhen nëpër kumtesa e shkruhen në shtyp?

Absurditeti më i madh është mendimi se gjermanët në Shqipëri erdhën kalimthi dhe jo si pushtues dhe se nuk i trazuan hebrejtë, se nuk kishin ndonjë repart të posaçëm, apo se komanda gjermane e Shqipërisë u morr vesh me Rajhun në Gjermani për të mos i trazuar hebrenjtë në Shqipëri se preken ndjenja sentimentale të shqiptarve: Këta zotërinj që flasin kështu nuk e dinë që më 20 janar të vitit 1942 në Vanze të Gjermanisë është bërë një mbledhje e posaçme me Ministrat e Shtetit, me personaliete të larta të Partisë Naziste, ku ka qenë i pranishëm edhe Hajmani, iniciuesi kryersor i genocidit, ku u shpërndanë të dhëna statistikore mbi vendndodhjen e tyre dhe u morr vendim që hebrejtë duhet të kapeshin dhe shfarrosesish jo vetëm në Gjermani, jo vetëm në vendet e pushtuara, por edhe në vendet vasale të Gjermanisë. Lind logjikshëm pyetja: “Cila komandë do të guxonte të dilte kundër këtij vendimi? Aq më tepër për gjermanët që janë shumë intranzigjentë në zbatimin e vendimeve dhe urdhërave. Por këto thënie të këtyre autorëve i rrëzojnë vetë faktet e ndodhura në Shqipëri.
p.s: Përse u arrestuan 4-5 vetë nga familja Arditi në Shkodër dhe u çuan në kampet e shfarrosjes, përse u arrestua Jasha Barukoviçi dhe u nis për në kampet e përqendrimit, por e shpëtoi Ali Sheqeri në Lajthizë të Pukës. Përse u arrestua Nisim Bahari në Fier dhe u vu buzë lumit për ta pushkatuar, por e shpetoi Ismail Gjata, përse u arrestua Mark Menahemi në Elbasan dhe u shpëtua nga Vasil Nosi, përse u organizuan kontrolle nga nazistët. Dy herë i shkuan për Kontroll familjes së Njazi Pilkut në Roshbull të Durrësit, ku kishte strehuar një familje hebreje, të Johana Gereschterit, por asnjëherë nuk i treguan edhe pse bashkëshortja e Njaziut ishte gjermane; përse u lëshua urdhri për të zbuluar, kapur dhe dorëzuar autoriteteve gjermane gjithë hebrejtë, siç vërtetohet nga 20 deklarata të fshatrave të komunës së Shupalit të Tiranës? Përse Familja e Njazi Biçakut nga Elbasani mori nja dy familje hebrejsh në Shkodër, maleve me kafshë dhe i shpuri në majë të Qarishtës së Librazhdit? Përse u detyruan të lëviznin nga qyteti nëpër fshatra. Kështu nga Tirana në Zall Her, Shëngjergj, Picall, Lukan, Qaf-Muhër etj.. Nga Berati në Molisht, Vrioin Tozhar, nga Vlora në fshatin Tre-Vëllazën etj.. Përse u detyruan të ndërronin pasaportat dhe emrat. Psetë nuk kanë fund. Ato janë pasqyruar në Librin tim “Shqiptarët dhe hebrenjtë gjatë shekujve”, ku nuk kam nguruar të përmend pozivisht edhe emrin e Mustafa Krujës apo të Mëkëmbësit të Mbretit të Italisë Francesco Jacomoni që dha pëlqimin, që hebrenjtë e Kosovës të silleshin në Shqipëri për t’i shpëtuar nga rreziku nazist. Një e pavërtetë është edhe atributet që i jepen ish -Mbretit Ahmet Zog, që sipas tyre, i paska pajisur më pasaporta mbretërore hebrenjtë

Po si qendron e vërteta?

Në vitin 1934 kur në Gjermani gjenocidi kundër hebrejve mori përmasa të mëdha, një numër komunitetesh hebreje dhe Komisariati i Lartë për Refugjatët pranë OKB-së i drejtuan sytë nga Shqipëria dhe i propozuan qeverisë së atëhershme të investonin rreth 8000 fr.ar për bonifikimi e Bunës dhe të Drinit dhe të sillnin këtu disa qindra familje hebreje. U zhvilluan bisedime me përfaqësitë tona jashtë dhe u arit gati në përfundim të marrëveshjes. Por në këtë kohë ndërhyri qeveria italiane, dërgoi këtu edhe ministrin e Ekonomisë Orlando Ceolën dhe ju bë presion qeverisë, pasi italianët donin të sillnin kolonët e tyre këtu. Kështu që marrëveshja nuk u arit. Në fillim të vitit 1939 shumë hebrenj nga Gjermania, Franca, Austrtia, Polonia, gjetën rrugë dhe mundësi dhe vërshuan drejt Shqipërisë. Qeveria zogistë për të penguar ardhjen e tyre mori dy vedime nga Këshilli i Ministrave. Me vendimin e 28 janarit vihej si kusht që çdo hebre që hyn në Shqipëri duhet të ketë me vete 250 Fr.ar: Kur u pa se kjo pendesë u kapërcye, atëhere më 25 shkurt u morr një vendim tjetër që e riste kuotën në 500 Fr.ar dhe së dyti, shteti që i kishë dhënë vizën për të hyrë në Shqipëri, të shënonte në pasaportë që e pranonte të kthehej në atë vend.

Është shkruar gjithashtu se hebrenjtë ndërruan fenë..

Edhe kjo nuk është e vërtetë. Fenë e kanë ndërruar vetëm katër vetë sipas dokumenteve arkivore. Dy hebrej me shtetësi austriake, Frederik Lorvus dhe Emil Bergus, morën fenë katolike, kurse David Hanos me të vëllanë, me shtetësi greke morrën fenë ortodokse. Të tjerët, sikurse u tha, ndëruan emrat, pasaportat por jo fetën dhe këtë e bënë se ndiqeshin nga nazistët. Në libër përmenden një sërë vlerësimesh të vetë hebrenjve pas largimit nga Shqipëria dërguar në formën e letrave strehuesve të tyre. Si dhe të përsonalieteve të ndryshme hebraike, në mbledhje, në inaugurimin e Muzeumit të Holokaustit dhe në shkrime të botuara në shyp. Të njihemi me nja dy prej tyre: Komiteti i Hebrejve të Jugosllavisë, në përshëndetjen që i dërgoi Qeverisë Demokratike në fillim të vitit 1945 ndër të tjera shkruan: “Kur hebrejtë e Jugosllavisë, Polonisë, Gjermanisë, etj., shuheshin me gaz dhe mjete hekuri, nga nazifashistët, pa dallim burra, gra dhe fëmijë, në Ballkan ishte një popull që u ngrit mbi çdo teori racore dhe mbi qytetërimin perëndimor, populli hero dhe mikpritës i Shqipërisë.”
Dhe më poshtë:
“Në historinë e kësaj lufte do të mbetet i shënuar një popull i vogël, por bujar e heroik, populli shqiptar, i cili do të shënohet ndofta i vetmi nga të gjithë popujt e pushtuar të Evropës, që pengoi dhe ndaloi shfarrosjen dhe ndjekjen e hebrejve.” Drejtori i kërkimeve të Muzeumit të Holokaustit në SHBA, zoti Michel Berenbaun, më 1995, në inaugurimin e Muzeumit ndër të tjera tha: “Populli shqiptar tregoi një kurajo të jashtëzakonshme duke i fshehur hebrenjtë gjatë fushatës shfarrosëse të nazistëve.. çdo njeri prej këtyre njerëzve është një mësim për kurajon dhe fisnikërinë njerëzore dhe një betim për racën njerëzore.” Kurse Kryetari i Këshillit të Muzeumit Zoti Miles Lerman ndër të tjera tha: “Ndodhemi këtu për t’i thënë falëminderit Shqipërisë që rriti bij dhe bija kaq fisnikë, të cilët ditën të veprojnë në një kohë kur hebrejtë ishin të izoluar dhe të braktisur, në një kohë kur ata e ndjenin vehten se edhe zoti i kish harruar. Prandaj ne jemi krenarë për popullin shqiptar dhe i jemi atij shumë mirënjohës”. Në libër jepen dhe shumë vlerësime të tjera. Prandaj, është mirë që kushdo që shkruan për ngjarje historike, të matet mirë para se të shprehet, të ketë studjuar mirë dokumentacionin dhe të jetë konsultuar mirë me të, që të mos bjerë në gabime dhe shtrembërime të të vërtetave historike.
 
Qëndrimi i Ahmet Zogut ndaj hebrejve

Një e pa vërtetë tjetër është lidhur me numrin e hebrejve të ardhur dhe vendosur në Shqipëri në vitet e luftës. Dikush thotë ishin 3000, dikush 2600, dikush thotë së në Berat kishte 600 etj.. E vërteta dokumentare është se numri i tyre ështe rreth 1200, të gjetura në listat dhe në dokumentet arkivore si dhe në anketat e bëra me hebrejt dhe strehues të tyre qysh në vitin 1968. Gabimi i tyre është së nuk i shohin në themel dokumentet arkivore sepse ka midis tyre që përmënden emra hebrejsh që duan të vijnë në Shqipëri nga Jugosllavia, Bullgaria apo ndonjë vënd tjetër, por nuk vërtetohet ardhja dhe vendosja e tyre në Shqipëri. Pra këta nuk mund të futen në lista apriori.

Trajtimi i hebrejve në regjimin komunist

Edhe kjo nuk i qëndron së vërtetës. Së pari duhet menduar se pushteti i asaj kohe kishte të tjera halle më të mëdha për të zgjidhur, se sa historia e mbrojtjes së hebrejve. Në vitet e pas luftës, në Shqipëri ngelën rreth 135 dhe këta u trajtuan pa asnjë dallim si dhe shqiptarët, në të gjitha fushat. 37 u arsimuan me arsimin e lartë dhe punuan në administratën shtetërore, ekonomike, shkencore dhe ushtarake. Kështu Pepe Kantozit ju dha grada e Kolonelit dhe punonte në sektorin e kuadrit të Ministrisë së Mbrojtjes, Mark Menahemi ish- inxhinier dhe pedagog në universitet, Robert Shvarsi punonte në shtëpinë botuese “Naim Frashëri” dhe ju besua përkthimi në gjuhën angleze i veprave të Enver Hoxhës. Kështu Mimika Kantozi, Josef Jakoel, Vitulët, Batinot etj.. Përsa i përket historisë së strehimit dhe shpëtimit të tyrë, qysh në vitin 1968 u ngarkova unë nga Institui i Studimeve M.L., dhe në dhjetor të atij viti përfundova një studim të shkurtër, për të vazhduar më tej, në fillim të viteve ‘90 me thellimin e studimeve, arkivore, bibliografike dhe të kujtimeve dhe më 1993 përfundova librin e parë, por për mungesa financiare libri i pare u botua më 1995 vetëm në gjuhën angleze, kurse në vitin 1996 u botua i plotë në gjuhën shqipe dhe anglishte i ilustruar me dokumente arkivore, bibliografike, me listën e plotë të tyre dhe me letër-këmbime të ndërsjellta,të titulluar “Hebrejtë në Shqipëri Gjatë Shekujve”. Libri u shpërnda në të katër anët e botës dhe solli nevojën e botimit të tretë më 2008, duke përfshirë në të edhe kontributin e shqiptarëve të përtej kufijve të sotëm shtetëror. Gjithsej janë identifikuar 125 familje që kanë strehuar dhe shpëtuar hebrenj si në Tiranë, Durrës, Kavajë, Berat, Elbasan, Shodër etj., si dhe në qytete të Kosovës.