E premte, 29.03.2024, 09:11 AM (GMT)

Mendime

Ali Caka: Prishtinë e 18 tetorit 2008

E enjte, 29.01.2009, 06:52 PM


Nga Ali Caka

Prishtinë e 18 tetorit 2008,
Ali Caka, ... 3 shkronja për të thirrur LIRI dhe dy prej tyre i ka të ngjashme me atë që sjell ROBËRI...

Nuk mund të dish për shijen e gjellës pa e shijuar atë, edhe pse të tjerët që e kanë shijuar atë të kanë treguar për shijen e saj.

Në një restorant të Prishtinës, pronë të një gjellëbërësi të vyer nga Ulqini që kishte shërbyer në Anijen tejoqeanike Mbretëresha Elizabetë 2, mësova se për të shijuar ushqimet duhet të bësh prerjen e ushqimit të parë me një ushqim tjetër e tek të kalosh tek ushqimi tjetër për ta shijuar. Mësova edhe diçka tjetër për gurmanët, mësova se janë dy lloje: ata që hanë shumë dhe gjithçka, dhe ata që hanë shumë por jo gjithçka.

E në ligjin për mbrojtjen e të dhënave personale shkruan: “...regjistrimi me kamerë duhet të paralajmërojë të gjithë ata që regjistrohen..., dhe se regjistrimet e tilla nuk mund të ruhen më shumë se 48 orë...”, ka të bëjë me të drejtat e njeriut. Nuk e di në ishte dhe në vepronte një ligj i tillë në vitin 1980, kur në Pallatin “Boro e Ramizi” në Prishtinë pritej në rend për t’u nënshkruar në librin e zisë.

E dikur në mbrojtjen e doktoratës së një mikut tim më të vjetër historian, atij iu bë pyetja: “Pse pavarësia e Shqipërisë nuk u shpall në ndonjërin nga qytetet e Kosovës, kur dihet se Isa Boletini ishte gjenerali më i madh i kohës me gati 18.000 ushtarë vullnetarë, që e siguronin veshjen dhe ushqimin vet?”. Dhe miku përgjigjen e anashkaloi. Kur e gjitha mori fund dhe miku përfundoi mbrojtjen, ikëm të gjithë për drekën e përurimit. Aty pati mundësi dhe e pyeta: “...pse nuk u përgjigje në pyetjen lidhur me shpalljen e pavarësisë? E ai më tha: “Eh, Ali djali, po të përgjigjesha nuk do të isha këtu me ju duke drekuar”.

E Hoxhë Vogli, i internuar diku në burgjet turke në Bosnen e fillimit të shekullit XX, i rraskapitur nga errësira dhe lagështia e qelisë nëntokësore të burgut mblodhi forcën e fundit për t’iu kundërvënë eprorit turk, i cili e pyeti para delegacionit të grave amerikane se në do të hiqte dorë nga idealet dhe të pendohej për të fituar lirinë. Hoxhë Vogli i tha: “prangat dhe derën e burgut e kontrolloni ju, por zemrën time e kontrolloj unë”... shtrëngoi grushtin duke e harxhuar edhe forcën e fundit dhe ra në tokë i vdekur.

Dhe një ditë të një viti të viteve të egërsisë që vepronte pa ndërpre në Kosovën e stërlodhur më erdhi një torbë me gjëra personale, ma solli miku im që ta fshija. Torba ishte e një të burgosuri politik i cili kishte frikë ta mbante në shtëpi. Në torbë përveç ca fotografive, kishte edhe ca fletore me shkrime dhe me poezi për vrullin patriotik të të ish të burgosurit politik. Torbën e vura në dollapin pranë rafteve të librave tjerë: Kosova e lirë, Sulm e Lot e Mitrushit (dorëshkrimi i vëllait tim më të madh – në mungesë të shumëzimit libri rishkruhej me dorë dhe përhapej. Kështu na ishte në Kosovën e fillimit të viteve të gjashtëdhjeta), Gjarpinjtë e gjakut e Demaçit – një botim i Jetës së Re të vitit 1956, Azem Bejtës dhe Shote Galicës, Tradhtisë, Kushtetutës së Shtetit Shqiptar, Kushtetutës së Kaçanikut, Si t’i rrisim fëmijët botim i 1924-ës, revistave Shqipëria e Re, dhe librave e fotografive e dokumenteve të shumta. Më erdhi keq nga torba e shkretë e cila u struk para koleksionit të madh kombëtar të librave dhe fotografive të shumta, artifakteve dhe relikteve. E vura në raft dhe qortova vetveten dhe njëkohësisht thash: po ku të shkojnë gjithë këto torba me libra, fotografi dhe dokumente të shumta.

E këto ditë u përfol shumë në Prishtinë për takimin subjekt edhe i debatit në forumin tonë të Alb-shkencës.

Duke ecur korridorit të Kuvendit të Kosovës takoi një mikun tim i cili më thotë kështu e ka demokracia, kur mund të festohet ditëlindja e Mbretit pse të mos mund të festohen edhe ditëlindjet e tjera.

E dikur në mungesë të kafesë së mirëfilltë e pinin lëngun e leblebive. Dikur kafeja nuk qitej po piqej, nuk thuhej kot “eja mik ta pjek një kafe”. Të drejtën për të pjek kafe e kishte vetëm i zoti i shtëpisë, i cili i përzgjidhte me kujdes kokrrat e kafesë. I piqte po me aq kujdes dhe sipas dëshirës së mikut. Pastaj i bluante në mullirin me dorë të kafesë po me dëshirën e mikut. Dhe gjatë kësaj i ofronte mikut kutinë e duhanit që të pështillte një cigare. Pastaj e ziente kafenë në filxhanin temperaturë durues pa vegë. Dhe e gjithë kjo ishte nder. Kafe nuk i piqej gjithkujt dhe kutia e duhanit nuk i ofrohej çdokujt.

E tërë kjo më hedh diku në një kohë jo fort edhe të largët, kur daja im Jusufi na tregonte për teket e gjyshit të tij nga nëna. I cili i qortonte pse rrinin në odën e burrave, por njëkohësisht i qortonte pse nuk vinin në odën e burrave kur i thërriste. Dhe kur ishte rritur daja Jusuf, e kishte pyetur gjyshin Shaban: “Pse?”, “Po të vinim ne në odën e burrave na qortoje, por edhe po të mos vinim na qortoje”. Dhe ai i kishte thënë: “Kur vinit e ju qortoja, në odën e burrave ishte ai që nuk duhej dëgjuar, e kur nuk vinit e ju qortoja, në odën e burrave ishte ai i cili duhej dëgjuar”.

Dhe unë them tash, të mjerët ne që nuk kemi gjysh.

Pastaj e kishim një shok klase që merrte njësh se keqshkruante fjalët: shqiptar,  Shqipëri, liri, besnikëri, Skënderbe. Dhe po ai shok që keqshkruante fjalët më të rëndësishme, një ditë na çuditi dhe njëkohësisht edhe na gëzoi. U çuditëm dhe u gëzuam se si u bë aq i ditur dhe i rrezikshëm për pushtetin sa që edhe e futi në burg.

E dikush dikur diku pat thënë se bishti i nënshkrimit personal me kohë bëhet i palexueshëm për aq për sa humb durimi dhe përqendrimi i nënshkruesit.

Dhe unë kthehem tek ajo që unë e quaj bazë referente – të dhënat e së cilës na mundësojnë të përcaktojmë gjërat që shohim, dhe na mundësojnë të kuptojmë fenomenet rreth nesh. Ato që shohim dhe ato që vëzhgojmë mundohemi t’i ballafaqojmë me ato që tashmë i kemi të regjistruara në bazën tonë referente.

Dhe unë them nuk duhen fajësuar ata që bazën referente e kanë të mangët. E tingëllima e fjalëve të një mikut tim më vë në procesim dhe gati në “overlocking”, “mos fol, se këta për shkak të mos dijes të dënojnë fort...” Dhe ja kështu në vazhdimësi...

Dhe më e keqja është kur padija na shitet për dije...

Dhe dikujt nuk i nevojiten veçse 3 shkronja për të thirr LIRI dhe dy prej tyre i ka të ngjashme me atë që sjell ROBËRI.

Dhe pse të mos thuhet: ...nuk është mjerim Migjenian, është mjerim i turpshëm, është mjerimi i vetëdijesuar dhe i shkolluar, është mjerimi i parrugë dhe me pamundësi përmirësimi...



(Vota: 2 . Mesatare: 3/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora