Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Instituti i Çështjeve Kombëtare: Letër Zërit të Amerikës (VOA) për gënjeshtrat e Erion Velisë

| E marte, 27.01.2009, 10:28 PM |


Kastriot Frashëri - Drejtor, Instituti i Çështjeve Kombëtare
Kastriot Frashëri - Drejtor, Instituti i Çështjeve Kombëtare
Letër Zërit të Amerikës (VOA) për gënjeshtrat e Erion Velisë

To:
Voice of America
VOA Albanian,
330 Independence Avenue SW
Room #3720, Washington, DC 20237, USA

Instituti i Çështjeve Kombëtare (Albanian Institute of National Affairs) shpreh keqardhjen e tij mbi mënyrën se si një burim i besuar lajmesh dhe informacioni në mbarë botën, bëhet zëdhënës i një mashtruesi ordiner me emrin Erion Veliaj.

Është e pakuptueshme që një agjensi prestigjoze si VOA, dhe për më tepër që mbulon hapësirën shqiptare, me sa duket, nuk disponon as më të voglin informacion mbi atë çfarë ndodh realisht në Shqipëri.

Ju bëjmë të njohur, se janë pikërisht kolegët tuaj të medias në Shqipëri, që për një kohë të gjatë, mbi një muaj rrjesht, çdo ditë, kanë zbuluar dhe botuar në gazetë megaskandalet, abuzimet, përvetësimet, mashtrimet financiare dhe ligjore të këtij supermashtruesi të keqpërdorur herë si "Mjaftist", herë "G99-ç" dhe tani mësojmë se kërkon të trasformojë NGO (OJF-në, e tij me emrin Lëvizja G99) në parti politike.

Konkretisht, në edicionin informativ të datës 23-01-2009, me këtë të ftuar, VOA pa asnjë kriter dhe profesionalizëm, në këtë intervistë anonçon: "Veliaj: G99 do të hyjë në zgjedhje në një koalicion ndërtimi". Ky akt është jo vetëm një mungesë e theksuar etike dhe profesionalizmi e palejueshme për një gazetar, por edhe disinformim publik, sepse neni 16 dhe 42 i ligjit Nr.8788, datë 7.5.2001 "PËR ORGANIZATAT JOFITIMPRURËSE", ndalon rreptësisht transformimin e një OJF-je, nga një organizatë jofitimprurëse në një formë tjetër organizimi, si psh, fondacion apo parti politike. Nuk e kuptojmë, kur ndalohet me ligj, se si ky djalosh i keqpërdorur i quajtur Erion Veliaj apo Lëvizja G99 do të shndërohet në parti politike dhe për më tepër të regjistrohet për të marrë pjesë në zgjedhje.

Është për të ardhur keq, që në valët e këtij stacioni, sa të dashur aq edhe prestigjoz, që me të drejtë është quajtur nga ne, për vitet e diktaturës komuniste "shpirti i lirisë së shqiptarëve" të mungojnë protagonistët realë të shoqërisë së sotme shqiptare, të cilët integritetin e tyre profesional dhe shoqëror, nuk mund ta këmbejnë me sharlatanizmin e Erion Velise dhe të një tufe adoleshtentësh të “aksionerëve” të tij që mban pas vete me supershpërblime financiare të siguruara nga mafia intelektuale e Tiranës.

Madje, është e papranueshme, që në hapësirat e këtij emisioni, mungojnë njerëzit e punës, ata që përfaqësojnë shkrimtarët dhe artistët e Shqipërisë, organizatat apo qendrat që merren me çështje sociale, pajtimin e gjaqeve, ata që kanë luftuar dhe luftojnë për konsolidimin e parimeve demokratike të zhvillimit të shoqërisë  dhe institucioneve në Shqipëri, të cilët janë zvëndësuar si padashje nga një armatë grafomanësh, mafiozësh, dhe shpërdoruesish të donacioneve financiare të dhëna me bujari nga të huajt për konsolidimin e shoqërisë civile.

Për të qenë të korrekt në problemin që adresojmë dhe për të kuptuar kinezëritë e këtij djaloshi dhe të atyre që e sponsorizojnë, u paraqesim faktin se si e paraqiste ketë  vizitë, një gazetë shqiptare: Kreu i Lëvizjes politike G99 merr pjesë në ceremoninë e programuar në SHBA; “Veliaj, dhuratë për Obamën: “Guximi për të shpresuar”, e më tej “Kreu i grupimit G99 ishte i ftuar në ceremoninë e Përurimit të Barak Obamës si Presidenti i 44 i SHBA-ve. Veliaj është i njohur... si dhe redaktor politik i versionit në shqip të librit të tij “Guximi për të shpresuar”. Veliaj..., si dhe aktivistë të tjerë të lëvizjes G99, do ti dhurojnë Presidentit Barak Obama librin e tij në shqip “Guximi për të shpresuar”, ... , botim i shtëpisë botuese “Dudaj”(Gazeta Shqip, 20 janar 2009, fq.4)  !??. Nuk kuptojmë se ku i ka meritat ky Erioni ynë, si përkthyes, sponsorizues apo redaktor i shpikur politik?! Komentet janë të tepërta, për të kujtuar ato paradat e famshme të “1 Majit” të dikurshëm komunist, kur nga kjo kastë famëkeqe që ende gjallon në shoqërinë tonë, programohej që një vogëlush duhej të ishte patjetër pjesë e kësaj ngarrjeje dhe rast më të mirë nuk kishte për ti dhënë mundësinë e lavdisë personazhit tonë, që ashtu si dhe lloji i tyre, emri u njihet për shkak të bëmave dhe jo punës së tyre. Ky njeri që nuk punon gjëkundi paska para për të bërë show mediatik deri në USA.
 
Ishte shkaku i kësaj interviste, për të kuptuar atë zhgënjim të madh që ndjemë dhe dëgjuam nga goja e shumë të njohurve, por edhe të miliona shikuesve dhe lexuesve shqiptarë, për të shprehur reagimin dhe protestën tonë, kundër së keqes, informalitetit dhe grafomanisë që fatkeqësisht mbizotëron në këtë vend.

Instituti i Çështjeve Kombëtare, me këtë akt, shpreh gadishmërinë e tij për të luftuar pa kompromis në mbrojtje të vlerave, parimeve demokratike dhe të vërtetës që përçundohet çdo ditë nga këta gangësterë OJF-istë të superpaguar e të vetëquajtur Shoqëria Civile, që për interesat e tyre për tu pasuruar, tallen me realitetin dhe zhvillimin perspektiv të Shqipërisë.

Kastriot FRASHËRI
Drejtor

Gazeta SOT, 27 Janar 2009