E enjte, 16.07.2020, 06:56 PM (GMT+1)

Kulturë » Kinema

Kadri Roshi: Roli që më bëri t’i dua shumë fëmijët jetimë

E hene, 26.01.2009, 09:06 PM


 

Kadri Roshi - Nder i Kombit

 

Nga KADRI ROSHI

“Nder i Kombit”,

“Artist i Popullit”

“Simbol i Vlerave Humane”

 

Roli që më bëri t’i dua shumë fëmijët jetimë

 

- M b r e s a -

 

- Mbresa  dhe kujtime nga Filmi Artistik Shqiptar “Lulëkuqe mbi Mure”, rrëfyer me shumë emocione nga goja  Aktorit të madh i skenës dhe ekranit shqiptar Kadri Roshi, “Nder i Kombit”, “Artist i Popullit” dhe “Simbol i Vlerave Humane”.

Këto fjalë, Mjeshtri  Kadri Roshi  i tha për herë të parë dhe me lot në sy  në takimin me brezat e mësuesve, drejtuesve, edukatoreve dhe fëmijëve jetimë në kuadrin e 85 – vjetorit të krijimit të Strehës së Parë Vorfnore, organizuar nga Instituti Kombëtar i Integrimit të Jetimëvë Shqiptarë, më 11.Janar.2003.

I rritur jetim dhe si përfaqësues dinjitoz i gjenaratave të jetimëve në Shqipëri, ky  Institut i akordoi atij titullin “Simbol i Vlerave Humane” -

 

Sot jemi mbledhur për NJERIUN...

 

NJERIU! Oh, çfarë vepre e madhe është NJERIU...! Sa bujar nga arsyeja; i pakufishëm nga zotësia; nga shtati dhe nga lëvizja sa i hijshëm dhe sa i çuditshëm; nga veprimi si engjëll; nga kuptimi si Perëndi; xhevahir i botës; kurorë e gjërave të gjalla... Ja ç’është NJERIU...

Më vjen mirë që ata të cilët sot jemi mbledhur të gjithë këtu, i respektojnë  kaq shumë njerëz të mirë, kaq shumë njerëz të nderuar... Kjo është fisnikëri, është një vlerë e rradhë dhe  virtyt. Kjo është Njerëzore...

Që të mos e zgjas, do t’ju tregoj diçka që ka ngelur si një kujtim i rradhë në jetën dhe në zemrën time.

Po xhiroja film në Berat. Nuk e mbaj mend vitin me saktësi. Për çudi, atë ditë bënte një vapë e jashtëzakonshme. Vajti temperatura mbi

40 ˚, por  nuk e thoshin për të mos i hyrë paniku popullit.

Hëngra drekën dhe shkova të pushoja, por ishte e pamundur, u mbulova në djersë. Dola të bëja një xhiro bregut të lumit Osum se mos freskohesha pak.

Ballë për ballë meje, vinte makina që lag rrugët e qytetit. Ishte një shofer i shëndosh, një kuintal, mbante një cigare në gojë dhe po vinte drejt meje. Ai kishte hapur te dy pompat që lagnin rrugën. Para se të vinim  në një vijë të drejtë njëri  me tjetrin, e mbylli pompën që ishte në krahun e tij për të mos më lagur mua. Më erdhi mirë. Ky është njeri, njeri  i mirë, thashë me vete. Kur sa erdhëm në një vijë të drejtë, e lëshoj pompën me tërë fuqinë që kishte dhe më bëri qull nga koka në këmbë.

Ndaloi dhe po më shikonte në sy. “Ç’pate !?”, - i them. - “Ore, mos je ti ai maskarai që rreh ata jetimët tek ai filmi...!?”.

- Unë jam, i thashë. – “E po mirë t’a bëra, se mora hakën e tyre”, vijoj ai gjithë inat dhe hakërrimë.

Këtu gaboi ai, kur tha se s’ka se kush t’a marrë hakun e tyre. Unë do t’ua vërtetoj që ai gaboi.

Gjoja, shoferi  u nis e  shkoj  në punën e tij. Unë, vajta në hotel që të ndërrohesha. Isha në katin e 2-të.  Kur sa bëjë dy  këmbë shkallë të zbresë, pashë poshtë tek dera shoferin të m’a bënte me gishta  mua, si u’a bëja unë jetimëve te filmi “Hajde këtu...”.

Ç’është ky shofer, mendova me vete. Nuk ka gjetur bashkia një tjetër shofer? Mos e kam ofenduar ndonjëherë!? Po ku!? Unë në Tiranë, ai në Berat. Ç’ne, fytyrë e paparë, e panjohur për mua....

Rreth e përqark pashë 3 djem të rinj... Ata sikur më dhanë guxim dhe zbrita shkallët poshtë. “Hë mo, ç’farë do ?”, - i them. Më futi krahun  dhe më tha:  -“Hajde me mua...” – Po ku do vemi, - vazhdova unë. - “Në shtëpinë time do vemi”, - tha ai.  Po ç’farë do bëjmë në shtëpinë tënde, këtu më lage, mos do të më rruash në shtëpinë tënde,  i’u përgjigja gjithë zemërim.

Shko, shko, më thanë ata djemtë, është njeri i mirë ky.

Po ç’njeri i mirë është ky, shiko si më bëri. Ku e ka të mirën ky? Por ai nuk pyeti, më futi krahun e më  “hoqi zvarrë“. Ai  ishte një burrë i shëndoshë, peshonte 1 kuintalë. Shkuam në shtëpinë e tij. Kishte një shtëpi jo shumë të bukur, por të pastër, të rregullt, të mirë... Jetonte vetëm me nënë e tij.

O njerëz!  Besomëni... Nuk kam parë fytyrë njeriu më të ëmbël dhe më të dashur në jetën time. Jam 80 vjeç. Ishte një nënë e mrekullueshme. Unë e dua dhe e kam dashur shumë nënë time, sepse nuk e kam njohur, më ka lënë jetim të vogël,  e ndoshta kjo është edhe arsyeja që më bënë  t’a dua shumë atë. Atë nënë që pashë, dëshiroja t’a krahasoja më nënë time.

O nëne!, - e thërriti  i biri. - Të kam sjell një mysafir, - i tha. – Mirëse të vijë, -  tha ajo. U futa brenda. Nëna i bënte me shënjë të birit: “Ç’të bëjë?“,  duke i thënë që t’a  therrte një pulë për darkë. Unë e kuptova dhe i thashë: Mos bëni gjë se kam ngrënë. Dhe me të vërtetë sapo kisha  ngrënë mirë në drekë.

Jo, jo, - tha, ndonjë gjë sa për adet...E po mirë. Nëna shkoi, e therri pulën, e bëri gati, e shtroi në tryezë dhe gati çdo gjë për të ngrënë. Para se të fillonim, i biri e pyet nënën: - Nëne, e njeh këtë mysafirin? Ajo më pa një copë herë më kaq ëmbëlsi, me kaq dashuri, ngriti supet dhe tha: “Jo, nuk e kam parë ndonjëherë...”.

Po atë filmin që rreh ata jetimat, e ke parë ti nëne?, - vijoi  i biri. – Po, e kam parë. - Ja, ky është ai që ka rrahur jetimët, - nxitoi t’i rrëfente nënës i biri.

O njerëz! Besomëni, si ka mundësi të transformohej ajo nënë aq e mirë, e të bëhej egërsirë përpara syve të mi. Ajo u bë bishë dhe ishte gati të më hidhej.

Ja pra, ka se kush i mbron  këta jetimë... Ka njerëz të dashur në botë që i mbron. Ajo nëna, ishte nëna e të gjithëve.

Kisha marrë  një copë mish në dorë dhe e kisha për t’a futur në gojë.

- Vërtet ky është!?, - i tha nëna të birit. – Të zëntë  fytin ajo që po ha, - më tha dukë m’u hakërryer.

Ja pra, kjo është dashuria njerëzore. Këtu pashë  forcën e profesionit tim si aktor, por, pashë  edhe zemrën e madhe të njeriut.

Dikush, më ka pyetur  se sa të vështirë  e pata të luaja rolin e kujdestarit që nuk kujdeset për fëmijët, por që i rreh ata. Unë kam vetëm një përgjigje. Ky rol,  ishte shumë i bukur dhe si artist mua më ka pëlqyer shumë.

Dua të tregoj një sekret. Para xhirimit të filmit “Lulëkuqe mbi mure”, nga respekti që kishin për mua si artist, u mblodhën fëmijët “aktorë” dhe më afroheshin kush e kush duke më thërritur “xhaxhi Kadri” njëri, “xhaxhi Kadri” tjetri… Ndërsa me vete thoshja, ( pasi e kisha lexuar skenarin) Ooohh, të mjerët  ju çdo të hiqni prej këtij xhaxhi Kadriut.

Dhe përfytyroni një çast, sa të vështirë e ka patur njeriu Kadri Roshi të dalë nga bota e tij,  e të futet në një botë tjetër si aktor, në rolin e kujdestarit, e të rrahi ata që ai i ka dashur aq shumë  tërë jetën dhe i do me gjithë zemër, me gjithë  shpirt…

 

 

Përgatiti materialin: ILIR ÇUMANI*

Drejtor i Përgjithshëm i Institutit Kombëtar të Integrimit të Jetimëve Shqiptarë

Drejtori i Përgjithshem i IKIJSH z. Ilir Çumani duke i dorezuar titullin Simbol i Vlerave Humane aktorit te madh Kadri Roshi

 

Lulekuqe mbi mure

Lulekuqe mbi mure
Lulekuqe mbi mure
Pamje nga filmi Lulekuqe mbi Mure

Pamje nga filmi Lulekuqe mbi Mure

Pamje nga filmi Lulekuqe mbi Mure

Aktori Kadri Roshi, gjate takimit ceremonial me brezat e jetimeve dhe arsimtareve ne vite
FOTO- Ish-Kryetari i Parlamentit te Shqiperise z. Servet Pellumbi dhe Ilir Çumani, gjate aktivitetit
Pamje nga salla me pjesemarres te brezave te jetimeve dhe arsimtareve ne 85-vjetorin e Strehes se Pare Vorfnore
Gjate ceremonise se 85 vjetorit te Krijimit te Strehes se Pare Vorfnore
Ilir Çumani, Drejtor i Përgjithshëm i IKIJSH dhe znj. Xhoana Nano, ne ceremonine e 85 - vjetorit te Strehes se Pare Vorfnore
Ilir Çumani, Drejtor i Përgjithshëm i IKIJSH gjate fjales pershendetese ne kete ceremoni
Ish-Kryetari i Parlamentit shqiptar. z, Servet Pellumbi, Ilir Çumani, Drejtor i Pergjithshem i IKIJSH, Xhoana Nano dhe aktorja Violeta Manushi, gjate ceremonise
Kadri Roshi dhe Xhoana Nano, gjate ceremonise se 85 - vjetorit te Krijimit te Strehes Vorfnore


(Vota: 2 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora