Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Besnik Dizdari: Rritja shpresuese e Shqipërisë…

| E hene, 26.01.2009, 05:56 PM |


Besnik Dizdari
Besnik Dizdari
Rritja shpresuese e Shqipërisë…

Nga Besnik Dizdari

Do t’i them “Europë” dhe jo “Evropë”, sepse kam mësuar që kohët e fundit, përgjegjësit e gjuhës shqipe paskan vendosë që tash e mbrapa t’i thonë “Europë me “u”, jo “Evropë” me “v” siç pat urdhëruar Kongresi i Drejtshkrimit 1972. Drejt. Ashtu siç i ka pasë shkruar Fishta njëqind vjet të shkueme: “Kqyrë Europa n’mend habitun, / Edhé besë nuk do m’e zânun, / Se kta djelm n’Shqypnië janë rritun…”

E tash drejt e në temë. Më 11 shkurt 2009, Kombëtarja e Shqipërisë, ashtu siç kemi shkruar me kohë, do të luajë ndeshjen e saj më të rëndësishme në 46 vjet të pjesëmarrjes për kualifikimet europianobotërore: Maltë – Shqipëri.. Përsëris se ecuria kapricioze e shortit të Grupit 1 mbas barazimit zâmadh me Portugalinë, na çon te ndeshja e rradhës që është pra, kjo me Maltën. Këmbëngul edhe një herë se kjo është ndeshja më e rëndësishme që ka zhvilluar ndonjëherë Shqipëria për Kupën e Botës. Arësyetimi është krejt i thjeshtë: nëse Shqipëria fiton në Maltë, ngjitet në krye të Grupit 1 të “Africa 2010”! Dhe të gjitha përkimet do të jenë “të herës së parë”. Do t’i rreshtoj po edhe një herë me kryeradhë të gjitha këto “për herë të parë” që mund të ndodhin, sepse vetëm kështu do të mund të kuptohet thelbi i rëndësisë së fitores së mundshme kundër Maltës:

* Do të ndodhë që për herë të parë në histori, Shqipëria mbrenda një gare kualifikuese të Kupës së Botës e madje edhe të Kupës së Evropës, të ngjitet dy herë në krye të Grupit të saj kualifikues.

* Do të ndodhë që për herë të parë në histori, Shqipëria të jetë kryesuese e Grupit të saj kualifikues mbas 5 ndeshjeve të zhvilluara.

* Do të ndodhë që për herë të parë në histori në gjysmë të rrugës kualifikuese për një Botëror apo Evropian, Shqipëria të kryesojë Grupin.

* Do të ndodhë që për herë të parë në histori, Shqipëria të ketë golaverazh pozitiv mbas 5 ndeshjeve.

* Do të ndodhë që për herë të parë në histori, Shqipëria të ketë fituar mesatarisht 1 pikë për ndeshje (me sistemin e 2 pikëve për fitore).

* Do të ndodhë që për herë të parë në histori, në gjysmë të rrugës Shqipëria të shndërrohet në mëtuese midis një bashkësie të përbërë e pakta prej katër shteteve të cilët futbollin e kanë një shkallë apo disa shkallë mbi Shqipërinë: Danimarka, Portugalia, Suedia, Hungaria!

Dhe nëse Shqipëria fiton vetëm 1-0 kundër Maltës më 11 shkurt 2009, Grupi 1 i Europës për Kupën e Botës 2010, do mund të ketë këte pamje:

1. Shqipëria 8 2 2 1 4-2

2. Danimarka 7 2 1 0 6-2

3. Hungaria 7 2 1 1 4-2

4. Portugalia 5 1 2 1 6-3

5. Suedia 5 1 2 0 2-1

6. Malta 0 0 0 4 0-11

Kjo nuk ka ndodhur kurrnjiherë në historinë e Kombëtares, deri më sot ende modeste, të Shqipërisë. E, ky do të ishte çasti kur Shqipëria të mbërrinte, madje të tejkalonte nga ana e rezultatit, Kombëtaren e Botërorit 1986, Kombëtaren e barazimit të bujshëm Poloni – Shqipëri 2-2 dhe të fitores edhe më të bujshme Shqipëri - Belgjikë 2-0.

Këtu mbas 24 vjetëve unë lidhem prap me “France Football”-in. Mu ky "France Football" do t’i kushtonte asokohe mbulesën (kopertinën) e tij portjerit Musta dhe Shqipërisë 1984. Dhe në renditjen e vitit të së çmueshmes së Parisit, Shqipërisë së trajnerëve Rreli e Zhega, ai i jep vendin e 12-të midis 33 shteteve të Europës së atëhershme, sot e kësaj dite një "rekord" i cili jo vetëm nuk është thyer, po që nuk ka guxuar t'i afrohet më as edhe çdo lloj Kombëtareje tjetër shqiptare.

Dhe ngjashmërinë e parë me atë “vit ouruellian 84” e gjej menjëherë te ndeshja e Bragës së Portugalisë, ajo e 15 tetorit 2008, një barazim zâmadh i vërtetë, që i dha Renditjes së Grupit 1 europian të kualifikimeve të “Africa 2010” këte pamje:

1. Danimarka 7 2 1 0 6-2

2. Hungaria 7 2 1 1 4-2

3. Portugalia 5 1 2 1 6-3

4. Shqipëria 5 1 2 1 3-2

5. Suedia 5 1 2 0 2-1

6. Malta 0 0 0 4 0-11

Shqipëria e katërta, me çudinë më të madhe në histori për një renditje të mbas katër ndeshjesh: me vetëm 2 pikë larg të parit dhe në pikë të barabarta me dy të mëdhenj të futbollit të Shekullit XXI, siç është Portugalia, “Brazili i Evropës”, siç e kanë quajtur dhe Suedia e një ballkanasi të madh i cili nuk e humb kurr nordin e përftuar: Ibraimovic. Të trija me nga 5 pikë!

Dhe është kjo mbyllje që i dha bilancit të vjetor të Shqipërisë 2008 një rëndësi të madhe, duke “e detyruar” revistën “France Football”, padyshim Nr. 1 në botë për futbollin, ta rendisë Shqipërinë në vendin e 26-të midis 53 shteteve, çka do të thotë mbas 4 vjetëve (2004) kur qe e 23-ta falë ndeshjes s[ shk[lqyer 2-1 me Kampionët e Europës, Greqinë, Shqip[ria befason.

Kujtojmë ndërkaq, se më 2004, “France Football” e ngjiti kështu Shqipërinë në vendin e 23-të në Evropë, duke e evidentuar me këte përkufizim miklues:

“Nënshtruesja e herojve të grekë e shtatorit, ka humbur më mbas dy ndeshje në takimet kualifikuese të Botërorit (në Gjeorgji dhe kundër Danimarkës). Trajneri gjerman Hans Peter Briegel paraqet megjithate një bilanc pozitiv për vitin 2004: 4 fitore, 1 barazim, 3 humbje”.

Renditja vjetore e “France Football” është më e vjetra, dhe për Evropën edhe më autoritarja. Ajo organizohet qysh më 1959 simbas rezultateve të ndeshjeve të secilit shtet me Kombëtaren e tij mbrenda 12 muajve të vitit.

E, tash 2008-ta që e rendit në vendin e 26-të midis 53 shteteve (jo më 52), lartësia e saj e katërt më e mirë e 24 vjetëve të fundit, ndonëse pa arritur kurr më vendin e 12-të të vitit fatthënë 1984. Le të flasë vetë Renditja për Shqipërinë në marrëdhënie me 52 shtetet e tjerë të Europës së sotme, e cila ndoshta mbas nja dy vjetësh do të ketë të renditur edhe Kombëtaren e saj të 54-t, që do të jetë Kosova “e jonë”:

Renditja 2008 e “France Football”:

N. F. B. H. G.

1. Spanja 16 15 1 0 33-5

2. Gjermania 16 11 2 3 36-16

3. Rusia 13 8 1 4 26-17

4. Holanda 15 11 2 2 33-13

5. Turqia 16 8 5 3 25-18

6. Anglia 10 8 1 1 25-8

7. Italia 13 6 5 2 18-12

8. Kroacia 13 7 4 2 19-13

9. Portugalia 13 5 2 6 24-20

10.Franca 14 6 4 4 16-16

11.Serbia 11 4 2 5 19-13

12.Rep.Çeke 12 5 3 4 17-14

13.Danimarka 9 3 4 2 11-10

14.Lituania 12 6 2 4 15-13

15.Polonia 16 7 4 5 18-16

16.Rumania 11 5 3 3 14-10

17.Austria 13 2 4 7 19-25

17.Zvicra 13 7 1 5 21-16

19.Izraeli 8 4 3 1 12-9

20.Suedia 14 4 3 7 10-15

21.Greqia 14 7 2 5 21-13

22.Belgjika 8 2 2 4 10-15

23.Irlanda 8 3 3 2 8-7

24.Sllovakia 10 4 1 5 14-13

25.Ukraina 9 6 2 1 10-5

26.SHQIPERIA 7 2 3 2 6-5

26.Hungaria 10 4 4 2 14-10

28.Sllovenia 8 2 1 5 10-12

29.Uellsi 10 6 0 4 12-7

30.Bullgaria 7 3 3 1 8-10

31.Irlanda Veriut 8 2 2 4 9-8

32.Bosnja Herc. 9 4 1 4 20-14

33.Skocia 7 1 3 3 4-7

34.Maqedonia 8 2 3 3 11-10

34.Mali I Zi 8 3 3 2 14-13

36.Biellorusia 11 3 4 4 14-14

36.Finlanda 9 2 2 5 9-14

38.Islanda 12 5 2 5 13-14

39.Gjeorgjia 10 1 3 6 8-18

40.Letonia 10 5 2 3 14-10

41.Qipro 7 1 2 4 6-12

42.Norvegjia 8 4 0 4 6-13

43.Luksemburgu 9 1 3 5 7-17

44.Moldavia 10 1 3 6 6-15

45.Estonia 14 4 4 6 14-24

46.Armenia 10 3 2 5 7-17

47.Azerbaixhani 11 2 4 5 6-9

48.Malta 11 2 0 9 10-22

49.Kazakistan 9 1 1 7 5-22

50.Faroe 7 1 6 4 4-17

51.Liechtenstein 7 0 1 6 1-24

52.Andora 6 0 0 6 2-17

53.San Marino 4 0 0 4 1-12

Nëse do të kërkonim të bënim rrufeshëm një krahasim midis Shqipërisë dhe 52 shteteve të tjerë, do të dalin disa konkluzione të statistikës së futbollit, e cila gjithmonë të çon te një përmbajtje. Kështu, del se Shqipëria lë mbas disa shtete të cilat në tanësi e kanë futbollin mbi Shqipërinë nga ana financiare mbi të gjitha, po dhe nga ana ligjore e organizmit, nga ana e ndërtimve të stadiumeve, nga ana e cilësisë së skuadrave lokale, në fund të fundit edhe nga ana e kulturës së organizimit të futbollit në tanësi. Kësisoji, Shqipëria ka lënë mbrapa Hungarinë, Slloveninë, Uellsin, Bullgarinë, Irlandën e Veriut, Skocinë, Finlandën, Letoninë, Qipron, Norvegjinë, futbolli i të cilëve në organizim e cilësi qëndron mbi atë të Shqipërisë. Nga ana tjetër, Shqipëria ka lënë mbrapa prej viseve të Ballkanit, edhe Slloveninë, Bosnje Hercegovinën, Maqedoninë, Malin e Zi, Moldavinë, ndonëse e para nuk mëton më ta quajë veten Ballkan dhe e fundit përkundrazi, mëton ta quajë veten Ballkan…

Prej skuadrave të Grupit të saj të “Africa 2010” Shqipëria lë mbrapa vetëm Hungarinë dhe Maltën, çka krijon një mospërputhje, sepse në Renditjen e deritashme të Grupit 1 të Europës, ajo lë mbas edhe Suedinë e cila në Renditjen e”FF” është mbi te, e 20-ta. Ndërkaq, në Renditjen e “FF” të vitit 2008, Shqipëria bën pjesë në 28 shtetet, Kombëtarja e të cilëve ka golaverazh pozitiv. Ajo bën pjesë midis 28 shteteve që kanë një bilanc pozitiv. Po dhe të 8 shteteve që kanë numrin më të pakët të ndeshjeve të zhvilluara (7) gjatë një viti.

Nuk duhet harruar ndërkaq, mënyra “shkencore” me të cilën e çmueshmja e Parisit, e bën Renditjen e saj. Ajo është e vetmja që merr në vlerë të gjitha ndeshjet e në harkun e 12 muajve të vitit për çdo Kombëtare anëtare të UEFA-s. Por nëse e sheh me vëmendje, vëren se ka shtete të cilët ndonëse kanë një bilanc statistikor më të mirë se një tjetër, renditen më poshtë. Ashtu si dhe Renditja e FIFA-s, edhe “FF” merr në vlerë rëndësinë edhe cilësinë e ndeshjeve. Barazimi me Suedinë, por sidomos ai zâmadh me Portugalinë, ia kanë rritur tejet vlerat bilancit vjetër të Shqipërisë.

Mbas Renditjes së çdo viti, “FF” boton edhe Renditjen e 20 vjetëve të fundit, ku Portugalia dhe Suedia hyjnë në 11 Kombëtaret më të forta të Evropës për periudhën 1989-2008. Dhe në këte, Shqipëria është përtej vendit të 32-të. Ose e thënë më qartë, në këte Mbirenditje mund të futen vetëm ato shtete që në 20 vjet kanë nën 300 pikë dhe ku sa më pak të kësisoj pikësh që të përfitosh, aq më lart je në Renditje. “FF” përcakton se numri rendor i vendit që zë çdo Kombëtare në Renditjen vjetore, nënkupton pikët e fituara. Bie fjala, nëse Spanja ka zënë vendin e parë në Renditjen e vitit 2008, kjo do të thotë se ka fituar 1 pikë, ndërsa të tjerët rradhazi 2, 3,4 e Shqipëria 26 pikë për shkak të vendit 26 që është renditur. Kështu në Mbirenditjen 20-vjeçare, Spanja është e para me 108 pikë, ndërsa Lituania është e 32-ta me 299 pikë.

Nëse do të kërkonim tash të bënim një krahasim të Shqipërisë me vetë Shqipërinë, vërejmë se katër janë Renditjet më të larta të saj në histori janë: më 1984 kur ajo u rendit e 12-ta, më 2000 e 25-ta, më 2004 e 23-ta dhe më 2008 e 26-ta. Kjo e fundit është 10 vënde më lart se viti 2007, kur Shqipëria u rendit e 36-ta. Kjo është dhe rritja e madhe e vitit 2008 dhe më e madhja e katër viteve të fundit.

Nëse do të bënim Renditjen e bilancit statistikor të këtyre katër “trofeve” të Shqipërisë, del kjo Renditje:

N. F. B. H. G

1984: Shqipëria (e 12-ta) 3 1 1 1 5-5 * Trajner: SH.RRELI

2000: Shqipëria (e 25-ta) 8 5 1 2 11-3 *Trajner: M.ZHEGA

2004: Shqipëria (e 23-ta) 11 4 1 6 20-2 *Trajner:H.P.BRIEGEL

2008: Shqipëria (e 26-ta) 7 2 3 2 6-4 * Trajner. A.HAAN

Çka vërejmë? Vërejmë se në statistikë tanësore është viti 2000 ai që triumnfon. Ndërsa përsa i përket Renditjes së “FF”, sundon viti 1984 (Shqipëria e 12-ta, e paarritshme ndoshta përgjithmonë). Ndërsa 2000-shi është viti i fitimit të Turneut “Rothmans”, i pari turne i fituar mbas 54 vjetëve (Kampionati Ballkanik 1946), por dhe viti i ndeshjes spikatëse 2-0 me Greqinë. Dhe vetëm kaq. Sepse nga ana tjetër, ai është një vit ku sundojnë ndeshjet miqësore, plot 6 miqësore nga 8 gjithsejt, çka kur e vë ate në peshë me vitin 2004 (nga 8 ndeshje, 4 për Kupën e Botës, 2-1 Greqisë - Kampione e Evropës dhe 1-0 në Kazakistan, si dhe një fitore miqësore e rangut 2-1 me Suedisën). Dhe kur e vë atë në peshë me këte vit të sapokaluar 2008, ku në 7 ndeshje, 4 janë të Kupës së Botës, atëherë detyrohesh t’iu japësh këte vlerë tjetër këtyre katër renditjeve më të larta të Shqipërisë simbas “FF”:

N. F. B. H. G

2008 Shqipëria (e 26-ta) 7 2 3 2 6-4 * Trajner. A.HAAN

1984 Shqipëria (e 12-ta) 3 1 1 1 5-5 * Trajner: SH.RRELI

2004 Shqipëria (e 23-ta) 11 4 1 6 20-20 *Trajner:H.P.BRIEGEL

2000 Shqipëria (e 25-ta) 8 5 1 2 11-3 *Trajner: M.ZHEGA

Duket se Renditja 2008 ka një peshë disi më të rëndë ngaqë në fund të fundit, ajo është e vetmja që ka bilanc pozitiv: 2 fitore, 3 barazime, 2 humbje dhe golat 6-4. Bie fjala, në gjithë historinë të 63 vjet ndeshje të Shqipërisë, golaverazh të mirë dhe bilanc jo humbës, kemi patur vetëm më 1946, 1948, 1952, 1953, 1976, 2000 dhe 2008, ku merret me mend se vetëm vitet 2000 dhe 2008 kanë ndeshje të Kupës së Europës apo të Botës , çka i vë ata në epërsi të qartë mbi rastet e viteve 1946, 1948, 1952, 1953, 1976 që përmbajnë vetëm ndeshje miqësore me Demokracitë Popullore të botës komuniste.

Duke vazhduar me tonin bilancor të këtij shkrimi sportiv të “publistikës statistikore”, përmbledhim se ecuria dhe përcaktimi i 7 ndeshjeve të vitit 2008, paraqitet kësisoji:

1. 27.05.2008: Polonia – Shqipëria 1-0 * Miqësore

2. 20.08.2008: Shqipëria – Liechtenstein 2-0 * Miqësore

3. 06..09.2008: Shqipëria – Suedia 0-0 * KB

4. 10.09.2008: Shqipëria – Malta 3-0 * KB

5. 11.10.2008: Hungaria – Shqipëria 2-0 * KB

6. 15.10.2008: Portugalia – Shqipëria 0-0 * KB

7. 19.11.2008: Shqipëria – Azerbaixhani 1-1 * Miqësore

Sundon Kupa e Botës me 4 ndeshjet e saj, tri prej të cilave tejet të bukura. E barabartë ajo me Suedinë, eprore ajo me Maltën, e gabueshme ajo me Hungarinë, historike ajo me Portugalinë. Në thelb, një qëndrueshmëri e vërtetë futbolli. Krejt normale 3 ndeshjet miqësore, madje eksperimentuese, si dhe me bilanc të mirë edhe ato: 1 fitore, 1 barazim, 1 humbje, golat 3-2.

Pa harruar ndryshimin e madh: trajner i ri: Arie Haan nga Holanda, një pjesë e dikurshme e futbollit total të viteve ’70. Dhe shkojmë te një shifër e rrallë: në të katër ndeshjet e Kupës së Botës, trajneri Arie Haan ka luajtur me vetëm 18 futbollistë, çka përbën një nga qëndrueshmëritë më të rralla të numrit të lojtarëve të përdorur. Dhe vetëm 7 lojtarë të tjerë për ndeshjet miqësore, në tanësi 25 lojtarë për 7 ndeshjet e vitit, gjithnji përforcim i qëndrueshmërisë.

E pra, a do të kemi një Kombëtare të qëndrueshme edhe gjatë vitit 2009, që për Shqipërisë - e 26-ta e Evropës midis 53 shteteve simbas “France Football” - dha një rritje shpresuese, siç titullon ky shkrim? Të paktën këte tregon Renditja e çmuar e “France Football” për shtetet e Europës, e cila do të ketë 13 skuadra në fundoret e Kupës së Botës 2010. Dhe? Shumë thjesht: mjafton një fitore në Maltë, qoftë dhe 1-0 më 11 shkurt 2009, që për herë të dytë mbas vitit 1984, për Shqipërinë të flitet si për një mëtuese teorike për të shkuar një herë të vetme në fundoret e Kupës së Botës.

Endërr e madhe për një Kombëtare të vogël futbolli…

Tema