Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Adnan Abrashi: Ja nisi, ja nisi...na qoftë për hajër!

| E diele, 25.01.2009, 04:54 PM |


JA NISI, JA NISI... NA QOFTË PËR HAJËR!

 

Sipas Ligjit për zona të veçanta të mbrojtura, në tërë territorin e Kosovës, ekzistojnë 44 harta me këso zona speciale mbrojtëse , perimetri i së cilëve, varësisht nga karakteristika që ka, është e kufizuar më së paku në 50 deri më 100 metra.

 

Nga Adnan Abrashi

 

Edhe pse, shumica prej nesh, i dhënë sot pas derteve dhe telasheve tjera të së përditshmes ekzistenciale, nuk besoj se nga kujtesa na është zbehur ai moment, kur para një viti, të entuziazmuar nga akti i shpalljes së pavarësisë, në Parlamentin e Kosovës, me një nguti të shpejtuar marramendëse procedurale, aprovoheshin disa ligje të cilët deputetët tanë as nuk i kishin parë me sy, e lere më të ishin njoftuar për detajet tjera të përmbajtjes së tyre. E, sa për pasojat e mundshme që do të paraqiten më vonë gjatë aplikimit të tyre në terren, sigurisht që atëbotë pak kujt seriozisht i ka shkuar mendja.(Kuptohet, gjithmonë lavdi përjashtimeve). Sepse, derisa ata në Parlament qorrazi ngrinin gishtet e tyre pro këtyre ligjeve, figurativisht, si pasojë e stërngopjes me pije dhe ushqim nëpër galla –ceremoni të shumta të organizuara për nderë të festimit të shpalljes së kësaj pavarësie,  ende prej goje ju vinte erë uiski dhe mishi të pjekur qengji në hell. Bile - bile, për këtë lodhje të tepruar dhe angazhimit të tyre jashtë mase në këtë drejtim, u shpërblyen edhe me nga 500 euro shtesë.
Atëbotë, edhe ne si popull, aq ishim të entuziazmuar me këtë akt të shpalljes së pavarësisë, saqë, as nuk i vërenim fare flagrancën e lojërave të kurdisura politike që na bëheshin para syve tanë. Fatkeqësisht, këso lojëra mbase patëm mjaft. T’i përkujtojmë vetëm disa si më të rëndësishme dhe më vendimtare për ne:
1. Në mënyrë më qesharake dhe jashtë të gjitha standardeve të procedurave demokratike që aplikohen në këso raste kudo në botë, paraprakisht në Parlamentin e Kosovës, kaloi votimi (nuk di se a u votua fare) i aprovimit të një cope “lecke” si flamur zyrtar shtetëror;
2. Ngjashëm veprohet edhe me përzgjedhjen e kompozimit të himnit shtetëror pa tekst, të cilin,  kur ta dëgjon me vëmendje, më tepër të ngjason një “xhurulltije” tingujsh, se sa që, gjatë intonimit të saj, në ne ngjall ndonjë emocion patriotik-atdhetar; 
3. Si i vazhdimësi e kësaj marrëzie, vjen votimi i Ligjit për festat zyrtare shtetërore në Parlament, ligj ky, që neve në fakt, përveç si shtet të ditur “multi-etnik”, na promovoj edhe si shtet “multi-festiv”... e kështu me radhë deri te aprovimi i “copy-paste” kushtetutës, të propaganduar fuqimisht si “më demokratike” në botë.
Sido që të jetë, të gjitha këto maskarada të manipulimit kolektiv me ne, i kaluam mu ashtu sikur edhe pritej:  pa telashe të mëdha dhe në mënyrë  “dinjitoze”.  Me vetëdije të plotë i “hëngrëm” të gjitha këto lojna, apo, sikur kemi qejf ndryshe të shprehemi në këso raste, “vepruam në bashkërenditje dhe në bashkëpunim me miqtë tanë ndërkombëtar”.
Fundja, Kosovën tonë e kurorëzuam si shtet të pavarur. Andaj, edhe këto lëshime që i theksuam, me vetëdije të plotë i përqafuam mu ashtu sikur na u arsyetua nga ana e elitës tonë politike në pushtet: “si kompromise të hidhura që patjetër është dashur të bëheshin”.

Ja nisi, ja nisi ... për hajër na qoftë?

Dhe... ”Punët e mira vijnë ngadalë”, -  thotë populli, por, “edhe ato të këqija” - them unë.
Këto ditë në Prizren, ndoshta shumë pak i vërejtur si  ngjarje dhe lajm ekskluziv nga mediet, organizuar nga ana e Departamentit për planifikimin hapësinor të Republikës së Kosovës, u mbajt një takim publik gjithëpërfshirës, në të cilën u prezantua Ligji për zona të veçanta të mbrojtura.
Si digresion, vetëm t’ia përkujtoj lexuesve tanë se edhe ky ligj ka qenë në pakon e atyre ligjeve që shpejt e shpejt dhe qorrazi, njëzëri u aprovua nga ana e Parlamentit të Republikës së Kosovës.
Çka përcakton, në të vërtetë ky Ligj?
Përgjithësisht, pa hyrë në imtësi të detajeve që rregullohen me këtë akt formal - juridik, sipas Ligjit konkret për zona të veçanta të mbrojtjes, në rastet e ndërtimeve t]ë lejuara në këto zona, drejtoritë komunale për urbanizëm, detyrimisht duhet të kenë edhe pëlqimin e Zyrës së kishës ortodokse serbe. Grupi punues për komunikim dhe zbatimin e këtij ligji, për shkak se, siç është thënë, specifikave unike, zgjodhi Prizrenin për të hapur fushatën e prezantimit dhe inaugurimit të tij publik.
Bazuar në këtë ligj, në tërë territorin e Kosovës, ekzistojnë 44 harta me zona të veçanta të mbrojtjes, perimetri i së cilëve, varësisht nga karakteristika që ka, më e vogla është e kufizuar nga 50 deri më 100 metra.
Merrni me mënd, Kisha Ortodokse e Prizrenit, që gjendet mu në zemër të qendrës së qytetit, e njohur si  Sheshi Shatërvan, me këtë Ligj po trajtohet si zonë speciale e mbrojtjes, dhe të gjitha ata që jetojnë dhe kanë dyqanet e veta zejtare, në diametrin 50-100 metra përreth, për çfarëdo renovimi apo ndërtimi eventual, duhet të kërkojnë leje speciale nga zyra e Kishës ortodokse serbe.
Një ditë duke shëtitur rreth e rrotull Sheshit të Shatërvanit të lashtë të Prizrenit, më ra në sy edhe një anomali tjetër e veprimeve të parapara praktike sipas këtij ligji. Në qendër të qytetit, mu në zemër të sheshit të Shatërvanit, mbi 50 metra nga ana e djathë larg Kishës ortodokse serbe (e shpallur me këtë Ligj si zonë speciale e mbrojtur) gjendet Kisha katolike (“Zonja Ndihmëtare”), ndërsa, më poshtë, nga e majta, po ashtu rreth 50 metra në diametër me kishën Ortodokse, ngrihen si ndërtesa edhe 2 xhamia tjera - si tempuj fetar të konfesionit mysliman.
Dhe, duke u nisur nga dyshimi i bazuar që mbështetet në logjikën normative të këtij ligji atëherë edhe për renovimin eventual të këtyre tempujve fetar, përfaqësuesit e klerit mysliman dhe katolik, konfesione këto fetare dominonte të besimtarëve shqiptar, paraprakisht edhe ata duhet të kërkojnë leje speciale ndërtimi nga Zyra e kishës ortodokse serbe?!!
Më thoni, o miq! A nuk është kjo marrëzi?!  Marrëzi e përtej, sa që s’ka ma, a po?!
Sa i përket aplikimi të këtij Ligji në praktikë, nuk di se si është puna nëpër qytetet dhe regjione tjera të Kosovës, por, prizrenasve të mijë të dashur, desha t’ju porosis se ka edhe më keq!  Vetëm ta marrim si shembull më drastik ujin që ne e pimë çdo ditë? Pjesa më e madhe e atij uji na vjen nga burimet natyrale të ashtuquajtur të “Kërëk –bunar”-it, që gjenden në rrafshnaltën malore, përreth tempullit monumental ortodoks serb “Manastiri i Kryeengjëjve” (kilometri i 7-të i rrugës Prizren-Brezovicë). Kjo zonë e veçantë përreth këtij manastiri parashihet te ketë rreth saj, afër 100 deri 200 hektarë tokë?! Duhet ta dimë se, edhe kjo pjesë më e bukur, më atraktive dhe më strategjike e qytetit tonë të lashtë, është e përfshirë me këtë ligj si zonës speciale e mbrojtur. Pra, një pjesë më e madhe e neve qytetarëve prizrenas, e pimë ujin që buron nga një zonë speciale e mbrojtur serbe, dhe praktikisht jemi në mëshirën e saj?!
Meqë, sipas këtij ligji ato resurse natyrore të ujit janë të përfshira në pjesën e zonës së mbrojtur speciale, nuk jam i sigurt se, për shfrytëzimin e këtyre burimeve, a duhet që edhe institucionet tona të shërbimeve publike për distribucionin e ujit, të bëjmë kërkesë për leje speciale nga Zyra e kishës ortodokse serbe!!
O tempora, o mores!
Si po duket, ja nisi, ja nisi...!?  E, pasi me kohë këtë punë, në emër të koncensuz të dhimbshëm, e kemi lejuar vetë ne, atëherë, na qoftë për hajër...??!