E shtune, 20.04.2024, 02:20 AM (GMT+1)

Kulturë

Lili Cingu: Ja si e rrëmbyem “Gjerdanin e artë” në vitin 1970 në Francë

E diele, 25.01.2009, 01:25 PM


Lili Cingu
Lili Cingu
Lili Cingu: Ka qenë festivali më madhështor që është zhvilluar ndonjëherë

Ja si e rrëmbyem “Gjerdanin e artë” në vitin 1970 në Francë

Nga Albert Zholi
 
Vazhdon të jetë një nga valltaret më të suksesshme të skenës me pjesëmarrje shumë dinjitoze në klipet më prestigjoze të këngëtarëve shqiptarë. Një jetë në skenë Lili Cingu ka krijuar figurën e saj artistike dhe një karrierë që duket se po i mbijeton viteve. E freskët, plot larmi, portret të spikatur profesional, vallja shqiptare duket se nën interpretimin e saj ka marrë forcën dhe hijeshinë e bukur të melosit tonë tradicional, forcën dhe shprehurinë e saj më të mirë. 
 
Ju kemi parë kohët e fundit në performanca shumë dinjitoze. Kush ishte shtysa që ju morët pjesë në vallen e këngës çame, të kësaj çështjeje të pazgjidhur që ende rëndon si guri i Sizifit në historinë shqiptare?

-Të kërcesh vallen çame është domethënie në vetvete, për vetë faktin se ai vend na takon neve dhe është pjesë e tokës amë. Unë pavarësisht se jam nga Veriu e kam me pasion vallen çame dhe e kërcej me shumë dashuri. Sa herë kam hipur në skenë për të interpretuar vallet shqiptare, që kanë qenë të shumta mund të them se vallja çame më ka lënë një mbresë të ndryshme.

Një dashuri që e tregon edhe pjesëmarrja juaj në festivalin e Sarandës?

-Festivali i Sarandës ka dy vjet që organizohet dhe është një iniciativë shumë e lavdërueshme sepse preket dhe lëvrohet vallja çame që ka një dinamikë dhe lirizëm të jashtëzakonshëm. Për më tepër që banorët e zonave të Jugut e kishin shumë të nevojshëm organizimin e atij festivali. Aty pashë këngë dhe valle çame duke qenë pjesë e jurisë, dhe mund të them se e ndjeva veten time jo fajtore, sepse unë e kam debutuar shumë herë vallen çame, por e ndjeva veten fajtore për të realizuar një klip dhe kënga e zonjës Enkelejda më plotësoi dëshirën që t’i kthehesha me më shumë përkushtim valles çame. Gjithë klipi doli me sukses dhe unë jam shumë e kënaqur.

Duke e krahasuar me vallet tjera sipas mendimit tuaj kush është e veçanta e valles çame. Është ndoshta në mënyrën e të kërcyerit, lloji i muzikës, në një klasifikim që kompozitori Agim Krajka e ka quajtur aristokrate. Ç’mendim keni ju?

- Po t’i përmbledhësh të gjitha, unë nuk mund të veçoj asgjë jashtë karakterit të valles çame. Në këtë valle profesionalisht gjen dinamikën, lirizmin, forcën, vuajtjet e një populli të etur për liri dhe të drejta. Mendoj se në interpretimin e valles çame tregohen të gjitha elementet e asaj krahine, gjithë ai shpirt luftarak, ajo dëshirë për të qenë vetvetja dhe me të vërtetë mund të klasifikohet ndër perlat e muzikës shqiptare.

Duke u kthyer në retrospektivën e karrierës suaj si valltare kur është ngjitur për herë të parë në skenë si valltare Lili?

-Debutimi i parë ka ndodhur në fëmijëri, më pas si amatore në grupet e ndryshme. Me Ansamblin e Këngëve dhe Valleve Popullore jam përzgjedhur të punoj në vitin 1967.

Kush ju drejtoi atje?

-Mendoj se të meritosh të ngjitjesh në një skenë të tillë duhet të kesh pasionin në radhë të parë dhe pa dyshim dhe talentin. Duhet të punosh shumë, të djersitësh jashtëzakonisht. Që në fëmijëri duke parë gjithë ato valle të bukura të popullit tonë ndjeva dëshirën për t’i debutuar në skenën shqiptare. Për fat m’u dha mundësia ta realizoja këtë ëndërr. Pata dhe fatin të bie në sy dhe të tregoja gjithë përkushtimin dhe dashurinë time ndaj këtij profesioni.

E mbani mend vallen e parë si profesioniste në skenë?

-Kanë qenë vitet normale të atij sistemi. Nuk mund të kërceja dot një valle dashurie, një valle siç mund të kërcehet tani. Atëherë kërcehej me tematika të ideologjizuara. Tani ka tematika më të gjera dhe ka më shumë mundësi për tu shprehur nëpërmjet lëvizjeve.

Shkolla koreografike ka fituar një traditë të mirë në përgatitjen e brezave të rinj. Në periudhën komuniste thuhej se Ansambli i Këngëve dhe Valleve Shqiptare ka qenë piedestali i kulturës shqiptare. Ju personalisht çfarë do veçoni nga ajo periudhë e lavdishme. Cilat kanë qenë emocionet e daljeve jashtë shtetit?

-Ne nuk është se kemi studiuar shumë për tu bërë valltare. Ne nuk kemi shkollën përkatëse siç e kanë këto sot. Mendoj se shkolla është një institucion i rëndësishëm dhe ka një ndryshim mes kërcimit me shkollë dhe kërcimit si amatore. Zoti na i fali ato mbrekullira që dhe pa shkollë ne shkëlqyem në skenë. Ansambli në gjithë botën ka lënë një emër të mirë dhe me të vërtetë që ne jemi quajtur ambasadorët e Shqipërisë nëpër botë. Kjo gjë u bë nga këngët dhe vallet shqiptare. Në shumë skena të botës ne jemi nderuar me çmime dhe mendoj se ky ka qenë treguesi i punës dhe aftësive që kishim.

Kur keni dalë për herë të parë jashtë shtetit?

-Hera e parë që lëvizëm nga vendi ka ndodhur pasi unë kisha vizituar dhe prekur pothuajse gjithë Shqipërinë. Udhëtimi me pasaportat diplomatike ka qenë Turqia në festivalin e Izmirit .

Si u pritët atje?

-Pavarësisht se ne i kemi vallet e mrekullueshme dhe bëjnë shumë jehonë:ne kemi vallen e shqipes, gështenjave, Tropojës, Peshkopisë. Kemi një burim të pashtershëm të folklorit shqiptar. Dhe hera e parë që isha në Turqi unë isha vajzë dhe u befasova nga duartrokitjet e shumta kur dolëm dhe interpretuam në skenë. Më bëri shumë përshtypje që nuk na thërrisnin shqiptarë por na thoshin arnautë. Më pas nëpërmjet përkthyeses kuptova që kështu i thoshin shqiptarëve. Në veshin tonë ajo fjalë kishte ngjyrim paksa negativ.

Si ju pritën në Turqi?

-Shumë shumë mirë. Duartrokitje të pambarimta, ovacione. Ishim më të mirët dhe morëm çmimin e parë të festivalit. Përgjithësisht mund t’ju them se sa herë që ne shkonim jashtë ktheheshin në Shqipëri me çmime.

Ju keni udhëtuar shumë. Ka pasur emocione të veçanta nga përballja me një botë tjetër?

-Unë të gjitha turnetë i kam pasur me emocione. Ju thashë më sipër që ishim një grup shumë i mirë dhe në turnetë që merrnim pjesë jashtë shtetit përgjithësisht jemi vlerësuar. Mbaj mend që çmimi më i madh është “Gjerdani i artë” në vitin 1970 në skenën e Francës. Ka qenë festivali më madhështor që është zhvilluar ndonjëherë dhe ishte hera e parë që ne merrnim pjesë në një të tillë. Ishte festivali i Dizhonit, ku merrnin pjesë grupe të ndryshme, veçanërisht ato nga Rusia që ishin të mrekullueshme. Ai turne bëri një bujë shumë të madhe dhe pati jehonë në gjithë botën. Në atë valle isha soliste e dytë dhe ai gjerdan i artë në qafën time të hollë ishte një dhuratë e jashtëzakonshme. Ajo më ka mbetur në kujtesë sepse isha 19 vjeç dhe gjerdani rëndonte gati 5 kg. 
 
Si jetonin atëherë kosovarët?

-Jetesa e tyre nuk mendoj se ishte luksi. Luksin e krijon çdo njeri. Ato jetonin më mirë por vuanin shumë nga regjimi.

Duke marrë në konsideratë gjithë këto vite në skenë a keni pasur rastin të takonit një nga ish-udhëheqësit e monizmit dhe çfarë konsideratash keni marrë nga to?

-Ne ishim artistë që na ka takuar të ngjiteshim në skenë në atë kohë dhe është normale që shpesh në shfaqje do vinin udhëheqës të ndryshëm, por ne merrnim pjesë dhe në pritjet që realizoheshin në atë kohë. Na ndodhte shpesh t’i takonim dhe mund të them se jemi takuar me të gjithë.

Me Enver Hoxhën mbani mend ndonjë detaj të caktuar?

-Koha e Enver Hoxhës ka kaluar dhe nuk duhet ta kujtojmë. Unë mund të them se nuk kemi qenë kaq të lirshëm sa jemi tani. Tani mund të shkëmbesh dhe mesazhe, urime, sms, telefonata urimi, takime më të shumta. Në ato vite maksimumi ishte një shkëmbim dore, dhe vetëm kaq. Pavarësisht se fëmijët e Enverit unë i kam pasur në shkollë dhe kishim shoqëri kemi qenë shumë të kujdesshëm, se mund të ndodhte e keqja kur nuk e prisje.

Çfarë ka humbur dhe ka fituar Liliana Cingu nga skena dhe vallja popullore?

Kam fituar përvojën më të madhe si një titullare dhe si një artiste, kam fituar respektin dhe mirënjohjen e njerëzve për atë që kam dhënë në skenë. Gëzohem shumë kur kaloj rrugës dhe njerëzit bisedojnë me njëri-tjetrin: “Kjo është Lili Cingu”. Kjo për mua është kënaqësia më e madhe. Krahas talentit, perëndia më ka falur dhe bukurinë.

Në karrierën tuaj, a ka ndikuar dhe legjenda e valles Besim Zekthi?

Natyrisht që ka ndikuar, pasi kur u aktivizova me ansamblin isha 16-vjeç. Legjenda Besim Zekthi, fillimisht ka qenë solist dhe kur qëndroja në krahun e tij, isha një vajzë e re, e sapoformuar. Me daljen e tij në pension, qëndrova në krah të Rexhep Çelikut, duke u vlerësuar nga shtypi i kohës, si dy shqiponja që fluturonim në skenën shqiptare dhe jashtë saj.

Kur i keni shkëputur marrëdhëniet financiare me Ansamblin?

Në vitin 1997, kur kam dalë në pension, por punoj akoma për t’i dhënë talentit të ri karakteristikat e mia dhe bukurinë e valles shqiptare.

I ruani marrëdhëniet me Ansamblin?

Sa herë ka aktivitete, gjithmonë jam e ftuar nga kolektivi dhe drejtuesit e Ansamblit. Para pak kohësh, për vlerat e mia artistike mora “Dekoratën e Mirënjohjes” nga ky Ansambël.

Gjatë turneve jashtë ke menduar ndonjëherë për azil politik?

Asnjëherë, sepse mendoja për karrierën time artistike.

Familja juaj është marrë me art?

Prindërit e mi kanë qenë punëtorë të thjeshtë, por të apasionuar pas valles shqiptare. Në çdo festë ata ishin të parët që kërcenin. Por dhe dy nga motrat e mia janë marrë shumë me vallen.

Keni ndonjë peng të parealizuar?

Kam dashur të realizoj një recital, por nga mungesa e të ardhurave të mia dhe nga neglizhenca, nuk kam realizuar, por shpresoj që do ta realizoj një ditë.
 
Emocione të tjera si ai i Dizhonit…

Kanë qenë emocione pa ndërprerje. Në çdo eveniment dhe turne që bënim. Më pas ndodhi që bëmë turneun parë në Kosovë në 71-in. Unë kisha babain nga Gjakova dhe kur kujtoj vitin 71 menjëherë më lotojnë sytë. Duke qenë se ne ishim të ndarë nga kufijtë, im atë ishte detyruar të vinte në Shqipëri në 45-ën dhe të mos kthehej më kurrë në vendlindje, ikja ime atje ishte një gëzim i dyfishtë, sepse do takoja njerëzit e babait në Kosovë dhe njëkohësisht dhe familja ime gjithashtu gëzohej sepse do prekja tokën ku im atë kishte lindur, do takoja të afërmit, shtëpinë e tij. Dua t’ju tregoj se im atë kur kish ikur nga Kosova kish marrë me vete një medaljon që ma kish dhuruar mua dhe kur e panë të afërmit e tij u mallëngjyen akoma dhe më shumë. Pastaj pjesa artistike dhe pritja që na bëri publiku i Kosovës ishte diçka e papërshkruar dot me fjalë. Stadiumi në këmbë, njerëzit digjnin xhaketat.
Ishte një turne shumë mallëngjyes dhe për faktin që ishim një komb, një gjuhë të ndarë me kufi.

Largimi nga Shqipëria

Për disa vite me radhë Lili Cingu u shndërrua në një udhëtare të paepur. Duke qenë se doli në pension në vitin e mbrapshtë të ‘97-ës shkoi në Kanada ku ushtroi përsëri profesionin e saj. Por dhe pse në një botë të huaj të mbushur me të mirat materiale ajo nuk e ndjente veten të plotësuar. Kishte gjithë rininë dhe jetën e saj të përkushtuar ndaj profesionit. Ndaj mbas disa shfaqjeve të suksesshme jashtë kthehet përfundimisht në Shqipëri për të mos i munguar kurrë skenës shqiptare që e ngriti aq shumë duke u bërë përsëri me talentin e saj protagoniste.

Lidhjet mes artit dhe bukurisë

Bukuria e valles është e gërshetuar me bukurinë e fizikut të femrës shqiptare, të veshësh kostumin e bukur popullor shqiptar dhe të mos jesh e bukur, patjetër që vlerat nuk shfaqen aq bukur. Kur shikon një vajzë të bukur, me një kostum të bukur dhe që kërcen bukur vëmendja e publikut është më e madhe. Veten time nuk e quaj të privilegjuar nga bukuria, e quaj të privilegjuar nga talenti im, nga sakrificat e mia, nga puna ime, orar e pa orar për t’i dhënë skenës dhe publikut atë që kanë kërkuar.



(Vota: 2 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora