E enjte, 25.04.2024, 08:07 PM (GMT+1)

Shtesë » Historia

Barbarizmi serb në Shkup e Prishtinë

E diele, 25.01.2009, 04:35 PM


Hyrja e ushtrisë okupuese serbe në Mitrovicë. 1912
Në pjesën e dytë të shkrimit për raportet e gazetarit danez Fritz Magnussen flitet për bashibozukët, mandej për rënien e Shkupit dhe masakrat në këtë qytet. Po ashtu, gazetari paraqet një udhëtim të tij për në Prizren dhe takimin e tij me disa gra e fëmijë. Express sjell pjesën tjetër të raporteve të gazetarit Fritz Magnussen.

Nga Ardian Jasiqi 

“Disa shqiptarë ishin mirë të armatosur me armë moderne dhe komandoheshin me kode gjermane nga oficerë turq. Shqiptarët që pësuan nga kjo luftë, sipas ushtarit serb, silleshin
në rreth 3.000. Mbreti Petar Karagjorgjeviq akoma gjendet këtu në Vranjë”, shkruan në shkrimin e tij të botuar më 26 tetor gazetari Magnussen.
Në këtë shkrim ai bën edhe një përshkrim të një bisede me një ushtar serb, që sipas gazetarit, kishte ardhur nga Berlini. Ky ushtar i tregon atij se si shqiptarët janë kafshë dhe se janë ata që vrasin dhe presin popullin e vet dhe jo populli serb që po i ndihmonte atyre për liri!

Rënia e Shkupit

Në shkrimin tjetër për rënien e Shkupit, Magnussen, të titulluar “Rënia e Shkupit – Triumfi Serb – Vallja e Mbretit”, gazetari përshkruan rënien e Shkupit në duart e serbëve dhe gjuetinë e tyre kundër arnautëve.
“Shkupi kapitulloi, Serbia feston! Na u bë e ditur sonte, kur ishim ulur në sallonin e hotelit dhe darkonim. Në hotel ishim oficerë dhe korrespondentë bashkë me princin Alexis”, shkruan pos tjerash ai.
Ai tregon se si Shkupi kishte rënë në duart e Serbisë pa asnjë rezistencë të madhe të armatosur, si dhe festën serbe, ku brohoritej “Rroftë mbreti!”
“Nga Pashiçi (kryeministër) deri tek oficeri me gradë më të ulët dhe komitët, të gjithë ishin nisur rrugës te vila ku ishte vendosur për ta përuruar mbretin për fitoren”.
Në shkrim kemi edhe deklarata të çuditshme të disa gazetarëve, të cilët urojnë serbët për fitoret e tyre. “Korrespondenti çek përuroi serbët për fitoren dhe shtoi se Shkupi nuk duhej asnjëherë më të binte në duart e turqve. Ndërsa Mac Hugh nga Daily Express solli urimet e popullit anglez dhe citoi deklaratën e Lloydit Georges, ku thuhej se kjo luftë duhej t’i sillte Ballkanit të Osmanlinjve përparim kulturor”, shkruan Magnussen në këtë artikull.

Masakrat në Shkup

Në artikullin e datës 12 nëntor, të titulluar “Rëndësia e veçantë, ndalohet”, gazetari Magnussen flet për panikun në kryeqytetin maqedonas dhe vrasjet e shqiptarëve në rrugë.
“Këtu në Yskyb ne kemi mësuar për luftën më të gjithë tmerrin dhe egërsinë e saj”, shkruan ai.
Ai e përshkruan Shkupin si një qytet të bukur dhe oriental, që shtrihet në luginën e Vardarit dhe gazetari shpreh edhe frikën e tij për të treguar masakrat kundrejt shqiptarëve. “Masakrat e arnautëve sigurisht që nuk mund t’i tregosh zyrtarisht. Këto letra do të vijnë në Evropë vetëm nëpërmes telegrameve speciale ose korrierëve”, shkruan ai.
Tutje, ai tregon edhe qëllimin e ushtrisë se Serbisë për të marshuar në drejtim të Durrësit si dhe keqtrajtimin që u kishin bërë atyre.
“Nder të tjera kishin bërë ç’ishte e mundur për t’i dhënë qytetit një pamje serbe. Mijëra metra pëlhurë të kuqe, blu dhe të bardha vareshin duke formuar trengjyrëshin e shëmtuar që përshkonte çdo dere dhe dritare”, shkruan ai.
“Masakrat mbi arnautet ishin pikërisht një gjë e përditshme, një sport gjahu për ushtrinë serbe. Një dite unë isha bashkë me një korrespondent të ‘Daily Mirrors’ dhe ishim dëshmitarë të një skene të këtij lloji. Një arnaut erdhi me shpejtësi nga një rrugicë pranë nesh i ndjekur nga tre ushtarë serbë. Të shtënat na kaluan para hundës dhe djali u rrotullua përtokë. Ai ishte ulur dhe mbante kokën mbi gjunjë dhe shikonte i frikur”, shkruan ai.

Masakrat në Prishtinë, Prizren dhe Gjakovë

“Në Prishtine dhe në rrethinat e Kumanovës është bërë ç’është e mundur për të shfarosur popullsinë shqiptare. Sipas atyre që thonë oficerët dhe ushtarët, janë 3.000 arnautë të varrosur në fshatrat e shkatërruara dhe që del akoma tym midis Kumanovës dhe Yskyb-it. Akoma më tepër janë qëlluar për vdekje në zonën e Prishtinës. Në rrethinat e Yskyb çdo ditë qahet nga një fshat. Fshatrave u vihet zjarri dhe njerëzit dalin nga shtëpitë e tyre për t’iu shmangur tymit të dendur dhe kur dalin qëllohen për vdekje si kafshë të egra”, shkruan gazetari. Fritz Magnussen flet edhe për një pemë të madhe, ku ishin varur shumica e arnautëve shqiptarë. Edhe në kohë të Turqisë kishin ndodhur varje në këtë pemë. “Shumë gjak ka rrjedhur nën këtë pemë në kohët e tmerrshme të sundimit turk”, shkruan gazetari, shkrim të cilin e kishte censuruar gazeta dhe nuk e kishte botuar.
Ai tregon edhe për masakrat që i kishte parë nga udhëtimi i tij prej Shkupit në Prizren. “Demat tërheqin ngadalë qerret e tyre të mëdha të mbingarkuara me familje arnautë të shpërngulur. Gratë, që janë të mbuluara në fytyre, janë ulur midis lloj-lloj sendesh kuzhine, me fëmijët e tyre qe thanin se ftohti dhe të mbështjellë rreth gjoksit me copa te ndryshme. Kasollet vazhdojnë të digjen dhe t’u dalë tym”, shkruan ai.
“Një familje e vogël kërkon një strehë për të kaluar natën nën qerre. Një burrë i vjetër shtrihet i vdekur për toke, gishtat e tij janë ngulur thellë në baltën e rrugës. Gruaja e familjes është ulur e kërrusur dhe dy fëmijët e vegjël me fytyrat e tmerruara shikojnë nga shalli që i mbështillte. Burri i familjes, një arnaut i ri, punon në mënyrë të dëshpëruar për të rregulluar rrotën e shkatërruar”.
Ai tregon se si kishte parë në sheshin e burgut të Prizrenit dy trupa shqiptarësh të vdekur nga sulmet e natës. “Pothuajse e gjithë popullsia e frikuar muhamedane ka ikur nga qyteti. Ku janë arratisur? Pyes një komitac i cili pasi ngre shpatullat - drejton me gisht drejt maleve, ku është rruga për në Gjakovë.
“Në malet e larta ndodhet Gjakova, gjë që sinjalizohet nga disa pika të kuqe mbi male. Dëshmitarë të ndryshëm na thonë shqiptarët e shkretë janë në gatishmëri tërë kohës”, shkruan Magnussen në shkrim e tij të ndaluar. (Fund)

Dhuna solli panikun te shqiptarët

Fritz Magnussen

Lufta e dhunshme serbe ka ngjallur panik te shqiptarët dhe te kryengritësit. Natyrisht që dëshira e udhëheqësve shqiptarë është që nëpërmjet kësaj lufte të realizojnë ëndrrën e tyre për autonomi. Me sa di unë, një diplomaci veç është ngritur në Vjenë për të ndikuar te fuqitë e mëdha për çështjen shqiptare.
Popullata tjetër e ulët shqiptare është shumë e frikësuar nga njoftimet që ata marrin nga familjarë të ikur nga fshatrat. Me siguri pritet të ketë tollovi, këtu në Shkup.
Vetëm me një patrullim në lagjet shqiptare i largojnë tollovitë për ndonjë çast. Udhëheqja serbe nuk e fsheh idenë se çka dëshiron me arritjen e paqes, që të mbetet si plaçkë e Serbisë. Çdo pjesë që është në të majtë të lindjes nga Vranja në jug e Shkupi në lindje. Kufiri i jugut do të jetë pak më në veri nga Manastiri, portën e Durrësit dhe Lezhës të mbeten nën shtetin serb. Mali i Zi të marrë një pjesë të vogël të Tregut të ri të Sanxhakut, si falënderim për ndihmën. Pra, ky duhet të jetë fitimi serbo-bullgar. Pastaj bullgarët duhet të marrin pjesën e madhe të Maqedonisë lindore, kurse grekët do marrin Selanikun dhe Manastirin.
Nga kjo ndarje nuk do të ketë më pjesë tjera, kështu që në këtë mënyrë realizohet Bizanti Bullgar. Mbreti dhe Pashiqi kanë udhëtuar për në Beograd dhe, sipas informatave, flitet se kanë shumë punë të rëndësishme, për çfarë nuk dihet, pasi që nuk ia vlen të pyetet një korrespodent i paautorizuar. Ai që në veten e tij ndërtoi duke ngritur shqiptarin dhe NJERIUN! (Në përkthime nga danishtja dhe sigurimin e materlialeve ndihmuan edhe Besnik Lajqi dhe Evenant Lataj)



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora