E enjte, 25.04.2024, 01:43 PM (GMT+1)

Speciale

Enver Bytyçi: Dimensioni i Ibrahim Rugovës si personalitet ndërkombëtar

E hene, 26.01.2009, 12:30 AM


Enver Bytyçi, Analist
Në përkujtim të tre vjetorit të vdekjes (pesa e V)

Dimensioni i Ibrahim Rugovës si personalitet ndërkombëtar

Nëse do të testonim njohjen në opinionin ndërkombëtar të emrit të Kosovës dhe të emrit të Ibrahim Rugovës, atëherë do të gjenim njëtrajtshmërinë e këtyre dy nocioneve. Në publikun ndërkombëtar e sidomos atë perendimor vetëm Nënë Tereza mbetet personaliteti më i njohur sesa Rugova, vetëm për atë mund të jetë shkruar më shumë sesa për themeluesin e Kosovës moderne e të pavarur.
Po çfarë e kishte shndërruar Presidentin e Kosovës në një personalitet të nderuar dhe të respektuar në botën e qytetëruar? Cila ishte ajo magji, që kishte vepruar tek ky shqiptar i madh të merrte rolin partnerit me udhëheqësit e vendeve më të fuqishme të botës? Pse Ai pritej e përcillej me protokollet e kryetarëve të shtetit në kancelaritë e shteteve të Europës dhe në SHBA?

Nga Enver Bytyçi

1. Filozofia e qasjes ndërkombëtare

Fakti se Ibrahim Rugova pritej e përcillej nga udhëheqësit kryesorë të botës moderne  shënonte njëkohësisht dhe vlerat që Ai kishte realizuar. Kur presidenti amerikan, Bill Klinton, e priste liderin shqiptar në Shtëpinë e Bardhë, kishte promovuar të gjitha protokollet e pritjes së një kryetari shteti, edhe pse Kosova nuk njihej zyrtarisht si shtet. Kur Fransua Mitteran, Gerhart Schröder apo kryeministrat italianë e prisnin në audiencë, gjenin te Ai një partner dhe personalitet karizmatik e të zgjuar të krahasueshëm me udhëheqësit e vendeve të mëdha e të zhvilluara. E njëjta gjë ishte me vizitat në Londër e në vende të tjera. Ndërsa Papa Vojtila e priste plot ngazëllim dhe e përcillte me premtimin se do ta ndihëmonte Kosovën të zinte vendin e saj në shoqërinë e kombvee të civilizuara.
Asnjë udhëheqës shqiptar nuk kishte mundur të ishte kaq imponues, kaq bindës dhe kaq i pranuar në zyrat e kancelarive të shteteve të mëdha që përbëjnë dhe fuqinë e botës. Por Ibrahim Rugova e kishte promovuar këtë aftësi përmes dy rrugëve e mundësive për të arritur qëllimet e tij nacionale: Së pari, Ai kishte imponnuar një filozofi politike të ndryshme nga e kaluara panshqiptare e ballkanike, politikën e lëvizjes paqësore dhe zgjidhjes së problemeve me dialog dhe së dyti, imponimin e opcionit të Tij për statusin e Kosovës. Lëvizja e parë i shërbente edhe kushtit të dytë. Të dyja këto, në ndërthurje dhe në varësi të njëra-tjetrës, do të sillnin qëllimin final-pavarësinë dhe lirinë e vendit. Ibrahim Rugova ishte i pari politikan dhe intelektual shqiptar që kishte kuptuar se problemi i Kosovës dhe çlirimi i saj nga pushtimi, dhuna e terrori serb do të vendoseshin më së pari në ëashington, Bruksel, Vatikan, Londër, Berlin e Paris. Ai e kishte kapur momentin dhe kishte gjetur njëkohësisht çelësin e duhur për të hapur derën e fatit për vendin e tij.
Pa njohjen ndërkombëtare të problemit të Kosovës si rezultat i projektit politiko-filozofik të presidentit legjendar të saj, nuk do të kishte as Rambuje, as 12 qershor 1999 e as 17 shkurt 2008. Veprimtaria aktive e Rugovës në kryeqytetet vendimmarrëse e kishte ngjizur përfundimisht çeshtjen e Kosovës në mendimin politik perendimnor. Kjo ngjizje, të cilën Ai e kishte realizuar me shumë mund, me shumë zgjuarësi dhe shkathtësi, kishte krijuar kushtet që të vinin në skenë ngjarjet e mëvonëshme. Madje dhe suksesi i UÇK-së si dhe delegimi perendimor te ajo, ishin pasojë e kontributit të jashtëzakoshëm të Ibrahim Rugovës në marrëdhëniet ndërkombëtare. Vetë udhëheqësit e sotëm të Prishtinës zyrtare janë produkt i rugovizmit në të gjitha format e tij. Ndaj dhe Rugova një personalitet i papërsëritshëm në jetën politike të shqiptarëve.

2. Miqtë dhe partnerët e Rugovës

Në ndërtimin e politikës me jashtë Presidenti Rugova kishte përpunuar një strategji të qartë dhe largpamëse. Ai është ndoshta personaliteti më i kthjellët në hartimin e principeve në dobi të vendit të tij në këtë drejtim. Formula e Tij për aleancat si dhe për lidhjet dhe bashkëpunimin e Kosovës me vendet e tjera është një testament i pandryshueshëm, e shndërruar gati në një tabu ose dogmë. Eshtë e njohur postulati i Tij: "Miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, bashkëpunim të ngushtë me vendet e Europës, bisedime dhe partneritet me çdo vend të interesuar për paqen dhe stabilitetin në rajon e në Europë".
Ndaj në Shtetet e Bashkuara të Amerikës Ai i kishte pasur të gjitha dyert e hapura. Emisarët, senatorët, kongresmenët, udhëheqësit politikë e diplomatët amerikanë kur vinin në Kosovë mezi prisnin të ndanin me Rugovën pikëpamjet e tyre për lirinë e Kosovës, madje dhe për zgjidhjet e tjera në rajon. Kur Rugova shkonte në ëashington ata bisedonin e këshilloheshin me të, sepse te Ai gjenin shpesh herë thelbin e zgjidhjeve, përveçse frymëzoheshin nga kohezioni, vizioni dhe mendimi krijues i Tij. Presidentët dhe zyrtarët më të lartë të Amerikës demokratike, senatorët dhe kongresmenët jo vetëm e prisnin, por kishin gjetur te Ai frymëzimin e veprimit aktiv në dobi të paqes e në mbrojtje të popullit shqiptar të Kosovës.
Po kështu në Europë Ibrahim Rugova mbante të ngjallur shpresën për evitimin e një katastrofe, të cilën Millosheviçi dhe Serbia e e përgatisnin me ngulm. Europianët, të pafuqishëm pa Amerikën për zgjidhjen e krizave ballkanike, ishin në panik për katastrofën që mund ta sillte qeveria, ustria e policia serbë në Kosovë. Dëshira për të mos ndodhur kjo katastrofë i shtynte ata që ta mbështesnin politikën e Ibrahim Rugovës. Dhe Rugova nga ana e Tij e kishte shfrytëzuar këtë interes europian që t'i impononte asaj opcionin e Tij për ardhmërinë e vendit. Eshtë e vërtetë se europianët opcionin e Rugovës e kanë kundërshtuar deri së voni publikisht. Por nga ana tjetër, ata nuk kishin mundur të sillnin në vëmendje ndonjë opcion më të suksesshëm. Për këtë arësye disa qeveri europiane nga kundërshtare të vendosura të pavcarësisë së Kosovës ishin shndërruar në jo kundërshtarë e më pas në përkrahës të opcionit Rugova.
Në konceptin rugovian aleati kryesor i shqiptarëve ishin dhe do të mbeten Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Miqësia e përhershme me SHBA-në, të cilën ai e predikonte vazhdimisht, përbënte thelbin e politikës dhe diplomacisë së Tij, ndërsa me europianët Ai u soll gjithnjë si një partner i barabart. Kurse kontaktet e Tij me vendet e Lindjes qenë kontakte të rralla me delegacione që vinin në Prishtinë. Asnjëherë në jetën e Tij nuk tendoi të zgjidhte ndonjë problem, qoftë dhe proçedurial me Rusinë, Kinën, Greqinë apo ndonjë vend tjetër lindor. Të gjitha iniciativat ruse e greke për ndërmjetësim në zgjidhjen e problemit t Kosovës Ai i kishte refuzuar pamëdyshje dhe që në fillim kishte përcaktuar qartë se "Çeshtja e Kosovës mund të zgjidhet me bisedime ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës me ndërmjetësinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës".

3. Kundër çdo kompromisi në qëllimin final

Në pranverën e vitit 2001 Ibrahim Rugova kishte vizituar Berlinin. Atë botë në Maqedoni bëhej luftë dhe në takimin me kancelarin gjerman Gerhard Schröder ishte kërkuar që lideri lgjendar i Kosovës t'i dënonte luftëtarët e UÇK-së. Europa ishte e zemëruar me shqiptaët, madje në shumë kryeqytete vlerësonin se "Ishte bërë gabim që NATO kishte intervenuar për çlirimin e shqiptarëve të Kosovës nga sundimi  e dhuna serbe". Shtypi gjerman i asaj kohe ishte shprehur kritik edhe ndaj Rugovës, sepse Ai nuk kishte pranuar ofertën e Kancelarit; Schröder; për ta dënuar luftën çlirimtare të shqiptarëve në Maqedoni. Madje, Rugova me gjakftohtësinë e Tij karakteristike, pasi kishte dëgjuar deri në fund bashkëbiseduesin, kishte lëshuar atë shprehjen brilante të urtësisë popullore: "Do të bëhet mirë zoti Kancelar", kishte thënë, duke vënë buzën në gaz. Kaq kishte thënë dhe me këtë thënie filozofike e kishte kapërcyer dilemën që çdo udhëheqës mund ta kishte në një takim të tillë me një kancelar të shtetit më të fuqishëm europian.
Me siguri që ky qëndrim, i kritikuar ashpër në mediat e asaj kohe në Gjermani, nuk do të vinte në shprehje prej asnjërit prej udhëheqësve politikë shqiptarë. Po pse ndodhte ndryshe atëherë me Ibrahim Rugovën? Këtë qëndrim e shpjegon qartë gazeta gjermane Frankfurter Allgemeine Zeitung e datës 23 janar 206, kur shkruante se "Në një gjë Ibrahim Rugova qëndroi fort: Ai ishte i pakompromis deri në fund sa i përket pavarësisë së Kosovës".
Vendosmëria për të evituar çdo kompromis me principin e lirisë e të pavarësisë së vendit i kishte imponuar Atij dhe përpunimin e një qëndrimi pa kompromis në kontaktet me bashkësinë ndërkombëtare, por me një etikë sa imponuese dhe tunduese për bashkëbiseduesit. Ndërkombëtarët, Fuqitë  Mëdha, e kishin të vështirë të kundërshtonin qëllimet që Rugova u reklamonte atyre, sepse Ai nuk u jepte asnjëherë "argumente" për këtë. Sapo dikush i kujtonte se kjo nuk mund të arrihej, Rugova do të përsëriste si refren, se "Zgjidhja e problemit të Kosovës është vetëm Pavarësia" dhe këtë do ta paraqiste si një kompromis. Më pas do të shtonte se qëllimi i Tij ishte që këtë ta realizonte me mjete paqësore, jo me luftë të armatosur, jo me mjete të dhunëshme. Kur mjetet e dhunëshme ishin në rend dite, Ai gjente formula të përshtatshme për të mos humbur përkrahjen ndërkombëtare. Një ndër formulat ishte ajo që përmendëm më lart. Por të tjera formula tashmë janë të njohuar në rastin e luftës në Kosovë. "Shqiptarët po vetëmbrohen", ishte artikulimi i Tij kryesor atë kohë. Dhe vetëmbrojtja nuk mund të dëohej. Të njëjtën gjë realizoi me mjeshtri në rastin e ngjarjeve të 17-18 Marsit 2004. Ai dinte të merrte përsipër përgjegjësitë për gjithçka që zhvillohej në shoqërinë e Kosovës dhe e shmangte me shumë kujdes pasojën që mund të kishte një sjellje jo e përshtatshme. Ai do të dëgjohej me vëmendje me argumentet që paraqiste në forume të shumta ndërkombëtare, në senatin e Kongresin amerikan, në Këshillin e Europës apo në parlamentin europian. Dhe kurrë ndonjëherë nuk ishte shfaqur ndryshe në Prishtinë e ndryshe jashtë saj, Në çdo rast ishte treguar i vendosur dhe i paepur. Ndaj dhe nëse sot do të përdoret ky model vendosmërie, atëherë Kosova do të ketë të ardhme të ndritur.

4. Nuk kishte dështuar Rugova, kishte dështuar Europa

Megjithatë Bashkësia Ndërkombëtare e kishte injoruar problemin e Kosovës. Ndonëse SHBA-të kishin treguar gatishmërinë e domozdoshme për zgjidhjen e kësaj çeshtjeje delikate ballkanike e europiane, vetë Europa ishte treguar e ngathët, e pa orientuar qartë dhe e pasuksesshme. Për këtë arësye ideja dhe filozofia politike e Ibrahim Rugovës nuk ishte respektuar në praktikë. Konferenca e Dayton-it e vjeshtës së vonë të vitit 1995 e kishte lënë çeshtjen e Kosovës në një aneks, pa i dhënë zgjidhje dhe pa premtuar një perspektivë të qartë. Në këtë Konferencë ishte pjesmarrës dhe delegacioni shqiptar i kryesuar nga Rugova, por jo me të drejtën e shprehjes për ndonjë opcion zgjidhjeje për Kosovën. Amerikanët kishin premtuar se pas Bosnjës do t'i vinte radha Kosovës. Por ky premtim kishte qenë konfidencial, jo zyrtar, jo publik. Kjo do të thoshte se SHBA-të atë kohë nuk gjenin konsensusin e përbashkët me europianët për këtë zgjidhje.
Ndërkaq Rugova kishte vazhduar të isistonte në realizimin e opcioneve që kishte paraqitur që para pesë vitesh. Ai opcionin për pavarësi e kishte shtruar edhe në vitin 1992, kur në Londër ishte mbajtur Konferenca e arë për ish-Jugosllavinë. Duke protestuar për mungesën e Kosovës në atë Konferencë, Ibrahim Rugova u kishte paraqitur kryesuesve të asaj Konference, Oëen dhe Kerrington, një plan prej 10 pikash, i cili do të duhej të merrej në konsideratë për t'i dhënë fund krizës në Kosovë. Thelbin e atij dokumenti e përbënte argumenti se "Kosova kishte të njëjtën të dejtë si edhe ish-republikat jugosllave të vendoste vetë për fatin e saj". Ai kishte paralajmëruar komunitetin ndërkombëtar për pasojat e tmerrshme që do të kishte injorimi i kërkesës së shqiptarëve për vetëvendosje e pavarësi.
Por paralajmërimet e liderit historik shqiptar kishin rënë në vesh të shurdhër. Të gjitha argumentet, që Rugova kishte përdorur për natyrën e regjimit të Beogradit, për planet e Milosheviçit për spastrimin etnik të Kosovës, për përgatitjet e Serbisë për konflikt të dhunshëm në ktë vend etj,u rpovuan më pas si të sakta e të pakundërshrueshme. Megjithatë në Perendim kishte pasur jo pak politikanë, të cilët kishin predikuar formulöën, sipas së cilës "Milosheviçi kishte bërë luftën dhe për këtë arësye vetëm ai mund të bënte paqen". Zgjidhja e Dayton-it i kishte dhënë diktatorit serb kartat e "paqebërësit" dhe fatkeqësisht në krah të tij kishin dalë disa udhëheqës të Tiranës zyrtare, kur Mejdani dhe Nano shpreheshin se "Milosheviçi ka bërë uftën, por ai bën edhe paqen".
Pikërisht kundër këtij koncepti kishte luftuar deri në fund Ibrahim Rugova.  Ai ishte detyruar të bisedonte me "kasapin e Ballkanit" dhe këtë e kishte bërë me ndërhyrjen e ndërkombëtarëve dhe praninë e tyre, qofshin këta dhe përfaqësues të "San Exhidios". Por takimet dhe bisedimet me Beogradin Rugova i kishte bërë për çeshtje anësore dhe jo për çeshtje të statusit të Kosovës. Ai kishte sakrifikuar nga vetja, sepse me këto bisedime të parezultat kishte humbur një pjesë të kredibilitetit të Tij ndër shqiptarët.
E gjithë sjellja e Rugovës me ndërkombëtarët kishte një objektiv: Të sigurohej mbështetja e nevojshme për definimin e lirisë së shqiptarëve. Ndaj dhe ai kishte kombinuar me mjeshtri të jashtëzakonshme trikun e sjelljes taktike me kokfortësinë e llojit shqiptar për t'i qëndruar opcionit final. Të notoje midis këtyre dy rrjedhave, të cilat e kundështonin njëra-tjetrën, do të thoshte të kishe kapacitetet e urtësisë dhe mençurisë hyjnore të Ibrahim Rugovës. Nëse Ai nuk do t'i kishte përdorur këto dy elemente të diplomacisë preventive, atëherë Ai nuk do ta kishte parë kurrë me sy Shtëpinë e Bardhë, Shën Elisenë, Pallatin e qelqtë të Berlinit, apo rezidencat e tjera qeveritare në Londër, Bruksel, Romë e gjetkë. Kjo do të thoshte se këto qendra nuk do të arrinin as në vendimet historike për të sulmuar ushtarakisht Serbinë e për t'i sjellë shqiptarëve lirinë. Nëse opcioni i rezistencës paqësore i Rugovës përfundoi me përshkallëzimin e konfliktit shqiptaro-serb, kjo nuk dëshmonte aspak dobësinë e opcionit të Tij. Ish nënpresidentja e Bundestagut gjerman, Antje Vollmer e ka përcaktuar qartë se bashkësia ndërkombëtare ishte ajo që delegjitimoi  opcionin e Ibrahim Rugovës dhe i kishte dhënë kurajo Milosheviçit në politikën e tij të dhunës. Ajo e shihte angazhimin e Rugovës për një lëvizje paqësore si opcion për të kufizuar mundësitë e përdorimit të dhunës në Kosovë nga ana e Serbisë.

5. Dimensioni europian i nderimit për Rugovën

Suksesi diplomatik dhe opcioni i lirisë dhe pavarësisë së Kosovës përmes një rezistence paqësore të admirueshme e të respektueshme i kishin siguruar Presidentit historik të Kosovës një vend të veçantë nderi në qytetarinë europiane. Çmimet dhe titujt ndërkombëtarë që i janë dhënë Atij përbëjnë vetëm një pjesë të dëshmisë për çka Ai kishte arritur në dobi të paqes, lirisë dhe pavarësisë së vendit të tij.

Çmimet dhe titujt ndërkombëtarë:
- 1995, Çmimi për paqe i Fondacionit Paul Litzer në Danimarkë.
- 1996, Doktor Nderi i Universitetit të Parisit VIII Sorbonë, Francë.
- 1998, Çmimi Saharov i Parlamentit Evropian.
- 1999, Çmimi për paqe i qytetit Mynster (Münster)
- 2000, Çmimi për paqe i Unionit Demokratik të Katalonisë, në Barcelonë, Spanjë.
- 2003 Çmimin Senator Nderi i Evropës.
- 2004 Doktor Nderi i Universitetit të Tiranës.
- Qytetar nderi i Venedikut, Milanos dhe Breshias (Itali).

Ai ishte nderuar nga universitete, qytete, fondacione e unione të shumta europiane me çmime e tituj nderi, të cilat rrallë kush i kishte përfituar. Danimarka, Barcelona, Franca, Milano dhe Breshia (Itali) si dhe universiteti i Tiranës e kishin nderuar atë, duke i dhënë tituj e çmime të tilla. Ndërsa më 1998 Ibrahim Rugova ishte nderuar me Çmimin Saharov të Parlamentit Europian dhe më 2003 me Çmimin Senator Nderi i Europës. Këto dy çmime i kishin dhënë Atij dimensionin e një njeriu të respektuar e të ndëruar në të gjithë kontinentin europian. Kurse Çmimi për Paqe i qytetit gjerman, Münster, të cilin lideri i shquar shqiptar e kishte fituar më 1999, ishte një eviniment i veçantë. Ceremonia e zhvilluar me këtë rast në prezencë të personaliteteve të larta të shtetit gjerman, fjalët nderuese për Ibrahim Rugovën dhe vetë niveli i organizimit, nëse ato një ditë do t'i sillen publikut shqiptar, do të tregonin se në perendim kur flitej për Rugovën, kur nderohej Ai, vlerësohej gati me një shenjtor.
Të gjitha nderimet për Rugovën ishin nderime për Kosovën. Kjo do të thoshte se prestigji dhe autoriteti i padiskutueshëm i Presidentit Rugova e kishte ngritur në një nivel të lartë vetë emrin dhe dinjitetin e Kosovës. Kjo do të thoshte gjithashtu se në opinionin europian gjithnjë e më pak ndiqej e besohej propaganda antishqiptare e shpifjeve, trillimeve dhe rrenave serbe. Kjo do të thoshte se me shterimin e ndikimit të akuzave serbe kundër shqiptarëve do të merrte fund dhe ëndërra e Beogradit për ta mbajtur Kosovën nën sundim. Ky ishte dhe mbetet kontributi më i madh dhe i papërsëritshëm, të cilin udhëheqësi legjendar, Ibrahim Rugova, ka lënë si trashëgim për brezat që do të vijnë. Pa këtë kontribut në marrëdhëniet me bashkësinë e vendeve të civilizuara nuk do të kishte ardhur as unifikimi euro-amerikan për ndërhyrje ushtarake për çlirimin e Kosovës.

E-Mail: eb_shqip@hotmail.com

Në pjesën e VI do të lexoni:
Si i modeloi Ibrahim Rugova marrëdhëniet midis Kosovës dhe Shqipërisë? Cilat ishin pikëpamjet e Tij për bashkimin kombëtar dhe cilat ishin propozimet konkrete për këtë opcion? Pse e kishte kundërshtuar Tirana zyrtare opcionin e Rugovës? Cili ka qenë pozicioni i Rugovës ndaj qeverisjes socialiste në Tiranë dhe si kanë reflektuar këto qëndrime në faktorin politik të Kosovës?

 



(Vota: 5 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora