E marte, 11.08.2020, 08:46 PM (GMT+1)

Komente

Isa Mulaj: Rruga për në FMN dhe qorrsokaku në oborr

E diele, 25.01.2009, 02:41 PM


Rruga për në FMN dhe qorrsokaku në oborr

Nga Isa Mulaj*

Në pranverën e vitit të ardhshëm Kosova pritet të anëtarësohet me të drejta të plota në Fondin Monetar Ndërkombëtar (FMN), dhe menjëherë edhe në Bankën Botërore (BB). Kështu premtojnë udhëheqësit e Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave, dhe Bankës Qendrore të Kosovës. Ata më tutje, pas një vizite për herë të parë si shtet në mbledhjen vjetore të FMN-së dhe BB-së, deklarojnë se procesi i anëtarësimit po ecën sipas planit.  Anëtarësimi i Kosovës do ta ngrit numrin e shteteve në FMN në 186. Vendi i fundit që u anëtarësua ishte Mali i Zi në janar 2007. Këtij shteti të ri iu deshën afër 6 muaj për anëtarësim në FMN prej datës kur u bë anëtar i Kombeve të Bashkuara me 28 qershor 2006. Mirëpo, Mali i Zi ka qenë edhe më herët anëtar i FMN-së si bashkësi me Serbinë, anëtarësimi i të cilëve ishte ripërtrirë në dhjetor të vitit 2000. Për dallim nga Mali i Zi i cili edhe në të kaluarën ka pasur një vazhdimësi të prezencës ose anëtarsimit që tani duhej ta restauronte si shtet i pavarur, Kosova nuk ka qenë prezente dhe nuk ka pasur qasje në FMN prej kohës kur filloj shpërbërja e ish-Jugosllavisë. Për më tepër, anëtarësimi i shtetit të Kosovës ka më shumë sfida se i Malit të Zi meqenëse i dyti ishte pranuar në OKB vetëm 25 ditë pasi e kishte shpallur pavarësinë me 3 qershor 2006.

Rëndësia e anëtarësimit në FMN dhe sfidat

Siç dihet, me Planin e Atisarit Kosovës nuk i është garantuar ulësja në OKB dhe ky hendikep e bënë rrugën dhe procesin e anëtarësimit në FMN më të gjatë. Megjithatë, anëtarësimi në FMN dhe institucione tjera financiare ndërkombëtare (këtë e garanton edhe Plani i Atisarit) krahas njohjeve të pavarësisë si shtet i pavarur që vazhdojnë, shtojnë gjasat edhe për sigurimin e ulëses në OKB që do të ndodhë në të ardhmen. Që të arrihet ky cak, shteti së pari duhet të jetë i përkushtuar ta forcoj veten nga brenda. Për shtetin e Kosovës, më problem është të ndërtohen kapacitetet e brendshme organizative dhe funksionale shtetërore se sa të jetë prezent me ambasadorë në Bruksel dhe Uashinton, dhe përfaqësues në FMN dhe BB. Qasja dhe politika e Brukselit dhe Uashingtonit ndaj Kosovës është e njohur dhe nuk mund të bëhet fjalë për qasjen në drejtim të kundërt siç është e shumicës së shteteve të pavarura. FMN-ja dhe BB-ja nuk mërziten shumë dhe nuk u bënë përshtypje aspak se kush do të jetë përfaqësues i Kosovës në këto institucione dhe çka flasin.  Ato më tepër janë të interesuara që institucionet e Kosovës të jenë në gjendje t’i bëjnë disa gjëra të domosdoshme brenda shtetit vet siç janë standardet dhe sistemet e shpërndarjes së të dhënave ekonomike dhe financiare. Deri më sot, shumica e këtyre të dhënave për Kosovën, sidomos ato makroekonomike janë bërë nga FMN-ja dhe BB-ja ose me ndihmën e tyre (raportet e matjes së nivelit të varfërisë, përllogaritjet e bruto produktit vendor, etj.).
Në vend se t’i jep publicitet të madh këtij anëtarësimi promovim pak a shumë politik, Qeveria me tepër do të ishte e brengosur dhe e përkushtuar për sfidën qe e pret për anëtarësim(e), e të bëjë më pak marketing se anëtarësimi do të ndodhë në pranverë, se çdo gjë po ec sipas planit dhe është punë e kryer që do të sjellë zhvillim të qëndrueshëm ekonomik për Kosovën. Institucioneve të Kosovës do t’iu duhet të përgatisin ose grumbullojnë statistikat ekonomike për një periudhë prej një çerek shekulli ose gjatë 25 viteve të fundit. Këtu vështirësitë nuk janë të vogla. Kemi jo pak probleme me përllogaritje dhe statistika edhe në ditët e sotme, e lërë më në të kaluarën. Mandej, është e vërtetë se Kosova do të përfitoj nga anëtarisimi në këty dy dhe institucione tjera ndërkombëtare, por mjetet e tyre nuk janë donacione – ato duhet kthyer, dhe kërkesa për më shumë fonde mvaret nga ftësia për t’i kthyer ato .

Pritjet për zhvillim ekonomik nga anëtarësimi në FMN dhe BB

Shumicës me siguri i kujtohet kur krahas statusit të pazgjidhur politik, mungesa e qasjes së Kosovës në fondet e institucioneve financiare ndërkombëtare përmendej si pengesë kryesore e zhvillimit ekonomik. Statusi politik është zgjidhur dhe përshtypjet e para deri në këtë periudhë janë se gjendja e përgjithshme ekonomike nëse nuk ka mbetur përafërsisht e ngjashme, së paku është përkeqësuar. Edhe konferenca e donatorëve është vlerësuar si tregim i suksesshëm, kuptohet si konferencë dhe premtimet që u dhanë në të. Retorikë e ngjashme po na shërbehet edhe me anëtarësimin në FMN dhe BB, dhe kjo shumë kohë para se të ndodhë. Nuk duhet harruar se ka shumë shtete që janë anëtarë të këtyre organizatava ndërkombëtare për dekada, dhe përkundër qasjes në fonde, kanë mbetur vende të pazhvilluara dhe janë zhytur në borxhe dhe varfëri. 
Kosova (Qeveria) së pari le ta gjëjë rrugën në oborr që i ka humbur dhe le të mburret me përparimet reale që do t’i bënte brenda. Disa politika që janë duke u zbatuar në vend nuk janë në përputhje me rekomandimet e FMN-së dhe BB-së. Kështu për shembull, Qeveria pa arsye ka refuzuar rekomandimin e FMN-së për ta zbritur tatimin në të hyrat e korporatave (THK) prej 20 përqind në 15 përqind, por ka shkuar në zbritje edhe më të madhe ose përgjysmin në 10 përqind. Në të njëjtën kohë, Qeveria miratoj rritjen prej 6.7 përqind (nga 15 përqind në 16 përqind) të tatimit mbi vlerën e shtuar (TVSH), që është tatim kryesisht në konsum. Ani pse TVSH-ja në disa vende të rajonit është më e lartë, për shmebull në Shqipëri është 20 përqind, me këto ndryshime që do të hyjnë në fuqi prej janarit 2009 (një stinë para anëtarësimit në FMN dhe BB), Qeveria e Kosovës synon të thellojë edhe më shumë diferencën ndërmjet të pasurve pakicë në kurriz të të varfërve shumicë duke i bërë këta të fundit edhe më të varfër, dhe eventualisht rritjen e numrit të tyre. Kjo është në kundërshtim me njërin prej objektivave kryesore të mileniumit, atë për zhdukjen e varfërisë së skajshme deri më 2015, dhe misionin e BB-së i cili thotë: “ëndrra jonë është një botë pa varfëri”. A iu kujtohet se sa zhurma (propagandë!) është duke u bërë nepër media për këto objektiva? Bile edhe po u jepin shpërblime gazetarëve se kush po e shkruan ngjarjen/tregimin (mediat po i thonë “storie”) më të mirë për varfërinë. Merre me mend çfarë ironie; me politika ekonomike në terren krijohet varfëria, në politikë këto politika kamuflohen si suksese, ndërsa në media raportimi i gjendjes së mjerë në terren shpërblehet. Tërë këto eksperimente propaganduese duke filluar nga statusi politik, konferenca e donatorëve, anëtarësimi në FMN dhe BB, objektivat e mileniumit, sistemi i rrokatur tatimor, duket se do të vazhdojnë edhe në sfera tjera për t’u krekosur. Kemi edhe shumë punë për të bërë në këtë drejtim. Na ka mbetur edhe nënshkrimi i protokollit të Kiotos dhe traktatit për mos përhapjen e armëve bërthamore! Edhe këtu nuk do të kemi vështirësi. Të gjitha sfidat janë në qorrsokakun në oborr deri sa ta gjëjmë rrugën.

*Hulumtues i lartë dhe kordinator për Kosovë i Institutit për Studime dhe Analiza të Politikave Ekonomike



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:

Video

Entela Binjaku: Denonconi dhunen kunder gruas


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora