E premte, 19.04.2024, 05:50 PM (GMT+1)

Kulturë

Intervistë me shkrimtaren dhe gazetaren Arjana Loçe

E diele, 25.01.2009, 09:40 PM


Arjana Loçe
Arjana Loçe
Znj. Arjana. Ju lutem një prezantim për revistën tonë? 

Kam ardhur në jetë në muajin që realisht do të doja të vija, në muajin maj të vitit 1986, në një familje me tradita të vërteta shqiptare që më ka rritur me shumë dashuri dhe përkujdesje. Fëmijëria ime ka qenë mjaft e bukur dhe që atëherë, mbaj mend që ëndërroja të bëhesha gazetare. Një vogëlushe çapkëne, me dëshirë të papërmbajtshme për të folur. Mbarova Shkollën e Mesme të Përgjithshme në qytetin e Kuçovës aty ku edhe linda dhe më pas ndoqa studimet e larta në degën e gazetarisë, pranë fakultetit Histori-Filologji në Tiranë. Lexoja shumë dhe më pëlqente jashtëzakonisht të shkruaja. Gjatë periudhës së shkollës angazhohesha përherë me shkrime të ndryshme në gazeta dhe ndodhi që të më jepej mundësia të provoja edhe radion. Mu duk emocioni më i ëmbël që kisha provuar në jetë deri atëherë. Pastaj shumë gjëra rrodhën e vazhdojnë të rrjedhin ...ashtu siç ndodh me lumin e jetës.

- Arjana, kur keni filluar të merreni me krijimtari letrare?

Ngacmimi i parë që mora për të shkruar, daton në vitin 1997 dhe fatkeqësisht lidhet me tragjedinë më të madhe që përjetoi atë vit Shqipëria, me tragjedinë e Otrantos. Atëherë isha vetëm 11 vjeç dhe mbaj mend që shkrova një poezi për të cilën në konkursin letraro-artistik të shkollës më vlerësuan me çmimin e parë. Nuk mund të them se ishte i vetmi, por ky çmim pati peshën e vetë inkurajuese për të hedhur hapat e tjerë drejt rrugës së krijimtarisë.   

- Çfarë ju inspiron të krijoni poezinë apo ndonjë zhanër tjetër artistik?

Në të vërtetë, krijimi është një ndjesi tejet e brendshme. Hera-herës duket sikur ngacmimin e merr nga jashtë, por në të vërtetë dëshira dhe nevoja për të shkruar, për gjykimin tim, është ekstremisht e brendshme. Në një moment të tillë kërkon që asgjë të mos ekzistojë, ti ke një ide që dëshiron me patjetër ta kthesh në diçka që të mbetet, dhe ia beson letrës, apo kompjuterit në kohët moderne. Megjithatë, për një poet të ri, letra është gjithmonë më e rekomandueshme. Poezitë e mia në pjesën më të madhe të tyre, kanë lindur si rrjedhojë e një eksperience të jetuar, e një ngacmimi apo e një ndjenje të provuar në një moment të caktuar dhe mendoj se poezi të lindura në kushte të tilla, e përçojnë edhe tek lexuesi emocionin që kanë marrë në momentin e krijimit. Çdo gjë që ndjej më inspiron.

- Përveç krijimtarisë poetike a e keni provuar veten edhe në ndonjë zhanër tjetër artistik?

Përpiqem që çdo gjë që bëj ta ngre në art, çdo gjë.

- Krahas krijimtarisë letrare ju merreni edhe me gazetari, sa reflektohet kjo edhe te njëra edhe te tjetra?

Unë i shoh si pjesë plotësuese të njëra-tjetrës, e para profesion, e dyta pasion. Profesionin e ushtroj me aq kënaqësi sa më lejon ta quaj edhe pasion. Ndërkohë, unë drejtoi një program radiofonik “Pena dhe zëra të dashurisë”, në Super Star Radio, në frekuencat 98.7 Mhz, një program i mbushur me interpretimin e poezive dhe transmetimin e muzikës më të bukur shqiptare, kushtuar dashurisë. Jam përpjekur të gjej diçka që bashkon profesion-pasionin tim në një. 

- Gjatë leximit të krijimtarisë suaj më ka rënë në sy një poezi kushtuar “Gruas”. Sipas jush cilat janë pozitat e gruas në shoqërinë tonë?

Personalisht mendoj se femra në përgjithësi dhe ajo shqiptare në veçanti, është emancipuar jashtëzakonisht kohët e fundit dhe ky është një tregues mjaft i mirë. Ndjej keqardhje të thellë kur dëgjoj në ditët e sotme që gruaja dhunohet fizikisht, përdhunohet, përbuzet apo i mohoen të drejta themelore, mashtrohet apo përdoret për qëllime përfitimi. Ditën që bota do ta kuptoj realisht vlerën e gruas, si forca ripërtëritëse e jetës, kam përshtypjen që do të dalë një diell që nuk do të perëndoj as natën. Pra, mendoj se gjithçka do të jetë ndryshe.  

- Sa vëllime poetike keni botuar deri tani dhe me çfarë jeni duke u marrë aktualisht në fushën e letërsisë?

Vëllimin e parë poetik “Poezia e zemrës” e kam botuar në moshën 18 vjeçare dhe si diçka të veçantë, kujtoj promovimin e tij në mbrëmjen time të maturës. Jam në proces pune për botimin e një libri të dytë me poezi. Në dorëshkrimet e mia kam edhe romanin
“ Sa zgjat një përqafim”, por që mendoj se  ka ende diçka më shumë për t’u bërë. 

- Çfarë mund të na thoni për Luginën e Preshevës?

E njoh vetëm nga ana gjeografike këtë zonë dhe di që përfshin në brendësi Preshevën, Bujanocin dhe Medvegjenë në mos gaboj. Me një natyrë të mrekullueshme ku rrjedh lumi i Moravës dhe Vardarit e me male të lartë si karakteri i shqiptarëve. Do kisha shumë dëshirë ta vizitoja nga afër, për të njohur krahas natyrës dhe ata që realisht mendoj se i japin vlerë, njerëzit.

- Sa rëndësi po i kushtohet librit pas këtij vrulli të teknologjisë informative?

Mendoj se ata që janë lexues të  mirëfilltë dhe që kanë etje të vazhdueshme për kulturë, mbeten dashamirës të librit në çdo kohë, pasi atë kënaqësi që ta fal libri kur e shfleton nëpër duar dhe hyn në botën e tij, nuk ta fal, as leximi në internet, as mjetet e tjera informative. Libri është unik në llojin e vetë.

- Arjana, çfarë do t’i sugjeronit të rinjve e veçanërisht penave të reja të letërsisë artistike?

Duke qenë se më duhet t`i jap një mesazh gjeneratës së cilës i përkas edhe vetë, them se të gjithë së bashku, duhet të japim kontributin tonë sado të vogël me më të mirën që dimë të bëjmë, në emër të asaj që do të na shërbejë po ne, në një të ardhme. Nëse japim sot diçka të mirë për të, me siguri po diçka të mirë do të na kthejë edhe ajo nesër. Krijuesve të rinj do të doja t’u thoja se krijimtaria është e shenjtë, ajo sikurse thotë shkrimtari i madh Dritëro Agolli është përjetësi dhe si e tillë nuk duhet braktisur dhe duhet trajtuar me seriozitetin që meriton. 

- Cili është mesazhi juaj për revistën “Perspektiva”

Vetë titulli i kësaj reviste flet shumë...
Të trajtosh diçka në perspektivë, dhe të trajtosh ata elementë që nesër mund të jenë e ardhmja e mirë në një fushe si letërsia, apo diçka tjetër, jo vetëm që është një punë dinjitoze, por është edhe mjaft inkurajuese. Këtë e bëjnë vetëm ata njerëz që janë vizionarë. Sinqerisht uroj suksese dhe ju falënderoj që i shtrini krahët tuaj në gjithë hapësirat shqiptare, ku flitet e njëjta gjuhë e derdhet i njëjti gjak, ku gëzimet ashtu sikurse edhe hidhërimet nuk ndahen asnjëherë nga kufijtë administrativë.

Intervistoi: Arsim Halili
Botuar në Revistën “Perspektiva

POEZI NGA LIBRI: POEZIA E ZEMRES
AUTORIA: ARJANA LOÇE
(KORRIK 2004)

TË KËRKOJ

Një perëndim i gjakosur dielli
ra mbi qiellin blu,
dhe të kërkova gjatë këto netë,
kur këmbët ecnin kuturu.

Nëpër asfalte rrugës pashë,
si nxinte, vrenjtej, qielli blu,
Të kërkova nëpër rrugë
dhe pashë nuk di se ku.

Njollat e murrme të hënës
shikimin ma pengonin,
e unë s`u ndava asnjë çast,
këmbët s`më ndalonin.

Nga pas më ndiqte hëna
dhe unë si endacak,
kërkoja e thërrisja
të kisha pranë ty prapë.

Një endacak i gjorë veç mbeta,
që renda netëve pa pushim,
kur hëna në qiell më shkruante:
Ti ndjek një dashuri pa kthim.

MË BRAKTISE

Ti braktise dy sy
të qeshur si dielli,
ti ike larg
sa larg është qielli.
Pambarimisht larg…
Pas le lotin,
sytë e mi,
që si hije do të ndjekin,
Ndodh në jetë dhe e kupton,
fatin se s`fidon as mbreti.

VALSI I YJEVE (LASGUSHIANE)

Një llampë e ndezur atje tej,
errësirë, heshtje varri,
tinguj pianoje më vijnë,
qielli ndez yjet si zjarri.

Flakë e tyre kësaj nate
do të bier mbi qytet,
do t`kërcejnë yjet nën ritmin
e një pianoje të qete.

Notat sot po zgjojnë qytetin,
yjet valësin po vallëzojnë,
shih tani të gjithë banorët
në dritare do të qëndrojnë.

Ndoshta yjet këtë natë
në errësirën e padukshme,
do ta zgjojnë qytetin prapë
si në netët e dikurshme.

Kur brenda shpirtit tinguj kishte,
Tinguj edhe dashuri.
Ndërsa sonte vetëm ndarje,
vetëm ndarje dhe vetmi.

Kur shoh yjet në dritare,
se si valsin marrin lehtë,
lot më bien përmbi faqe,
s`është si balloja kjo jetë.

Ato janë kaq shumë ndryshe
dhe kaq larg për t`u prekur,
sa me yjet këtë natë
shpirti im ka për t`u djegur.

Ja banorët në dritare,
janë murrosur nga zilia,
yjet qeshin krah për krah
dhe në qiell ngrihet dollia.

Po në sofrat tona vallë,
ku janë gotat kësaj nate?!
Me vetminë do t`ngre dolli,
bota qenka, fate-fate. 

ABSTRAKSION

Pikturë abstrakte,
brenda telajove ngjyrë gri.
Aty ku ndodhem unë.
Aty ku humbe ti.
Herë pikturë me ngjyra,
e herë bardh e zi,
në kornizë e zhveshur jeta,
abstraksion ngjyrë gri.

Ç`ËSHTË DASHURIA?

Një kërkim drejt infinitit,
ku kurrë zemra nuk do t`ndalë,
në kërkim të meteorit,
aq të ndritshëm, të paparë. 

NJË SHËN VALENTIN PA TY

Ky Shën Valentin s`kalohet
larg prej tej, po përse…
sot që t`gjithë i ngrohën puthjet
krejt të vetme ti më le?!

Thuamë ti, hënë e kësaj nate
dhe ti erë kaq e ftohtë,
për dashurinë e parë që pate,
vallë a derdhe kaq shumë lot?!

Hëna humbi krejt papritur
dhe një shi u derdh mbi mua,
zëri i tij tronditi qiej,
shiu-hënës i tha: Të dua.

Ishte katërmbedhjetë shkurti,
Dita e të dashuruarve
Larg, shumë larg qëndroja unë
Shiu-hënën larg e puthte.

NATË JANARI

(Baladë për tragjedinë e 9-Janarit)

Ish një natë e ftohtë Janari,
nxinte qielli krejt,
ish një natë e ftohtë dimri
kur ranë yjet përmbi det.

Ishin zëra të pafajshëm, 
ulërinte qielli i zi,
ishin lotë të përmallshëm
do të shkojmë në Itali.

Klithma larg në arrati,
në mes detit me stuhi,
ku jam unë e ku je ti
unë po vdes, ja tek po ngri.

Unë po vdes, ti më ndihmo,
jam mes detit që s`më do,
jam i ri, mos më harro,
eja shpejt, vetëm nxito.

Deti u bë bishë atëherë
dhe me hënën pinin verë,
fshehur në ndonjë tavernë,
pinin gjak e s`pinin verë.

Një shami u ndez mbi det,
zjarri i saj seç dogji retë,
trupin tim e dogja krejt,
për të thënë se jam mbi det.

Ndërsa ti flije i qetë,
vendi im në këto netë,
vendi im me netë të ftohta,
më përcolle vetë te porta.

Ja, një yll seç ra mbi det,
ish i pari që u tret,
gjithë shkëlqimi iu venit,
ja, u shua dhe një dritë.

Yjet një nga një u shuan.
Edhe nënat rëndë mallkuan,
s`do të ketë më yj` këto netë,
ata ranë të gjithë mbi det.

Vendi im me netë të ftohta
edhe fjalët janë të kota,
yjet s`kthehen më në jetë,
dritë e tyre, ra mbi det.

BUZËQESH TRISHTIMI

Ti buzëqesh,
e ca lotë mes buzëve të bien ngadalë.
Mbi gjunjtë e tu zbresin pastaj
dhe unë, se di…
Buzëqesh ti,
a buzëqesh trishtimi vallë?!

PËR TY

Vdes dhe ngjallem,
veç për ty
fle dhe zgjohen,
për dy sy,
pi dhe dehem për të dy.
Kur rilind,
rilind për ty,
që të dua përgjithmonë…
Dhe kur të vdes,
të thonë jeton.      

TI BOTË MË FLAK TEJ

Bota është vërtetë e madhe,
veç pa fytyrë, pa trup, pa kokë  
dhe me mendjemadhësi,
veten na e quan botë.

Botë e fëlliqur,
e trazuar sa më s`ka,
botë e braktisur, e thyer,
plot me dhembje të mëdha.

Botë që s`vlen asgjë për mua,
më flakë tej me kaq dëshirë
dhe unë që ngaherë të dua,
pres e heshtur tradhtinë.

Ti botë tradhtare,e pafytyrë,
që s`flet asnjë fjalë,
ti botë kaq e ndyrë,
që s`thua kurrë më fal.

Botë që lëndon, lëndomë atëherë,
urrëmë ashtu si të urreva,
heshturazi më flak tej,
si pluhur të më marrë era.

REALITETIT

Jetojmë një realitet të çmendur,
një botë të braktisur jetojmë.
Ndiejmë se duam që të ndiejmë
dhe gjithçka që ndiejmë mohojmë.

Ky realiztet sjell trishtim,
kështu kalojnë ditët pa fund,
çdo gjë mbuluar në harrim,
djepi ëndrra më s`përkund.

Ëndrra që s`mund te ndriçojnë
si një qytet në errësirë,
ëndrra që  mbetne veç vegime
në këtë qiell kaq të nxirrë.

Kush ia fshehu diellin ëndrrave?
Kush i dogji në përkundje?
Kush s`jeton me realitetin,
nisje pafund , drejt e në zhdukje?   

Ëndrrat tona u përlotën
karvaneve pa fund,
realiteti i dogji ëndrrat
Djepi ëndrra më s`përkund. 

VIJ TEK TI

Kërkoj të prek largësinë
e të vij tek ti,
mbi krah engjëjsh fluturim
ku nga malli loti ndrin.

Loti ndrin unë në dritare,
pas xhamit vij e pres,
të lutem paksa dritën hape
se nga malli seç po vdes.

Hëna gjithë shkëlqim afrohet,
mbi dhomën tënde nis bën dritë.
Fytyrën tënde unë po shoh,
në xham rrëshkiti loti im.

Po ky loti po m`verbon
dhe të shoh nuk po më le,
ja më duket se u ngrite,
hënën e mbuluan re.

Në xham trokiti loti im
dhe si shiu ra pastaj,
shiu binte pa pushim,
shiu i lotëve të pafaj.

Në dritare sytë e mi
edhe buzët aty janë
Pas dritares sytë e tu,
edhe xhami që na ndan.

MBETI LARG

Tragetët u nisën asaj nate
kur në brigje dhimbja
i përcillte gjer larg.
Kur humbisnin përmes errësirës,
me forcë përplaste deti dallgë.

Hëna mbi det e ndiqte tragetin
e fytyrën e saj shihte,
në pasqyrën e zezë atë mesnatë.
I vinte keq për djalin
që kish marrë rrugën e gjatë

Gjithçka tashmë mbeti larg,
Mbi breg, përplaste deti dallgë. 



(Vota: 6 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora