E enjte, 28.03.2024, 08:36 PM (GMT)

Speciale

Enver Bytyçi: Babai i Kombit

E shtune, 24.01.2009, 11:30 PM


Enver Bytyçi, Analist
Në përkujtim të tre vjetorit të vdekjes së Ibrahim Rugovës (pjesa e IV)
 
Babai i Kombit
 
Nga
Enver Bytyçi
 
Gazeta më e njohur gjermane "Frankfurter Allgemeiner Zeitung" e datës 23 janar 2006 botonte një artikull kushtuar Rugovës, të titulluar "Vater der Nation". Ky titull i atyre ditëve, bashkë me titujt e tjerë si "Gandhi i Pristinës" ose "Gandhi i Ballkanit", kishin mbushur faqet e gazetave, revstave si dhe ekranet e televizioneve në Perendim.
 
1. Ibrahim Rugova për Kosovën si Xhorxh Uashington për Amerikën

 
Është i hidhur fakti që ka shqiptarë, të cilët i xhelozon edhe tash pas vdekjes, fakti që Heroi Rugova ka marrë këtë emër të madh të pashkruar në dekrete. Në fakt Rugova asnjëherë nuk kishte dhënë ndonjë shenjë sado të vogël, se e pretendonte titullin "Babi i Kombit". Ishin të tjerë ata që ishin vetshpallur si "baballarë të kombit". Ndoshta kjo është arësyeja pse është parë dhe shihet me cmirë e xhelozi formula e pagëzimit të Rugovës si "baba i kombit".
Po cilët janë ato arritje të mëdha, të cilat i kanë dhënë presidentit historik të Kosovës këtë emër? Cilat janë ato ngjarje që e lartësuan figurën e tij deri në majën piramidës nacionale? Çfarë faktorësh politiko-shoqërorë e formojnë aureolën e tillë? Sigursht që edhe ananlizat e hollësishme nuk do ta shteronin përgjigjen ndaj këtyre pyetjeve.
Më lart përmenda se emërtimin për Rugoën si "Babai i Kombit" e kanë lansuar më së pari autorë të huaj, studiues të politikës, komentatorë me famë, analistë dhe reporterë të shquar perendimorë në Gjermani, në SHBA, Angli, Francë, Itali e gjetkë. Pra, kjo nuk është as gjetje e imja, as e Sabri Hamitit, i cili e kishte lansuar dhjetorin e kaluar në ditëlindjen e heroit.
Një personalitet mund ta meritojë këtë "medalje" vetëm për arësye madhore, nëse Ai ka zhvilluar një doktrinë, një filozofi dhe veprimtari të llojit të veçantë e të sukseshme si asnjëherë më parë në historinë e atij kombi. Ibrahim Rugova i përket kësaj pakice të rracës njerëzore në globin tokësor dhe vjen në një radhë me themeluesin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Xhorxh ëashington. Prandaj dhe mund të besohet se do të gjenden njerëz të urtë e të devotshëm, të cilët Ibrahim Rugovën do ta nderojnë në atë masë sa kryeqytetit të Kosovës t'ia japin emrin e Tij. Një opcion i tillë është i justifikueshëm po të analizohen thëllë strategjia nacionale e Rugovës dhe realizimi i kësaj strategjie për sendërtimin e shtetit të pavarur, të lirë e demokratik të Kosovës.
 
2. Fenomeni Rugova dhe strategjia nacionale e Tij.
 
Kur Rugova erdhi në skenën politike Ai veproi në kushtet, të cilat i gjeti në Kosovë dhe përpunoi strategjinë e taktikat e veprimtarisë së Tij. Si strategji të pakompromis Ai kishte përcaktuar arritjen e pavarësisë së Kosovës, çlirimin e shqiptarëve prej terrorit e pushtimit serb si dhe zhvillimin demokratik të vendit. Rugova kishte tentuar edhe realizimin e opcionit të bashkimit nacional të shqiptarëve në një shtet të vetëm. Por nuk kishte gjetur mbështetje. Prandaj iu përkushtua opcionit të pavarësisë, lirisë dhe sistemit demokratik në Kosovë.
Për këtë strategji Rugova shfrytëzoi ato mjete dhe mekanizma që ishte e mundëshme të shfrytëzoheshin. Më 2 korrik 1990, atëherë kur fati i Jugosllavis ende nuk dihej, Rugova inspiroi parlamentin legjitim të Kosovës që të shpallte pavarësinë e vendit. Ata deputetë, të cilët nuk kishin mundur t'i rezistonin tankeve të Milosheviçit dhe në marsin e vitit 1989 kishin votuar "ndryshimet kushtetuese", me frymëzimin e projektin e Rugovës shpallën Kosovën e pavarur, të lirë, sovrane e demokratike.
Po këta deputetë të zgjedhur në mënyrë legale ishin mbledhur më 7 shtator 1990 në ilegalitet në Kaçanik dhe kishin votuar projektin e Ibrahim Rugovës për Kushtetutën e parë të vendit. Ajo kushtetutë ishte produkt e idesë së Rugovës dhe konkretizim i akademikëve të mëdhenj të formatit të Gazmend Zajmit. Historianët, studiuesit, shkenctarët e së drejtës, kur të merren me studimin e këtyre dy ngjarjeve, do ta kenë të vështirë të pranojnë se pavarësia e Kosovës nuk është shpallur me 2 korrik 1990 dhe se kushtetuta e parë e Kosovës nuk është ajo e Kaçanikut. Ndërsa sa i përket vizionit politik të sintetizuar në Kushtetutën e 7 shtatorit, mund të pohoj me plot bindje se ai vizion ka qenë më i kthjellët dhe më i qartë para 18 vitesh.
Ka nga ata liderë me famë botërore që kanë bërë emër për përkushtimin ndaj pavarësisë së vendit të tyre. Ka të tjerë, të cilët kanë trashëguar një vend të pavarur dhe kanë luftuar për lirinë e demokratizimin e tij. Pak liderë në botë i përkasin formatit të Ibrahim Rugovës, që të kenë mundur t'i kombinojnë aq bindshëm e me sukses principet e pavarësisë, të lirisë dhe të demokracisë së vendit të tij. Ndoshta kjo shpjegon më mirë dhe alternativën e rezistencës paqësore që Ai pati predikuar. Vetëm një personalitet si Ai dhe që beson te njerëzorja, te paqja dhe e mira, mund të sillte në skenë koncepte kaq të përparuara politike.
Kur Ibrahim Rugova vuri themelet e shtetit të Kosovësqë më 2 korrik e më 7 shtator 1990 e dinte se vendi ishte i pushtuar. Prandaj Ai ndërtoi shtetin paralel, mbështetur në ato dy dokumente themelore të tij. Kurrë ndonjëherë në historinë e shqiptarëve, por edhe në historinë e popujve të tjerë nuk kishte ndodhur një fenomen i tillë, i emërtuar si "Fenomeni Rugova". Historia do ta shënojë si një risi më vete faktin që vlerat e 2 dhe 7 korrikut janë mbrojtur me një fanatizëm të jashtëzakonshëm për gati dy dekada nga njeriu që i kishte ideuar, projektuar dhe realizuar ato ngjarje. Kanë ndodhur shumë raste kur është derdhur gjak, shumë gjak për lirinë e në emër të saj dhe pikërisht udhëheqësit e luftrave të përgjakshme kanë bërë në fund kompromise me lirinë e përgjakur. Ibrahim Rugova është fenomen i veçantë në procesin historik, sepse i qëndroi deri në fund të jetës ideve, projekteve dhe vizioneve që kishte ndërtuar për popullin e vendin e tij, pa bërë asnjë kompromis parimor, pa u ligshtuar edhe para atyre që i bënin presione të gjithanshme për të heq dorë nga principet që Ai kishte shpallur. Ai e urrente vdekjen e bashkkombasve të Tij dhe njëkohësisht përkushtohej me gjithçka kishte për lirinë e tyre. 
 
3. Arkitekti i shtetit të pavarur, të lirë e demokratik
 
"Babi i Kombit", Ibrahim Rugova, e kishte sendërtuar shtetin e pavarur çdo ditë, çdo javë, çdo kohë. Ai kishte ndërtuar institucionet e shtetit, parlamentin, institucionin e presidentit, qeverinë. Ai ndërtoi një sistem paralel arësimimi e taksash, një sistem të vetin shëndetësor. Ai, si me magji, i largoi, i izoloi, i shmangu të gjitha kontaktet me regjimin pushtues serb. Ai veproi si lider i një vendi në pushtim, si udhëheqës i një shteti në kushtet e një sistemi kolonial. Ai nuk kishte ushtri, nuk kishte polici, gjyqe e prokurori, mjete, të cilat i ka çdo shtet normal. Por jo për fajin e tij, edhe pse disa hije vazhdojnë ta fajësojnë. Në një vend të pushtuar e në një koloni nuk do të kishte mundur askush tjetër të bënte më shumë se sa ka bërë Rugova. Secili mund të bëjë aventura për faktin se është lehtë të jesh aventurier, por aventura që sakrifikon një komb është më shumë se papërgjegjësi. Prandaj dhe Ibrahim Rugova i urrente aventurat. Rugova nuk ndërtoi vetëm një jetë paralele në vend. Ai ndërtoi të parën strukturë politiko-shoqërore e shtetërore postkomuniste në Kosovë e një ndër të parat në shoqëritë lindore totalitare të asaj kohe.
Të udhëhiqje dy milion qytetarë me forcën e moralit politik dhe filozofinë e shtetit paralel, t'i disiplinojë këta qytetarë në kërkesat politike dhe lëvizjet protestuese për liri e pavarësi, të drejtoje jetën e një kombi me forcën e ideve dhe jo me forcën e ndonjë ligji përkatës si dhe mjeteve të dhunës, të garantoje ekzistencën fizike, materiale dhe shpirtërore të një kombi, pa patur asnjë instrument fuqie pushtetore, për optimistët më të mëdhenj të globit do të ishte një utopi, për skenaristët e filmave hollivudianë do të ishte thjesht një burim fantazie. Megjithatë, Ibrahim Rugova ia kishte arritur që ëndërrat, iluzionet, utopitë e fantazitë t'i kthente në një realitet praktik, përpara të cilit ishin fascinuar elitat politike, shkencore e intelektuale kudo në botë. Shtatëmbëdhjetë vite radhazi Ai i dëshmoi kombit shqiptar si dhe botës përparimtare se gjendet një copë territor në zemër të Ballkanit, ku mund të aspirohet e luftohet për drejtësi, shtet të pavarur, liri e demokraci me mjete jo të dhunëshme. Për gati dy dekada radhazi Ai luftoi dhe shpartalloi me vizionin e Tij idenë e ngulitur thellë në botën Perendimore, sipas së cilës "shqiptarët nuk mund të ndërtojnë shtet të pavarur", ide, e cila është rigjallëruar në kohët e sotme. Miqtë e Kosovës gjenin në këtë strategji rugoviane pikën e Arkimedit për të qenë në krah të lirisë së shqiptarëve, armiqtë e Kosovës nuk kishin më "argumente" për ta refuzuar këtë liri. Kjo armatosje dhe njëkohësisht çarmatosje ishte merita e padiskutueshme vetëm e një personi me emrin Ibrahim Rugova si dhe e qytetarëve shqiptarë të Kosovës, të cilët i kishin besuar Atij.
 
4. Heroi i Pavarësisë
 
Alternativa e Rugovës dhe koncepti i Tij për shtetin e pavarur të Kosovës kanë bërë që Ai të thirret në jetën e përditshme edhe si "Hero i Pravarësisë". Jo thjesht për faktin se Ai në çdo rast, në konferenca shtypi e në intervista, në pritjet zyrtare e në vizitat miqësore jashtë Kosovës e kishte elaboruar këtë opcion më këmbënguljen rugoviane. Jo thjesht për atë se me mijëra herë e kishte përsëritur frazën "Kosova një vend i lirë, i pavarur e demokratik, në fqinjësi të mirë me Serbinë e Shqipërinë". Por se për realizimin e këtij koncepti Ai ishte treguar ekstremisht i vendosur dhe pakompromis, duke i detyruar bashkëbiseduesit e Tij, qpfshin këta dhe kundërshtarë të pavarësisë së Kosovës, që ta përtypin dhe ta marrin në vëmendje projektin e Ibrahim Rugovës.
Aq shumë ishte përkushtuar Rugova ndaj pavarësisë së vendit sa edhe kur rrjedhat shkonin në dobi të shqiptarëve, edhe atëherë kur ato ktheheshin kundër tyre, Ai nuk harronte të përsëriste domozdoshmërinë e zgjidhjes së statusit të Kosovës me vetëvendosjen për pavarësi. Në respekt të linjës së Tij për një rezistencë paqësore, Ai e shihte si mundësi dhe nevojë një periudhë tranzitore, që Kosova të vihej nën kontroll civil ndërkombëtar, me prani të NATO-s në vend, për të ruajtur sigurinë, paqen dhe stabilitetin vendor e rajonal. Këto opcione Rugova i kishte elaboruar përpara se Ushtria Çlirimtare e Kosovës të bëhej e njohur në opnionin shqiptar e atë ndërkombëtar.
Periudha që do të vinte do të sillte vënien në jetë pikërisht të pikëpamjeve dhe alternativave të presidentit legjendar për ardhmërinë e Kosovës. Kjo alternativë fatkeqësisht u zbatua pasi regjimi serb shkaktoi dhjetramijë viktima të pafajshme dhe kishte shpërngulur mbi një milion shqiptarë. Megjithatë zgjidhja e propozuar dhe e përsëritur si refren prej Ibrahim Rugovës erdhi në shprehje pas vitit1999.
Më 17 shkurt 2008, kur edhe u jetësua Pavarësia e Kosovës, gjithçka ishte gati. Dhe këtë ditë simbol e sollën dy faktorë madhorë: Së pari faktori politik me emrin Ibrahim Rugova dhe së dyti, faktori UÇK, i cili erdhi në skenë në kohën e duhur, atëherë kur NATO ishte e gatshme të ndërmerrte aksionin e saj për çlirimin e shqiptrëve nga pushtimi e kolonizimi serb.
 
5. Rugova, pavarësia dhe historia e re e Kosovës.
 
Në kohën që lideri karizmatik i shqiptarëve, Ibrahim Rugova, gjatë Luftës kishte qëndruar në Prishtinë, Ai ishte marrë peng familjarisht nga Milosheviçi. (Lexuesi është i lutur ta shohë një fotografi të botuar në internet në adresën -http://www.spiegel.de/fotostrecke/fotostrecke-12225-3.html- botuar nga revista "Spigel" në Gjermani dhe do të dallojë faktin se Ai ishte thjesht peng në Beograd).
Ky është një kapitull i veçantë i një historie të trishtueshme e të dhimbshme, të cilën e kishin shkaktuar serbët barbarë nga njëra anë dhe e kishin instrumentalizuar sherbëtorët e Beogradit në qeverisjen e atëhershme të Tiranës.
Të dy palët kishin synuar likuidimin politik dhe asgjësimin e filozofisë dhe strategjisë së Ibrahim Rugovës. Të dy palët ishin marrë vesh në Kretë e në kulisa të tjera për mënyrën si do ta nxirrnin Rugovën nga loja.
Prandaj dhe shqiptarët e Kosovës nuk i besuan akuzat për "tradhëti". Ato ditë kur gumëzhinin megafonët serbo-sllavo-filoserbë në Tiranë e gjetkë, shumica dërmuese e shqiptarëve të Kosovës shpreheshin se nuk i besonin asaj propagande. Prandaj dhe në zgjedhjet lokale të vitit 2000 e në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2001 Ai ishte rikonfirmuar si udhëheqës i pakontestueshëm. Në marsin e vitit 2002 do të rizgjidhej si president i Republikës së Kosovës dhe do të kryesonte të gjitha tryezat e përpjekjet e shqiptarëve për të sjellë 17 shkurtin e vitit 2008. Opcioni i Tij i bisedimeve për statusin e Kosovës ishte vetëm Pavarësia. Ai kishte thënë se ka edhe një opcion tjetër: Bashkimin me Shqipërinë, por pavarësia mbetej si kompromis.
Ai ishte imponuar në atë masë, sa tashmë shihej në qarqe të shumta ndërkombëtare "si radikal", ndërkohë që ish-radikalët ishin zbutur. Ibrahim Rugova, po t'i referohemi një deklarate të Ilir Metës, ish-kryeministër i Shqipërisë, nuk ishte njeriu i dëshiruar i Beogradit për të udhëhequr bisedimet për statusin e Kosovës. Kjo do të thoshte se tek Ai nuk mund të gjendej mundësia e kompromisit sa i përket pavarësisë, sovranitetit dhe integritetit të Kosovës. Kjo do të thoshte se "Krushqit ishin të ngrirë". Dhe megjithëse kjo ndodhte e vazhdon të ndodhë për shkak të qendrimeve obskurantiste të Serbisë, "dikush" dëshironte që shqiptarët t'i kurthonte në "darën e kompromisit". Dhe kompromis do të thoshte: Më pak se pavarësi, ose më pak se sovranitet, ose më pak se integritet. Ibrahim Rugova kishte dëshmuar se ishte i palëkundshëm në realizimin e aspiratave të popullit të tij dhe se nuk pranonte kurrësesi të binte në kompromise të tilla. Kjo edhe për arësyen se Ai e kishte afirmuar tashmë veten si partner i barabartë me cilindo personalitet të botës së qytetëruar e jo të qytetëruar, ndërkohë që dikush ishte kujdesur që në tavolinën me serbët të shtrohen njerëz inferiorë, të cilët nuk e dijnë pse dhe si kanë mbërritur aty ku janë. Ndaj dhe pavarësia e Kosovës mban vulën e filozofisë politike që Ai ideoi dhe adaptoi. Nëse Ai nuk e përjetoi aktin zyrtar të shpalljes së pavarësisë së vendit, kjo nuk mund të shërbejë si "argument", se Ibrahim Rugova "nuk qenka" promotorri i historisë së re të Kosovës dhe udhëheqësi kryesor dhe i palëkundshëm për realizimin e një Kosovë të lirë, të pavarur e demokratike.


E-Mail: eb_shqip@hotmail.com
 
Në pjesën e pestë, do të lexoni:
Pse Rugova, pas nënë Terezës, ishte shqiptari më i nderuar dhe i respektuar në botën e qytetëruar? Cila ishte ajo magji, e cila e kishte shndërruar udhëheqësin e shqiptarëve të merrte rolin e një partneri të barabartë përballë udhëheqësve të vendeve më të fuqishme të botës? Pse Ai pritej e përcillej me protokollin e kryetarëve të shteteve në kancelaritë europiane e në SHBA? Cila ishte alternativa e Rugovës për aleancat, për miqtë e partnerët? Si i shihte Ai lidhjet e Kosovës me Perendimin dhe pse merrte hapur pozicione refuzuese për lidhjet e saj me Lindjen?

 



(Vota: 9 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora