Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Tirana, kryeqyteti më i varfër në argëtime dhe më i pasur në monotoni

| E hene, 09.07.2007, 07:42 PM |


Atmosfera që të lë Tirana gjatë ditëve kur mendon se mund të argëtohesh, është e thatë dhe e vdekur, ashtu si ditët me vapë në këtë qytet. Edhe pse më i madhi i vendit dhe njëkohësisht kryeqytet, Tirana mbetet përsëri një vend ku rutina dhe stresi mbizotërojnë mbi çdo element tjetër. Për t’u argëtuar në këtë qytet, apo për të gjetur një ambient relaksues, është thuajse e pamundur. I vetmi “argëtim” të paktën për ata që mund ta konsiderojnë si të tillë, janë kafenetë dhe të ashtuquajturit pub-e, të cilat, edhe pse zhurmojnë gjatë fundjavave, sërish mbeten ambiente fare bajate. Këtë më lehtë e kupton kur kthehesh në Tiranë, pas një kohe të gjatë që ke qenë jashtë vendit, apo kur je i shoqëruar me të huaj. Këta të fundit e konsiderojnë ambientin “zbavitës” të bareve dhe pub-eve “si një vend shumë të zhurmshëm, aspak të rehatshëm dhe ku shpenzon jashtëzakonisht shumë”. Pub-i është bërë dhe lajtmotivi i jetës së natës në Tiranë, edhe pse argëtimi aty nënkupton gjuetinë për femra solidare, apo të këtyre të fundit për meshkuj me para. Edhe pse dikush mund të shkojë me mendimin se mund të argëtohet deri në maksimum, përveç portofolit që do të boshatisë, duhet të ketë kujdes që të mos zgjedhë dhe partneren apo koketën e gabuar për të ngacmuar. Janë me qindra sytë e femrave të bukura që në këto lloj lokalesh të falin një vështrim, por në mënyrë krejt paradoksale kërkohet shumë mjeshtëri dhe njohje për të pirë qoftë edhe një gotë me një femër joshëse. Por, përveç Pub-eve, thuajse të gjithë qytetarët e Tiranës e në pjesën më të madhe të rinjtë, nuk mund të gjejnë një ambient të përshtatshëm për t’u zbavitur pa shpenzuar para pa fund. Kjo ndonjëherë të bën edhe pesimist, për më tepër kur kësaj i shtohet edhe mungesa e shërbimeve korrekte dhe të kulturuara, që kur i gjen, mund të konsiderohesh si vërtet me fat.

Baret dhe kafenetë, e vetmja mënyrë për argëtim

Fundjava në metropol mund të konsiderohet si një ditë shumë e vakët. Kjo për faktin se nuk mund të bësh asgjë të bukur në fundjavë për të hequr stresin e javës. Po sa mundësi kemi në kryeqytet për t’u argëtuar gjatë fundjavës dhe për të bërë diçka ndryshe nga ditët e tjera, që të dalim nga rutina? “Asnjë” do të ishte një përgjigje therëse, pasi në Tiranë, gjatë fundjavës, përveç se mund të shkosh në kafene, nuk mund të bësh asgjë tjetër. Vetëm këto të fundit i gjen të mbushura plot e përplot, sa për ne shqiptarët, të huajt, kur na shikojnë, mendojnë se “banojmë” në kafene. Mundësitë e tjera për argëtim janë mjaft të kufizuara dhe i përkasin një kategorie të vogël, por me të ardhura mjaft të majme. Ndryshe nga dikur, edhe jeta artistike-kulturore është mjaft e vakët. Pak teatro, opera dhe ndonjë shfaqje varieteje janë evenimentet kulturore që ndodhin me frekuenca të gjata në kohë. Por dhe biletat që ka një teatër apo komedi, janë të shtrenjta, duke bërë që xhepi i jo të gjithë njerëzve të përballojë mundësinë për t’i paguar, pavarësisht dëshirës për të parë. Megjithatë, nuk përjashtohet dhe mundësia që ndoshta ne shqiptarët nuk dimë të jetojmë, ca nga pamundësia ekonomike dhe ca nga rutina e jetës, në pamundësi për ta ndryshuar realitetin.

Fundjava

Kudo nëpër botë fundjava është gjithnjë e veçantë dhe të gjithë përpiqen që të argëtohen sa më shumë. Në ndryshim nga bota, Tirana hesht në plogështi dhe gjithçka duket e lodhur. Nga ana tjetër, parqet në kryeqytet mund të numërohen me gishtat e njërës dorë, ku edhe ato lënë për të dëshiruar. Kafe dhe vetëm kafe. Kjo është e vetmja alternativë e ofruar, ku përditë kryeqytetit i shtohet nga një kafene më tepër poshtë një pallati i ri të porsapërfunduar. Nëse do ta krahasonim Tiranën me një kryeqytet në një vend tjetër të botës, do të bënim një gabim të madh edhe po ta mendonim, sepse nuk mund të ketë asgjë të përbashkët mes tyre. Maksimumi i argëtimit që mund të bëjnë kryeqytetasit në këto ditë të nxehta do të ishte një ditë plazhi në Durrës, apo në pishinat ku uji nuk dihet se sa kohë ka pa u ndërruar dhe ku bashkë me njerëzit lahen dhe mace e qenë. Kurse për të moshuarit, të cilët nuk mund ta pranojnë kurrsesi luksin për të shpenzuar edhe për pishina, vendi i vetëm pa kosto dhe disi më i qetë është parku i Liqenit Artificial. Por edhe këtu vetëm nëse shëtit rrugëve të parkut, pasi po të frekuentosh kafenetë e Liqenit, çmimet janë disa herë më të larta se në Tiranë.

Metropoli, vetëm një kinema

Nëse do të ndryshosh gjendjen e ditës dhe të dalësh nga rutina, mund të vendosësh që të shkosh në kinema. Të vetmen kinema që ka i gjithë kryeqyteti, është “Millenium 2”. Nga dy të reja që u ndërtuan, vetëm kjo ka mbetur. Kështu, për të parë filmim e ri që ka dalë së fundi, mund të zgjedhësh ditën e diel. Por atë ditë bileta është më e shtrenjtë se ditët e tjera. Bileta e filmit të së dielës bëhet 500 lekë. Nga kjo e fundit kryeqytetasit po tregojnë gjithnjë e më pak interes. Por edhe numri i shikuesve në kinema është ulur, për të vetmen arsye sepse bileta e filmit është 50 lekë për person gjatë pasdites. Ndërsa paradite ajo është diçka më e lirë, 100 lekë më pak. Por duhet të blesh dhe diçka shoqëruese, në mënyrë që t’i kesh kur të shohësh filmin si kokoshka apo ndonjë pije freskuese, për të shtyrë orën e filmit dhe kështu bileta e filmit dyfishohet. Me pagën që marrin shqiptarët i bie që të shohin një film në vit, se nuk dinë çfarë të bëjnë më përpara.

Ish-Blloku, vendi ku argëtimi e ka emrin “harxhim”

Ai që mbetet në krye të klasifikimit është pa dyshim ish-Blloku. Aty mund të gjesh nga të gjitha kategoritë e moshave, nga adoleshenti e deri tek më i moshuari. Kryesisht kjo është zona më e preferuar e të rinjve për të pirë kafe. Edhe pse çmimet aty janë stratosferike, të rinjtë nuk rreshtin kurrë së piri kafe. Ajo që të çudit është fakti se ku i gjejnë këta adoleshentë të papunë lekët që shpenzojnë gjatë ditës? Kot thonë që Shqipëria është e varfër. Ne jemi të vetmit njerëz në botë që ulemi, jo përditë, por 3-4 herë në ditë nëpër bare. Stina e verës mund të konsiderohet si një sfilatë masive, ku femrat nisin të zbulojnë hiret duke sfiduar shoqja–shoqen dhe duhe hirituar meshkujt. E, ndërsa nuk mungojnë edhe ato më të guximshmet, që zhvishen sa më shumë për të qenë në qendër të vëmendjes. Mania e kafesë pasi eliminoi bibliotekat, muzetë dhe argëtimet mondane, tani ka krijuar edhe kafe-internet, ku çatohet dhe shikohen video porno, apo në rastin më të mirë dërgohet ndonjë e-mail.

Tirana, metropoli ku më të gëzuarit janë lypsarët

Kryeqyteti ka vend për të gjithë. Për të pasurit, të varfrit, shtresën e mesme, por edhe për ata që pjekin misra e gështenja rrugëve. Po kështu është edhe një armatë e madhe fëmijësh që popullon deri në orët e para të mëngjesit për çdo ditë kryeqytetin. Dhe është pikërisht kjo kategori individësh që shesin cigare, apo edhe lypin ose lajnë xhama makinash për të bërë ca para. Por edhe pse diçka e rëndomtë në pamje të parë, fakti që lypsët po dyndin gjithnjë e më shumë rrugët e kryeqytetit, tregon për një organizim të kësaj kategorie. Ata fitojnë lekë në mënyra të ndryshme, dikush duke t’i lypur, ndonjëherë edhe me dhunë, dikush duke t’i kërkuar me mirësjellje dhe urata, të cilat janë nga më të larmishmet, dikush duke të shitur një kaush bajame etj. Lypja për ta që në pamje të parë duket si një mundësi për të mbijetuar në këtë qytet super të shtrenjtë, mund të jetë kthyer edhe në një formë jetese. Edhe pse ata janë normalë, kjo rrugë të cilën kanë zgjedhur është më pak e lodhshmja se një punë. Ata janë gati të rrinë pa rroba në mes të dimrit, në mënyrë që të të ngjallin mëshirë dhe si pa kuptuar janë kthyer në një “refren” të Tiranës. 

Ervin Koçi