E enjte, 25.04.2024, 11:18 PM (GMT+1)

Speciale

Enver Bytyçi: Gandhi i Prishtinës dhe i Ballkanit

E shtune, 24.01.2009, 12:53 AM


Enver Bytyçi, analist
Në përkujtim të tre vjetorit të vdekjes (pesa e III)
 
Gandhi i Prishtinës dhe i Ballkanit
 
Me këtë emërtim e ka mbyllur jetën e tij prej politikani dhe udhëheqësi moderator të shqiptarëve, Ibrahim Rugova. Të gjitha mediat nacionale dhe ndërkombëtare para dhe pas vdekjes së Ibrahim Rugovës kanë vënë theksin në faktin se filozofia politike gandhiste e qëndresës dhe e rezistencës, të cilën e përpunoi Ai, ishte një gjetje e mrekullueshme. Madhështinë e kësaj gjetjeje e shtonte fakti se në rajonin e Europës Juglindore, ku bën pjesë Kosova, nuk kishte ndodhur ndonjëherë një risi e tillë. Asnjë vend ose udhëheqës politik ballkanik nuk ishte përkushtuar më parë në një opcion të tillë për të konkretizuar përpjekjet shumëshekullore për liri, pavarësi e demokraci.
 
Nga
Enver Bytyçi
 
1. Specifika e gandhizmit rugovian

 
Megjithatë filozofia gandhiste e Ibrahim Rugovës ka një specifike të vetën. Nëse studiojmë kushtet specifike, në të cilat kishin jetuar indianët nën sundimin britanik, zezakët e Afrikës së Jugut nën sundimin e pakcës së bardhë ose zezakët e Amerikës nën përbuzjen e të bardhëve të këtij vendi, të tri këto raste kanë ngjashmëri me jetën e shqiptarëve nën sundimin serb. Të katër këta popuj kishin përjetuar një dhunë të pashembullt, ishin kthyer në skllevër të pushtuesve dhe ishin përbuzur në ekstrem nga "më të fuqishmit me pushtet ose nga sunduesit kolonizatorë. Por shqiptarët kishin përjetuar diçka më shumë, më të keqen, më të rrezikshmen - kërcënimin për ekzistencë. Këtij qëllimi i kishte shërbyer Serbisë dhuna e terrori i saj në Kosovë.
Megjithatë, Gandhi Jayanti në Indi, Marttin Luther King në SHBA si dhe Nelson Mandela në Afrikën e Jugut ishin bërë shembujt frymëzues për Ibrahim Rugovën dhe Ai e përdori përojën e tyre për t'i shndërruar shqiptarët në qytetarë të respektuar e të lirë në Kosovë. Të katër këta udhëheqës moderatorë kishin ndjekur qëllime madhore fisnike. Megjithatë ata kishin pasur dallime midis tyre, kishin aplikuar metoda specifike, sipas kohës dhe terrenit në të cilin janë zhvilluar ngjarjet. Edhe kundërshtarët e tyre nuk kishin patur të njëjtën ashpërsi. Serbia p.sh ishte treguar shumë më radikale kundër shqiptarëve, sesa anglezët kundër indianëve, amerikanët e bardhë kundër zezakëve ose afrikanët e bardhë gjithashtu kundër zezakëve. Në Kosovë sundonte politika e asgjësimit fizik të një kombi të caktuar, përveçse politika e dikriminimit dhe aparteidit, njësoj si në vendet e lartpëtmendura. Në këto kushte Ibrahim Rugova si lider i shqiptarëve të Kosovës kishte përpunuar një strategji të qartë, njësoj si dhe Gandhi, e cila e çonte vendin në liri e pavarësi, kishte përvetësuar të gjithë elementët gandhistë të rezistencës paqësore, por në ndryshim nga ai nuk kishte nxitur demonstrata masive si në Indi, nuk kishte këmbngulur edhe në dhunën si instrument të arritjes së lirisë, siç kishte ndodhur me Mandelën e Marttin King.
 
2. "Ne jemi këtu..."

 
Kjo thjesht për shkak të egërsisë së regjimit të Beogradit dhe ruajtjes fizike të bashkëkombasve të tij. Thelbin e kësaj filozofie do ta zbulonte diplomati i shquar austriak, Rohan, kur pati zbuluar pas vdekjes së Rugovës një dialog midis tij dhe liderit shqiptar: "Çfarë keni fituar zoti Rugova me këtë lloj politike të mosrezistencës"? - e kishte pyetur Rohan më 1994-tën, siç shpjegon ai, disi i zhgënjyer prej tij. Por përgjigja e kishte kthjelluar diplomatin: "Ne jemi këtu" - ishte përgjigjur Presidenti i Kosovës. E përkthyer në shqipen e zakonshme, kjo do të thoshte se "Nëse shqiptarët do t'i ishin përmbajtur dhunës dhe mjeteve luftarake, Serbia me potencialin e saj ushtarak do ta kishte zhbërë kombin shqiptar ne Kosovë. Kush nuk e ka harruar periudhën e Luftës, e kupton se në fillimet 90-ta, kur NATO i kishte "këmbët e lidhura", shqiptarët do të ishin viktima e parë e pakthyeshme, nëse nuk ndiqnin këshillat e principet e Ibrahim Rugovës.
Nëse nuk do të ndërhynte NATO, shqiptarët e Kosovës nuk do të kishin mundur kurrë ndonjëherë të riktheheshin në atdheun e tyre. Ata do të ishin edhe sot refugjatë në vendet e tjera, pa asnjë të drejtë për t'u rikthyer në atdhe. Ndërkaq kur Rugova predikonte filozofinë e tij të rezistencës paqësore, askush nuk e mendonte se NATO dhe Komuniteti Ndërkombëtar do t'i kishin duart e lira për t'i mbrojtur shqiptarët. Të mbi 200 mijë viktimat në Bosnje janë një përvojë e hidhur në këtë drejtim. Për këtë arësye udhëheqësi legjendar i Kosovës, Ibrahim Rugova, kishte refuzuar kategorisht një propozim të presidentit kroat, Franjo Tuxhman, që shqiptarët të hapnin një front jugor lufte kundër Serbisë. Propozimi i Tuxhman nuk kishte pasur kurrëfarë qëllimi që ta çlironte Kosovën nga dhuna dhe sundimi serb, përkundrazi, kishte synuar që të lehtësonte rezistencën e tij ndaj agresorëve serbë. Ndërsa refuzimi i Ibrahim Rugovës vinte në pajtim të plotë me interesat nacionale të shqiptarëve, saktësisht me maksimën rugoviane "të të qenit të pranishëm në Kosovë". Prania e shqiptarëve në vend dhe mënjanimi i një eksodi biblik si ai i vitit 1999 kishin shërbyer si parakushti themelor për respektimin e vullnetit të tyre për një Kosovë të lirë, të pavarur e sovrane. Pa shqiptarët shumicë dërmuese e si popullsi homogjene, nuk do të kishim sot një Kosovë të pavarur. 
 
3. Refuzimi si mjet lufte e suksesi

 
Për këtë shkak interesimit dhe provokimeve serbe për destabilizimin e dhunshëm të Kosovës, me qëllim spastrimin etnik të saj, lideri historik, Rugova, iu ishte përgjigjur me një mjet specifik për kushtet e kohës e të rajonit, me bojkot të heshtur të të gjithë sistemit politik e administrativ të Serbisë si dhe ndërtimin e institucioneve paralele, të një shoqërie paralele, si instrument mohues i pushtimit dhe regjimit të Beogradit.
Prandaj në thelb të rugovizmit dhe qëndresës së tij qëndroi refuzimi, një lloj praktike që e kishte aplikuar gandihzmi. Ky proces kishte përfshirë gjithë sistemin politik, arësimor, shëndetësor, social, ekonomik e taksor të Serbisë në Kosovë. Rezistenca e shqiptarëve ishte konturuar në mosnjohjen e pushtetit serb, në refuzimin e këtij pushteti dhe ligjeve të tij në politikë, në arësim, në kulturë, në shëndetësi, në çeshtjet sociale, në sipërmarrjet ekonomike e në sistemin e taksave. Bojkoti i shqiptarëve kishte sjellë me vete jo vetëm një risi të re në luftrat ballkanike për liri, pavarësi e demokraci, por i kishte ndërgjegjësuar shqiptarët në Kosovë e në ish-Jugosllavi se kjo kishte qenë forma më e suksesshme e rezistencës. Shqiptarët ishin ndjerë nga kjo më të sigurt në fitore, më krenarë e më të vendosur në kërkesat e tyre. Politika e mospërdorimit të dhunës i kishte dhënë Rugovës dhe shqiptarëve një imazh të ri në botën e civilizuar, përveçse nuk i kishte dhënë mundësi regjimit të Milosheviçit për të përdorur në mënyrë masive metodat e zhdukjes fizike të shqiptarëve.
Refuzimi e bojkoti me paqe kishin dhënë efekte të mahnitshme. Në këto qëndrime presidenti i Kosovës ishte treguar gjithnjë këmbëngulës dhe i pakompromis. Ish-ambasadori amerikan në Beograd, Waren Zimmermann, shkruan në librin e tij "Burimet e një katastrofe", se Rugova e kishte kundërshtuar me vendosmëri një propozim të ambasadorit "për të marrë pjesë në zgjedhjet serbe dhe për të luftuar për qëllimet e shqiptarëve të përfaqësuar në parlamentin e Serbisë". Madje, kujton Zimmermann, Rugova ishte përgjigjur shkurt dhe qartë: "Unë jam gati të jap dorëheqjen dhe popullin tim nuk e ftoj të jetë pjesë e sistemit serb". Filozofia e paqes dhe e rezistencës paqësore e kombinuar me vendosmërinë e pashembullt të Ibrahim Rugovës për të mbrojtur qëllimet e mëdha të lirisë, pavarësisë dhe demokracisë së Kosovës përbënin dy linja paralele, të ndërlidhura e në shërbim të njëra-tjetrës. Kjo filozofi e kombinuar me refuzimin serb e bojkotin absolut të të gjithë strukturave të Serbisë kishte çuar në situatën, kur Beogradi nuk kishte mundur të urdhëronte më asnjë shqiptar që t'i vihej në shërbim politikës serbe. Kjo filozofi e paqes dhe njëkohësisht e qëndresës e kishte vetëdijësuar Rugovën në atë masë sa të kundërshtonte me vendosmëri këshillat e Tiranës zyrtare për t'iu përgjigjur pozitivisht reagimit të opozitës serbë kundër Milosheviçit në vjeshtën e vitit 1996.
 
4. Duhen dekada për ta lexuar mendimin filozofik të Ibrahim Rugovës
 
Principi rugovian, se ato ngjarje ishin çeshtje e brendshme e Serbisë, bënte njëkohësisht me dije se "Kosova ndjehej de facto jashtë Serbisë". Koha kishte dëshmuar largpamësinë e Rugovës. Kur Ai nuk kishte pranuar t'i bashkohej institucioneve të shtetit serb apo protestave të opozitës serbe, pak kush mendonte se opozita antiMilosheviç dhe vetë diktatori serb ishin e njëjta gjë dhe kishin të njëjtin qëndrim në ndjenja e në principe antishqiptare. Duhej të ishe në lartësinë e Rugovës, duhej të kishe gjykimin e përceptimin e tij filozofik e praktik për të arritur në qëndrime e definicione të tilla dobiprurëse për interesat e kombit, të popullit e të çeshtjes të cilën ai e mbrojti. Fatkeqësisht jo vetëm kundërshtarët e Tij brenda aradhës së shqiptarëve, por edhe bashkëpunëtorët, simpatizantët dhe miqtë e Rugovës nuk kanë mundur ta kuptojnë, ta zbërthejnë dhe ta transmetojnë aq sa duhet mendimin filozofik, metodën dialektike dhe praktikën e rezistencës paqësore kombinuar me këmbnguljen pa kompromis të Ibrahim Rugovës. Do të duhen ndoshta dekada, që të kuptohet dhe vlerësohet si duhet ai mesazh i madh, të cilin Presidenti historik i shtetit paralel dhe i shtetit protektorat të Kosovës ka lënë për brezat që do të vijnë.
 
5. Papa Gjon Pavli i II dhe Nënë Tereza frymëzimi i Presidentit
 
Në zyrën e Presidentit gjithnjë vizitorët do të përballeshin me dy portrete: Atë të Papa Gjon Pavlit të II dhe portretin e Nënë Terezës. Të dy këta "idhuj" të Rugovës kishin zënë vend në faqet e murit të kësaj zyre, sepse mbeteshin frymëzimi i liderit legjendar, ndaj ishin shndërruar në ikonë e qëndrimeve të Tij moderatore e njëkohësisht radikale. Rugova e njihte dhe vlerësonte faktin se ishte Papa i Romës, Ai, që e kishte shpëtuar Shqipërinë nga një ricoptim i dytë më 1919. Ai e shihte fuqinë e Papës në Perendim si një gur themeli për përcaktimin e qëndrimeve të këtyre shteteve. Nga ana tjetër Rugova ndante të njëjtat ide e pikëpamje me Papën e Nënë Terezën për lirinë e paqen. Nënë Tereza, përveçse si simbol i paqes dhe lirisë njerëzore, do të shërbente për udhëheqësin shqiptar si frymëzim kombëtar, si idol e njëkohësisht si urë lidhëse për ta prezantuar Kosovën në kancelaritë e Perendimit. Kombinimi i fuqisë së Papës dhe fuqisë morale të Nënë Terezës ishte një gjetje e mrekullueshme për kohën dhe hapësirën, në të cilën ndodhej Kosova. Vetëm një udhëheqës largpamës dhe me principe filozofike të qëndrueshme, siç ishte Ibrahim Rugova, mund ta përceptonte realisht dhe me zgjuarsi këtë fuqi e ta përdorte këtë kombinacion në dobi të interesave nacionale të shqiptarëve.
 
E-Mail: eb_shqip@hotmail.com
 
Në pjesën e katërt, të titulluar "Babai i Kombit", do të lexoni:
Si ka lindur dhe si është përdorur emërtimi për Rugovën si "Babai i Kombit"? Kush dhe pse personalitete të tilla si Ibrahim Rugova e meritojnë këtë këtë emblemë? Pse Rugova është njëkohësisht Heroi i Pavarësisë së Kosovës? Pse Ai është një fenomen i rrallë?

 



(Vota: 3 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora