E marte, 19.03.2024, 10:48 AM (GMT)

Mendime

Fjala e Presidentit Topi në Konferencën Kombëtare “Familjet e Mëdha Fisnike Shqiptare”

E premte, 23.01.2009, 07:30 PM


Presidenti Bamir Topi
Presidenti Bamir Topi

Të nderuar pjesëmarrës,
Të nderuar miq e të ftuar nga Kosova, Mali i Zi dhe Maqedonia,
Të nderuar Shkëlqesi Ambasadorë,
Zonja dhe zotërinj,

Duke ju falenderuar për ftesën, shpreh kënaqësinë që ndodhem sot në këtë konferencë të veçantë, që prek një realitet shqiptar, rreth të cilit është e nevojshme të diskutohet!

Familjet e mëdha fisnike shqiptare zënë fill herët në Mesjetë me principatat arbërore, për të kulmuar me familjen e Kastriotëve dhe Skënderbeun, dhe pas tij ato ripozicionohen sipas rrjedhave historike, në të cilat përfshihet faktori shqiptar.

Në këtë konferencë, sot, do të flitet për familjet e mëdha shqiptare, me kumtesa profesionale mbi personazhe, ngjarje fakte e kontribute. Unë jam i bindur që e gjithë fisnikëria historike, si dhe ato familje që iu bashkangjitën asaj me gjeste të rralla patriotizmi, heroizmi, mençurie apo aksion politik në shërbim të lirisë kombëtare, të Pavarësisë së Kosovës dhe prosperitetit të kombit, në kohë të vjetra dhe të reja, dëshmojnë që Skënderbeu, Kryefisniku është kudo, tek çdo shqiptar, si ideal dhe si realitet.

Shekuj më parë, më 17 Janar të vitit 1468, Kryezoti i Arbërisë, Gjergj Kastrioti Skënderbeu ndahej nga jeta për t’u bërë personazhi më i gjallë i gjithë historisë së Shqiptarëve. Fan Noli, që dha e mori me të gjatë, thuajse tërë jetës, pohoi aty nga fundi i saj: “Nganjëherë pyes veten nëse mund të ketë sot ndonjë njeri që të jetë po aq i gjallë sa Skënderbeu”?

Ai ishte realiteti, modeli dhe simboli i një kauze të shenjtë, i lirisë kundër robërisë. Ai ishte Prijësi i një lufte të drejtë, heroike e mbrojtëse si dhe burri i shtetformimit. Efektet e këtij kontributi nuk u zbehën asnjëherë. Ato ishin brumi i Rilindjes kombëtare deri në nëntorin e vitit 1912, në përpjekjen sublime për Pavarësi dhe shtet shqiptar, thelbi i identitetit kombëtar dhe i vetëdijes bashkëkohore. Ideja e luftës çlirimtare me Skënderbeun, u bë realitet madhështor, e njëkohësisht trashëgimi shpirtërore, me të cilën përballuam sfidat e rënda të kohërave.
Ai realizoi të parin bashkim politik dhe ushtarak të arbërve në Kuvendin e Lezhës. Aktiviteti i tij dhe rezistenca ndaj pushtuesit, e vunë atë në ballë të koalicionit antiosman. Lufta Skënderbegiane buronte prej vetëdijes, se pushtimi osman do të tjetërsonte vlerat kombëtare dhe do ta shkëpuste vendin nga Europa. Ai nuk pati parësore principatën e tij, por bashkimin e Arbërisë. Epopeja e tij është pasqyrim i dëshirave të shqiptarëve, dhe jo i interesave të tij personale. Qëndresa 25-vjeçare rrezatohet edhe në shekujt e mëvonshëm si nënvetëdije popullore, si folklor, si rrëfim i pandërprerë dhe ushqen herë pas here kryengritje të reja. Lufta për lirinë dhe Pavarësinë e Kosoves u frymëzua edhe nga kujtimi i Heroit.

Ndokush mund të ketë xhelozi për heroin tonë kombëtar, për bëmat, famën, marrëdhënien, që ai ndërtoi me kombin e tij dhe Europën ushtarake e politike të kohës duke u perpjekur sot ta ridimensionojë atë. Ai nuk iu ofrua historisë si personazh i letërsisë, por historia dhe personaliteti i tij dominues në epokën kur jetoi, të qenit mbrojtës dhe jo zaptues, të qenit konseguent në filozofinë e lirisë, të qenit në anën e drejtë e bënë atë lëndë për qindra e mijëra libra, që u shkruan gjatë shekujve. Ndonjë mendje e robëruar, e pajisur me një guxim regresiv, përpiqet sot të tjetërsojë rolin e Skënderbeut në historinë tonë apo në historinë e qytetërimit Europian. Kjo është një përpjekje e mjerueshme, sepse historia nuk pranon leksione: ajo jep leksione. Hipotezat e humbasin terrenin përballë fakteve. Interpretimi kërkon moralitet të lartë dhe profesionalizëm.

Dokumentet arkivore, vlerësimet e bashkëkohësve si Papët e Romës, apo familjet mbretërore, me të cilat ai ishte në aleancë e bashkëpunim, ato të Humanizmit dhe Iluminizmit Europian, tekstet e historiografëve më në zë të kohërave janë për ne, një burim i ligjshëm krenarie dhe sasi e bollshme informacioni për një histori objektive të këtij burri, që u bë shpirti i historisë së Mesjetës. Mjafton të sjellim ndërmend Volterin, që nga katedrat e Parisit u kujtonte bashkëkohësve se: “Në qoftë se perandorët bizantinë do të kishin qenë Skënderbegë, Perandoria e Lindjes do të ishte ruajtur.” Kjo për të kuptuar se sa i gjerë është areali Skënderbegian. Janë të shumta përkufizimet dhe vlerësimet për Skënderbeun si strateg, si njeri i politikës dhe i diplomacisë, por ne, shqiptarët e sotëm duhet të reflektojmë thellë, për “idealin e tij atdhetar, si një cilësi që edhe sot në kohët moderne, përcakton fizionomitë politike të burrave të shtetit”.

Sot shqiptarët në të gjithë hapësirën ballkanike, e shohin Skënderbeun dhe Arbërinë e tij, si një model të madh integrues në familjen e popujve të Europës së bashkuar. Falë tij, historia jonë e asaj periudhe është pjesë e lavdishme e historisë së Europës e sigurisht Skënderbeu, një personazh shumë i spikatur i saj.

Sot Shqipëria po anëtarësohet në NATO dhe po bën hapa domethënës drejt BE-së, akte, të cilat unë i shoh të projektuara si dëshira të hershme të shqiptarëve për të jetuar në paqe, liri e siguri, brenda familjes natyrale që është Europa, të asaj familje, mbrojtës i së cilës ishte Gjergj Kastrioti Skënderbeu.

Brez pas brezi, dyert fisnike i gjejmë në rrugëtimin tonë nëpër histori, në kryengritjet anti-osmane, në Rilindjen kombëtare, në Lidhjen e Prizrenit, në shpalljen e Pavarësisë, në agun e shtetit të ri shqiptar, në Kongresin e Lushnjes dhe luftën e Vlorës, në konsolidimin e shtetit shqiptar, në Luftën e Dytë Botërore, në rezistencën anti-komuniste si dhe në ndërtimin e shtetit dhe shoqërisë demokratike.

Familjet e mëdha nuk u bënë të tilla vetëm nga rangu shoqëror, që trashëguan, apo pasuria, por mbi të gjitha për shërbimet, që bënë ndaj vendit në momente të vështira, kur prej tyre kërkohej sakrifica. Ato i dhanë çdo gjë kombit dhe nuk pretenduan të merrnin nga ai.

I shohim pasardhësit e këtyre familjeve, tek lënë shenjën e devotshmërisë ndaj atdheut dhe kombit kudo ku ata kontribuan gjatë konsolidimit të shtetit shqiptar të para luftës. Në debatin politik, në administratë, në diplomaci e ekonomi, ushtri e arsim duke sjellë përvojat perëndimore të vendeve ku u shkolluan.

Një fjalë e urtë shqiptare thotë se: “rrufeja bie mbi lisat e gjatë”, dialektika e regjimit komunist ishte konfirmim i saj.

Goditja e elitave tradicionale, politike, intelektuale, ekonomike synonte të prishte komunikimin e popullit shqiptar me pikat e referimit. Komunistëve u duhej që të shpikej “Armiku i klasës apo i popullit” dhe për këtë stigmatizuan dyert e mëdha shqiptare. Si pasojë ata provuan asgjësimin fizik, burgun, internimin, konfiskimin e pronës, humbjen e të gjitha të drejtave, veprime këto me pasoja afatgjata të mirëmenduara.


Para se të jetë një titull hierarkik shoqëror, fisnikëria është diçka etike e brendshme, shpirtërore që mund të ndrydhet nga rrethanat, por nuk shuhet, duke na lënë trashëgim shembuj të rrallë lirie, rezistence e morali gjatë kohës së errët të diktaturës ndonëse paguan çmimin e gjakut.

Viti 1990 e gjeti këtë shtresë si komponentin më të vetëdijshëm, që kërkonte ndryshim dhe mbështesë e patjetërsueshme në ndërtimin e demokracisë.

Gjatë tranzicionit të gjatë, duke qenë pikërisht këto familje një pjesë e rëndësishme e të persekutuarve politikë dhe ish-pronarëve, u ndeshën jo pak me iluzionin e drejtësisë në raport me të kaluarën, me iluzionin e rikthimit të pronës, me atë përfaqësimit politik dhe të integrimit në shoqëri, duke u bërë në disa raste pré e retorikës politike.

Megjithatë, ato dëshmuan se janë në lartësinë e traditës së tyre duke shprehur një cilësi të lartë demokratike, atë të tolerancës dhe besimit tek institucionet.

Personalisht në cilësinë e Kreut të Shtetit nuk do t’i resht përpjekjet që këto familje të gjejnë vetveten në shoqërinë shiptare, sepse Shqipëria, për t’u bërë më e mirë, si gjithmonë, ka nevojë për kontributin tuaj.

Ju faleminderit!



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora