E marte, 19.03.2024, 02:26 AM (GMT)

Mendime

Artan Hoxha: Ekonomia shqiptare ka filluar të ndikohet nga kriza amerikane

E premte, 23.01.2009, 06:56 PM


Artan Hoxha: Efektet në tremujorin e fundit të vitit 2008 u ndjenë në rënien e disa eksporteve shqiptare si p.sh mineralet

Ekonomia shqiptare ka filluar të ndikohet nga kriza amerikane

‘Në politikë do të rihyj nga pozicioni i opozitës dhe jo i maxhorancës”

Nga Albert Zholi
 
Artan Hoxha ish-ministër, analist për problemet ekonomike, Drejtor i Institutit të Studimeve Bashkëkohore, rrëfen për Telegraf, ndikimin e krizës ameriakne në ekonominë shqiptare, ditët e vështira të vitit 1992 si ministër, largimin nga politika dhe probleme të tjera që kanë të bëjnë me politikën shqiptare, bangat, zgjedhjet e ardhshme, etj..

Jeni drejtues i Institutit të Studimeve Bashkëkohore dhe një analist shumë i njohur i ekonomisë. Si e analizoni politikën aktuale shqiptare dhe gjendjen e Shqipërisë?

Në tërësi vlerësoj se zhvillimet në vend dhe politikat publike sipas rastit, udhëheqëse, mbështetëse ose nxitëse për drejtime të ndryshme të këtyre zhvillimeve janë në rrugë të mbarë. Shqipëria ka bërë progres të ndjeshëm në drejtim të konsolidimit demokratik, forcimit të shtetit ligjor, progresit ekonomik dhe lirisë së tregut si dhe në procesen integruese në NATO dhe BE.

Ndërkohë që gjithë bota ka hyrë në krizë kemi dëgjuar shumë dëshmi që thonë se Shqipëria është jashtë krizës. Sipas mendimit tuaj kur do vihen re efektet e krizës?


Ekonomia shqiptare ka filluar të ndikohet nga kriza amerikane dhe tashmë edhe ajo europiane që në tremujorin e fundit të vitit 2008 dhe këto efekte do të vazhdojnë edhe përgjatë 2009-ës. Efektet në tremujorin e fundit të vitit 2008 u ndjenë në rënien e disa eksporteve shqiptare si p.sh mineralet. Efektet teorikisht të pritshme në ekonominë shqiptare përgjatë 2009-ës pritet të jenë në sektoret e eksporteve dhe investimeve të huaja që bashkëshoqëruar edhe me një rënie të dërgesave të emigranteve mund të rrisin disi deficitin tregëtar dhe të bilancit të pagesave. Gjithsesi mendoj se efektet e krizës botërore në ekonomine shqiptare do të jenë mjaft më të moderuara krahasuar me ato në vendet eurpoiane. Kjo pasi vetë karakteristikat e sistemit financiar/banker shqiptar e kanë bërë atë pak të prekur nga kriza financiare amerikane dhe europiane. Nga ana tjetër, viti 2008 duket se shënon një vit rritje me ritëm të lartë për Shqipërinë që ka mundësi të jetë edhe mbi 8%. Në fakt sipas INSAT dhe bazuar në vlerësimin tremujor të rritjes ekonomike, rritja për 12 muajt 1 Tetor 2007-30 Shator 2008 vlerësohet 9.9%. Përgjatë viteve 2003-2007 rritja ekonomike vjetore ka ardhur në përmirësim nga niveli 5% drejt nivelit 6.2%. Rritja edhe më e lartë në vitin 2008 ka qenë e pritëshme për mua. Unë besoj se ajo ka ardhur jo vetem si kombinim i faktorëve rastësore (p.sh. Një vit i mirë hidrik si për energjinë ashtu edhe për bujqësinë), por edhe si rezultat i faktorëve të programuar me efekt rritës të tilla si investimet masive publike, përmirësimi i ndjeshëm i klimës së biznesit në këto 2-3 vitet e fundit, rritja e shëndetshme e sektorit bankar, përmirësimi i imaxhit të vendit etj., të cilës së bashku kanë kontribuar në rritjen e investimeve private, shqiptare apo të huaja, rritjen e turizmit, shërbimeve. Këto
janë zhvillime të shëndetshme, të cilat do të mund të luajnë një efekt mbrojtës/amortizues edhe për vitet 2009-2010. Si rezultat, hipoteza më e besueshme, e deklaruar edhe nga FMN është se edhe në vitin 2009 ekonomia shqiptare do të ketë rritje pozitive, ndoshta në nivelet 3,5-4%. Në rrethanat e krizës botërore, nëse kjo hipotezë do të vërtetohet, do të përbëjë, një rezultat mjaft pozitiv për ekonominë shqiptare.
 
Thuhet se bankat janë duke ngushtuar personelin e tyre ndërkohë që kreditë pothuajse kanë ngrirë. Sipas studimeve tuaja sa do ndikojnë këto tek ekonomia shqiptare, biznesi dhe tek konsumatori shqiptar?

Sipas informacioneve publike të Bankës së Shqipërisë dhe analizave që unë kam arritur të bëj, më rezulton se bankat shqiptare e kaluan pa ndonjë shqetësim të konsiderueshëm momentin fillestar e më të rrezikshëm në Tetor-Nëntor 2008, momenti i shpërthimit në shkallë të gjerë të krizës në SHBA dhe menjëherë edhe në Euopë dhe Azi që shënoi edhe një moment paniku global. Paniku në Shqipëri ishte ekstremisht minimal dhe këto ditë është thuajse inkezistent. Unë nuk kam informacion se dhënia e kredive është ndërprerë. Në fakt stoku i kredisë u rrit edhe në dy muajt e fundit të vitit 2008. Pra kreditë kanë vazhduar të jepen. Ndërkaq bankat janë bërë më të kujdeshme në dhënien e kredive dhe mendoj se bëjnë mirë. Banka e Shqipërisë ka rritur vigjilencën. Sektori Bankar Shqiptar shfaq parametra mjaft të mirë likuiditeti, kapitali dhe riskut të kredive, të cilat premtojnë se ky sektor është i
aftë të përballojë edhe situata të vështira nëse këto do të mund të shfaqeshin ndërsa besoj se vështirësitë kanë për të qenë jo më shumë se të moderuara edhe për këtë sektor. Qeveria ka mbajtur rezervë për çdo rast edhe një fond të konsiderueshëm buxhetor. Nuk besoj se do të na hyjë në punë për t’u përdorur ngjashmërisht me vendet e tjera europiane të prekur apo të përfshira nga kjo krizë globale. Nëse do të jetë kështu këto fonde rezervë do të mund të përdoren për qëllime zhvilluese. Në fakt edhe struktura dhe madhësia e shpenzimeve publike 2009 pres të luajë një rol amortizues ndaj efekteve të krizës globale mbi ekonominë shqiptare në 2009-ën.
 
Ndërkohë që Shqipëria ka hyrë në këtë krizë globale mendoni se do të ketë shumë shpenzime për vitin e ri elektoral shqiptar?

Zgjedhjet në vitin 2009 do të mbështeten në një sistem të ri elekotral, një model proporcional rajonal. Kjo është një eksperiencë e re krahasuar me sistemin e garimit në maxhoritar e me korigjim proprocional në 2005-sën. Në rrethana të tjera të barabarta, ky i dyti do të kërkonte më shumë fonde por gjithsesi nuk mund të kem një përgjigje për këtë çështje. Ndërkaq shpenzimet qeveritare janë të planifikuara në buxhetin e shtetit 2009, i cili është tashmë në fuqi. Deficiti buxhetor është i arsyeshëm. Shpenzimet dihet se në ç’masë e sektor do të jenë. Ky buxhet nuk është aspak më i veçantë se ai i 2008-tës. Ndaj ky shqetësim, megjithëse i ngritur politikisht dhe mediatikisht, më duket jo realist.
 
Përveç efekteve të krizës Shqipëria dhe shqiptarët janë të lodhur nga gjithë ky tranzicion që po përjetojnë shqiptarët prej kaq shumë vitesh. Mendoni se do zvarritemi në këtë baltishte dhe për një kohë të gjatë?

Termi tranzicion, sipas kuptimit të tij për vendet ish-komuniste, nuk ka më arsye të përdoret për rastin shqiptar. Në fakt ka rreth 2 vite që Shqipëria ka filluar të klasifikohet si “emergin market”. Ndërsa ka edhe më shumë vite që Shqipëria klasifikohej si “post transition”. Ekonomia shqiptare i ka përmbyllur reformat që e bëjnë atë një ekonomi tregu. Janë reformuar edhe sektorë të tillë si ai i energjisë, i cili po funksion bazuar në modele tregu. Tashmë nuk bëhet fjalë për tranzicion drejt ekonomisë së tregut, por për qendrueshmëri të rritjes ekonomike, fuqizim të konkurrueshmërisë dhe modernizim. Ekonomia shqiptare pra është në një fazë cilësisht të re. Këtë e konfirmojnë edhe raportet më të fundit lidhur me mjedisin e biznesit dhe liritë ekonomike në Shqipëri sipas të cilave Shqipëria radhitet në pozicione të avancuara në shkallë botërore. Besoj se në periudhë afatmesme këto ndryshime do të japin gjithnjë e më shumë fryte.

Edhe në drejtim të tranzicionit politik, pra demokracisë, besoj se tranzicioni është përmbyllur me kohë. Tashmë bëhet fjalë për një rritje të cilësisë së demokracisë dhe forcim të shtetit ligjor. Por termi “tranzicion”, mjaft popullor në vitet ‘90-të, duket vazhdon të përdoret për inerci edhe pse pa arsye thelbësore. Në fakt një term që ngulitet në ndërgjegjen shoqërore është vështirë të zhduket menjeherë.

Sipas mendimit tuaj kë duhet të analizojmë si progres të politikës shqiptare dhe kë si hapa prapa?

Varet nga shkalla e diaagregimit që do të përdornim për fusha e sektorë. Në linja të përgjithshme do të veçoja si më pak të përshtatshëm shndërrimin e sistemit elektoral në proporcional rajonal me lista të mbyllura. Ky sistem fuqizon peshën e organizatës dhe të liderit edhe me shumë se ç’është e në fakt kjo peshë është më shume se ç’duhet edhe pa këtë ndryshim. Nga ana tjeter ai dobëson shanset për një rol më të madh të individëve pra edhe të një shpërndarje “check and balance” të fuqisë së pushtetit brenda dhe ndërmjet partive politike. Unë besoj se sistemi i mëparshëm elektoral do të ishte gjithnjë e më i përshtatshëm sa më shumë zhvillohej vendi dhe atij i takonte e ardhmja. Dy forcat e mëdha politike vendosen ndryshe bazuar në argumente jo bindëse për mendimin tim. Gjithsesi përkufizimi i këtij sistemi si hap mbrapa është ca i tepruar. Në drejtime të tjera politika shqiptare ka
bërë progres. Ajo është bërë më e aftë të përcaktojë objektiva afatgjata, të gjejë konsensus për çështje të mëdha, të rrisë aftësinë dëgjuese, të rafinojë stilin e politikëbërjes, të aksionit politik e të artikulimit publik të çështjeve. Natyrisht që zhvillimet janë me zikzake por trajektorja është pozitive. Bazuar në sondazhe, ka një mosbesim gjerësisht të përhapur për “elitën politike” dhe jo vetëm në Shqipëri. Unë nuk i përkas këtij grupi. Përkundrazi, vlerësoj se elita politike ka rol udhëheqës në shumë drejtime ashtu siç edhe vetë shoqëria ka rol shtytës në mjaft drejtime të tjera. Së bashku shoqëria dhe klasa politike po evoluojnë në drejtimin e duhur. Asnjë vend besoj nuk mund të bëjë progres nëse klasa politike e tij bën regres. Edhe ritmet për mendimin tim janë ato të mundurat për një vend si Shqipëria, me trashëgimi të varfër në shumë aspekte. Natyrisht që cilido dëshiron më shumë dhe më shpejt, por dëshirat janë një gjë dhe mundësitë reale janë një gjë tjetër. Natyrisht që ne mund të mos biem dakort për këtë vlerësim, por unë do të sillja në mendje iluzionin e udhëtarit në anije që “kur sheh përpara i duket se s’ka bërë fare rrugë, por kur sheh prapa vëren se brigjet kanë mbetur mjaft larg”.
 
Ju keni qenë pjesë e politikës së zotit Berisha pas viteve ‘90-të. Keni okupuar dhe postin e ministrit. Pse e braktisët politikën?

Unë jam larguar veçse nga poste politike konkrete apo nga anëtarësimi konkret në një parti politike. Këto e kanë, si rregull një fillim dhe një fund. Por nuk jam larguar nga politikat, as edhe nga qëndrimet publike mbi çështjet e ndryshme të lidhura me politikat dhe politikën. Këtë e kam bërë në vazhdimësi deri më sot. Dhe do të vazhdoj ta bëj.
 
Me sytë tuaj sa ka ndryshuar politika shqiptare nga vitet kur ju e ushtronit atë? Mendoni se ajo është kthyer thjesht në një makinë për pushtet. Si i shihni raportet e politikanëve me popullin?

Mendoj se ka patur më shumë idealizëm, më shumë pasion, më shumë sinqeritet, por edhe më pak stil, me shumë vrazhdësi, me shumë radikalizëm. Ndërsa sot duket se këto cilësitë e fundit janë përmirësuar ndërsa ato të parat janë dobësuar. Në atë kohë ishim thuajse të gjithë amatorë të përkohshëm ndërsa sot mund të themi se politika aktive është bërë profesion i qëndrueshëm për një numër të konsiderueshëm individësh. Çdo gjë mesa duket ka kohën e saj për të ekzistuar dhe/ose për t’u pjekur.
 
Detyra Institutit të Studimeve Bashkëkohore


Instituti i Studimeve Bashkëkohore, (ISB), vlerësohet si një nga organizatat me emër në sferën e analizave dhe rekomandimeve për politikat publike. Është lehtësisht e konstatueshme se rekomandimet e ISB-së janë adoptuar, në shumicën e tyre nga vendimmarrësit në nivel kombëtar dhe/ose vendor dhe për më tepër pavarësisht krahut politik. Këto rekomandime kanë gjetur pasqyrim në programe qeverish apo bashkish, strategji apo ligje, plane veprimi etj.. ISB i ka kushtuar rëndësi jo vetëm produktit, por edhe procesit, me fokus nxitjen e dialogut dhe përfshirjes së grupeve të interesit në politikë-bërje dhe informimin në përgjithësi të publikut. ISB beson se një proces i mirë çon ne një produkt të mirë dhe rrit shanse për një zbatim në shkallë më të lartë të tij. Gjithashtu konstatoj se në ato politika ku jemi përfshirë, rezultatet kanë qenë të prekshme dhe në përfitim të publikut. ISBja është instrument në duart e, por edhe produkt i kontributit të, dhjetëra eksperteve shqiptare të fushave të ndryshme, pa dallim apo paragjykim për preferencat e tyre politike. Por nuk dua të zgjatem më shumë në këtë pyetje.
 
Propozimet për t’iu kthyer politikës

Kam patur propozime herë-pas-here, por nuk kam pranuar të përfshihem në politikën aktive. Ndjehem mjaft mirë me këtë lloj aktiviteti që shpjegova më lart. Siç dhe thuhet, në jetë s’duhet thënë asnjëherë “kurrë”. Por nëse ndonjë ditë do t’i kthehesha politikës aktive kjo do të ishte natyrisht në krahun e të djathës së qendrës dhe mundësisht me një rinisje nga pozicioni i opozitës dhe jo i maxhorancës. Mendoj se politikani krijohet ose ri-kthehet nëpërmjet opozitarizmit. Gjithashtu do të preferoja nje garë individuale në një zonë (tashmë e pamundur). Gjithsesi kjo nuk është vetëm çështje zgjedhjeje apo programimi, por edhe rastësie.
 
Momenti më i veçantë si ministër

Nuk më harrohen disa netë dimri 1992-3, kur vendi kishte vetëm 6-7 ditë rezervë gruri për bukë dhe ndërkaq kishte disa vështirësi të herëpashershme me grafikun e furnizimeve me ndihma në grurë e ushqime nga donatorët. Ishin ditë dhe netë ankthi. Por fatmirësisht asgjë e rëndë nuk ndodhi. Situatat u menaxhuan me efektivitet si nga strukturat shqiptare ashtu edhe nga ato të donatorëve. Nga ana tjeter ishin vite të reformave të mëdha liberalizuese, kurajoze, por edhe me efekte të shpejta pozitive. Siç thuhet në të shprehurin e përditshëm, “kishte duk puna”. Sot efektet e reformave janë më të ngadalshme dhe me pak të dukshme. Kjo edhe si rezultat i parimit të produktivitetit marxhinal zbritës.
 
Lidhjet me atdheun

E kam bluajtur në mendje, por asnjëherë aq seriozisht apo si një plan. Ndjehem mirë në Shqipëri. Përpos të qenurit shqiptar, këto kohë shqiptare janë sa sfiduese aq edhe të japin kënaqësitë e përballimit të tyre dhe arritjes së rezultateve nga puna individuale. Kam jetuar për ca kohë, për shkak të studimeve në Milano, një nga qytetet më dinamike të Italisë. E megjithëse bëja një jetë aktive përsëri më dukej se atje “asgjë s’ndodhte”. Nuk më terheq një mjedis i tillë ku gjërat janë të dhëna e pak të ndryshueshme. Shqipëria është tjetër gjë. Gjithsesi këto janë zgjedhje individuale dhe është po aq e drejtë çdo zgjedhje tjetër që kanë bërë individualisht shqiptarët në këto vite.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora