E enjte, 25.04.2024, 12:33 PM (GMT+1)

Speciale

Enver Bytyçi: Rugova ndryshe

E premte, 23.01.2009, 12:36 AM


Enver Bytyçi, Analist
Në përkujtim të tre vjetorit të vdekjes  (Pjesa II)

Rugova ndryshe

Ibrahim Rugova ndryshoi filozofinë ballkanike e panshqiptare të qëndresës, duke përpunuar e përcaktuar qëllime sa më radikale, të cilat synoi t'i realizonte me mjete joradikale. Ai besonte se suksesi politik e nacional do të vinte përmes një lidhjeje të qëndrueshme midis vullnetit për të arritur qëllimin final si dhe gatishmërisë e vendosmërisë për t'u orientuar drejt në rrethanat që t'i krijojnë të tjerët, në rastin konkret shteti i Serbisë.

Nga Enver Bytyçi

Ibrahim Rugova kishte ardhur në skenën politike e nacionale të shqiptarëve të Kosovës si një studiues i pasionuar i historisë, kulturës dhe etnogjenezës së tyre. Atë e kishte thirrur në skenë vetë koha, në të cilën kalonte vendi, vetë proceset që kishin ndodhur dhe po ndodhnin në vend. Rugova u thirr dhe u vendos në krye të lëvizjes politike e nacionale në kulmin e konfliktit shqiptaro-serb.
Ai erdhi në krye të Lidhjes së Shkrimtarëve e më pas të Lidhjes Demokratike të Kosovës për të udhëhequr një betejë dhe një luftë të pabarabartë. Ai kishte dhe do të kishte përballë një shtet pushtues të vendit të tij. Serbia ishte rishfaqur pas vitit 1981 si pushtuese e dhunuese e egër në Kosovë. Në marsin e vitit 1989 ajo i kishte vendosur shqiptarët nën një sistem aparteidi e kolonizimi të pashembullt. Statistikat flasin për mijëra të vrarë e të burgosur, për 115 mijë punëtorë të lënë pa punë, për mbyllje të shkollave, të universitetit, spitaleve, etj. Rugova ishte thirrur në skenë për ta sfiduar këtë aparteizëm si dhe vetë sundimin serb në Kosovë.

1. Përgjegjësia për ta mposhtur revanshin serb

Si intelektual Ai i kishte përjetuar me dhimbje të gjitha krimet serbe kundër bashkëkombasve të tij, krime që nuk ia kishin kursyer as njerëzit më të dashur. Si njeri i dijes dhe i kulturës, Ai kishte përjetuar me trishtim revanshin propagandistik antishqiptar të akademikëve, klerikëve dhe intelektualëve serbë. Në janar 1986, vit në të cilin Rugova do të merrte përsipër barrën e kreut të Lidhjes së Shkrimtarëve, 217 intelektualë serbë, të drejtuar nga romancieri dhe më pas president i Jugosllavisë së mbetur, Dobrica Qosiç, kishin nënshkruar një petizion, në të cilin serbët e Kosovës deklaroheshin si viktima të "genocidit shqiptar". Ky memorandum i Akademisë së Shkencave të Beogradit e kishte bindur liderin karizmatik, Rugova, se Serbia po përgatiste një luftë të re shfarosëse kundër shqiptarëve. Këto publikime serbe, shkruan Prof. Sundhaussen, kishin dy qëllime: "T'i shndërronin dhunuesit serbë në viktima" dhe të përhapnin idenë se "Toka dhe qielli formojnë së bashku atdheun e serbëve" 1)
Vetëm pak kohë para se Rugova të shfaqej në skenën e veprimtarisë kombëtare të shqiptarëve, në Serbi kishte ardhur në krye të Lidhjes së Komunistëve e të shtetit serb krimineli Sllobodan Millosheviç. Një vit më parë se Rugova të zgjidhej në krye të lëvizjes çlirimtare të shqiptarëve Millosheviçi ishte betuar (19 nëntor 1988), me formulën gebelsiane e hitleriane, sipas së cilës : "Serbia ose do të jetë e madhe, ose nuk do të ekzistojë fare". 2)  Ishte koha kur qindramijë shqiptarë protestonin me fuqi të jashtëzakonshme kundër kësaj doktrine gjakderdhëse të Beogradit.
Revanshi ultranacionalist të shtetit dhe udhëheqësve serbë kundër shqiptarëve duhej përballuar me mjete dhe forma të posaçme. Agresioni serb kundër Kosovës merrte vazhdimisht përmasa të jashtëzakonshme dhe mbështetej me një arsenal të gjithanshëm, me masa e gjendje të jashtëzakonshme, me dhunë të shfrenuar të ushtrisë e policisë kundër rinisë e studentëve, me burgosje e tortura të të gjitha llojeve, me helmime e vrasje të ushtarëve shqiptarë që kryenin shërbimin ushtarak. Ndërkaq kjo situatë konflikti shoqërohej me një fushatë të pafund e të paimagjinueshme shpifjesh e akuzash për "terrorizëm", për "seperatizëm", për "fundamentalizëm islamik" kundër shqiptarëve.
Të merrje përgjegjësinë e udhëheqjes së përballimit të këtyre lloj situatave ishte jo thjesht një guxim "prej të marri". Ndërsa të ndryshoje në këto kushte gjithë strategjinë e luftës kundër këtij lloj terrori, do të thoshte që "të notoje në një det të hapur". Ibrahim Rugova mori përsipër rriskun në të dy këto përgjegjësi. Ai ndryshoi filozofinë ballkanike e panshqiptare të qëndresës, duke përpunuar e përcaktuar qëllime sa më radikale, të cilat synoi t'i realizonte me mjete joradikale. Ai besonte se suksesi politik e nacional do të vinte përmes një lidhjeje të qëndrueshme midis vullnetit për të arritur qëllimin final si dhe gatishmërisë e vendosmërisë për t'u orientuar drejt në rrethanat që t'i krijojnë të tjerët, në rastin konkret shteti i Serbisë.

2. Si e kishte planifikuar Shejshel asgjësimin e politikanëve shqiptarë?

Këto rrethana ishin ato çfarë edhe dihen. Por më mirë sesa i njohim ne shqiptarët i kanë formuluar vetë serbët. Një nga figurat ultranacionaliste serbe, ish-zevendëskryeministri i Serbisë, Vojisllav Sheshel, kishte rekomanduar në stilin e Cvijiçit, Gjorgjeviçit, Pashiçit, Çubrilloviçit dhe Andriqit se si do të duhej ndërtuar agresioni i gjithanshëm kundërshqiptar. Projektin e tij e risjell në vëmendje Profesori i Universitetit të Berlinit, Holm Sundhaussen, përmes citimit të një reviste të vitti 1995 të Beogradit. Sipas Sheshel, e rëndësishme për Serbinë do të ishte diskreditimi i personaliteteve shqiptare të politikës, kulturës e shkencës në sytë e botës së perendimit. Udhëheqësit e shqiptarëve, shkruante ai, duhet të diskretitohen përmes publikimeve brenda dhe jashtë vendit, nje fushë kjo, ku shqiptarët janë shumë të ndjeshëm. Jetën e personaliteteve politike duhet ta dominojnë skandalet, të cilat duhen inskenuar me forma të shumta si aksidente automobilistike, vrasjet për xhelozi ose infektimi me sëmundjen e SIDA-s gjatë udhëtimeve jashtë vendit. Në rastin e infektimit me SIDA, rekomandonte Sheshel, duhej që këta udhëheqës politikë të nalohen në kufi, të vihen në karantinë për ekzanimime dhe më pas të diskreditohen në opninion. Më pas radikali serb udhëzonte që këto ngjarje të përhapeshin si lajme përmes një propagande të gjerë në mediat, me qëllim që të krijohej opinioni i duhur për izolimin e politikanëvë shqiptarë. Këto masa ai i shihte si të rëndësishme për t'u shfrytëzuar, me qëllim që personalitetet e rëndësishme shqiptare të diskretitoheshin në perendim. 3)
Ky program i izolimit të personaliteteve shqiptare nga bota demokratike dhe më pas asgjësimit të tyre si dhe  realizimit të spastrimeve etnike në Kosovë, përbën thelbin e rrethanave konkrete, në të cilat lideri historik i shqiptarëve, Ibrahim Rugova dhe bashkëpunëtorët e tij morën përgjegjësitë politike e nacionale mbi vete si dhe i ushtruan këto përgjegjësi për gati 20 vjet radhazi. Jo pak kolegë të Rugovës ishin shmangur në fillimet e lëvizjes për shkak të frikës që kishte ngjallur regjimi i Milosheviçit dhe programi serb i asgjësimit të shqiptarëve. Disa prej këtyre kolegëve në vitet që do të vinin ishin shfaqur në skenën politike shqiptare, jo shumë për të dëshmuar përgjegjësi, sesa të xhelozuar nga suksesi i paimagjinuar i politikës së Rugovës. Madje të dëshpruar pse ata nuk kishin marrë  nismën e Rugovës për ta kryesuar e drejtuar atë lëvizje.

3. Veçoritë e zhvillimeve dramatike në Kosovë e ish-Jugosllavi.

Rrethanat politiko-shoqërore në të cilat Rugova ushtroi veprimtarinë e tij politike e nacionale kanë qenë vërtet specifike e të një lloji të veçantë në zhvillimet shoqërore të rajonit. Në pikëpamje ndërkombëtare kishim të bënim me priudhën e shkatërrimit të botës komuniste, proces që kishte filluar në Poloni e në Kosovë e në të njëjtën kohë kishte përshpejtuar katastrofën në ish-Jugosllavi. Ish-Federata Jugosllave kalonte sa në një krizë te tjetra. E ardhmja e saj nuk ishte definuar. Vetëm fakti se Millosheviçi dëshironte ta sundonte atë ishte i qartë. Kosova kishte qenë shkëndija e parë, e cila i kishte dëshmuar botës se ish-Jugosllavia ishte një gërmadhë dhe aspak një gjetje e duhur për bashkimin e disa popujve konglomeratë e të ndryshëm në gjuhë, në religion, në tradita e zakone.  Shkatërrimi i ish-Jugosllavisë kishte ardhur përmes një konflikti të armatosur. Lufta në Slloveni, në Kroaci e konflikti i egër në Bosnje-Herzegovinë ishin ngjarjet që kishin dominuar jo vetëm skenën ballkanike e europiane, por dhe atë botërore.
Të orientoheshe në ato rrethana ishte shumë vështirë. Të dije të vlerësoje situatat dhe të dilje gjithnjë me projekte të qarta gjatë asaj dinamike, do të thoshte të gjeneroje kapacitete të jashtëzakonshme intelektuale e udhëheqëse. Të veproje njëkohësisht në kushtet e pushtimit, kolonizimit e të aparteidit që ushtrohej kundër popullit, të cilin e përfaqëson, kjo e vështirësonte tejmase veprimtarinë e cilitdo udhëheqësi politik. Ibrahim Rugova ishte personaliteti i vetëm ballkanik, që në këto kohë të vështira për të e për kombin e tij dijti të orientohej saktësisht, dijti të qëndronte në lartësinë e pozicionit dhe përgjegjësisë me vetëdije, dijti që me finesë dhe zgjuarsi t'i kalonte vështirësitë e panumërta në rrugën e ndërtimit të lirisë e të pavarësisë së vendit të tij. Para së gjithash Ai dijti të gjejë formulën magjepëse të vetëdijësimit të faktorit shqiptar, të ndërkombëtarizimit të çeshtjes shqiptare dhe të shkatërrimit të miteve serbe për të ashtuquajturin "viktima të terrorit" të të tjerëve e parasëgjithash të shqiptarëve. Ibrahim Rugova zgjodhi një rrugë origjinale për t'u faktorizuar si personalitet politik i pakontestueshëm në skenën politike ndërkombëtare dhe për të tërhequr vëmendjen e botës së civilizuar për atë që po ndodhte në Kosovë. Përballë Ibrahim Rugovës ishte çarmatosur dhe diskredituar politika agresive, luftënxitëse dhe shkatërruese e Serbisë së Milosheviçit.

4. Efektet e mençurisë politike të Ibrahim Rugovës.

Efektet e mençurisë strategjike e taktike që përdori lideri shqiptar i Kosovës kanë qenë me ndikim të jashtëzakonshëm, ndaj dhe sollën kthesën më të madhe historike në jetën politike shqiptare, të panjohur më parë. Ai e nxori lëvizjen shqiptare nga kufijtë e anarkisë atë në hullinë e disiplinës politike të admiruar. Me këtë veprim çarmatosi de facto propagandën antishqiptare të Serbisë, duke i dëshmuar botës të kundërtën e trillimeve të Beogradit. Nëse në ditët e sotme në jetën e Kosovës vazhdon e njëjta disiplinë politike, udhëheqësit politikë të Prishtinës, vetë qytetarët e Kosovës si dhe bota demokratike perendimore e shohin këtë fenomen si një proces rugovian. Për këto arësye kohët e sotme e të ardhme vetëm sa do ta lartësojnë figurën, mençurinë politike dhe përsonalitetin e Presidentit historik të Kosovës, Ibrahim Rugova. Ai ishte i pari udhëheqës në historinë e shqiptarëve, që kuptoi se "Lufta dhe dhuna nuk mund ta zgjidhin çeshtjen e pazgjidhur shqiptare", se në paqe e përmes saj mund të arrihet shumë më tepër sesa përmes luftës e konfliktit të dhunshëm. Në të vërtetë kombi shqiptar kishte zhvilluar beteja të shumta për ta fituar lirinë e tij. Megjithatë ai kishte mbetur i përçudnuar dhe i injoruar në një qoshe ballkanike, jeta e të cilit varej më së shumti nga zhvillimet në Beograd e në Athinë. Në fund të çdo luftë e të çdo beteje plaçkën shqiptare e kishin ndarë të tjerët, serbët, grekët, malazezët... Ibrahim Rugova zhvilloi teorinë e re filozofike, sipas së cilës nuk do të duhej të shkohej si humbës në tavolinën e bisedimeve të pas një ose disa betejave të zhvilluara, por do të duhej ta zhvillojëe luftën kundër pushtuesit pa mjete të dhunëshme, duke e refuzuar e bojkotuar atë si dhe duke ndërtuar themelet e shtetit të ri.

Referencat:
1) Sundhaussen: Der Kosovo Krieg, 2000, faqe faqe 82. (Himmel und Erde bilden diese serbische Heimat).
2)  Po aty, faqe 83.(Serbien wird groß sein oder es wird gar nicht sein").
3) Po aty, faqe 85.

E-Mail: eb_shqip@hotmail.com

Në pjesën e tretë, të titulluar "Gandhi i Ballkanit", do të lexoni:
Pse Rugova është krahasuar me udhëheqësit e lëvizjeve të mëdha shoqërore e politike në Indi, SHBA e Afrikën e Jugut, përkatësisht Gandhi-n, Luther dhe Mandela? Si e kombinoi ai arritjen e strategjisë nacionale me politikën e refuzimit e të bojkotit absolut të politikës dhe institucioneve të Serbisë? Pse Ai nuk pranoi asnjë propozim për pjesmarrje në zgjedhjet parlamentare serbe si dhe për të mbështetur opozitën serbe kundër Milosheviçit? Çfarë përfaqësonin për Rugovën dhe çeshtjen e Kosovës Papa Gjon Pavli i II dhe Nënë Tereza?

 



(Vota: 6 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora