Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Margarita Xhepa: Një dramë që nuk e prisja kurrë që ta sillte në skenë një regjisor grek

| E enjte, 22.01.2009, 06:50 PM |


Margarita Xhepa
Margarita Xhepa
Po nisem në Greqi për të luajtur Doruntinën

Nga Albert Zholi
 
Vitet e fundit vihet re një tendencë e regjisorëve grekë për të thirrur për bashkëpunim aktorë shqiptarë. Siparin e këtij bashkëpunimi e hapën i madhi Kadri Roshi dhe Margarita Xhepa në filmin e parë shqiptaro-grek “Mirupafshim!” ku në qendër të vëmendjes ka qenë një emigrant shqiptar që u dashurua me një grua greke. Filmi, i cili mori çmim të parë në Festivalin e Selanikut në vitin 1997, tregoi më së miri në radhë të parë nivelin e lartë artistik të aktorëve shqiptarë. Në një intervistë që i kam marrë në atë kohë regjisorit grek Kristos Vupuras, pyetjes sime se cili ishte mendimi i tij për aktorët shqiptar ai m’u përgjigj: Nuk mund ta besoja që vendi juaj i vogël të kishte aktorë të përmasa botërore. Me aktorë si Kadri Roshi dhe Margarita Xhepa mund të dalësh faqebardhë dhe të realizosh filma nga më të vështirët. Ndoshta duke pasur parasysh numrin e madh të emigrantëve si dhe nivelin dhe suksesin e aktorëve shqiptarë në filmat dhe dramat greke regjisorët grek po i drejtohen gjithmonë dhe më shpesh tregut shqiptar të aktorëve. Mjafton të kujtojmë se në vitin 2008 në Teatrin Kombëtar nga regjisori grek u realizua drama Trojanet një nga ëndrrat e aktoreve tona, por dhe një dramë që kërkon nivel të lartë artistik. Njëherësh duhet nënvizuar fakti që vitin që kaloi në Greqi aktori i vitit (i ri) më i mirë u shpall aktori shqiptar Laert Vasili, i cili ka marrë pjesë në shumë filma dhe drama të realizuar në Greqi. Para nisjes për në Greqi, ekskluzive për “Telegraf” zhvilluam një bisedë me “Artisten e Popullit” Margarita Xhepa.

Zonja Margarita për çfarë roli ju kanë ftuar këto ditë të ftohta Janari në Greqi?


Të ftohtit e këtij dimri sikur ma hoqi thirrja e regjisorit grek Sotiris Akzaqis. Një thirrje që nuk e prisja që në ditët e para të vitit të ri por që më lumturoi. Konkretisht ai më thirri për të lozur një dramë . Një dramë që me të vërtetë nuk e prisja kurrë që ta sillte në skenë një regjisor grek Është pikërisht drama “Kush e thirri Doruntinën” ajo që më befasoi pasi po e vendos në skenë ky regjisor i talentuar.

Konkretisht si do të punohet dhe çfarë përmban në vetvete kjo dramë

Sipas bisedës dhe tekstit që më mbërriti regjisori po sjellë një frymë të re në skenën teatrale. Regjisori Sotiris Akzaqis kishte lexuar të përkthyer në greqisht “Kush e solli Doruntinën”, të shkrimtarit të madh Ismail Kadare. Duhet ditur se kjo legjendë gjendet e shkruar në të gjitha vendet e Ballkanit sipas mënyrës së tyre. Pra kanë afërsisht të njëjtën fabul, personazhe, por në këndvështrime të ndryshme. Secili shkrimtar e ka përcjell sipas karakteristikave, gojëdhënave, specifikave të vendit të vet por me emra të ndryshëm personazhesh. Ndoshta regjisori grek i ka lexuar të gjitha variantet dhe si më të mundshmin më të realizueshmin, më të arrirë artistikisht ka marrë variantin e shkrimtarit tonë të madh.

Sot do të realizohet kjo vepër në skenë

Kjo është e veçanta. Regjisori Akzaqis ka menduar që drama të luhet në 5 gjuhë të Ballkanit duke marrë aktorë nga të 5 vendet. Gjithë drama do të përgatitet për skenë në Athinë për tu shfaqur pastaj në të 5 gjuhët. Kjo është një risi, është një përpjekje serioze jo vetëm për të gjetur të përbashkëtat e gadishullit tonë në temperament, krijimtari por edhe në aktrim. Mendoj se do të jetë një eksperiencë e re me shumë vlerë që duhet përshëndetur. Pra përgatitja do të bëhet në një nga teatrot e Athinës ku më pas shfaqja e parë do të jepet në kryeqytetin grek . Këtu do të jepen 25 shfaqje.

Çfarë të veçantash ke mësuar në lëndën (tekstin) që ju ka ofruar regjisori?

Ajo që më ka tërhequr më shumë vëmendjen dhe që me të vërtetë më ka bërë përshtypje është se regjisori e ka cilësuar se realizimi në veshje dhe fjalor do t’i përshtatet mënyrës së jetesës, veshjes, gjuhës së antikitetit. Pra dhe legjenda do të ndërthuret me elementë të Artit Antik.

Sa personazhe do të ketë drama?

Tre personazhe. Do të jem unë, Karafil Shena dhe vajza e Englastina Kumes. Aktori Karafil Shena ka vite që jeton në Greqi dhe ka disa bashkëpunime me regjisorët grekë. Unë do të luaj rolin e nënës.

Si do ta quaje këtë mënyrë gjetjeje të regjisorit grek Akzaqis?

Befasim artistik. Këtu duket qartë se ai po del nga klishetë. Po del nga trysnia e politikës dhe nacionalizmat e ngushta. Është një mënyrë moderne e konceptimit të realitetit të sotëm jetësor. Koha që jetojmë, globalizmi, nxjerr në pah përpjekjet serioze të intelektualëve të vërtetë që edhe Ballkani të nxjerrë në pah cilësitë, virtytet e veta pasi dihet që shpesh herë ne jemi paragjykuar në Evropë. Kjo nismë tregon për lidhjet që kanë midis tyre popujt që në lashtësi, ato lidhje që duhet të forcohen dhe jo të ndahen në mënyrë artificiale. Është koha e bashkëjetesës, koha ku arti forcon urat e miqësisë nxjerr në pah vlerat e secilit komb por edhe i bashkon ato duke shkëmbyer eksperiencat.

Pra emërtimi më i saktë

Është një alternativë, një risi, për të folur me gjuhën e kohës

Ju para ca kohësh sërishmi nga një regjisor grek ishit thirrur për të lozur “Hekubën”. Ky rol sipas një interviste të bërë bashkë ishte ëndrra juaj më e madhe. Po Doruntina çfarë solli në jetën tuaj skenike?

Së pari befasi. N.q.s Hekubën e kisha ëndërruar për vite të tëra, Doruntinën nuk e kisha sjellë nëpër mend. Aq më tepër nga një regjisor grek. E prita me shumë gëzim dhe habi. Pyeta veten, si ka mundësi t’i shkojë mendja në një gjetje të tillë një regjisori grek? Kjo tregon që arti nuk ndalet. Majat e tij janë gjithmonë në rritje dhe të bukura. Hekuba është një figurë me përmasa botërore që diskutohet në gjithë skenat e botës, ndërsa Doruntina dhe pse jo me këto përmasa ka një forcë magjike tjetër që edhe regjisorët e tjerë evropianë apo amerikanë kur ta shohin do gjejnë një personazh dhe një fabul të përmasave të panjohura që patjetër do t’i tundojë.

Shihet një bashkëpunim i madh i regjisorëve grekë me aktorët shqiptarë. Cili është mendimi juaj për këtë bashkëpunim?

Regjisorët grekë e kanë theksuar me dhjetëra herë se në Shqipëri ka aktorë të kalibrit evropianë dhe më tej. Aq më tepër që në Greqi ka një komunitet të madh emigrantësh shqiptarë që thithin një audiencë të kënaqshëm në teatër, pasi shqiptarët janë teatërdashës.

Si ndjeheni tashmë para rolit?

Si në një ditë me diell pas një shiu të madh. Gjetja e Akzaqis më përcolli pranë elegancën e regjisë, ndezjen e fantazisë, formë të shkëlqyer.