E merkure, 24.04.2024, 06:35 PM (GMT+1)

Faleminderit

Zhuljana Jorganxhi?: Triumf i sopranos dramatike shqiptare Mirjam Tola

E enjte, 22.01.2009, 06:31 PM


Mirjam Tola
Mirjam Tola
PORTRET/ Ishte Salzburgu qyteti, që i hapi udhën e karrierës kësaj këngëtareje të re 
 
Triumf i sopranos dramatike shqiptare Mirjam Tola

Nga Zhuljana Jorganxhi? 

Fëmijëria

Po kush është sopranoja Mirjam Tola, e cila gjatë muajit nëntor hapi me sukses të madh sezonin operistik në Teatrin “Xhuzepe Verdi” të Triestes në Itali, me rolin e Toskës, në operën me të njëjtin titull të kompozitorit të madh Xhakomo Puçinit?
E lindur në Tiranë më 1972, humbet prindërit në moshën tre vjeç dhe rritet nën kujdesin prindëror të xhaxhait të saj Agim Tola, të cilit ajo ia kushton gjithë karrierën e saj artistike.
Qysh fëmijë u dallua për zërin e saj të veçantë. Halla e saj, mësuese violine, zonja Hatlie Tola, duke vënë re zërin plot ngjyra të mbesës së saj, në moshën katërmbëdhjetëvjeçare ia besoi për ta dëgjuar këngëtarit të madh Gaqo Çako, i cili menjëherë kuptoi cilësitë e veçanta të zërit të Mirjamit dhe e këshilloi hallën e saj, që vajza të fillonte studimet në Liceun Artisitk “Jordan Misja” në degën e kantos. Vajza e njomë, me shtat të lartë mbi shoqet, filloi kështu rrugën e bukur, por të vështirë drejt artit të të kënduarit.

Rruga drejt artit operistik

Pas mbarimit të Liceut Artistik, nën drejtimin e pedagogut Behar Islami, konkurron në Akademinë e Arteve, por për çudi komisioni atë vit nuk e pranon. Vajza e re, nga kjo padrejtësi, ra në gjendje dëshpërimi për muaj me radhë, por në fund ajo gjeti forca për të konkurruar përsëri vitin e ardhshëm. Këtë herë këngëtarja e mirënjohur Suzana Frashëri, sa dëgjoi interpretimin e saj në konkurs, shprehu habinë e saj, se si kishte pasur mundësi, që një zë aq i veçantë liriko-dramatik, me një diapazon të gjerë, plot ngjyra, kishte mbetur jashtë Akademisë për një vit dhe kërkoi ta merrte si studente të saj. Për Mirjamin filluan vitet e studimit në Akademinë e Arteve të Bukura nën drejtimin e pedagoges Suzana Frashëri. Në vitin 1994 mbaron me sukses studimet dhe debuton në operën “Bastiani dhe Bastiana” të Ë.A. Moxart dhe në “Bohemë” në rolin e Mimisë të Xh. Puçinit.
Ndërkohë kualifikohet në konkurse të ndryshme jashtë shtetit, mes të cilëve “Voci Verdiane” (“Zëra Verdianë”) në Buseto, “Puçini” në Linkoln Center të Nju Jorkut, “L.Zachary” në Kalifoni dhe merr çmimin Eberhard Ëaechter-Medalie e Staatsoper të Vienës si një talent i ri. Pas kësaj shkon për t’u perfeksionuar në Moxarteum të Salizburgut me basin rumun Boris Bakov dhe me pianistin koncert - maestro Alesandro Mishiashi, i cili sot bashkëpunon me dirigjentin me famë botërore Rikardo Mutin.

Hapat e suksesit

Ishte Salzburgu qyteti, që i hapi udhën e karrierës kësaj këngëtareje të re. Interpreton në teatrin e Operës të këtij qyteti, ku u njoh dhe bashkëpunoi me artistë si Anton Guadanjo, Renzo Xhakeri, Massimo Xaneti etj. Pas Salizburgut vazhdon aktivitetin e saj në Gjermani, Holandë, Belgjikë, Slloveni, Kroaci dhe në disa vende të tjera, duke kënduar në koncerte të ndryshme dhe duke interpretuar në operat e njohura si “Norma” e V. Belinit, “Aida” të Xh. Verdit, “Turco in Italia” të Xh. Rosinit, “Tosca” të Xh. Puçinit, “Andrea Chenier” të Xhordanos. Në vitin 2007 dëgjohet nga Maestro Rafaelo De Banfild, muzikant me famë botërore dhe këshilltar artistik i Teatrit të Triestes, i cili e vlerëson zërin e Mirjamit duke e krahasuar me atë të këngëtares së njohur bullgare Gena Dimitrova dhe e fton të këndojë në Trieste. Kështu Mirami fillon aktivitetin e saj në Itali duke interpretuar rolin e Suor Anxhelikës në operën me të njëjtën titull të Xh. Puçinit, për t'u ftuar sërish në pranverën e vitit 2008, ku debutoi përsëri me shumë sukses në operën “Shtatë mëkatet kapitale” të kompozitorit K. Ëeill, në rolin e Anës.

Opera “Toska” e Xh. Puçinit dhe suksesi

Dhe ja erdhi nëntori i këtij viti, kur kjo këngëtare shqiptare do të interpretonte rolin e Floria Toskës në operën “Toska” të Xh. Puçinit. Publiku triestin është një publik kërkues, sepse vetë ky teatër ka një jetë aktive prej më shumë se dy shekujsh, ku janë ngjitur në skenën e tij këngëtarë me famë botërore në shekuj deri tek Maria Kalas, Franko Koreli, Hoze Kareras, Joze Kura etj, dirigjentë si Arturo Toskanini, H. Karajan etj.. Në këtë teatër prestigjioz kanë interpretuar me shumë sukses edhe këngëtarët tanë lirikë si Inva Mula, Ermonela Jaho, Josif Gjipali, Enkeleida Shkoza, Erla Kullaku, Gëzim Myshketa, Oriana Kurteshi dhe ja pas interpretimit të rolit të Floria Toskës me shumë sukses në operën e Hamburgut në Gjermani, sopranon tonë Mirjam Tola e pret skena e këtij teatri të operës. Salla për gjithë ato netë , ku interpretoi këngëtarja Mirjam Tola ishte mbushur plot e përplot. “Që në aktin e parë hyrja e saj në skenë krijoi një figurë të lartë, një Floria Toska të brishtë, pasionale në krahët e Mario Kavaradostit, por që diti të transformohej në një Toskë “divë”, kur përballet me baron Skarpian. Me një zë me timbër të shkëlqyer, me ngjyra të forta dramatike, me një korrektësi të jashtëzakonshme në linjën e kantos, gjithashtu dhe me një pamje fizike plot personalitet, si një ngjasim i madh me divën e operës lirike Maria Kalas, Mirjam Tola arriti të transmetojë tek spektatorët gjithçka duhet për një rol si ai i Toskës, duke e emocionuar publiku”, do të shkruanin gazetat për të.

Teatri i Triestes

Siç e theksova dhe më lart, Mirjam Tola, doli në një skenën me tradita, në një teatër opere, si ai i Triestes, i cili ka një publik të apasionuar, me fondacione pro operës, me studiues dhe kritikë të një niveli ndërkombëtar, që kanë përcaktuar gjithmonë nivelin e operës në Trieste, duke zgjedhur këngëtarët, dirigjentët etj.
Rolin e Toskës, të zgjedhur vetë nga Puçini, në vitin 1900, e ka interpretuar këngëtarja me famë botërore, rumunia Hariklea Darklé, e cila këtë rol e ka interpretuar dhe në teatrin “Xh. Verdi” të Triestes. Më vonë kanë interpretuar këtë rol në këtë teatër dhe këngëtaret e famshme si Maria Kanilia, Magda Olivero, Raina Kabaivanska dhe së fundi Daniela Dessì.
Sot e kësaj dite, publiku i zgjedhur i Triestes, (shumica e ka të abonuar vendin për gjithë vitin për çdo realizim opere) jep në forma të ndryshme mendimin e tij kopetent, që fillon nga pjesëmarrja, komentet gjatë pushimeve dhe gazetat, veçanërisht për “Toskën”, që mbahet si një nga veprat më të bukura të Puçinit dhe të repertorit operistik botëror. Për këtë arsye dhe analizat dhe kritikat do të ishin shumë të mprehta, sepse kjo opera njihet fjalë për fjalë dhe notë për notë nga spektatori triestin. Pra, çdo interpretim është në një kontroll të rreptë dhe në një krahasim të imët me interpretueset e mëparshme.
 
Historia e operës “Toska”

“Toska” është një dramë e dramaturgut të njohur francez Vitoriano Sardù e krijuar prej tij rreth vitit 1887 dhe që dallohet si një krijimtari e dendur dramatike, e cila pati shumë sukses në skenat e Francës të asaj kohe. Këtë dramë autori e ka ndërtuar me një ngjeshje të madhe dramatike, për t’i dhënë mundësi aktores më të madhe të dramës në atë kohë, Sara Bernard, e cila ishte dhe një shoqe e tij e ngushtë. Këtë gjë ajo e vlerësoi shumë duke e quajtur këtë dramë si më të bukur të krijuar nga ky autor. Porsa u njoh me këtë dramë Xh. Puçini u emocionua dhe e zgjodhi atë si subjekt dhe siç e ka shprehur dhe vetë vazhdimisht, zgjodhi në të konfliktin kryesor, gërshetimin e vazhdueshëm gjatë operës, të pasionit të madh të dashurisë Toska- Kavaradosti dhe mashtrimin tragjik të shefit të policisë Skarpia. Pra, Puçini ka gërshetuar dashurinë me tradhtinë dhe vdekjen tragjike. Libreti u shkrua nga Xhuzepe Xhakoza dhe Luigji Ilika. Emri Toska, i zgjedhur nga Sardù, që është një mbiemër, ka një kuptim simbolik për kohën. Vjen nga fjala latine toxicum, që do të thotë helm. Pra, Toska është simbol i asaj që sjell lule, lulesjellëse helmatuese dhe me të vërtetë në këtë opera Toska “i helmon” gjer në vdekje Mario Kavaradostin, Anxhelotin, Skarpian dhe veten. Pra, çdo gjë që prek. Që në fillim të operës tingëllojnë akordet karakteristike të ligësisë dhe tradhtisë së Skarpias, të cilat përsëriten në momentet më tragjike të operës, kur vepron Skarpia.
 
box
Në skenë

Mirjam Tola, kur hyri në skenë, që nga pamja e saj e parë dhe frazat muzikore solli flladin puçinian dhe u ndje lirizmi, i cili u përhap dhe u ndej nga publiku. Në duetin që pason, ajo gërshetoi bukur frazat gjysmë parlato (të folura) me pianisimot dhe akutet, duke dhënë një prezantim mjaft shprehës të pasioneve të dashurisë mes dy heronjve. Janë këto momente muzikore kur Puçini paraqet me gjeninë e tij një verizëm të ri të avancuar në krahasim me veprat e tij të mëparshme. Në aktin e dytë nën presionin shtazarak të Skarpias, që do ta zotërojë atë fizikisht, Toska-Mirjam me lutje e dinjitet këndoi arien më të bukur të gjinisë operistike për soprano, lutjen e Toskës “Jetova me art , jetova me dashuri”, ku në një gjendje dëshpërimi të madh kërkon si fetare ndihmë tek Zoti. Në fillim ajo tregon jetën e saj të pastër dhe të sinqertë dhe pastaj shpërthen me disa fraza të mbajtura, që përfundojnë në akute, duke shprehur me forcë një lutje të madhe ndaj Zotit: “Përse, përse, o Zot, më mundon kështu?!” Duartrokitjet dhe “bravo!”-t e sallës treguan, se ai emocion ishte transmetuar thellë tek publiku. Por pas “Lutjes” Toska gjen gjithë forcën në figurën e saj dhe kërkon të shpëtojë nderin duke vrarë të ligun. E gjithë urrejtja e Toskës-Mirjam u përqendrua në frazat:”Vdis! Vdis! Vdis, i mallkuar!”, të cilat përsëri morën duartrokitje. Sipas vetë asaj që ka shënuar me dorën e tij vetë Puçini në partiturë, Toska-Mirjam kaloi nga e kënduara e frazës në interpretimin dramatik të frazës duke e mbyllur aktin e dytë me frazën e famshme: “Dhe para tij dridhej e gjithë Roma!”, që përsëri u pasua me akordet e orkestrës dhe duartrokitjet e nxehta të publikut. Në aktin e fundit, si në asnjë opera tjetër ndërthuren në skenë frazat e fundit të dashurisë me shpresën, shpëtimin e jetës dhe momentet tragjike të vrasjes me mashtrim të Kavaradostit.

box
Interpretimi

Mirjami nga frazat e fuqishme të shprehjes së dashurisë së madhe kaloi me interpretimin e saj dramaturgjik, të tensionuar, si dëshmitare në vrasjen e dashnorit të saj.
Opera nuk mund të përfundonte pa shpërthimin e gjithë dufit të hakmarrjes së Toskës-Mirjam mbi të keqin dhe arrin kulmin me anë të akutit të zgjatur në frazën e fundit “O, Scarpia davanti a Dio!”(“O, Skarpia para Zotit!”), që shoqërohet me melodinë e aries së Kavaradostit dhe hedhjen e Toskës nga kështjella Sant Anxhelo. Duartrokitjet, bravot dhe nxjerrja e njëpasnjëshme para skenës të një salle të tejmbushur prej artdashësve, vërtetonte për radhitjen e Mirjam Tolës në interpretueset e suksesshme të këtij roli në teatrin me traditë të madhe të Triestes. Kështu, mund të themi, se Toska” e Mirjam Tolës ishte një triumf i vërtetë për artisten tonë, të cilës i urojmë suksese edhe më të mëdha në të ardhmen. 



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora