E enjte, 25.04.2024, 03:32 PM (GMT+1)

Speciale

Enver Bytyçi: Filozofia politike e Ibrahim Rugovës

E enjte, 22.01.2009, 12:52 AM


Enver Bytyçi, analist
Në përkujtim të tre vjetorit të vdekjes (Pjesa I)

Filozofia politike e Ibrahim Rugovës

Kurrë ndonjëherë më parë nuk ishte konstruktuar një vizion kaq i qartë dhe një profil kaq dinamik e magjepës, si ai që kishte vizatuar Ibrahim Rugova për vendin e tij e të shoqërisë shqiptare. Kurrë ndonjëherë bota shqiptare nuk kishte përpunuar një filozofi kaq të kthjellët e kaq të kuptueshme për të ardhmen e tyre. Kurrë ndonjëherë ndonjë udhëheqës rajonal e më gjerë nuk ishte fiksuar me aq këmbëngulje dhe nuk kishte qenë aq bindës në shërbim të paqes, të së drejtës e të lirisë njerëzore për shtetformim e demokraci, sa ç'ishte Rugova.

Nga Enver Bytyçi
eb_shqip@hotmail.com

Më 21 janar shënohen tri vite, që kur Presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova, ndërroi jetë. Tri vite janë shumë pa njeriun që ideoi dhe realizoi vizionin shumëshekullor të shqiptarëve për liri, pavarësi e demokraci. Jeta dhe veprimtaria politike e udhëheqësit politik e shpirtëror të shqiptarëve, presidentit Rugova, është vlerësuar dhe vazhdon të ngjallë debat në mënyra kontraverse. Kjo është e zakonshme në një shoqëri demokratike e pluraliste, ndaj dhe një mënyrë e tillë vlerësimi vetëm sa ndriçon të vërtetat dhe sjell në publik një realitet, në të cilin kanë vepruar instikte e ndjenja njerëzore të përziera si në një veprimtari kaosi.
Ky fakt e bën të dmozdoshëm debatin mbi rolin historik, kulturën filozofike dhe ndikimin aktual të njëriut që për dy dekada qëndroi në qendër të një procesi historik të papërsëritshëm jo vetëm në hapësirën shqiptare, por edhe më gjerë. Megjithatë, që në fillim më duhet të shkruaj faktin se Ibrahim Rugova mbetet e do të mbetet personaliteti i vetëm shqiptar me një profil origjinal, të paarritshëm deri më sot në territoret shqiptare  e më tej, në hapësirën ballkanike. Ibrahim Rugova mbetet themeluesi i një filozofie të re politike, vlerat e së cilës vetëm se do të rriten dhe kurrë ndonjëherë nuk do të veniten. Ibrahim Rugova ishte dhe do të analizohet nga shkenca politike bashkëkohore dhe ajo që do të pasojë, nga biografët dhe historianët si një rast unikal në rrafshin shqiptar dhe në rrafshin ballkaniko-europian.
Kurrë ndonjëherë më parë nuk ishte konstruktuar një vizion kaq i qartë dhe një profil kaq dinamik e magjepës, si ai që kishte vizatuar Ibrahim Rugova për vendin e tij e të shoqërisë shqiptare. Kurrë ndonjëherë bota shqiptare nuk kishte përpunuar një filozofi kaq të kthjellët e kaq të kuptueshme për të ardhmen e tyre. Kurrë ndonjëherë ndonjë udhëheqës rajonal e më gjerë nuk ishte fiksuar me aq këmbëngulje dhe nuk kishte qenë aq bindës në shërbim të paqes, të së drejtës e të lirisë njerëzore për shtetformim e demokraci, sa ç'ishte Rugova. Për këto arësye mund të vihet në përfundimin se sa më shumë vite kalojnë, aq më shumë do të minimizohen dhe do të harrrohen gabimet njerëzore të Rugovës, sepse Ai arkitektoi të ardhmen e një vendi, Kosovës, të cilën pesimistët e shumtë në botë e kishin cilësuar si epiqendrën e një lufte shkatërruese, të cilën shpesh e cilësonin si fillimin e "Luftës së Tretë Botërore". Me filozofinë e tij politike Ai e shndërroi në një realitet atë që mund të quhet e pamundur për logjikën e shumë shkenctarëve dhe studiuesve në botën demokratike. Vetë njohës të shquar të arkitekturës historike të Ballkanit nuk kanë mundur të besojnë se një personalitet i këtyre hapësirave do të arrinte të shkëputej plotësisht nga konceptet arkaike nacionaliste të së kaluarës dhe do të shëndërrohej në një simbol të luftës moderne për liri, pavarësi e drejtësi. Ky personalitet erdhi në jetën politiko-shoqërore si i tillë dhe Ai mban emrin e të shquarit, Ibrahim Rugova.
 
1. Ndjenja e përkushtimit për jetën 
 
Ibrahim Rugova u lind më 2 dhjetor 1944 në fshatin Cërrcë të komunës së Istogut, në perendim të Kosovës. Atëherë ishte fundi i Luftës së Dytë Botërore dhe vendin e pushtuesve gjermanë e kishin zënë pushtuesit komunistë jugosllavë të përzier me çetnikët nacionalistë serbë. Kur u lind Ibrahim Rugova nuk jetonte babai i tij Uka e as gjyshi, Rrusta. Vetëm pak javë më parë ata ishin pushkatuar nga gjyqet partizane serbe nën akuzën "se kishin bashkëpunuar me nazistët gjermanë", shkurt se i ishin bashkuar një pushtuesi jashtëballkanik për të luftuar kundër pushtuesit ballkanik serb. Nëna Sofë e kishte rritur Atë me shumë mundime, si një fëmijë të vetëm.
Ky fat i pamëshirshëm, të cilin pushtuesit serbë të shekullit të XX kanë ditur e kanë mundur t'ia sjellin të gjitha familjeve shqiptare, e kishte bërë Ibrahim Rugovën të rritej me ndjenjën e sfidës. Gjatë kohës kur mësonte në shkollën fillore në fshat, apo në shkollën e mesme në Pejë, kishte formuar në vetvete bindjen se jeta duhet jetuar ashtu siç ajo mund të vijë. Ndërkaq kishte ekzaminuar sfidën kryesore, të cilën do të duhej ta përballonte, me qëllim që jeta të bëhej më e këndshme dhe që vetë Ai të ishte më i përkushtuar ndaj saj.
Sigurisht që i vinte të çahej prej inatit, sepse jetim nuk e kishte lënë Zoti, por pushtuesi serb. Për të do të ishte më lehtë që si rrugë "mbijetese" të zgjidhte modelin e të parëve të tij, të hakmerrej në mënyrë të dhunëshme kundër vrasësve serbë. Por jo. Më parë se të vizatonte modelin e rezistencës shqiptare të së ardhmes ai kishte marrë kontakt dhe kishte studiuar, siç e thoshte vetë, autorët humanistë me famë botërore, Balzac-un, Shakespear-in, Kafka-n, Dostojevskin dhe Proust. Përmes këtyre shkrimtarëve dhe filozofëve Ai kishte mësuar e përvetësuar një filozofi të re të rezistencës e të qëndresës përballë pushtimit e aparteidit serb në Kosovë. Sa më shumë rritej e burrnohej Rugova kishte ndjerë përgjegjësi të shumëfishta: Përgjegjësi për vetëveten, përgjegjësi për familjen e përgjegjësi për fatin e kombit të tij nën pushtim e në robëri. Edhe sfidën e jetës e shihte si të tillë, si domozdoshmëri të suksesit. Ishte koha e fëmijërisë dhe e rinisë kur e ndjente se kishte qenë i "përkdheluri" dhe dashuria e vetme e nënës Sofë, ndaj dhe ai ishte pushtuar nga ndjenja e jetës, nga ndjenja për ta jetuar e sfiduar atë, gjithnjë në emër të dashurisë për lirinë.Por një jetim i rritur me aq mundime nuk mund të mos shihte, qoftë dhe më njëfarë arrogance të fshehur në drejtim të përjetësisë. Ndaj dhe tek Ai kishte lulëzuar imagjinata dhe fantazia e të qenit sfidues. Ai kishte gjetur gjithashtu mjetet e armët e domozdoshme për këtë, për të qenë më në fund krenar se kishte realizuar amanetin e njerëzve të tij të dashur, të cilët ishin sakrifikuar për këtë vend. Në mbi dymilion shqiptarë të Kosovës do të gjendeshin së paku njëmijë ose dymijë të tillë që mendonin e besonin në ato që besonte Ibrahim Rugova. Por ndër të gjithë ata që besonin e mendonin për këtë ide, vetëm Ai do të dëshmonte se i përkiste një filozofie të re, një mënyre të re të të menduarit dhe të vepruarit për t'u çliruar nga robëria serbe.
Kjo lloj filozofie ishte formuar në qenien e Ibrahim Rugovës përfundimisht në kohën kur ai kishte marrë kontakt me njohuritë filozofike gjatë studimeve në universitet. Nga prindët kishte marrë gjithmonë këshillën për durim e urtësi. Nga filozofia kishte mësuar gjithnjë se kjo mënyrë sjelljeje është më e dobishme dhe humane. Ai u kishte rezistuar rapsodive patriotike, në të cilat, përveç grykës së pushkës e grykës së topit, nuk gjente vend kënga e melodia për filozofinë e të menduarit, të duruarit, si mjet edhe për t'u çliruar nga një sundim i huaj. Ai kishte mësuar për lëvizjet çlirimtare paqësore, sidomos për atë që quhet "Ghandizëm" në Indi, "Mandelizëm" në Afrikën e Jugut ose "Lutherizëm" në Shtetet e Bashkuara të Anerikës. Por me një ndryshim thelbësor: Ndërsa gandistët e mandelistët përballeshin me demokracinë angleze, si dhe lutheristët me demokracinë amerikane, Rugova dhe rugovistët përballeshin me politikat nacionaliste obskurantiste serbo-ballkanike si dhe me makinerinë e një shteti nacional-socialisto-komunist serb, i cili aplikonte në luftën kundër shqiptarëve metodat më sofistikuese të përdorura nga regjimet më totalitare të djathta e të majta në Europë.
Rugova filozofinë e rezistencës gandiste e kishte mësuar gjatë studimeve në fakultetin e filozofisë në Universitetin e Prishtinës e më së shumti e kishte përvetësuar gatë studimit të literaturës në vitet 1976-1977 në Universitetin e Parisit. Pas kësaj njohuritë e tij në fushën e albanologjisë do të ngjitnin një shkallë të re, derisa më 1984 Ai do të mbronte në Prishtinë gradën e Doktorit të Shkencave. Ndaj dhe mund të thuhet se jeta e veprimtaria e Ibrahim Rugovës, më parë se politikan, ishte trasuar si "gandist" i bindur gjatë sfidave që kishte kaluar si redaktor në gazetën e studentëve "Bota e Re" dhe në revistën shkencore "Dituria", si studiues për gati dy dekada në Institutin Albanologjik dhe ndërkohë si kryeredaktor i revistës "Gjurmime albanologjike", që e nxirrte ky Institut. Ish-bashkëpunëtorët e tij tregojnë me simpati temperamentin "gandist" të Rugovës edhe në situata të vështira, gati tragji-komike. Një rast i përmendur më shpesh ka të bëjë me një fakt të papublikuar, kur drejtori i Institutit Albanologjik të Prishtinës kishte dhënë urdhër që atij të mos i jepej rroga. Dhe Rugova kishte shkuar me qetesine e Tij karakteristike tetë muaj në sportelin e arkës për ta marrë rrogën mujore e ishte kthyer me duar bosh. Megjithatë, asnjëherë nuk kishte thënë një fjalë të vetme në adresë të drejtorit a të dikujt tjetër, nuk kishte përmendur as fjalën "padrejtësi", as fjalën "hakmarrje", as diçka të ngjashme.
Në vitin1986 Rugova Ai ishte zgjedhur Kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve, të cilën e kishte shndërruar shumë shpejt në një bërthamë të lëvizjes shqiptare për të kundërshtuar sundimin serb në Kosovë. Njeriu i heshtur dhe durues, në cilësinë e Kryetarit të Lidhjës së Shkrimtarëve, do të shfaqej legjendar në një kongres të shkrimtarëve serbë më 1988, kur me kurajo dhe publikisht do të denonconte dhunën ushtarake e policore të Serbisë në Kosovë. Gazeta e njohur gjermane "Frankfurter Rundschau" e datës 23 gusht 1999 e kujtonte këtë eviniment në gojën e një studenti të ri të Prishtinës me këto fjalë: "Ne kosovarët nuk ishim mësuar që dikush të fliste për ne. Rugova ishte treguar kurajoz, atëherë kur të tjerët kishin frikë të flisnin". 1)
Vazhdimi përmanent i dhunës dhe aparteidit serb kundër shqiptarëve, të qenit në krye të organizatës më prestigjioze të njerëzve të letrave në Kosovë, si dhe revolta shpirtërore që akumulohej te Ai, ishin tri momente vendimtare që e vunë Ibrahim Rugovën në ballin e luftës së shqiptarëve për liri, demokraci e pavarësi. Më 23 dhjetor 1989 ai u zgjodh kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës. Zgjedhja dhe veprimtaria e tij në krye të LDK-së e më pas si President i Republikës së Kosovës, për Rugovën nuk ishte një inskenim, as thjesht një eviniment, aq më pak një spektakël. Ai detyrën si udhëheqës e lider i shqiptarëve i pa si përmbushje të detyrimit. Rrallë kush, ose askush tjetër në trevat shqiptare nuk ka mundur që këtë detyrim ta përmbushë me aq maturi, me aq dinjitet e stil, si Ibrahim Rugova. Për këto arësye Ai ka merituar gjithë mirënjohjen e shqiptarëve si dhe të vendeve perendimore demokratike. Kjo e bën dhe do ta bëjë atë gjithnjë të kërkuar, gjithnjë prezent, gjithnjë të dëshiruar në të gjitha etapat e zhvillimit e në të gjitha vendimarrjet e rëndësishme.

1) Gazeta "Frankfurter Rundschau", nr 154, e hënë, 23 gusht 1999.

Në pjesen e dytë do të lexoni:
Cilat ishin kushtet politiko-shoqërore, të cilat e nxorën Ibrahim Rugovën në krye të lëvizjes së shqiptarëve për liri, pavarësi e demokraci? Si kishte mundur Ai që të sfidonte mitin serb "të të qenit viktimë"? Çfarë kishte planifikuar qeveria serbe për eleminimin dhe diskretitimin e udhëheqësve shqiptarë të Kosovës dhe si kishte mundur Ibrahim Rugova t'i sfidonte plane të tilla?

 



(Vota: 6 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora