E enjte, 18.04.2024, 02:05 PM (GMT+1)

Shtesë » Historia

Shevki Sh. Voca: Duat Boriçi (1825-1896), Rilindës dhe veprimtar i dalluar...

E marte, 20.01.2009, 06:58 PM


 

1

 

DAUT BORIQI (1825-1896) RILINDËS DHE VEPRIMTAR I  DALLUAR     KRYETAR I LIDHJES SHQIPTARE TË PRIZRENIT PËR SHKODRËN

 

Nga Shevki Sh. Voca  

 

 

Shevki Sh. Voca
Shevki Sh. Voca
Familja Boriçi e Shkodrës radhitet në grupin e familjeve  të mëdha patriotike dhe atdhetare të këtij qyteti. Ata rrjedhin nga fshati Boriç i Tivarit dhe, sipas disa rrëfimeve dhe shkrimeve të ruajtura nga anëtarët e kësaj familjeje ata në Shkodër ishin vendosur në shekullin e XVII-të, aty rreth vitit 1650. Fillimisht ishin vendosur në lagjen Sudbeqe, ndërsa gjatë kalimit të kohës ata vendosen në lagjen Perash të qytetit, ku vazhdojnë akoma të jetojnë mjaft prej pasardhësve të tyre.[1] Ndërsa në një version tjetër për vendosjen e kësaj familjeje në Shkodër, që dallohet pak nga paraprakja thuhet: “Familja e Boriçëve ishte një familje shqiptare e shpërngulur nga fshati Boriç i rrethinave të Tivarit, sikur e vërteton dhe patronimi që mbart. Sipas kujtesës familjare, vendosja në Shkodër duhet të ketë ndodhur nga fillimet e shekullit 18-të, më parë në lagjen Sudbeqe e pastaj aty ku janë sot, në lagjen Perash.”2 Pra, siç e vërejmë dallimi në mes këtyre dy versioneve qëndron në kohën e ardhjes dhe vendosjes së kësaj familjeje në qytetin e Shkodrës.  

   Familja Boriçi tok me familjet tjera siç janë për shembull Bushatët, Çobët, Gjylbegët, Dizdarët (familje Dizdari ka edhe në Ulqin, por të mos ngatërrohen me këta të Shkodrës SH. V.) dhe të tjerë radhiten ne mesin e familjeve më të mëdha dhe më të vjetër Shkodrane. Por para se gjithash ata ishin patriot e atdhetar, shkollar e intelektual, aktivist dhe veprimtar te dalluar të cilët nuk sakrifikuan asgjë që ishte në vijën e interesit dhe dobisë kombëtare. Nga gjiri i kësaj familjeje dolën dhe vazhdojnë të dalin njerëz të pendës dhe të pushkës, si në disa breza hoxhallarë përparimtar, myderriz e mësues të popullit, inspektor dhe drejtor shkollash, botues të abetares shqip me alfabet arab, ekonomist , administrator e gazetar të dalluar siç është për shembull pedagogu dhe gazetari i njohur Hamid Boriçi, autor i librave për fakultetin e gazetarisë dhe një nga krijuesit e tij. Pastaj Mjeshtri i Madh i Punës siç e mbante epitetin në sport, futbollisti Loro Boriçi, i cili më vonë ishte trajner për disa vite i skuadrës “Partizani”, dhe disa herë trajner i ekipit kombëtar. 3 Nuk duhet harru edhe Bahri Boriçin, i cili gjatë viteve1996-2000 ishte në krye të komunës në Shkodër, mandej Vahid  Boriçin, këshilltarë në Presidencë, 4 dhe të përndjekurin politik Nexhat S. Boriçi, i cili bashkë me prindër erdh në Kosovë ku një kohë punoi si mësues në shkollën fillore të fshati Rahovicë. Më vonë u transferua në Preshevë ku jetoi dhe veproi deri sa vdiq më 1975. Në regjinë e tij nxënësit

e Shkollës Fillore të Preshevës e dhanë dramën për fëmijë “Në tren”, e cila u transmetua edhe nga Radio Prishtina.5

    Studiuesi Hamid Bushati, duke i bërë një analizë familjes Boriçi me të drejtë argumenton se karakteristikë e kësaj familjeje nuk ishte vetëm të shkolluarit e bijve të saj,

por edhe vendosja në ofiqe të ndryshme. Pesë brezat (diku tjetër qëndron tre breza Sh. V.) e parë të familjes ishin hoxhallarë dhe njerëz të shkolluar të punësuar nëpër administratë, Hyseni, Rexhepi, Salihi, Mustafa, (babai i Dautit) dhe Dauti. Pas këtij vazhduan edhe katër breza tjerë me misione të njëjta deri tek Shefqeti dhe Rizaja, kur me kushtetutën e vitit 1967, Shqipëria u shpallë shtet i parë ateist 6 me ç’rast u ndalua çdo lloj aktiviteti fetar dhe u shkatërruan me qindra faltore myslimane dhe të krishtere, duke mos e kursyer persekutimin dhe pësimin e klerikëve fetar, që një fat të njëjtë patën edhe shumë besimtar të devotshëm të cilët nuk u pajtuan me aplikimin e ligjit të ri kundër fesë.   

   Ndërkaq që sikurse e kanë vërejt edhe studiues të tjerë, se e veçanta e familjes Boriçi nga Shkodra të cilët përveç aktiviteteve dhe obligimeve të punëve të jetës së përditshme,  kanë arrit të lënë biblioteka shumë të pasura, që ruhen nga trashëgimtarët e tyre, në të cilat përveç literaturës së pasur gjenden edhe dokumente të ndryshme të të parëve të kësaj familjeje, dekrete emërimesh, ditarë e kronika të viteve të shekullit XIX dhe më pas. Ditar dhe kronika të udhëhequra prej Mustaf Boriçit, djemve të tij Salos dhe Daut Boriçit, pastaj Musa Boriçit të birit të tij Jonuzit e deri tek stërnipi Muhsin Boriçi në bibliotekën e të cilit gjenden kopjet e abetares së shkruar nga Daut Boriçi, pastaj dekretet e emërimeve të anëtarëve të kësaj familjeje nëpër poste të larta të administratës etj.

   Babai i Dautit, Mustafa Sali Boriçi, diku tjetër qëndron Mustafa Refik Boriçi nuk ishte klerik, por nëpunës në administratën shtetërore që ishte ndër më aktivët në kryerjen e detyrës të sekretarit personal të sundimtarit të Shkodrës, Mustafa Bushatit, 7 (1796-1860),  me tërheqjen dhe dorëzimin e të cilit mori fund edhe dinastia mbi një shekullore e sundimit të pashallëkut të Bushatlinjve të Shkodrës. Pas rënies së Pashait të Bushatit, Mustafa Boriçi filloi të merrej me tregti. Ai ka lënë disa ditarë e kronika të shkruara ku jepen të dhëna për zhvillimet ekonomike e shoqërore të kohës në Shkodër. Ka lënë një regjistër kontabiliteti për qarkullimin e mallrave. Këto ditarë nga viti 1834 janë edhe regjistra të marrëdhënieve tregtare dhe bujqësore në të cilat Mustafa Boriçi ka shënuar llogaritë që ka pasur me tregtar nga vendi dhe ata të huaj, me fshatarë dhe shumë të tjerë. Aty janë shkruar emrat e tregtarëve shkodranë që zhvillonin aktivitet brenda dhe jashtë vendit, ku përmenden edhe destinacionet dhe lloji i mallrave që importohej dhe eksportohej prej tyre si në Rumeli, Bullgari e Serbi, ku merrnin dhe çonin mallra si mëndafsh, lesh e lëkurë, dru apo fruta të thata etj. Pastaj në kronikat e tij ai ka shënuar datat, me ditë e orë të ngjarjeve të ndryshme të qytetit, si për shembull rrënimin e minares në vitin 1831 nga topat e gjuajtura, emrat e shkodranëve, tiranasve e matjanëve që luftuan dhe dhanë jetën duke luftuar kundër malazezëve dhe shumë ngjarje tjera nga qyteti i

Shkodrës. 8 Regjistri i Mustafa Boriçit ka përmasa 25x32cm., është shkruar turqisht dhe  i lidhur me karton, me letër të trashë, e cila ka 99 faqe.

   Rrugën intelektuale të Mustafa Boriçit dhe të para ardhësve të tyre e trashëgoi i biri Daut efendi Boriçi por, sipas informatave që i zotërojmë vërejmë se i biri ishte pak ca më

i flaktë më aktiv dhe më i vendosur në arritjen dhe realizimin e interesave kombëtare, gjë që mund ta  shohim nga veprimtaria dhe krijimtaria e tij jetësore.

   Nga shënimet autobiografike të vet Daut Boriçit por edhe të shënimeve të babait të tij del se Dauti ka lindur më 20 dhjetor 1825 në Shkodër.9  Ndërkaq në disa burime tjera e gjejmë edhe datën tjetër të lindjes së Dautit , ku figuron 22 nëntor 1823.10 Por para se gjithash të gjithë autorët që në një mënyrë apo tjetër kanë shkruar për Daut Boriçin janë të pajtimit se ishte një patriot dhe atdhetar i flaktë, hoxhë përparimtar dhe mësues i popullit, inspektor i shkollave dhe drejtor i Shkollës së Mesme “Ruzhdie” të Shkodrës, i cili fshehurazi përpilonte tekste për të mësuar në gjuhën shqipe në shkollat fillore,11 autor të Abetares, kryetar i Lidhjes Prizrenit për degën e Shkodrës etj. për çka do të flasim më poshtë. 

                                                               

DAUT BORIÇI (1825-1896) PIKTURË NGA ISMAIL LULANI
Nga shënimet e Daut Boriçit kuptojmë se ai qysh si fëmijë 8 vjeçar bashkë me të vëllanë Salihin kishin frekuentuar shkollën fillore e cila gjendej tek Pazari i Vjetër, ndërsa mësues të parë në mejtep e kishin pasur Molla Ferhatin, një hoxhë nga Shkodra,

që kishte jetuar në periudhën 1772-1844. Ndërsa sipas shënimeve të Mustafa Boriçit (i ati i Dautit), Dauti pas kryerjes së shkollës fillore fëmijërinë e kishte kaluar pranë familjes.   

    Në vitin 1839, shkruan Dauti  atëherë kur isha në moshën14 vjeçare fillova  të mësoja  arabishten dhe të përcjelli mësimet teologjike nga myderrizët e njohur shkodran të Medresesë së Qafës, nga e cila medrese u përgatit një kontingjent klerikësh që më vonë u afirmuan, duke nderuar veten, institucionin nga e cila dolën dhe vendin. Këtë institucion

e kishte themeluar Mehmet Pashë Plaku, dhe ishte drejtpërdrejtë nën kujdesin e Mustafa Pashës.

    Pas kryerjes së kësaj medreseje të cilën sipas gjitha gjasave e vijojë deri në vitin 1845, Dauti emërohet në detyrën e imamit në xhaminë e Draçinit, dhe që nga ajo kohë u quajt Molla Dauti. Disa vite më vonë më 1850, Dauti shkoi për herë të parë në Stamboll ku ndoqi së pari, një medrese (seminar teologjik), pastaj shkollën e lartë pedagogjike të cilën e përfundoi me suksese të larta. Nga vitet e kaluara të studimeve në Stamboll, viti 1952, i la një kujtim të hidhur, sepse nga sëmundja e rëndë e tuberkulozit i vdiq shoku i tij shumë i afërt i studimeve, djaloshi i ri nga Shkodra, H. Ferati. Që të dy këta ishin ndër studentët më të mirë dhe më të sjellshëm. Gjatë viteve të qëndrimit në Stamboll 1950-1958, Dauti pati rastin të takohej me veprimtar të dalluar të rilindjes kombëtare, siç ishin; Hasan Tahsini, Seid Sermedin Toptani, Pashko Vasa, i cili kishte shkuar në Stamboll në vitin 1849, dhe në sajë të kulturës së gjerë të njohjes së gjuhëve të huaja, ai shumë shpejt kishte zënë punë në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Perandorisë Osmane, Jani Vreto i cili në Stamboll kishte shkuar në vitin 1854 në cilësinë e sekretarit të një firme që merrej me tregtinë e duhanit, dhe Thimi Mitkon. Këta patriot të cilëve iu bashkëngjit edhe Daut Boriçi me Jusuf Tabakun, vepruan me këmbëngulje për krijimin e një shoqërie kulturore, e cila kishte për qëllim të grumbullonte fondet e nevojshme për shtypjen e librave shqip dhe mbajtjen e shkollave shqipe. Kjo qendër kulturore e patriotëve të Stambollit, u kristalizua në vitet 1854-1857. Ajo u vu në lidhje edhe me shqiptarët e Rumanisë, Greqisë e me sa duket edhe të viseve tjera.12

     Krahas zgjuarsisë dhe vullnetit për të ecur përpara, Dauti do të karakterizohej edhe për nga fisnikëria shpirtërore dhe aftësia për të komunikuar lirshëm me të tjerët. Gjatë studimeve në Stamboll ai ishte takuar tri herë me Mustafa Pashën që aso kohe ndodhej në Stamboll. Te ky student i ri, ish sundimtari i Shkodrës, një njeri me moshë të avancuar, me eksperiencë të madhe jete, dhe me një formim kulturor e serioz, gjeti një bashkëbisedues aq interesant e të përgatitur, sa që i propozoi t’i jepte mësime private për gjuhë dhe besim të birit, Riza Beut, në një kohë që në kryeqytet nuk mungonin pedagogë të shquar, ndërkaq që kompensimi (pagesa) për këtë obligim nuk paraqiste kurrfarë problemi.13

   Pas kryerjes së kësaj shkolle, Dauti për një kohë u emërua mësues në Stamboll, e më vonë ai kreu edhe punën e inspektorit të arsimit në këtë vend. Në vitin 1858, pas kërkesës së babait ai kthehet në Shqipëri për t’i shërbyer popullit të vetë, dhe në qytetin e vendlindjes në Shkodër u inkuadrua si mësues në Shkollën e Mesme “Ruzhdije”, ku më pas u zgjodh edhe drejtor i saj.14 Kjo shkollë i përgjigjet shkollave të sotme tetë, tani

nëntë vjeçare që për kohën ishte shkollë e tipit më të përparuar, të cilin e ndiqnin shumë bijë të familjeve të qytetit, kryesisht myslimanë, pa përjashtuar edhe familje të besimeve të tjera. Në këtë shkollë përveç Daut Boriçit jepnin mësim edhe emra të njohur të kohës si

Sali Efendiu i Madh, Ahmed Efendi Kalaja, Ahmet Efendi Basha, që ishin tre nga myderrizët më të afirmuar të vendit, etj. Në detyrën e drejtorit të shkollës Dauti qëndroi deri në vitin 1867, ndërsa në vitin 1870 u emërua inspektor i arsimit në Shkodër si dhe u

ngarkua me detyrën e përgjegjësit të përhapjes së shkollave në Vilajetin e Shkodrës. Kësaj detyre ai iu përkushtua me ndërgjegje të lartë, dhe me dëshirën e mirë që drita e

arsimit të përhapej edhe në skajet më të largëta të vendit. Këtë na e konfirmon edhe propozimi i paraqitur në ministrinë përkatëse për hapjen e shkollave të reja në nënprefekturat Peqin, Kavajë, Durrës, Ulqin me ndjeshmërinë e kompetentit dhe të njohësit të mirë të problemit, ndonëse bëhej fjalë për një hapësirë gati sa gjysma e Shqipërisë së sotme. Emri i Daut Boriçit tashmë radhitej në listën e mësuesve më të mirë të prefekturave të ndryshme të shtetit të cilët kishin fituar tituj nderi. Ndonëse administrata e vilajetit me anë të një shkrese të datës 8/III/1874, Dautit ia kishte njohur meritat, në të cilën urdhërohej që: “Të virtytshmit, Zotni Dautit, t,i jepen të gjitha lehtësitë e nevojshme, duke i dhënë kalin e zaptin për ta shoqëruar dhe t,i kryhen të gjitha kërkesat që ai ka për ta paraqitë pranë autoriteteve lokale”.

   

ABETARE E D. BORIÇIT
Me që Daut Efendi Boriçi ishte një atdhetar i flaktë, mësimdhënës dhe edukator i rryer, politikan, shokë lufte e pende me Vaso Pashë Shkodranin, Abdyl Frashërin dhe të tjerë, ai në rend të parë që si motiv e kishte guximin, inteligjencën dhe vendosmërinë e tij, në kohën e ngjarjeve të mëdha të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit drejtoi për tri vjet komitetin e kësaj dege në Shkodër, duke e mbështetur në mënyrë aktive këtë lëvizje mbarëkombëtare. Në këto ditë të tensionuara patriotët dhe intelektualët shqiptar pa dallim feje përpilonin protesta dhe memorandume të cilët duke i shfrytëzuar lidhjet e tyre “miqësie” me qarqet diplomatike perëndimore iu drejtoheshin atyre. Kështu më 13 qershor 1878 u përpilua një memorandum e cila iu dërgua kryeministrit anglez, Lordit Bikonsfild, i cili në Kongresin e Berlinit përfaqësonte Anglinë, me kërkesën për tërësinë tokësore dhe pavarësinë e Shqipërisë, ku në mes tjerash thuhej: “Nëse dëshirohet të sigurohet një paq e qëndrueshme në popullsitë e Lindjes, duhet që ato të reformohen sipas kombësisë së vetë, duke respektuar lidhjet etnike, gjeografike dhe historike. Duke qenë një komb i vetëm për nga raca, gjuha, traditat, historia dhe nga të gjithë elementët përbërës të identitetit kombëtar, Shqipëria ka të drejtë të quhet, siç është në të vërtetë, një trup i vetëm dhe të organizohet në formë unitare nën një qeveri të vetëm.”15 Me nismën e Daut efendiut në qershor të vitit 1878, në një mbledhje të mbajtur në bibliotekën e qytetit ku ishte një numër mjaft i madh i të pranishmëve u shprehën dhe bënë ndërhyrje për pavarësinë e plotë të Shqipërisë.16  Shkodranët në krye me Daut Boriçin, bashkë më banorët e Ulqinit, Tivarit e Podgoricës ia drejtuan një protestë ambasadorit francez në Stamboll, në të cilën mes tjerash thuhet: “Ne, katolik e myslimanë, vëllezër prej shekujsh dhe që jetojmë në bashkësi interesash e zakonesh...pëlqejmë më mirë të asgjësohemi se sa të vdesim nesër të poshtëruar e të skllavëruar...”17 Ndërkaq që me këtë rast duhet theksuar

se memorandumi i intelektualëve dhe atdhetarëve të Shkodrës është dokumenti më serioz, më i mençëm dhe më largpamës në të cilin, në kohën e Krizës Lindore, paraqitet çështja shqiptare. Ai është program i vërtetë kombëtar. Ai është shprehës i vërtetë i vullnetit politik dhe i synimeve historike të popullit shqiptar.18 Me që zumë në gojë Krizën

Lindore është e udhës që kalimthi të cekim se deri në fundin e Perandorisë Osmane numërohen katër nga këto kriza: “E para është ajo e  viteve 1830-1840, e shkaktuar nga

ambiciet e Pashait të Egjiptit, Mehmet Aliu; e dyta e luftës së Krimesë (1853-1856) që iu tha ndal synimeve të hegjemonisë ruse në Ballkan; e treta ajo e viteve 1875-1878 që çoi në Traktatin e Berlinit dhe në një hartë të re të Gadishullit; e katërta dhe e fundit ishte kriza e viteve 1912-1918 e cila nëpërmjet bashkimit të luftërave ballkanike dhe Luftës I Botërore solli zhdukjen e Perandorisë Osmane.19 Mirëpo, ngjau që personalitetet shqiptare thellësisht të zhgënjehen dhe të dëshpërohen nga që as delegacioni britanik dhe as ai francez që i cekëm më parë, në Kongresin e Berlinit fare nuk e preken çështjen shqiptare, nga se të dy këta fuqi nuk e dëshironin (bile në atë kohë Sh. V.) shembjen e tërësishme të Perandorisë Osmane.20

 

Bismarku (1815-1898)
Ndërkaq që kancelari i Gjermanisë, Bizmarku, duke mohuar ekzistimin e kombit shqiptar deklaronte se nuk ka një kombësi shqiptare,21 pra e mohonte kombësinë shqiptare. Për të vërtetuar sesa Bizmarku kishte urrejtje dhe qëndrim tendencioz ndaj shqiptarëve, këtë gjë e dëshmon një dokument zyrtar italian i vonshëm i 22 korrikut 1910 dalë nga Ambasada Mbretërore Italiane në Stamboll, në të cilën thuhet: Në vitin 1878 kur mbahej Konferenca e Berlinit, luftëtari i palodhur Abdyl Frashëri, i deleguar nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit, me lot në sy i lutej Bizmarkut për akordimin e një autonomie të

popullit shqiptar. Kancelari gjerman me plot ironi u përgjigj: “Ju shqiptarët duhet të keni libra dhe se librat e juaja duhet të jenë të shkruara me ngjyrë të kuqe.”22  Pra edhe

Gjermania sikurse dhe Anglia e Franca si duket mu në kohën e ngjarjeve të mëdha të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit nuk e dëshironte shpartallimin e tërësishme të Perandorisë Osmane. E sidomos kancelari gjerman Bizmarku i cili e çmonte shumë lartë Sulltan Abdyl Hamitin II, për të cilin pati thënë: “Nga njëqind gram mend, nëntëdhjetë gram janë të Abdyl Hamitit, pesë të mitë, ndërsa pesë gramin e mbetur e ndajnë politikanë të tjerë.”23

    Lidhja Shqiptare e Prizrenit ishte bërë pengesë serioze në rrugën e realizimit të synimeve të Fuqive të Mëdha dhe të qarqeve monarkiste ballkanike ndaj Shqipërisë. Shtypi dhe qarqet politike e diplomatike të këtyre vendeve e përcillnin me shqetësim dhe u shprehën me përbuzje për çdo veprim të Lidhjes, sepse në Kongresin e Berlinit trojet shqiptare trajtoheshin si “zotërime turke”, kurse shqiptarët nënshtetas të Turqisë”!24

    Me që fuqitë e Mëdha në Kongresin e Berlinit siç thamë edhe më parë nuk e dëgjuan zërin e popullit shqiptarë të cilëve me dhunë iu ndanë territoret dhe iu dhanë serbëve, malazezëve, dhe grekëve, me çka  Serbisë iu njoh zotërimi i krahinave të Nishit, të Pirotit, të Prokuples, të Vranjës dhe të Leskovcit, që në marrëveshjen e Shën Stefanit iu kishin dhënë Bullgarisë. Tani Serbia u zmadhua prej 34.000 km2 të territorit sa kishte, në 48.700 km2, Malit të Zi iu njoh pavarësia dhe, përpos trevave malazeze të Nikshiqit, Spuzhës, Zhabjakut, dhe Podgoricës, asaj iu dhanë edhe trevat shqiptare të Plavës, Gucisë, Tivarit, dhe Rugovës. Në Kongresin e Berlinit Mali i Zi kishte hyrë me një sipërfaqe prej gjithsejtë 4.700 km2, por pas përfundimit të Kongresit ajo doli me një sipërfaqe të dyfishuar: me 9.100 km2, plus me dalje në Adriatik, me të drejtën e lundrimit të anijeve të tij nëpër Liqenin e Shkodrës dhe nëpër lumin e Bunës, dhe me njohjen ndërkombëtare të pavarësisë. Ndërsa, Fuqitë e Mëdha, Greqisë ia premtuan Thesalinë dhe Epirin, që përfshinte një sipërfaqe të re tokësore prej 20.304 km2, me çka ajo do të rritej prej 51.860 km2 në 72.164 km2. Kjo mënyrë e zhvillimit të ngjarjeve, shqiptarëve nuk u solli asgjë tjetër përveç se të bëjnë formimin dhe organizimin e një ushtrie e cila me forca të armatosura do t’u rezistonte vendimeve tragjike të dala pas një muaji të bisedimeve të Kongresit të Berlinit. Nuk duhet harruar se përgjigjes për një rezistencë të armatosur që kishte për qëllim vetëm mbrojtjen e territoreve të copëtuara dhe asgjë tjetër iu bashkëngjitën intelektual e hoxhallarë, myderriz e hafëzë njerëz të pendës e të pushkës

atdhetar e veprimtar të dalluar, punëtor e bujk. Është me rëndësi të cekim se Sali Efendi Hylja (1820-1900), nga Shkodra i cili pjesën më të madhe të jetës e kishte kaluar në

Ulqin, (njëri ndër nxënësit e tij ka qenë edhe dijetari Hafiz Ali Ulqinaku, SH. V.) ku kishte shërbyer në detyrën e myderrizit, kishte dhënë fetvanë e njohur në të cilën thuhej:

“Që lufta për të mbrojtur atdheun ishte e drejtë qoftë edhe kundër vëllezërve të një besimi.25 Në këtë mënyrë shqiptarët u përfshin në katër konflikte të armatosura shumë të vështira e të ndryshme nga njëri-tjetri. Dhjetëra mijëra burra nga veriu, që “për mik më të mirë” kishin armën, iu përgjigjën thirrjes së Lidhjes për të krijuar “ushtrinë popullore”, në mbrojtje të territoreve që iu kishin dhënë

L. Bikonsfild (1804-1881)
Malit të Zi.26 Në mesin e këtyre burrave, trima të pa shoq, nuk kishte vetëm shqiptarë mysliman por, edhe katolik dhe ortodoks. Malit të Zi iu desh të luftonte dy vjet rresht kundër shqiptarëve në të cilën morën pjesë 10.000 luftëtar shqiptar, në dhjetorin e vitit 1879 dhe në janarin e vitit 1880. Në anën tjetër në Shqipërinë Jugore, për të penguar depërtimin e grekëve në Epir, Abdyl Frashëri kishte mobilizuar 30.000 vetë.27 Fuqitë e Mëdha me të parë se shqiptarët janë seriozisht të vendosur për ta quar luftën e çlirimit të trojeve të tyre deri në skaj, ata menduan se me këto luftëra shqiptarët dëshirojnë ti mbrojnë edhe territoret e Perandorisë Osmane, andaj bënë presion të madh ndaj Portës së Lartë28 që ajo ti zbatojë vendimet të cilat sipas marrëveshjes u nënshkruan në Kongresin e Berlinit. Ndërkaq që kur Porta u detyrua që në shtator të vitit 1880 të pranoi që Ulqinin t’ia dorëzojë Malit të Zi, pastaj koncesionet e Epirit ,Greqisë, atëherë ajo u ballafaqua me rezistencën e shqiptarëve. Pra dorëzimi i Ulqinit dhe masat e reja osmane shkaktuan një pakënaqësi të madhe në Shqipëri dhe i acaruan deri në kulm marrëdhëniet e shqiptarëve me sunduesit osman. Nga kjo rezistencë lindi kundërshtimi i Lidhjes me pushtetin qendror të Stambollit. Patriotët dhe atdhetarët Shkodran si Daut Efendi Boriçi, Jusuf efendi Tabaku, Selim Efendi Gragusha, Jusuf Efendi Podgorica, Hafiz Jusuf Repishti, Hafiz Mehmed Efendiu, Haxhi Selim Karakaçi, Hysen Efendi Tivari, Hafiz Hasan Tahmizi, Selim Efendi Çoba e shumë të tjerë, myderrizë e hoxhallarë të nderuar, ose morën pjesë me armë në dorë për mbrojtjen e Ulqinit, ose protestuan dhe nxitën popullin, çetat vullnetare për të luftuar në mbrojtje të çështjes kombëtare. Përfundimi ishte i qartë: “Interesat kombëtare vihen mbi gjithçka, idealet e atdheut janë të shenjta,” sikurse që thuhet në hadithin e Profetit Muhamed (a. s.): “Dashuria për atdheun rrjedh nga besimi”, besimi i fortë, dashuria e fortë.29    

   Shqiptarët u indinjuan sidomos nga dorëzimi i autoriteteve osmane para trysnisë së Fuqive të Mëdha. Ali Pashë Gucia njëri nga krerët e fiseve shqiptare, të cilin Kryesia e Lidhjes Shqiptare e Prizrenit e kishte emëruar kryetar të shtabit ushtarak për mbrojtjen e Plavës dhe Gucisë, luftëtar i vendosur kundër shovinistëve serbo-malazez nuk nguroi t’i shkruante dhe t’ia përplaste personalisht sulltan Abdyl Hamitit II (lindur më1841, në pushtet erdhi në vitin 1876 deri më 1909, kur me komplotin e zier dhe të përgatitur nëpër lozhat e masonëve të vijës Paris-Itali-Selanik, aktorët e të cilëve ishin xhonturqit u

detyrua të largohet nga froni, ndërsa vdiq më 1918 Sh. V.) edhe pse ishte shumë më i moshuar se vetë sulltani: “Gjer tani unë iu kam pasur në vend të babait; por, qysh se ju

më ndatë nga vetja, duke më lënë në duart e Malit të Zi, un nuk e quaj më veten të tuajin që këndej e tutje...Për pasojë, tani që ju më keni braktisur dhe nuk më keni më të tuajin,

nëse ju vini të më detyroni që t’i nënshtrohem Malit të Zi, unë do ta shoh veten si ndërmjet dy armiqve që duan me çdo kusht të luftojnë kundër meje.”30 Për ta penguar dorëzimin e Ulqinit Malit të Zi, Ali Pashë Gucia qysh në muajin korrik 1880, kishte shkuar atje me 3500 shqiptar.31 Me gjithë qëndresën heroike të disa mijëra vullnetarëve shqiptarë, forcat osmane të përkrahura edhe nga 17 luftanijet e Fuqive të Mëdha, duke shfrytëzuar epërsinë e madhe luftarake, hynë në Ulqin, të cilën ua dorëzuan malazezëve më 26 nëntor 1880.

   Pas lëshimit të Ulqinit, Turqia vendosi të marrë masa kundër anëtarëve të Degës së Shkodrës, për shkak se udhëheqësit e kësaj dege me në krye Daut Efendi Boriçin, Hodo Pashë Sokolin, Prengë Bibë Dodën, Jusuf efendi Krajën e të tjerë eksponentë të lëvizjes patriotike, bënë rezistencë mjaftë të ashpër kundër dorëzimit të Ulqinit Malit të Zi, dhe sikurse që thamë edhe më parë nuk nguruan që edhe me armë në dorë të luftojnë. Revista e kohës “Albania”, mes tjerash shkruante: “Kryetari i Komitetit të Lidhjes së Shkodrës, Myderriz Daut Efendiu dhe komandanti i xhandarmërisë, Ferhat Aga u dërguan në Stamboll dhe me 12 dhjetor 1880 Dervish Pasha arrestoi Hodo Pashën dhe Prengë Bibë Dodën, kapiten i Mirditës, të cilët të gjithë së bashku i dërgoi në Stamboll.” Me që Porta kishte dërguar në Shqipëri një ushtri mjaft të madhe e cila drejtohej nga Dervish Pasha, dhe e cila u ndihmua edhe nga ca shqiptar besnik të saj, Lidhja u përpoq të rezistonte, por në prill të vitit 1881, ra edhe Prizreni dhe Lëvizja mori fund. Zyrtarët otoman nuk ndërmorën reprezalje të egra: ata arrestuan udhëheqësit dhe disa prej tyre i dëbuan nga vendi. Abdyl Frashëri u kap dhe u dënua me vdekje, por më vonë dënimi iu kthye në burgim të përjetshëm. Ai u lirua në vitin 1885, por vazhdoi të qëndronte në mërgim deri sa vdiq më 1892.32 Eshtrat e tij u sollën në Tiranë më 1978.

   Gjatë internimit dhe qëndrimit të Dautit Efendiut në Stamboll, pasi që kishte një përvojë dhe aftësi të mëdha për punë, si dhe një dinamizëm të rrallë ai me urdhrin e zyrtarëve turk në fillim u caktua të udhëhiqte një shkollë e cila frekuentohej vetëm nga vajzat e më pas u caktua në detyrën e inspektorit të shkollave në Anadoll. I syrgjynosur,  larg familjes dhe larg Atdheut pati kënaqësinë që të çmallej me të birin, Ahmetin, i cili kishte shkuar nga Shkodra për tu takuar me babën e vet. Pas shtatë vjet të internimit në Stamboll, Daut Efendi Boriçi kthehet në Shkodër. Kthimi i tij në vendlindje si duket ndërlidhet me rastin e vdekjes së gruas së tij, e cila në ndërkohë aksidentalisht ishte goditur nga rrufeja, me ç,rast fëmijët kishin mbetur pa prindër, si dhe protestat e popullatës që kërkonin lirimin nga internimi dhe faljen e dënimit të tij që e detyruan sulltanin për t’ia zbut dënimin me kthimin në vendlindje. Pas kthimit në Atdhe në vitin 1888 Daut Boriçi figuronte si drejtor i shkollës administrative për vilajetin e Shkodrës. Si i tillë ai u përpoq për ngritjen e nivelit arsimor sidomos të popullsisë myslimane të Shkodrës.33  Dauti Efendiu assesi nuk bënte dallime fetare të kombit, ishte një hoxhë dhe

edukator shumë tolerant në këtë drejtim, por, me që aso kohe shkollat ishin të rolit të medreseve ku mësohej ekskluzivisht për fenë islame, andaj aty ishin të pranishëm me

shumicë apo edhe në tërësi nxënës të përkatësisë fetare Islame. Për tu ndërlidhur me tolerancën dhe bashkëpunimin me përfaqësues të besimeve të tjera fetare në Shkodër, tregon fakti se Daut Boriçi si klerik mysliman murr pjesë dhe mbajti fjalim në ceremoninë e vendosjes së gurit të themelit për ndërtimin e Kishës së Madhe, ndër më të mëdhatë në Ballkan. Kjo njëherë ishte edhe shprehje e solidariteti e tolerance e të gjithë qytetarëve myslimanë ndaj bashkëqytetarëve katolikë.

   Në vitin 1892, edukatori, pedagogu, drejtori, hoxha, e para se gjithash patrioti e veprimtari i shquar i çështjes kombëtare, dashamiri i popullit pa dallim feje, Daut Efendi Boriçi, paraqet dokumentet për të dalë në pension, por një kërkesë e tillë u realizua tek dy vite më vonë më 1894. Ndërsa nuk kaloi kohë e gjatë kur me 2 nëntor të vitit 1896, pushoi së rrahuri zemra e njërit nga veprimtarët dhe rilindësit e pa lodhur në rrugën e arsimimit, çlirimit dhe të pavarësimit të vendit. Daut Boriçi u varros në varrezat e xhamisë së Luguçesmes. Por, fatkeqësisht nga mos kujdesi varri i tij është zhdukur me gjithë gurët e gdhendur që do të kishin pasur vleftë si materiale burimore. I biri, Ahmeti në vitin 1913, kur qe pushtuar Shkodra nga Malazezët, nga frika i kishte humb dhe djeg shumë dokumente që tani kishin  me qenë me interes shumë të madh. Këto dokumente që deri në atë kohë ruheshin në familjen e tij.

     Daut Boriçi ishte aktiv edhe në lëmin e teksteve shkollore siç do të shohim  në vazhdim të këtij shkrimi:

      Ai është autor i botimit të së parës abetare turqisht-shqip në themel të një alfabeti me shkronja arabe. Me që atë kohë ishin të ndaluara botimet e broshurave në gjuhën shqipe, ai e botoi pa emër. Kjo vepër përmbante 226 fjalë, emra, mbiemra, folje e fjalë të tjera e 25 fjali.34 Ky alfabet është litografuar në Stamboll më 1861 dhe, siç vë në pah studiuesi i tij, Jup Kastrati (1924-2003 Sh. V.) autori i porosit nxënësit që të mësojnë shkrimin e gjuhës amtare, gjuhën shqipe, në mënyrën urdhërore: “Xen me shkrue shqip! Punën shikoje se marrohesh mandej!”35

    Një ribotim tjetër është ai i vitit 1869.

    “Abetare shqip”  ndryshe prej së parës. Dorëshkrim. Teksti nis me këto fjalë të shkruar nga autori: “Shqiptari, me mënyrën e shkronjave që kam kallzu në alfabetin shqip, brenda pak kohe mundet me shkrua gjuhën e vet...”

    “Abetare shqip”, më ndryshe prej tre të parëve. Në verso të fletës së katërt lexojmë konceptin e një letre, që i dërgon nga Stambolli djalit të vetë. Duket se ky dorëshkrim është hartuar pas pak kohe të internimit në Turqi, d. m. th. Rreth vitit 1881.

    “Gramatikë shqipe” (e vogël). Njohuri të përgjithshme mbi emrin, numrin, gjininë, etj. Vepra është e pa përfunduar. Dorëshkrim.

    “Fjalor turqisht-shqip”. Dorëshkrimi ruhet në Arkivin e Shtetit. Vepër e pa përfunduar.36

    Një fjalor tjetër “Frëngjisht-shqip”, i cili ka mbetur në dorëshkrim.37

    Përveç këtyre Daut Boriçi la edhe një autobiografi në dorëshkrim dhe dy ditarë. Njëri ditar i tij ka përmasën 18x13 cm., dhe është i lidhur me karton, e cila ka 17 fletë, ndërsa është e shkruar në turqishte. Ajo përmban shënime të ndryshme familjare e ngjarje kronologjike etj. Ditari tjetër i D. Boriçit, është një bllok i vogël që ka afër 50 fletë të shkruara dhe të pa shkruara me shënime, përgjithësisht llogari. Ditari i parë përmban shënime prej vitit 1844-1850, kurse i dyti prej vitit 1893-1895.

    

FUND.

  

     


 

 

 



[1]Anita Dushi, “Historia e një familjeje mësuesish e patriotësh”, gazeta “ Shekulli”, e hënë 30 korrik 2007,  

2 F. Luli, I. Dizdari, N. Bushati, “Në Kujtim Të Brezave”, fq. 86, Shkodër 1997. Këta tre autor për

  versionin e dytë të vendosjes së familjes Boriçi në Shkodër, bazohen në dorëshkrimin e H. Bushatit,

  “Shkodra dhe Motet”, që ka 1600 faqe.

3 “Fjalor Enciklopedik”, fq. 104, Tiranë 2002.

4 A. Dushi, “Hist.....

5 Tahir Z. Berish, “EMRA QË NUK HARROHEN-Arsimtarët veteranë (1941-1951) II” , fq. 188, Prishtinë

   1996.

6 “Atlasi  Botës  Islame” fq. 20. Sarajevë 2004.

7 Pr. Dr. Shefqet Canhasi, “HAXHI ZEKË BYBERI në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare”, fq. 83, Prishtinë,

   2004.

8 A. Dushi, në “Shekulli....

9 “Në Kujt..Brez.. vep. cit..fq. 87, po ashtu A Dushi. në “Shek...

10 Për këtë datë shih në Pr. Dr. Sh. Canhasi, vep cit..fq. 83; Hasan Hasani, “Leksikoni shkrimtarëve shqiptar

    1501-1990-I”, fq. 45, Prishtinë 1994 dhe libri i II-të me titull të njëjtë vitet 1501-2001, fq. 74-75,

    Prishtinë, 2003; Aristidh Plaka dhe Ibrahim Xhamaj në “Kalendari Enciklopedik I”, fq. 409,

    Tiranë,1998.

11 “Publicistët myslimanë si luftëtar të mendimit kombëtar shqiptar”, në librin e Peter Bartel, “Myslimanët

    shqiptarë në lëvizjen për pavarësi kombëtare (1878-1912)” fq. 174. Tiranë, 2006.

12 Niko Nishku, “Kush ishte Seid Sermedi Toptani”, fq. 28-29, Tiranë, 2000.

13 Kuj.. Bre..vep... cit...fq. 88-89.

14 Ari..Pla..Ibr..Xham…vep..cit.. fq. 409.

15 Koli Xoxi, “Lidhja Shqiptare e Prizrenit”(1878-1881) fq. 158, Tiranë, 1978.

16 Peter Bartel, vep. cit. fq. 174.

17 Stefanaq Pollo, Selami Pullaha, “Akte të Rilindjes Kombëtare”, fq. 12. Tiranë 1978. Në “Kuj.. të  

    brez..fq. 93.

18 Akademik Rexhep Qosja “Çështja Shqiptare-historia dhe politika”, fq. 53. Prishtinë, 1994.

19 Georgs Castellan “Historia e Ballkanit”, fq. 289, Prishtinë, 1997.

20 Prof. dr. Kristo Frashëri “Lidhja Shqiptare e Prizrenit 1878-1891”, fq. 118-119,Tiranë 1997.

21 Tajar Zavalani “Histori e Shqipnis” pjesa e dytë nga 1878 deri 1965, fq. 173, Tiranë, 1998; G. Casstelan,

    vep cit. fq. 381; Stevan Pavlovic “Istorija Balkana”, fq. 218, Beograd, 2001. Libri është përkthye nga

    gjuha angleze. St. Pavlovic është shkolluar dhe ka studiuar në Kolegjin Mbretëror të Londrës,

    si dhe në Universitetin e Sorbonës në Paris. Që nga viti 1965 jeton dhe vepron ne Britani. Ka Ligjëruar  

    historinë e Ballkanit në Universitetin e Sautemptonit. Prej viti 1996 është në pension por edhe i   

   angazhuar si profesor in ordinar në universitetin e Parisit, Sidnejit dhe Firencës. Libri i pr. Pavlovicit ka

   zgjuar interesim te madh tek lexuesit dhe asht përkthye edhe ne disa gjuhë tjera evropiane, ndonëse

   vende vende, mund të vërehen ndikimet serbo-sllave tek kjo vepër e tij por, sidoqoftë libri si i tillë

   është mjaft interesant. Nuk kam njohuri të ketë përkthyer edhe në gjuhën shqipe; Nuray Bozbora

   “Shqipëria dhe nacionalizmi shqiptar në Perandorinë Osmane”, fq. 165,171, Tiranë, 2002; James Pettifer   

   “Shqipëria dhe Kosova” fq. 78, botimi i tretë Tiranë, 2003.

22 “Raporti i Ambasadës Italiane në Stamboll, dërguar Ministrisë së Punëve të Jashtme në Romë, më 22

    korrik 1910” në Mr. Ilijaz Rexha “Komiteti i Stambollit dhe aktiviteti ideopolitik i vëllezërve  

    Frashëri në periudhën e Lidhjes së Prizrenit”, botuar në “VJETAR-godisnjak X-XI” fq. 107-145 (127).

    Arkivi i Kosovës, Prishtinë, 1979.

23 Fejtoni i Prof. mr. Rexhep Shkreli me titull “Enklava bosnjackih muhadzira na Kosovu”, vazhdimi i 

    gjashtë dhe i fundit, botuar në mujoren “Alem”, fq. 45, data 27, korrik 2002; dhe në Rashid 

    Krasniqi “PËRJETIME TË LEHTA-omnibus ngjarjesh të vërteta”, faqe15,Prishtinë, 2008.

24 Akademik, R. Qosja vep. cit. fq. 47, Prishtinë, 1994.

25 Ali M. Basha “Islami në Shqipëri gjatë shekujve”, fq. 101. Tiranë, 2000.

26 Misha Glenny “Histori e Ballkanit-1844-1999 nacionalizmi, luftërat dhe fuqitë e mëdha”,fq. 153,

    Tiranë, 2007.

27 Dimitrije Djordjevic “Nacionalne Revolucije Balkanskih Naroda 1804-1914”, fq. 96. Beograd, 1995, dhe

    G. Cast. Vep cit. Fq. 382.

28 Vasil Popovic “Istocno Pitanje” fq. 196, botimi tretë, Beograd, 1996.

29 A. M. Basha vep cit. fq. 101. dhe në Kuj.. brez…fq 27.

30 Stavro Skendi “Zgjimi Kombëtar Shqiptar”, fq. 66, Tiranë, 2000; Misha Glenny vep cit. fq. 154.

31 Ali Pashë Gucia, në Riza Sadiku “Hasan Kaleshi-jeta dhe vepra”, fq. 89, Prishtinë, 1996.

32 Barbara Jelavich “Historia e Ballkanit-shekulli i tetëmbëdhjetë dhe nëntëmbëdhjetë”,fq. 338, Tiranë,

    1999.

33 P. Bartel,vep cit. fq. 175.

34 A. Dushi, ne Sheku….

35 Jup Kastrati, “Figura të ndritura të Rilindjes Kombëtare”, f.q. 132, Shkodër 1963; në Prof. dr. Sh.

    Canhasi, vep. cit.. fq. 83; Kuj.. të Bre..f.q. 101.

36 Në Kuj.. të Brez..fq. 101

37 Shih në të dy botimet e Hasan Hasanit,  “Leks ..shkri...shqip...” vep..cit..fq. 45, dhe 75.



(Vota: 2 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora