Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Ndue Ukaj: Kosovës i duhet një politikë kreative

| E marte, 20.01.2009, 12:48 AM |


Kosovës i duhet një politikë kreative

Nga Ndue Ukaj

"Pushteti, si dukuri specifike njerëzore, lyp që të ketë një domethënie", shkruan dijetari dhe filozofi gjerman Romano Guardini tek libri "Fundi i kohës moderne, pushteti". Më tej, duke elaboruar çfarë nënkupton ai me domethënien, ai shton se: "Pushteti është një gatishmëri. Prandaj...nuk ekziston asnjë pushtet që të ketë apriori domethënie dhe vlerë. Ai merr domethënien e vet përmes njeriut që ndërgjegjësohet për këtë pushtet, që vendos për të, e kthen në veprim, pra që merr mbi vete përgjegjësinë".

Këto mendime të profesorit Guardini po të kontekstualizohen në kontekstin e jetës sonë shoqërore e politike, kanë një vlerë të jashtëzakonshme, ngase prekin palcën e gamës së gjerë të problemeve që ka politika e jonë, në relacion me domethënien e pushtetit dhe vlerën. Pushteti duke mos pas vlerën apriori, ai duhet ta fitoj atë, duke vepruar me përgjegjësi. Pikërisht ky mendim i rri karshi gjendjes politike dhe domethënies së pushteti në Kosovë, i cili është i simplifikuar deri në shkallë banale, prandaj që ta fitoj vlerën dhe domethënia e tij, lypset të veprohet përmes njerëzve që ndërgjegjësohen për këtë pushtet dhe që marrin përgjegjësinë.

Në Kosovë këto kategorizime janë të debatueshme dhe si të tilla tejet të diskutueshme. Se sa është në veprim politika në Kosovë, sa ka gatishmëri, sa merr përgjegjësi, mbesim pyetje e dilema që rrinë mbi kokat tona frikshëm.

Kompleksiteti i përgjithshëm që e karakterizon jetën tonë nacionale, e, në këtë kontekst sfida e ndërtimit të shtetit të Kosovës, është një sinjifikativ, lehtë i kuptueshëm që dëshmon se jeta politike, shoqërore dhe ajo kulturore tek ne është mjaft kaotike. Për këtë, madje ka një pajtueshmëri të gjithanshme, tek të djathtit e të majtët, opozitë e pozitë, tek mediat e shoqëria civile, tek shkrimtarët dhe akademikët.

Megjithatë, kjo gjendje, nuk duhet kuptuar si pika e nyjëtimit dhe interpretimit vetëm të krizave e problemeve, përkundrazi, si pika e kthimit ka e vërteta dhe realiteti që na rrethon, pa asnjë ekzagjerim, për të mirë a të keq. Jemi këtu ku jemi, me suksese dhe dështime, të cilat duhet t'i lexojmë, analizojmë dhe kuptojmë vetëm ashtu si janë. E tashmja është tejet sfiduese, ndërkaq e ardhmja e mjegullt. E, pikërisht kjo gjendje vë në pah domosdoshmërinë që Kosova të ketë në ballë, para se gjithash, një politikë kreative, me një dinamikë të theksuar e mençuri të nivelit të kënaqshëm, e aftë për të përballuar vështirësitë e ndërtimit të shtetit, sidomos për t'i dhënë përmbajte pushtetit.

Tanimë kur sfidat e ndërtimit të shtetit, shihet sheshazi se nuk janë të lehta, përkundrazi, ato janë tepër të vështira, jeta politike në Kosovë ka përpara vetës një detyrë, të ndryshojë dhe atë esencialisht. Pikësëpari politika në Kosovë nuk guxon të jetë imituese e politikave të caktuara, por krijuese e tyre, ajo nuk duhet të imitoj modele, por duhet të krijoj modele funksionale për të sendërtuar aspiratën për një shtet të suksesshëm. Ajo më së paku duhet të besoj në vlerat e paqena e të vetëkënaqët verëbësisht. Përkundrazi ajo duhet të krijojë vlerat.

Në këtë kontekst, sorrogatlleku dhe ndjenja inferioritetit, duhet të shndërrohet në shprehi krenarie që shtetin tonë ta ndryshojmë duke e ndryshuar jetën shoqërore në çdo pore, e jo me parulla retorike puro komuniste, çfarë shohim të defilojnë në jetën tonë shoqërore e politike. Ndërsa gjitha këto duhet të vijnë si rezultat i vetëdijesimit dhe konsolidimit shoqëror, atëherë kur në krye te agjendës sonë vinë idealet e përbashkëta.

Në këtë pikë nyjëtimi, duhet të vijë në shprehje triniteti, të cilin e sugjeronte shkrimtari dhe dijetari Atë Anton Harapi: Bashkimi, bashkëpunimi, solidariteti! Këto tri fjalë kanë një emërtues: të mirën e përbashkët, si paradigmë për ideologji të pastër nacionale. E mira e përbashkët sipas Anton Harapit ka një fuqi të bindshme. Në të vërtet, kuptimi dhe jetësimi i idealeve të përbashkëta, krijon mundësitë dhe parakushtet e nevojshme që shoqëria jonë të orientohet drejt e pa ekuivoke në të ardhmen.

Politika nuk duhet të ec pas proceseve, ashtu siç shohim të ndodh shpesh, por ajo duhet t'i paraprijë ato. Nëse analizojmë, pa asnjë tendencë qëllimkeqe jetën politike në Kosovë, pa ndonjë dallim të dukshëm mes pozitës e opozitës, shohim se subjektet tona politike, ato institucionale, janë një surrogat i improvizimeve të pafundme, që e ngufasin dimesnionin e politikës kreative, së këndejmi e ngufasin përfshirjen dhe kontributin e intelektualëve në jetën politike. Dhe për më keq, jeta politike në Kosovë, ka përfshi në laboratorin e saj mediokra të shumtë, duke eliminuar kësisoj dimensionet intelektuale dhe individët që kanë aftësi për të ndryshuar këtë gjendje dhe këto modele shoqërore.

Në fakt, ashtu siç shkruante në vitet e 30-ta dijetari Branko Merxhani, "Shqipëria jonë e sotme është një Botë kaotike e vogël", ne mund të themi se Kosova jonë e sotme është një botë kaotike e vogël. Ndonëse, nga koha e Merxhanit na ndajnë disa dekada, jeta politike shqiptare vazhdon të jetë tejet e trazuar, me një vetëdije të ulët kulturore e shtetëformuese. Dhe në këtë proces delikat, politika duhet të pasurohet me ide të reja, me fuqi kreative, që asaj mund t'i japin një impuls të veçantë, të formësojnë kulturën e idealeve të përbashkëta, një mungesë kjo e tmerrshme në jetën tonë.

Në Kosovë, duket se ekziston një unanimitet se jemi në një proces historik, i cili, si i tillë kërkon shumë syçeltësi dhe nuk lejon hamendësime. Dhe, në të vërtet ashtu është. Por, që ky proces dhe stuhia e kësaj gjendje të tejkalohet, lypet që shoqëria jonë të orientohet drejt dhe ajo të ndërtohet në baza të shëndosha, që të eliminojnë çdo mundësi për të ndërtuar diçka të dobët, e, edhe më keq, diçka të lig. E ardhmja, lidhet drejtpërdrejt me tejkalimin e kësaj gjendje. Prandaj, fuqitë e përgjithshme duhet të orientohen me debate konstruktive, ide dhe filozofi të mbrehtë, në krijimin e politikave të qarta, të gatshme për të sfiduar të tashmen dhe tejkaluar atë, drejt së ardhmes së ndritshme.

Politika në Kosovë ka përpara vetës sfida të shumëfishta. Për të "thyer" botëkuptimin se Kosova është një shtet i dobët, nëse do të merrnim për bazë dijetarin Francis Fukuyama dhe idetë e tij për ndërtimin e shtetit, "qeveritë në këso rastesh duhet të përmirësojnë legjitimitetin e tyre demokratik dhe të forcojnë institucionet e vetëqëndrueshme". Që të ndodh kjo, lypset transformim.

Kësisoj mund të promovojnë e demonstroj aftësi për të sforcuar substancën e shtetit, në mënyrë që ai të bëhet funksional, në gjitha aspektet dhe i tillë të jetë për çdo kategori shoqërore. E, kjo mund të ndodh vetëm kur në ballë të një politike janë forcat kreative, ato që me ide dhe modele të dëshmuara sfidojnë të kaluarat me luftëra e mungesa të shumta, të kaluarat me glorifikime dhe patetizma.

Kosova e sotme ka një klasë politike që le shumë për të dëshiruar. E barrikaduar në zyre, e vetëkënaqur e pa dialog aktivë me idetë dhe forcën e tyre, që lëviz botën, politika nuk ka arrit të transformohet dhe t'iu përgjigjet nevojave të kohës. Ajo, vazhdon me retorikën stereotipe të mburravecërisë, apo në rastin tjetër, duke përdor filozofinë e qaramanit, i cili për çdo gjë fajëson dikë tjetër.

Në këtë konglomerat të pafundmë problemesh, e para punës që duhet të bëjë politika në Kosovë, është të hapet ndaj ideve dhe forcave kreative. Kësisoj pushteti dhe shteti merr domethënien dhe vlerën e tij. Kjo nuk domethënë assesi se duhet të bëhen përjashtime, selektime, por kjo nënkupton një dialog aktivë mes forcave politike, liderëve tanë dhe kategorisë intelektuale. Për më tepër, vetëm kësisoj jeta politike në Kosovë mund të bëhet kreative dhe e aftë për të ndryshuar të tashmen.