Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Ilir Çumani: Mirënjohje...

| E hene, 19.01.2009, 11:30 PM |


Ilir Çumani
Ilir Çumani
M I R Ë N J O H J E ....

Nga Ilir ÇUMANI*

(Një letër malli pas 37 vjetësh)

Po i referohemi  pa fund shpirtit njerëzor, sepse ky shpirt  është i pranishëm si  te një i  burgosur që përpiqet të ndihet i lirë, ashtu edhe tek dikush që ka vendosur të jetojë, edhe pse ndjen fundin afër.
Arësyeja madhore është adhurimi i jetës. Mos harroni, se dhe kur ju ftojmë të rimodelojmë një botë fatkeqe sipas dëshirave tona më të larta, edhe kur jetojmë me dinjitet  megjithë kushtet jonormale, mundemi të bëjmë atë më të mirën. Shpirti njerëzor i drejtuar nga jeta, nga e bukura dhe nga e mira, nuk ka vdekur, edhe pse na thuhet e kundërta.
Në këtë letër Shpirti ndjehet vitaliteti njerëzor…

ERMENITA STAFA
Gazetare në Radio Tirana

Po e nis hyrjen e kësaj letre  me nota sentimentale, për shkak të rrethanave të mija specifike.
Ja drejtoj këtë letër mirënjohje të gjithë atyre që më shoqëruan në fëmijërinë time, pikërisht në atë periudhë kur unë Iliri 6 – vjeçar i viteve ’72,  në shkollën 8-vjeçare “Adem Sheme” në Sarandë, isha i riskuar të fokusohesha në vëmendjen e të gjithë bashkëmoshatarëve të mi, të mësuesve të asaj kohe, si i ndryshëm nga të tjerët, me të mirat dhe  të këqijat që mbartja me vete.

Autori i shkrimit Ilir Çumani i dyti në radhë, fëmija me flokë të verdhë, me grupin e parashkollorëve në befotrofin e Pogradecit, viti 1971

Kjo, më bënte ligsht të provoja ndëshkimet që fati më pati sjellë në jetë, dhe që sot e kësaj dite e konsideroj atë fat me dy fjalë: - “një fëmijëri pa fëmijëri….”
Megjithatë, kjo i  ka mbetur kohës, dhe brenda saj është  një kujtim i hidhur; jo për ty Nina, as për Renatën  dhe Arben Dhroson, por për mua Ilirin dhe  shumë të tjerë si unë që provuam fatin e hidhur të jetonim pa familje, pa atë përkëdhelje dhe ngrohtësi prindërore aq të nevojëshme për moshën  fëmijërore.
Thonë se fëmijën më shumë se gjithçka e rrit dashuria prindërore. Këtë, unë nuk e kam provuar... Por kam provuar ngrohtësinë dhe dashurinë e shokëve të klasës së parë  fillore, të mësueses time... 

Iliri, sapo ka përfunduar ciklin e ulët 8 – vjeçar në shkollën 8-vjeçare “Adem Sheme”, në Shtëpinë e Fëmijës në Sarandë, viti 1977

Po, po!  Më kujtohet emri i saj; Florinda Mosi quhej. Ishte nëna jote, njëkohësisht edhe mësuesja jonë e përbashkët.
Është kjo  një nga arsyet që e kujtoj me aq nostalgji atë periudhë që ndoshta ty Nina, nënën tënde apo Renatën, e befason fakti se pas 37 vjetësh, unë Iliri, ai djalë i imët dhe me sy të trembur e fytyrë  të zbehtë, i rritur në institucionin e Shtëpisë së Fëmijës në Sarandë, munda sërish të bëhem i “gjallë”..! Papritmas, sërish trokita në “portat” e kujtesës tuaj... Por këtë herë me një mall e dashuri që mban një koeficent të pa llogaritur,  të pa imagjinuar.
Veç kësaj, ka edhe një arsye tjetër që e mban ndezur këtë mall të fëmijërisë tek unë. Është mirënjohja për mësuesen time të klasës së parë, për shokët e mi... 
Sepse për herë të parë dhe të fundit,  në katër vitet e shkollës fillore, duke qenë gjithmonë mes jush, më bëtë që të mos e kuptoja se isha i ndryshëm nga ju, i rritur ndryshe nga ju, pra i rritur jetim.
                                  
Vitet e mëvonshme e trazuan keqas botën time fëmijërore. Koha  dhe rrethanat më  ndërgjegjësuan  për të kuptuar më mirë realitetin që jetoja.  Dhe kjo më bënte të rritur përpara kohe.
Atë pakëz buzëqeshje që ju, shokët e klasës sime dhe mësuese Lorinda ma dhuruat aq bujarisht, ma rrëmbyen dhunshëm e në mënyrë të padrejtë “djajtë”, ata që në rrëfimet e hershme biblike thirren ANTINJERI...
Pra, opinioni i një shoqërie konservatore e asaj kohe, i mbërthyer nga një mentalitet kolektiv dhe aspak civilizues, përbuzës dhe diskriminues, e goditi  rëndë institucionin tim shpirtëror duke e ulur gradën më të ulët inferiore.
Kjo më ka munduar shumë,  deri sa u rrita dhe dola në jetë.
Më thuaj Nina, a ka krim më të rëndë që mund  t’i bëhet një fëmije, aq më keq një fëmije jetim, kur i merr edhe gjënë më të shtrenjtë e të pazëvendësueshme, buzëqeshjen e fëmijërisë, gëzimin, ëndërrat, dëshirat,  pafajësinë e moshës..!? 
Megjithatë, këto dhe të tjera si këto,  nuk ndikuan shumë për ardhmen time. Sepse mbi gjithëçka,  është karakteri dhe personaliteti i njeriut që përcakton se cila do të jetë rruga drejt së ardhmes.
Ndoshta, ato ç’ka unë thashë më sipër, kishin ndikimet e veta negative, që në psikologji apo në pedagogjinë moderne quhen zhgënjime dhe shuplaka. Por, kanë edhe anët e tyre  të mira, sepse nuk thonë kot që njeriu duhet që edhe të vuaj... Po, po, të vuaj,  por jo deri në ekstrem.
Latinët e Vjetër thonë: - “Kur durimi tek njeriu i kalon kufijt dhe caqet që ai ka, atëhere ai nuk quhet më durim, por egërsi...”. 
Megjithatë,  unë lus Zotin me të gjitha forcat e shpirtit tim që më ka shpëtuar nga ky rrezik i shëmtuar, nga egërsia.
Vështirësitë e jetës më bënë  më të fortë, më të ekuilibruar, por njëkohësisht më të vendosur për të përballuar me forcat e mia situata tepër të vështira, për të zgjidhur probleme të ndërlikuara e pikante. 
Ndërkohë, këto  vuajtje dhe sakrifica më kanë dhuruar edhe një virtyt të çmuar; zemërgjerësinë dhe humanizmin, ndjenjën e dhembshurisë për të kuptuar më mirë njeriun që është në nevojë, për ta ndihmuar dhe për t’iu gjendur sa më pranë që të jetë e mundur.
Të gjitha këto e kanë burimin në një forcë të brendshme shpirtërore. Ajo egziston brenda vetes time. E kanë tharmin si të thuash, në ato kujtime të fëmijërisë time të hershme, pikërisht në ato vite të klasës së parë kur mësuesja ime e dashur më dhuronte miqësinë e pastër e të sinqertë që dinë ta dhurojnë vetëm nënat me zemër të mëdha. 
Kjo më bënë të kujtoj me shumë mall shoqen time të bankës Renata Zeneli, të tjerë shokë e shoqe si ty Nina Mosi, Rita Papa, Arben Dhroso, Alqi Varresi, Vojsava Miho, Sofika Papajani, Adrian Dusha,Ilir Beqiri, Sabo Alinani e Besnike Vrrako, e shumë të tjerë për të cilët më vjen keq që nuk u’a kujtoj emrat në këtë çast.
Të mbaj mend shumë mirë ty Nina, me përparësen e zezë dhe jakën e bardhë të qëndisur për merak, me atë fytyrë gazmore e plot shkëlqim.  Shpesh herë,  ngatërrohej në portretin tënd buzëqeshja që të kishte falur natyra, me “seriozitetin” e imponuar,  nga fakti se ishe vajza e mësueses sonë kujdestare, dhe se kërkesa e llogarisë fillonte tek ty.
Më shkruan në letër se nuk të ndodhet asnjë fotografi të atyre viteve, dhe bën “fajtore” për këtë nënën tënde dhe mësuesen tonë. Mirëpo, për episodin në fjalë ndoshta ke të drejtë, ndërsa për të tjerat, unë nuk jam në një mendje me ty.
Mësuesja ime e klasës së parë që është nëna jote, me atë trupin e imët e të brishtë, mbante brenda vetes një botë të madhe ndjenjash të ndryshme. Ishte së pari nënë, pastaj mësuese. Kishte hyrë në botën e gjithësecilit prej nesh, ndaj fliste me ne duke u bërë si ne, ç’ka do të thotë se ajo kurrë nuk ka qenë e qetë, dhe asnjëherë indiferente, sepse qetësinë i’a merrnim ne me “çapkënllëqet” tona. Prandaj edhe ndonjëherë na ndëshkonte, pa të përjashtuar edhe ty !
Unë mendoj se, nuk do të ishte e mirë dhe e drejtë, nëse nuk do të shqetësohej për ne, e thënë ndryshe, nëse nuk do të “vinte ujin në zjarr” për gabimet tona. Në këtë rast, pasojat do të ishin edhe më të mëdha. Ndërsa në rastin konkret, unë gëzohem dhe më bëhet zemra mal kur dëgjoj për ty se si ke ecur në jetë, për Renatën, Arbenin, Vojsavën, Ritën, apo dikë tjetër...  
Pa dyshim, meritë jo të vogël për  këtë ka edhe mësuesja jonë e klasës së pare Lorinda.

Ish-mësuesja Lorinda 72 vjeçare dhe shoqja e fëmijërisë Nina së bashku me bashkëshortin dhe djalin e tyre, mysafirë në familjen e Ilirit

Nuk gabohem kur them se  për emrat që sipërpërmenda, kisha një bindje gati të verbër se si do të ishte e ardhmja e tyre. Dhe s’kishte si të ndodhte ndryshe. Sepse intuita ime fëmijërore e atyre viteve,  e kishte paracaktuar një të ardhme të tillë  për secilin nga ju.
Ndërsa kjo kujtesë e imja, apo “zgjim”  nëse mund të quhet kështu, nuk ka të bëjë aspak me një gjëndje shpirtërore të çastit, por me një mall e mirënjohje të kultivuar brenda qënies time, plot dashuri e mirësi. Ato kanë  shtrirë  rrënjë të thella tek unë që në atë kohë.
Janë kujtime që kishin zënë vend brenda skutave të shpirtit tim të trishtuar e të vetmuar për kaq e kaq vite, si në novelat e Cvajgut… Ato kurrë nuk u zbehën  në kujtesën time.  As  nga rrjedhat jetës me shumë pamundësira dhe plot zik zake, me të përpjeta e tatëpjeta, as  nga pesha e viteve plot  shpresa e zhgënjime.  Përkundrazi…
Në përfytyrimin tim, këto kujtime ridimensionoheshin,  fitonin vlera të papërsëritshme;  më frymëzonin në çastet më të vështira të trishtimit dhe vetmisë, e gjithmonë më mbushnin ato boshllëqe që jeta më servirte në mënyrë të pamëshirshme.
Ato janë kujtime që janë bërë pjesë e jetës time, edhe sot e kësaj dite që kam krijuar një familje të ngrohtë dhe të shëndetshme. Kam dy fëmijë të mrekullueshëm, Ilvin dhe Londisën, të cilët gëzojnë një jetë krejt ndryshe nga ajo e fëmijërisë sime. Kam një bashkëshorte që e dua si jetën, sepse të njëjtën dashuri marrë edhe prej saj.

Iliri me bashkëshorten e tij Nevila me profesion As/Avokate

Fëmijët e Ilirit, Ilvi dhe Londisa

Në këtë  realitet, unë jetoj midis dy dashurive. Mes kujtimeve për shokët dhe shoqet e shkollës fillore; të mësueses time që më dhuroi dashurinë dhe ngrohtësinë prej nëne dhe familjes time. Të dyja këto, marrin edhe japin gjithmonë mes njëra - tjetrës. Janë vlera të çmuara që vazhdimisht e konturojnë personalitetin tim, e në radhë të parë më plotësojnë si NJERI…
Ndoshta, prandaj Nina e ngrita zërin pas kaq shumë vitesh, për të më dëgjuar të gjithë ata që nuk e dinë se ç’është mirënjohja… Për të më dëgjuar ti, Renata, Arbeni, e bashkë me ju edhe ish-mësuesja jonë e klasës së parë Lorinda, për të cilën gëzohem pa masë që ka një shëndet të mirë në pleqërinë e saj.

Iliri me bashkëshorten Nevila, mysafirë në familjen e ish-mësueses Lorinda Mosi dhe bashkëshorti i saj Leka Mosi, në Shkodër.

U gëzova shumë kur mora vesh se ke krijuar familjen  tënde dhe jeton e punon e lumtur me bashkëshortin dhe djalin tënd “çapkën” Xhulian, aty, në Venezia të Italisë.
Kur të vish në Tiranë, dëshiroj dhe shpresoj të takohemi.
Unë po të dërgoj edhe disa fotografi që të krijosh një ide më të qartë pas 37 vitesh që nuk jemi parë, të dallosh ndryshimet që unë kam bërë. Doemos, janë ndryshime që me kalimin e kaq shume viteve i  ke bërë edhe ti. Të paktën ç’farë unë pashë nga fotografia që më dërgove në letrën tënde.
Shumë gjëra të thashë… Të tjera janë për t’u thënë, por jo të gjitha mund të shkruhen  në një copë letër.
Jeta është e ngarkuar me shumë ngjarje  e rrjedha e saj është intensive.
Lum kush e jeton atë duke i dhënë kuptimin e vërtetë që ka.

*Autori është Drejtor i Përgjithshëm i Institutit Kombëtar të Integrimit të Jetimëve Shqiptarë