Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Demir Hyskja

| E diele, 10.04.2005, 10:30 PM |


Flet aktori Demir Hyskja
“Si iu futa rrugës së aktrimit për të mos shkuar ushtar”

Artan LEKA

Jeteshkrimi
Emri: Demir Hyskja
Ditëlindja: 1 janar 1937
Vendlindja: Elbasan
Vendbanimi: Elbasan
Profesioni: Aktor
Hobe të veçanta: Futbolli, peshkimi
Hobe të tjera: Leximi, filmi,etj.


Eshtë ndër të paktët aktorë të mëdhenj që vazhdon akoma të jetë i gjallë. Jeton në një shtëpi të thjeshtë vetëm me gruan e tij në lagjen “Aqif Pasha” të Elbasanit dhe kafen e pi diku pranë teatrit “Skampa” të këtij qyteti, teksa përshkon ngadalë në këmbë gjithë rrugën. Aktori Demir Hyskja, megjithatë “i injoron” vitet që ka mbi supe, teksa kujton vitet e rinisë dhe kohën kur iu fut rrugës së teatrit, në një intervistë për “Tirana Observer”. Miqësia me Naim Frashërin e Sandër Prosin, jeta në teatër dhe tesera e deputetit kanë lënë gjurmë në jetën e Hyskjes që rrëfen vetveten, ndërsa tymos një cigare. Fare i ri dhe pa përvojë, ai mendoi të bëhej aktor, jo aq nga pasioni i madh, por për t’i shpëtuar detyrimit ushtarak. “Kisha mbaruar të mesmen dhe u martova herët. Sipas ligjit duhet të shkoja patjetër ushtar. Vrava mendjen sesi do t’i shpëtoja shërbimit ushtarak...”, thotë Hyskja, teksa zhytet ngadalë në kujtime...
Si rrjedh një ditë e zakonshme për ju?
Pasi pi kafen në prani të shokëve dhe miqve,i hedh një sy shtypit të përditshëm. Kam dëshirë të lexoj gazetat sportive. Kur afrohet orari i drekës marr autobusin dhe shkoj në shtëpi. Pasi ha drekë pushoj 2-3 orë dhe më pas ose lexoj ndonjë libër, ose shikoj televizor. Jetoj vetëm me gruan. Fëmijët i kam martuar, kurse nipërit dhe mbesat më kujtojnë shpesh.
Çfarë kujtoni nga fëmijëria dhe vitet e rinisë?
Kam lindur pak metra larg shtëpisë në të cilën jetoj tani. Shkollën fillore e mbarova në Elbasan. Ndërsa të mesmen e vazhdova në teknikumin e Tiranës. Madje, kam punuar rreth 6-7 vjet si teknik ndërtimi. Jemi familje autoktone elbasanase. Nuk më kanë pëlqyer shkencat ekzakte: matematika, fizika, kimia, etj., asnjëherë nuk më kanë pëlqyer, por i mësoja nga halli. Kam pasur qejf historinë, letërsinë, gjeografinë.
Nga të shtatë fëmijët e familjes vetëm ai ka mbetur gjallë. Nuk kam as vëlla dhe as motër. Kam dëgjuar të tjerët, që ndihen keq kur nuk kanë vëlla e motër, kurse unë përkundrazi ndihem fort mirë dhe a di pse? Sepse nuk jetoj me hallet dhe problemet që mund të kishin ata. Unë e vuaj vuajtjen e tjetrit.
Si ndodhi që u futët në udhën e aktrimit?
Kisha mbaruar të mesmen dhe u martova herët. Sipas ligjit duhet të shkoja patjetër ushtar. Vrava mendjen sesi do t’i shpëtoja shërbimit ushtarak. E vetmja mundësi ishte që të vazhdoja të lartën. Në vitin 1962 u hap dega e Aktrimit. Kisha dhënë ca prova me grupet amatore dhe isha mirë. Ndaj vendosa të konkurroj në Tiranë. Duhet të përmend se fjalë të mira për mua tha edhe ish- ministri i atëhershëm i Kulturës, Thoma Daljana. Mbaj mend se kam konkurruar para një regjisoreje sovjetike, që më duket se e kishte emrin Nina. Ajo më pëlqeu dhe unë u pranova menjëherë. Kam qenë mirë me të gjithë elementët që kërkoheshin. Veçse me dansin jo. Atëherë isha i ri dhe i hollë dhe nuk kisha pengesa, por lëndën e baletit nuk e pëlqeja. Aventura zgjati shumë pak. Unë u detyrova ta braktis shkollën. Gruaja sapo kishte lindur fëmijën dhe merrte vetëm 4 mijë lekë të vjetra. Shkurt nuk ishim mirë me të ardhurat. Pastaj mora vesh se do të çelej teatri në Elbasan, ndaj vendosa të largohem nga Tirana. Ashtu ndodhi. Unë u largova dhe fillova në teatër ku kam interpretuar dhjetëra role. E kuptova se shpejt u bëra aktor kryesor, ndonëse isha në provincë. E them këtë, sepse kam një eksperiencë të hidhur me regjisorët e mi.
Cilat janë këto eksperienca të hidhura?
Mendoj se e keqja ishte pse jetoja në Elbasan. Për 5 vjet më radhë më kërkonin të kryeja prova për rolin kryesor, por në fund nuk më merrnin mua. E mbaj mend si tani, kur më kanë njoftuar për herë të parë. Më erdhi në shtëpi një telegram ku më kërkonin të shkoja në Gjirokastër. Nuk e fsheh, u gëzova dhe vendosa të nisem.
Po më pas ç’ndodhi?
Me vete kisha 3 mijë lekë të vjetra. Siç e thashë nuk ishim mirë ekonomikisht. Sapo zbrita nga autobusi përballë meje ishte Naim Frashëri. Pa më takuar më tha: “ Ku je o mendjemadhi i Elbasanit?” Unë ia prita në vend. “Po ti, ku je o mendjemadhi i Shqipërisë?”. U përqafuam bashkë dhe nisëm punën për xhirimin e filmit “Ngadhënjim mbi vdekjen”.
Çfarë kujtoni nga puna me Naim Frashërin?
Në fakt, nuk isha në rolin tim. Kam luajtur rolin e një spiuni. Desha të kujtoj se Naim Frashëri ishte pedagogu im. Unë e kisha njohur që kur isha student për aq kohë sa qëndrova në shkollën e lartë. Më ka pëlqyer Gjirokastra në atë kohë. Unë blija biftek me të lirë në qafën e Gjirokastrës dhe pastaj darkonim me Naimin në verandën e turizmit. Atëherë në turizëm kishte muzikë dhe njerëzit kërcenin. Unë me Naimin kthenim nga një gotë. Nuk pinim shumë, pasi as unë dhe as Naimi nuk ishim qejflinj të gotës. Naimit, gjithsesi i pëlqente të pinte, por më thoshte shpesh: “rakia do të më marrë në qafë”. Në fakt, ai vuante nga mëlçia nga e cila vdiq më vonë.
Çfarë gjë tjetër ju vjen ndërmend teksa kujtoni shoqërinë e atyre viteve?
Bashkë me Naim Frashërin më kujtohet edhe Sandër Prosi, të cilët i kam njohur në Tiranë. Sandri ishte shumë i qetë si natyrë, kurse Naimi ishte impulsiv. Na piqte muhabeti të treve. Njëherë mbaj mend se Naimi dhe Sandri u zemëruan bashkë. Nuk e mbaj mend se për çfarë u zunë, por më kujtohet skena. Naimi i tha diçka Sandrit dhe po priste përgjigje, por Sandri të çmendte me heshtjen e tij. Ai nuk i ktheu përgjigje Naimit dhe kjo e inatosi më shumë atë. Pra, i ktheu një përgjigje në heshtje. Pas kësaj ata nuk folën, ndonëse vazhdonim të xhironim filmin. U përpoqa t’i pajtoj, por ishte e kotë. Më vonë ata nisën të shkonin si më parë. Naimi vdiq i ri nga kanceri në mëlçi. Ishte një aktor i madh dhe unë isha një nga të katërtit që mbajtën arkivolin. Naimi u varros me të gjitha nderet. Trupi i tij u përcoll në shtrat të topit. Por kam shumë kujtime edhe me Sandrin. Në vitin 1977 arrita të siguroj ca fotografi me Sandrin, të cilat pak kohë më parë ja dhurova djalit të tij. Atëherë ishte e vështirë të stampoje fotografi, megjithatë unë arrita të arkivoj diçka. Kam kujtime të bukura me shumë aktorë të moshës sime. Do të veçoj konsideratën që kam për kolegët e teatrit “Skampa”. Nuk e harroj mënyrën sesi ma festuan 60-vjetorin në vitin 1997.
Për një farë kohe ju keni qenë edhe deputet. Çfarë kujtoni nga ajo periudhë?
Për 20 vjet me radhë kam qenë deputet i Kuvendit Popullor. Deputet kisha emrin, se privilegje nuk kishim. Ne shkonim dy herë në vit në Kuvend, ku vetëm ngrinim dorën për të miratuar direktiva. Gjithçka e përgatiste Komiteti Qendror. Kujt ia mbante të mos e ngrinte dorën? Gjithmonë kam mbarështuar shpendë në shtëpi. Njëherë dikush nga organizata më tha që të mos rrisja shpendë se isha deputet. U detyrova dhe i thera dy pula që kisha. Dhe meqë ra fjala për pulat, po ju tregoj një histori. Në atë kohë ishte e detyruar të abonoheshe në gazetën “Zëri i Popullit”. Unë kisha një portë të vjetër dhe postieri e linte gazetën poshtë derës. Kur kthehesha nuk mund ta lexoja gazetën, pasi pulat që kisha kishin një huq të keq. Ato e çukisnin gazetën aq shumë sa nuk lexohej. Kur më thanë për abonim bëra shaka, duke u thënë se nuk kisha ç’e doja gazetën, sepse ma hanin pulat. Vite më vonë e mora vesh se thënia ime ishte arkivuar. Pra, isha deputet, por kisha dhe dosje. Vërtet kam qenë i tillë, por e dorëzova teserën e Partisë para ndryshimeve demokratike. Ka qenë viti 1988 ose 1989 kur e kam dorëzuar teserën e Partisë së Punës, që e kisha mbajtur për 20 vjet me radhë. Tani desha të them se nuk më pëlqen politika dhe nuk merrem fare me të. Madje, në do ta dish, unë nuk shkoj në votime. Të dyja partitë, edhe e majta edhe e djathta më kanë ftuar të jem pjesë e tyre. Lidhur me këtë, unë bëj një shaka dhe them: “Mua më vdiq nëna, ç’më duhen njerkat!”. Gjithashtu, jam edhe ateist. Nuk më kanë pëlqyer dhe nuk më pëlqejnë shumë fetë.
Çilat janë ato gjëra që ju pëlqejnë, meqenëse politikën dhe fenë nuk e keni për zemër?
Më pëlqen shumë sporti, sidomos futbolli dhe peshkimi. Në rini e kam bredhur të gjithë Shkumbinin nga burimi deri në bregdet. Tani nuk mund të merrem më me peshkim dhe ndjek futbollin. Jam tifoz me Elbasanin dhe më pëlqejnë skuadrat që luajnë futboll në kuptimin e vërtetë të fjalës. Nuk shkoj më në stadiumin e Elbasanit dhe ndeshjet e kampionatit shqiptar i ndjek me radio. Ndjek shumë futbollin e skuadrave të njohura të kontinentit tonë. Nëse televizori ka sport, unë e mbaj në atë kanal. Më pëlqen teatri dhe aktrimi në filma. Por urrej telenovelat. Vazhdoj të ndjek me vëmendje kinematografinë botërore dhe më pëlqejnë aktorët e mëdhenj. Këto ditë pashë një film të Antoni Kuin. U kënaqa pa masë. Ai ka qenë një aktor i madh.
Ka armiq Demir Hyskja dhe nëse ka cilët janë ata?
Armiqtë më të mëdhenj të jetës sime janë dy. Mbipesha dhe duhani. Duhanin jam përpjekur ta lë disa herë, por nuk kam mundur. Ndërsa mbipesha më mundon. Ajo më ka provokuar diabetin. Lodhem kur eci, ndonëse e di që lëvizja më bën mirë.