Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Në ferr me Beninin

| E shtune, 17.01.2009, 12:55 AM |


Roberto Benigni
Roberto Benigni
Roberto Benini: Ja kush duhet dërguar në ferr. Në një intervistë, aktori i madh italian tregon gjithçka për vulgaritetin, korrupsionin, politikën dhe shpresën

Komedia italiane, e treguar nga komiku i madh italian

Preteksti i kësaj interviste është "Tutto Dante" ("I gjithi Dante"), një seri DVD-sh të marra nga spektakli me të njëjtin titull, i cili është bërë shumë i famshëm në Itali. Pra, meqë jemi te Dante, përpiquni të imagjinoni sikur ai mund të ringjallet sot...

Dante nuk mund të ringjallet, sepse edhe në varr ai është i gjallë. Madje për disa nuk ka vdekur kurrë.

Ndërkohë ju, "së bashku me të" keni shëtitur botën...

Në fakt sapo jam kthyer nga jashtë shtetit, ku dhashë një spektakël në Pallatin e Akullt të Luganos. Të gjithë të pranishmit ishin veshur trashë, me peliçe, pallto, bereta. Ndryshe nga publiku unë isha veshur me rroba verore. Isha imazhi i liqenit të Cocito-s (Koçito, sipas mitologjisë greke, është liqeni i ferrit të Dantes, që ndante mbretërinë mes të gjallëve dhe të vdekurve. Cocito është liqeni i akullt, që i përket rrethit të nëntë të ferrit. Sipas Dantes, të cilit i referohet Benini, Cocito ishte një vend i tmerrshëm). I ngjaja një prej atyre personazheve të "Komedisë" që kanë bërë mëkate të tmerrshme: u është rritur mendja, ose kanë tradhtuar dhe si dënim për fajin do të zhyten kokë e këmbë në akull. Më ka lënë vërtet pa fjalë entuziazmi i popullit tim jashtë vendit. Kur u nisa për këtë turne, le ta quajmë kështu, thosha me vete: "Në Itali kam një avantazh, sepse sapo përmend emrin e Berluskonit, të gjithë njerëzit fillojnë të qeshin". Ndërsa në Lugano dhe Gjermani sapo përmendja gjysmën e emrit të gjithë qeshnin dhe duartrokisnin.

Silvio Berluskoni është një maskë e komedisë së artit?

Më shumë se një maskë. Ai është i tillë. Është spektakolar, mjafton të thuash Berl dhe të gjithë njerëzit shpërthejnë në të qeshura. Pas kësaj "ndodhie" unë i gjori them me vete: pse kur përmend Zotin njerëzit heshtin, ndërsa kur thërras emrin e Berluskonit njerëzit shkrihen së qeshuri. Sipas meje kjo ndodh sepse Berluskoni premton, është një emër që na siguron se mund të zbavitemi. Me të gjithçka përfundon në shaka. Kam vënë re se jashtë shtetit njerëzit qeshin më shumë se sa në Itali. Gjërat që vijnë në mënyrë indirekte janë më të bukura. Berluskoni luan me spond.

Le të flasim për karakterin tuaj komik. Ju nuk mbani maskë. Shfaqeni me fytyrën tuaj të vërtetë. Në kryeveprën "Jeta është e bukur", filmi që ju shpërbleu me çmimin "Oskar", ju jeni Benini, jo një hebre...

Për çdo komik, stili i tij është si trupi i tij, po ashtu edhe shikimi, apo mënyra me të cilën lëviz. Për shembull, nëse këtë që sapo thashë, njerëzit do ta shihnin, atëherë do të ishte më e bukur.

Si mendoni ju, botës i pëlqen Italia?

Ndryshe nga imperializmi ynë ushtarak i shekullit XXI që ka qenë më qesharaku i botës, imperializmi kulturor ka qenë dhe vazhdon të jetë më i miri. Në botën perëndimore gjithçka që konsiderohet moderne është krijuar nga italianët: nga kopsat tek arkitektura, nga puthja te financa, nga pantallonat te muzika.

Juve ju pëlqen ta theksoni origjinën tuaj?

Unë jam fshatar. Prindërit e mi ishin pjesë e kësaj toke, të cilën e adhuronin. Për këtë ndihem krenar.

Të pasurit i konsiderojnë të varfrit vulgarë...

Kjo që sapo përmendët ju është një konsideratë vulgare. Krishti u dha një emër të varfërve: emrin e tij.

Jeni në gjendje ta përmblidhni me dy fjalë vulgaritetin?

Vulgariteti arrihet atëherë kur një individ fiton menjëherë një popullaritet të pamerituar. Kjo ndodh shpesh, mjafton një moment dobësie. Kushedi ndoshta edhe unë mund të kem rënë në këtë grackë.

Sipas jush, a është televizori vulgar?

Ndonjëherë gjërat janë aq vulgare sa mendoj se mund të arrijnë deri në drogim.

Natyrisht që nuk do të përmendni emra...

Do të ishte vërtet vulgare nëse do t‘i përmendja.

Le të rikthehemi te krenaria. Dante flet për trupa, jashtëqitje, gjak. A është e mundur sot që të bëhet me po atë elegancë që ai e bënte?

Dante ndjen aroma, zhurma, pengesa nëpër trupa. Përdor fjalë të pista (kurvë ose mu...), sepse është i bindur se të gjithë meritojnë të shpëtohen. Poezia mund të bëhet me çdo lloj fjale. Poezia është trup, ritëm, shtirje, pasion. Çdo fjalë në "Komedi" i korrespondon një emocioni. Me pak fjalë është një mësim lirie.

Përse?

Kur jemi pre e pasioneve, jemi të lirë, sepse askush nuk mund të na kontrollojë. Dante vdes në rrethin e parë, sepse në të kundërt do të mbetej aty, mes imoralëve. Ferri ndalet para pasioneve, nderon dashurinë tokësore.

Shpesh ju e zhvlerësoni pushtetin.

Dikur ishte e thjeshtë ta bëje një gjë të tillë, ndërsa sot zhvlerësohet vetë. Një komik serioz duhet të mbrojë qytetarët nga ata që i qeverisin, por edhe punën e tij.

Po kur morët në krahë Enriko Berlinguerin?

Doja të ndieja trupin e tij. Ngjante si i brishtë. Dëshiroja të shihja rëndësinë e tij nga ana fizike. Ishim mësuar që ta shihnim sekretarin e Partisë Komuniste si një baba. Doja që ta drejtoja si të ishte një fëmijë.

Po sot si janë kampet e partive?

Ka ndryshuar gjithçka. Nga njëra anë dikush ka humbur, ndërsa nga ana tjetër dikush tjetër ka fituar. Gjeneratat e tjera janë më mirë. Të rinjtë janë më të bukur, më të pranueshëm, më të ndjeshëm.

Ndërkohë përreth qarkullon një farë nostalgjie për Berlinguerin.

Kur mendojmë për të shkuarën, shpesh i fshijmë pjesët e shëmtuara dhe mbajmë në kujtesë ato më të bukurat. Por, gjithsesi, është një gabim. Duhet që të shohim përpara, veçanërisht atë që është më e mira për ne. Në të kundërt çfarë jete do të ishte kjo?

Valter Veltroni është më i mirë se Berlinguer?

Berlinguer ishte jashtëzakonisht i mirë. Tani është Veltroni dhe jam i kënaqur. Është e pamundur që ta risjellim Berlinguer. Është njësoj sikur do të doja të ringjallja Çaplinin.

Përse në Itali shpesh komikët bëjnë politikanët dhe politikanët bëjnë komikët?

Në fakt këtu hyjmë në një diskutim mes komikes dhe satirës. Satira është një mrekulli, është një gjetje e duhur, por unë preferoj komiken, pasi flet për të gjithë dhe po të gjithë i merr në shënjestër.

Ju vuani shumë për çështjen e lirisë në Itali?

Mund të them gjithçka, p.sh. që Berluskoni ta shpif. Por për këtë mund të më fusin edhe në burg e ta mbyllin përfundimisht këtë revistë, për të cilën po jap intervistën, sepse kështu funksionojnë gjërat këtu.

Duke qenë se jemi të lirë. Çfarë ndieni kur dëgjoni fjalën Bruneta?

Më bën të shkrihem gazit nga e qeshura. Kur ajo del në televizor, më vjen dëshira të hyj brenda tij dhe t‘i qëndroj në krah. Është shumë false nga mënyra se si i shpreh konceptet. E qan rolin e aktores.

Mariastela Gelmini?

Është përfshirë në luftën e mësimit. Fytyrat e fëmijëve janë të shenjta. Të gjithë kanë dëshirë të rrinë me fëmijët. Mark Tuein thoshte: Nuk ia kam lejuar kurrë shkollës që të tallet me dijen time.

Xhuljo Tremonti?

Është një imazh, është krejtësisht ndryshe. Nuk është nga ata që mund ta çoj në ferr.

Ju thoni se Dante shkruan që Zoti ekzistonte dhe jo që Zoti ekziston. Poeti e krijon botën?

Po. Është "Komedia" dhe poeti i të pabesueshmes, aventurier dhe modern. Brenda saj është bipolarizmi, transformimi. Ah çfarë faji i bukur do të ishte ai i transformimit! Dante do t‘i ndryshonte vazhdimit ata që do t‘i dilnin përpara. Sa shumë do të mbushej rrethi me të korruptuar. Nuk mund të them emra. Danten e çuan në ekzil, sepse i urrente transformuesit dhe budallenjtë. Mund t‘i jepte një puthje një lebrozi, por kurrë nuk i ka shtrënguar dorën një debili.

A ekziston rrethi i atyre me "pamje shenjtorësh"?

Po. Është për të gjithë ata që përdhosin të shenjtën.

Pyetja e fundit. Ju shëtisni në të gjithë Evropën me "Komedinë", gjithashtu në Amerikë dhe vendet arabe. Përse Dante është kaq universal?

Sepse ai u mor me diçka me të cilën nuk merrej më askush: jeta, misteri, përse jemi këtu. Faktet e botës nuk janë fundi i çështjes. Sot gjithçka është shpërfytyruar dhe sapo hyj atje ndiej një nostalgji, një riformim të thellë të një parajse tokësore. Nuk jetojmë netët e Jakobit së përjetshëm. Luftojmë me Zotin dhe ashtu si Jakobi dalim të plagosur. Nuk mund t‘i shpëtosh "Komedisë", ashtu sikundër nuk mund t‘i shpëtojmë dhe ndërgjegjes. Dhe kur shikojmë perceptimin, perceptimi na shikon ne.

G. Shqip