E premte, 19.04.2024, 08:34 PM (GMT+1)

Faleminderit

Mexhid Yvejsi: Në xhami u bashkuan - për Atdhe luftuan

E diele, 18.01.2009, 11:48 AM


NË XHAMI U BASHKUAN - PËR ATDHE LUFTUAN...

Nga Mexhid YVEJSI, Gjakovë

«Besimtarë janë vetëm ata që i besuan All-llahut, të dërguarit të Tij, e mandej nuk dyshuan dhe për hir të All-llahut luftuan me pasurinë dhe me jetën e tyre. Të tillët janë ata të vërtetët». (Kur'an, 49:15)

Myderriz haxhi Ymer Prizreni dhe myderriz mulla Haxhi Zeka kanë qenë besimtarë të vërtetë, dy hoxhallarë, dy udhëheqës kombëtarë, dy haxhinj, dy atdhetarë që e bashkuan popullin në xhami dhe për hir të Zotit luftuan për atdhe...

Lidhja e Prizrenit (1878-1881) dhe Lidhja e Pejës «Besa-Besën» (1899) janë dy nga ngjarjet më të rëndësishme, më të lavdishme të historisë së popullit shqiptar. Ato na afirmuan si komb dhe ngritën çështjen shqiptare në arenën ndërkombëtare si asnjëherë më parë.

Këto Besëlidhje Shqiptare, që themeluan organizata të fuqishme poltiko-ushtarake, me një shtrirje të madhe në mbarë Kosovën e përtej, nxorën në skenë dy personalitete, që u shquan për urtësinë, guximin, organizimin dhe gatishmërinë, që me armë në dorë të luftojnë për liri: Myderriz haxhi Ymer Prizreni dhe Myderriz Haxhi mulla Zeka.

Për rëndësinë e madhe historike të këtyre ngjarjeve, për rolin e kontributin e madh të udhëheqësve kryesorë, të cilët organizuan popullin, e bashkuan dhe e frymëzuan që të ngrihej në luftë të armatosur, deri sot është shkruar në përputhje të plotë me pikëpamje marksiste dhe ateiste...!

Shkrime të tilla në periudhën komuniste mund të «arsytohen», se ishte koha e s’kishte mundësi tjetër... Por, në kohën postkomuniste, si të arsyetohen? Të shkruash për ngjaret më madhështore mbi personalitetet më fetare e atdhetare, të pavarur nga Zoti, kjo është rrugë dinake e ateizmit. Ateizmi në vete përmban mohimin e egzistencës së Zotit si edhe të Autoritetit të Tij, ose të dyja së bashku.

Vetëm të mos mendosh mbi Zotin, Krijues i të gjithave, do të thotë se je kundër Tij, e lëre më ta mohosh! Ruajna Zot! Mënyra se si e kuptojmë Zotin, Inteligjencën e paskajshme, është me rëndësi kryesore për jetën njerëzore.

Njeriut i është lënë vullneti i lirë të besojë ose të mohojë, pra, secili e gëzon të drejtën, por të gjithë ata që janë marrë me këtë veprimtari, edhe pse kanë të drejtë të shkruajnë, kjo e drejtë për të shkruar nuk do të thotë se kanë shkruar drejt.

Të shkruash studime e libra për Lidhjen e Prizrenit e Lidhjen e Pejës dhe të mos përmendet fakti se ato mbledhje plenare u mbajtën në xhami, është padrejtësi.

Të shkruash për kryesuesit e këtyre dy kuvendeve kombëtare, për ata dy burra të shquar e të mos përmendet se këtë e kishin arritur përmes besimit dhe edukimit fetar - kjo s’është punë e mbarë!

Të mos përmenden as titujt fetarë, si besimtarë që ishin, Hoxhë, Myfti, Myderriz dhe Haxhi, vërtet është krim kundër dinjitetit të tyre.

I përmendëm këto sepse «Feja na jep siguri dhe lumturi në jetë, në marrëdhënie me të tjerët është një burim dashurie», thotë Uilliam Xhems (William James), psikolog amerikan. Nga ky këndvështrim po nisem, me shpresë se të tjerët, më pas, do ta vazhdojnë...

Myderriz haxhi Ymer Prizreni (1821-1886), i biri i myderriz Sulejman Efendiut dhe Myderriz mulla Haxhi Zenel Efendiu (1830-1902), (Zekë është deminutiv i emrit Zenel), i biri i Mehmet Abedinit, me prejardhje nga fshati Biberaj në Malësinë e Gjakovës, që të dyve që kishin një edukim të mirë fetar, dhe feja u dha siguri, mundësi e dashuri që t’i bashkonin përfaqësuesit e popullit shqiptar në Xhaminë e Gazi Mehmed Pashës në Prizren (Bajrakli) 1878) dhe hamam Xhami të Pejës (1899), si sot njëqind e dhjetë vjet më parë. Këto nuk duhen harruar dhe as që u lejohet të tjerëve t’i harrojnë. Pra, dikur shqiptarët nën udhëheqjen e myderrizëve në xhami u bashkuan dhe n’Emër të Zotit për Atdhe lidhën Besën e luftuan...

Për bashkimin kombëtar, që u krijua në xhami, nga këta hoxhallarë, besimtarë e atdhetarë, ndoshta më mirë se historia flet poezia...A nuk tha Aristoteli se «poezia është më mendore se historia»?!

Këtu më poshtë po sjellim dy poezi gojore (popullore): një për Myderriz haxhi Ymer Prizrenin dhe një për Myderriz haxhi mulla Zekën, dy figurat udhëheqëse, bartëse, frymëzuese në përpjekjet për liri, nga mund të nxirren mjaft elemente të dobishme, të çmueshme, të cilat mund të na shërbejnë sot o kurrë...

 

(Kushtuar Myderriz Haxhi Ymer Prizrenit)


Ymer Efenija, trim shqiptar,

Sylejmani ni komandar,

I tubuan tre mi’ luftarë,

Tanë malsorë, n’plisa t’bardhë,

N’Qafë t’Morinës kokan dalë,

Sylejmani majti fjalë:

- Ngoni ju vllazën shqiptarë,

Do t’i dalim turkut përballë;

Dervish Pasha n’Gjakovë a ardhë,

Për m’i zanë krent, m’i vjerr’ vet,

Me coptue kët ven t’shkretë.

- Efeni, çka me ba,

A ban turkut pushkë m’i ra?

Myderrizi kish pas thanë:

- Kur asht fjala për vatan,

Jo veç turkut e atij tjetrit,

Po ni plum kush ja jep mretit,

Ka me shkue n’lule t’Xhenetit!

Fjalët e hoxhës kur i nguen

Të tanë burrat n’kam u çuen,

Lidhën Besë e pajtuen gjaqe,

- Me ven tonë s’ka pazarllaqe...!

 

NA KTI VENI DUHET M’I DALË ZOT

(Kushtuar Myderriz Mulla Haxhi Zekës)


N’grykë t’Pejës, more, u dhez rrfeja

Shqiptarisë, more, ju forcue beteja.

N’kam na u çue, o vëllazën, Haxhi Zeka,

Nisi fjalë, more, shqiptarëve po u man:

- Ngoni knena, o vllazën shqiptarë,

N’kit ven juve o qi u kam marrë,

N’kit ven juve o qi u kam thirrë;

Fjalë me dhanun, besa-Besëb me lidhë.

Për me lidh-o ni Besë të Zotit,

M’i dal n’ball, more, o anmikut t’sodit

si n’kohën e Gjergj Kastriotit.

Na kti veni duhet m’i dalë zot;

Dy syt, more, ju mbushën me lot.

Atëherë Isa koka çue n’kam:

- Ngo mor Zekë, unë çka po t’tham,

I madh e i vogël, tanë n’kam m’u çue,

Për tokë tonë kena me liftue,

Me derdh’ gjakun, more, bash si prrue!

Kem m’u kallë tan’, more, si cigare,

s’kem me lanë anmik n’tokë shqiptare!

Fort u gzue, more, trimi Haxhi Zekë

Nxuerr alltin, more, paj qiti përpjetëë:

- Ktu koftë lidhë, more vllazën, Besa-Besa.

E na u nisën trimat, more, çeta-çeta,

shkon t’u pri, more, trim-o Haxhi Zeka.

Haxhi Zeka o ni zog shqiptari

O për Kosov’ o n’luftë ma i pari.

 

Në këto këngë popullore, ku pasqyrohen në mënyrë besnike zhvillimi i ngjarjeve të Lidhjes së Prizrenit dhe Lidhjes së Pejës, si edhe figurat qendrore të myderriz haxhi Ymer Prizrenit dhe myderriz mulla Haxhi Zekës, mund të zbulojmë rëndësinë kryesore të jetës: Besimin në Zotin dhe bashkimin me Besa-Besën drejt lirisë.

Mjerisht, për shkak të kompleksit të inferioritetit te disa intelektualë, te shumica të dominuar nga mendimi sekularist, që ka për themel degradimin e qenies njerëzore, prej një qenieje metafizike, mënjanimi i vlerave fetare të individëve, grupeve apo një populli të tërë duket që bëhet me qëllim, sepse këto vlera prej tyre konsiderohen si pengesë e zhvillimit, përparimit dhe civilizimit. Civilizimi është formuar si mjet në shërbim të njeriut. Vlerat fetare e ndihmojnë njeriun në përsosjen e tij shpirtërore e morale...Myderrizi haxhi Ymer Prizreni dhe myderriz mulla Haxhi Zeka këtë gradë e kishin arritur dhe e dëshmuan me veprimtarinë e tyre, me bashkimin e përfaqësuesve të popullit në xhami...Vetë fjala xhami ka kuptimin «vend tubimi», «vend bashkimi».

Në shoqërinë amerikane, po edhe të shumë vendeve të tjera perëndimore, vlerat fetare hebraiko-krishtere i kanë maksimalisht të institucionalizuara, e ne pse të veprojmë ndryshe?

Do të jemi të lirë vetëm duke i shërbyer së vërtetës...Të vërtetën ta shpallim, se megjithatë ka njerëz që janë të gatshëm ta dëgjojnë e ta pranojnë...!



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora