E premte, 29.03.2024, 12:56 PM (GMT)

Faleminderit

Ilir Çumani: Evanthi Ciko, ''Nëna'' e 268 fëmijëve jetimë

E premte, 16.01.2009, 11:39 PM


Ilir Çumani
EVANTHI CIKO,
“NËNA”  E 268 FËMIJËVE JETIMË

Nga Ilir ÇUMANI,
Drejtor i Përgjithshëm i Institutit Kombëtar të Integrimit të Jetimëve Shqiptarë

Edhe pse i ka lënë pas të  89 vitet e jetës së saj, ende vazhdon  të gëzoj një pleqëri të mbarë, një shëndet të admirueshëm.
Duket se natyra është treguar shumë bujare dhe e ka privilegjuar pamasë këtë grua të mirë.
Sot,  Evanthi Ciko demonstron një pamje të përsosur fizike, që padyshim  edhe më të moshuarit  e soçëm do t’a kishte vërtetë zili.
Të gjithë banorët e lagjes në rrugën “Sami Frashëri” të Tiranës së Re e njohin mirë atë grua. Çdo mëngjes,  pa zbardhur mirë, del nga  apartamenti i saj ku banon në pallatin me Nr. 26, që ndodhet në afërsi të Shkollës së mesme të Përgjithshme “P.Nini Luarasi”. 

 

Evanthia me të rinjtë Jetimë qe kanë dalë në jetë viti, 1983

Evanthi Ciko, Drejtoreshë në Shtëpinë e fëmijës në Tiranë, viti, 1970

Me hapa të ngadaltë dhe të lehtë,  nis të  marrë drejtimin nga Kodrat e Liqenit  Artificial. 
Është një ritual i përditshëm që Evanthi Ciko, gruaja 89 - vjeçare  e kryen për afro katër dekada  me radhë, që nga koha kur doli në pension si Drejtoreshë në Shtëpinë e Fëmijës “8 – Nëntori” në kryeqytet. (Sot, kjo shtëpi mban emrin e një bamirësi klerik: “Zyber Hallulli”). 
Këtë ritual,  ndoshta kurrë s’ka ndërmend t’a ndërpresi,  - “deri sa të jem me këmbë e me duar”,  -  siç  thotë ajo.
Evanthia  kujton ditët e para të daljes në pension. Ishte viti l970. 
-Kanë qënë ditët më të vështira të jetës së sime, - tregon ajo. - Atëhere, mbaj mend që shkova tek mjeku dhe i thashë se ç’farë duhet të bëja tani !? Bëra një seri analizash të cilat më dolën mirë.  Nuk isha mësuar të bëja jetë sedentare dhe pa asnjë lloj aktiviteti… Ndaj sërish i hapa punë vetes dhe u aktivizova me problemet organizative që kishin lagjet dhe blloqet në atë kohë.
Kanë kaluar 38 vjet që nga ajo kohë, dhe Evanthia  daljen e saj  çdo mëngjes në Kodrat e Liqenit Artificial e konsideron si një sport të mëndjes dhe fizikut,   një domosdoshmëri pa të cilën ajo nuk mund të shtyjë as edhe një ditë të vetme.  Nuk ndjehet aspak e zhgënjyer, sepse frytet  e kësaj lëvizjeje të përditshme  i ka të prekshme, ndaj dhe  është në formën më të mirë të saj… Për këtë, ndjehet tepër e kënaqur dhe e shpërblyer nga jeta.

Evanthi Ciko me djalin e saj Maestro Zhani Ciko dhe bashkëshorten e tij, Rudina Ciko


Së bashku me  shoqen e saj të  fëmijërisë që nga shkolla fillore,  Hamide Bardhi, shëtisin për afro 2 orë çdo  ditë duke  bashkëbiseduar dhe  sjellë në kujtesë episode dhe momentet më të bukura të jetës së tyre.
Ish - nxënëse në Institutin Femëror “Nëna Mbretëreshë” në vitin l940,  ajo përfundon shkëlqyeshëm mësimet dhe emërohet  mësuese në shkollën “Naim Frashëri”, në Tiranë. Atëhere Evanthia ishte vetëm 20 vjeçe. Ishte një vajzë e brishtë dhe pak e ndrojtur. Pasioni i saj i vetëm që nga fëmijëria e saj e hershme  ishte për t’u bërë mësuese. Një ëndërr  tashmë që do të bëhej realitet.
Bija e Grigor Zoraqit dhe e motra e kompozitorit të njohur Nikolla Zoraqi, ajo vinte nga një familje intelektuale dhe tepër e respektuar, e njohur që në atë kohë. Fakti  se i përkiste një familjeje intelektuale dhe  me tradita të shkëlqyera, duket se kishte ndikuar ndjeshëm në karakterin dhe personalitetin  e saj.  Kjo  e bënte edhe më të  kompletuar, por  edhe më të dashur portretin e kësaj edukatoreje të talentuar e të palodhur.
Profesioni i mësuesisë, Evanthi Cikon   do t’a obligonte për t’iu përkushtuar më shumë punës me fëmijët dhe  nxënësit e saj. Edhe pse tepër e re në moshë për rolin që ajo luante, shumë shpejtë Evanthia do të fitonte zemrat e atyre fëmijëve që shikonin tek mësuesja e tyre modelin e një edukatoreje dhe nëne shëmbullore. 

Pamje nga Filmi Artistik Shqiptar “Si gjithë të tjerët” kushtuar Evanthi Cikos, luajtur nga aktorja Tinka Kurti, “Artiste e Popullit”

Evanthi Ciko, merr pjesë në dasmën e 2 të rinjve jetimë që ajo ka rritur, Rajmoni dhe Monda

Por duket se puna si mësuese  nuk mjaftonte për të mbushur kohën të cilën ajo e çmonte shumë. Për këtë arsye,  ajo do të angazhohej edhe në Radio – Tirana si spikere, për të prezantuar programet e orëve të mbrëmjes nga viti l941 – l945.
Atëhere Evanthia ishte vetëm 25 vjeçe kur  u njoh me profesor Mihal Ciko, i cili në atë kohë ishte shef i kulturës në Radio – Tirana, por që shumë shpejt do të fitonte zemrën e tij…
Profesor Mihali kishte studiuar në konservatorin “Xhuzepe Verdi”, në Milano të Italisë. Ai ishte i pari këngëtar lirik në “Bariton”.
Kontakti i parë me profesor Mihalin, e më pas njohja nga afër me të, bëri që ata të lidheshin aq shumë me njëri-tjetrin  për të finalizuar më pas jetën bashkëshortore drejt një  martese të sigurtë. Kjo do t’i bënte të dy të rinjtë e dashuruar të asaj kohe  çiftin më të lumtur në punë dhe në jetë.
Fryt i kësaj dashurie të pastër dhe të sinqertë, do të jenë më pas dy fëmijët e mrekullueshëm,   Zhani Ciko, Dirigjent – Maestro, një personalitet i shquar i artit Shqiptar dhe një figurë shumë e dashur për publikun shqiptar, në diasporë dhe më gjërë.  Fëmija e dytë është vajza e saj  Keti Ciko, një merceolloge e talentuar që sot ndodhet në Austri me familjen e saj.
Tepër e preferuar nga dashamirësit dhe miqtë e shumtë  që e rrethonin, por dhe e kënaqur nga familja që ajo kishte krijuar,  Evanthi Ciko dukej se ndjente brenda qënies së saj si nënë dhe mësuese se  kishte plot rezerva dashurie dhe humanizmi. Cilësi këto për të cilat kishin shumë nevojë ata fëmijë që kurrë nuk e kishin ndjerë nga afër dashurinë dhe ngrohtësinë prindërore.
Dhe ata që kishin më shumë nevojë se askush tjetër për këtë dashuri dhe humanizëm të kësaj gruaje  me zemër të madhe, ishin fëmijët e Shtëpisë së Fëmijës në kryeqytet,  të cilët që në ditën e parë kur Evanthi Ciko filloi punën si drejtoreshë në këtë Shtëpi Fëmije,  e  thërritën me emrin “Nënë”.
Ishte një barrë jo fort e lehtë për të, sepse ndryshonte e gjithë metodika ku kishte punuar më parë si  mësuese dhe drejtuese në disa shkolla të kryeqytetit, si në shkollën “Ismail Qemali”, “Luigj Gurakuqi”, “Vasil Shanto”, etj, por edhe si inspektore në Seksionin e Arsimit.

Në cepin i fotos, Evanthi Ciko, në një drekë festive më fëmijët jetimë, të shoqëruar nga 40 artistë e regjisorë të kinemasë shqiptare, organizuar nga Instituti Kombëtar i Integrimit të Jetimëve Shqiptarë, Ol.Qershor.2004

- Pas një eksperience të gjatë në arsim, prisja të emërohesha me punë pranë Institutit Pedagogjik, për të mbyllur edhe  pesë vitet e fundit të karierrës time. Por në fakt nuk ndodhi kështu.
Ishte muaji gusht i  vitit  l965, kur më thërrasin në Seksionin e Arsimit, në Komitetin Ekzekutiv të asaj kohe.  Më komunikuan  emërimin tim si drejtoreshë në Shtëpinë e Fëmijes “ 8 – Nëntori”.  Që në ditën e parë kur u paraqita në këtë Shtëpi Fëmije, -  kujton Evanthia, drejtori i këtij institucioni i cili  po më dorëzonte  detyrën, më bëri prezantimin me personelin dhe më tregonte ambientet e godinës e cila sapo ishte lyer  me bojë një ngjyrëshe.
Në këtë Shtëpi Fëmije ishin plot 268 fëmijë. Këta fëmijë ishin të moshave nga 7 vjeç e deri në l7, l8, edhe 20 vjeç. Këta të fundit,   konsideroheshin si fëmijë të prapambetur. Gjëja e parë që më ra në sy dhe më bëri përshtypje ishte se ata  ishin veshur të gjithë njëlloj; me koka të qethur zero dhe tepër të ndrojtur, madje dhe të trembur. Në  sytë dhe fytyrat  e tyre shikoje një trishtim, por edhe një egërsi që shprehej nga një pakënaqësi a diçka që edhe vetë s’mund t’a kuptoja atë çast. Ishte njëlloj ndjenje frike dhe pakënaqësie që s’dihej se nga u buronte, por që nuk e pata të vështirë të kuptoja se ajo  për të cilën ata  kishin më shumë nevojë,  ishte dashura dhe ngrohtësia që u mungonte nga të qenit fëmijë pa prindër,  pa familje dhe pa kujdes prindëror.
Kjo ishte  përshtypja e parë që mu krijua. Kjo përshtypje u përforcua edhe më shumë kur  mbi tavolinën e zyrës së drejtorisë gjeta një listë emërore me 30 emra fëmijësh të cilët konsideroheshin si “problematikë”. Mbi atë listë qëndronte edhe një shufër e gjatë, e cila nuk ishte e vetmja, sepse poshtë tavolinës me të cilën ndëshkoheshin këta fëmijë kishte plotë të tilla.
Ato shufra, riga dhe vizore i mbanin të gjithë edukatorët nëpër klasa, të cilat pas dy ditëve u’a mblodha dhe i’a dhashë punonjëses së lavanterisë për t’i hedhur në zjarr. Me ardhjen time si   drejtoreshë e re në këtë Shtëpi Fëmije, të gjithë kalamajtë u ç’organizuan dhe përshpërisnin mes njëri – tjetrit se nuk do ta çanin më kokën nga drejtoresha e re. Ishte një situatë që më bënte të ndjehesha shumë keq… Ditët e para  shpesh pyesja veten: - “A do t’ia dalë mbanë kësaj pune, apo do të turpërohem tani në fund të karrierrës!?”.
Më kujtohet rasti me Dashamirin dhe tre fëmijë të tjerë. Edukatorja e grupit mi  sjell këta fëmijë  në zyrën time për t’ju bërë vërejtje, dhe tepër e revoltuar më thotë se këta fëmijë kishin bërë pisë rrobat e nderura që sapo ishin larë nga punonjëset e lavanterisë. Ata prisnin që unë t’i ndëshkoja, t’i rrihja me rrigë. Instiktivisht fëmijët ngrinin dorën lart për t’u mbrojtur. Por në të vërtetë nuk ndodhi kështu. Unë u fola me të mirë dhe u thashë: -  “nuk u vjen keq për teta Sherifen dhe teta Pandorën që janë lodhur për t’i larë ato rrobe!? Po për ujin dhe sapunin që janë harxhuar!?  Si mendoni, t’a largojmë nga puna teta Sherifen dhe teta Pandorën...!?”
Fëmijët u befasuan  nga sjellja ime. U prekën dhe me lotë në sy më thanë: “ Na falë drejtoreshë, të lutem mos e largo nga puna teta Sherifen dhe teta Pandorën. Ato i kemi shumë xhan. Edhe ty të kemi xhan….”
Në një nga ato ditët e para, nga lodhja dhe shqetësimi i punës më filloi një dhimbje koke që bëri të vinte urgjenca dhe të më çonin në spital. Fëmijët ishin tepër të shqetësuar.
Më pas, dëgjoja nga goja e fëmijëve që flisnin me njëri – tjetrit: “Mos e bëj këtë punë të keqe, se sëmuret drejtoresha....”
Nuk e mendoja se do të ishte kaq e vështirë puna me këta fëmijë. Për një cast, e ndjeja veten të pafuqishme për të ndryshuar këtë situatë që për mua nuk ishte aspak normale.
Por, një zë më buronte së brëndshmi, më vinte si një apel që i bëhej  ndërgjegjes time  se: “këta fëmijë kanë nevojë më shumë se kurrë sot”.
Atëhere mbodha veten dhe mora kurajo që këtë punë do ta bëja patjetër. Mblodha të gjithë  personelin dhe i thashë se duhej ndryshuar çdo gjë në këtë Shtëpi Fëmije. Ky ndryshim, u thashë kolegëve,  do të vinte së pari nga ne. Këta fëmijë nuk kanë asgjë më pak se fëmijët tanë; ata janë si gjithë të tjerët, prandaj  të gjithë ne duhet të punojmë me përkushtim që ata të mos e ndjejnë vetën se janë ndryshe nga fëmijët e tjerë. Këta fëmijë nuk kanë nënë dhe babë, as motër e vëlla, as familje. Ata na kanë ne. Ne jemi prindërit e tyre. Që nga ai moment, unë nuk e konsideroja më veten si nëna e dy fëmijëve të mi, Zhanit dhe Ketit,  por nëna 268 fëmijëvë.

Zonja Liri Berisha, Evanthi Ciko dhe z. Ilir Çumani në 5 vjetorin e themelimit të Shoqatës së Jetimëve, 26.Nëntor.2006

Në këtë familje të madhe duhej patjetër një nënë me zemër të madhe. Unë kurrë nuk u kisha thënë fëmijëve të mi : “të keqen e t’u bëfsha”, sepse kam qenë një nënë me autoritet. Atyre fëmijëve u’a thosha, madje me shumë dashuri e dhembshuri. Mendova që t’i bëja fëmijët për vete. Edhe me ata fëmijë që konsideroheshin të “vështirë” siç ishin Dashamiri, Margarita, Ardiani, Tonini, Edija, apo ndonjë tjetër, munda të punoja shumë dhe t’i bëja të gjithë për vete. I angazhoja me punët e familjes së madhe. U çelën grupet e rrobaqepsisë, të gatimit, të qepjes dhe hekurosjes së rrobave, të punës së dorës, grupi i zdrukthtarisë. Vetë fëmijët e rritur i riparonin orenditë e shtëpisë.  Munda të organizoja grupet e punës me fëmijët e rritur, të cilët do të kishin nën kujdesin e tyre ata më të vegjëlit.
U ndërrua mënyja e ushqimit. U hoq çaji kinez që u jepej çdo ditë fëmijëve dhe dy herë në javë gatuhej byrek, pastiço, sallatra me ullinj. Çdo ditë gatuhej ëmbëlsira dhe hahej fruta. Caktohej çdo ditë një fëmijë derzhurn në kuzhinë për të parë si gatuhej. Madje,  atë ditë ai gatuante diçka të veçantë për tavolinën e tij. Filluam të organizonim edhe festimin e ditëlindjeve.
Dhomat e fjetjes dhe ato të studimit u lyen nga e para  me bojra ngjyrash të ndryshme, me synimin që të krijohej  një ambient sa më i ngohtë dhe familjar.
Të gjithë fëmijët ishin përqëndruar në Shkollën “Labinoti”, ku çdo klasë kishte nga 40 fëmijë të shtëpisë së fëmijës. Kishin të njëjtën veshje dhe me koka të qethura. Në këto rrethana ata ndjeheshin të veçuar nga pjesa tjetër e fëmijëve. Për këtë arësye bisedova me drejtorinë arsimore të rrethit që këta fëmijë të shpërndaheshin në tre shkolla të lagjes, siç ishin shkollat “Labinoti”, “Mihal Grameno” dhe shkolla “Kosova”. U mendua që në këto shkolla të ishin tre deri në katër vetë për çdo klasë, të përzier edhe me fëmijët e tjerë që vinin nga familjet e kryeqytetit. Fëmijët nuk mund t’i dërgonim   tani e tutje në rresht për në shkollë, por grupe – grupe, ashtu siç  shkonin të gjithë fëmijët e tjerë. Ditën e parë kur e eksperimentova vajtjen e fëmijëve veç e veç në shkollë, pata kundërshtim nga kolegët e mi dhe  personeli. Ata kishin frikë se mos vallë fëmijët do të largoheshin nëpër qytet dhe nuk do të frekuentonin shkollën. Në ditët e para e shikoja nga larg vajtjen e tyre në shkollë. Ishte hera e parë që këta fëmijë do  të shkonin në  shkollë pa rresht dhe me edukatore në krye. Mirëpo kështu i’a dola mbanë. Djemëve nuk u qethej më koka zero, por u linim pak flokë. Të gjithë fëmijët visheshin me rroba të ndryshme nga njëri – tjetri, për të krijuar përshtypjen e një familjeje  të gëzuar dhe plot armoni, me një jetë krejt normale. Kur përfundonin shkollën 8-vjeçare, interesohesha për të gjithë t’ju nxirrja bursat më të mira.  Interesohesha të merrnin një zanat, deri sa të sistemoheshin në punë dhe të krijonin  familje.
Në shumë raste kam qenë e pranishme në dasmat e tyre, në gëzimet familjare që ata kanë patur, dhe për këtë unë ndjehem shumë e lumtur, sepse e konsideroj veten me shumë fat.
Është një privilegj i madh të jesh “nëna e 268 fëmijëve”. Me pjesën më të madhe prej tyre edhe sot  kam  kontakte.  
I kam ndjekur në të gjitha stadet e jetës, ashtu siç bën prindi për fëmijën, shpesh  herë duke mbajtur edhe korrespondencë të rregullt. Shumë prej tyre  sot janë nëna dhe baballarë, gjyshe dhe gjyshër të mirë. Ata më kujtojnë  me shumë mirënjohje e respekt dhe kurrë nuk më harrojnë….”.

Evanthi Ciko me një grup ish-fëmijësh jetimë dhe arsimtarësh që kanë punuar në Shtëpinë ë Fëmijës, z. Ilir Çumani, Drejtor i Përgjithshëm i IKIJSH, prezantuesja e emisionit “Shqip” në Top-Chanel, znj. Rudina Xhunga, në 90 vjetorin e “Strehës së Parë Vorfnore”, 02.12.2007

Tashmë, kjo grua që mban mbi shpinë 89 vite të jetës së saj, me atë buzeqeshje  karakteristike e thinja të arta në kokë që i japin pamjen e një nëne brilante, ende nuk mund të çlirohet lehtë nga emocionet që i sjellin kujtimet e një jete të tërë. Një jetë  e mbarsura plot kujtime, dashuri  e përkushtim ndaj atyre fëmijëve që fati i tyre i keq  bëri  që të mos  ishin si gjithë të tjerët, por që  gjithnjë  e  thërritën atë me emrin “Nënë”.    
Për rolin dhe kontributin e çmuar të Evanthi Cikos, aktorja e mirënjohur Tinka Kurti, “Artiste e Popullit”, ka përjetësuar  dhe ngritur lartë figurën e saj në rolin e nënës në filmin artistik shqiptar “Si gjithë të tjerët”.
Ky film i kushtohet tërësisht punës pasionante e të palodhur të kësaj  gruaje fisnike, kësaj nëne dhe edukatoreje të talentuar, por, edhe gjithë drejtoreshave dhe edukatoreve që punuan me pasion e dhanë gjithëçka  nga vetja e tyre për këta fëmijë.
Padyshim, nuk kishte si të ndodhte ndryshe atë ditë,  kur të  gjithë ish -  fëmijët jetimë qenë mbledhur nga të katër anët e Shqipërisë në një nga ambientet e Muzeut Historik Kombëtar në kryeqytet, me rastin e  85-vjetorin e Krijimit të së Parës Strehë Vorfnore, për të nderuar dhe vlerësuar në shenjë mirënjohje e respekti  punën e palodhur të “Nënës” së tyre, Drejtoreshës së përjetshme të fëmijëve jetimë,  Evanthi Ciko, “Mësuese e Merituar”.
Instituti Kombëtar i Integrimit të Jetimëve Shqiptarë i akordoi asaj titullin: “Simbol i Vlerave Humane”.  

Ilir Çumani, Drejtor i Përgjithshëm i IKIJSH, prezantuesja e emisionit “Shqip” në Top-Chanel, znj. Rudina Xhunga, në 90 vjetorin e “Strehës së Parë Vorfnore”, 02.12.2007


REPUBLIKA E SHQIPËRISË
INSTITUTI KOMBËTAR I INTEGRIMIT TË JETIMËVE SHQIPTARË
Adresa: Rruga “Dibrës”, nr. 312/1, Tiranë
Tel/Fax: ++355 (4) 2360 611, Mobile:  0692035431, 0682035431, 0692601054
Email:
nifao.orfan@gmail.com



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora