E premte, 19.04.2024, 09:20 PM (GMT+1)

Mendime

Sejdi Peka: Secili duhet të kërkojë të ndahet nga e kaluara ish-komuniste

E premte, 16.01.2009, 01:17 AM


Secili duhet të kërkojë të ndahet nga e kaluara ish-komuniste

Nga Sejdi Peka
 
Si ish-i persekutuar nga diktatura komuniste, kam mbetur mjaft i habitur nga deklarata konfuze e Presidentit të Republikës, vetëm pak ditë më parë. Duke komentuar ligjin “Për hapjen e dosjeve”, Kryetari i shtetit akuzoi se “për 6 muaj me radhë po sulmohet në mënyrë të padrejtë, pikërisht nga ish-bashkëpunëtorët e Sigurimit të shtetit”. Presidenti iu referua dekoratës së dhënë prokurorit Skënder Breca, si ekzekutor i kohës së diktaturës, për të cilin tha se vendimi nuk ka qenë personal e se tani ai ishte anulluar. Duke u shprehur kundër të dy ligjeve dhe duke bërë paralelizmin ndërmjet dy ligjeve; atë të dosjeve dhe atë të kthimit të pronave, Presidenti foli edhe për ngjashmërinë mes tyre. Sipas tij, ish-sigurimsat në pushtet po sulmojnë njerëzit e ndershëm” (Topi: Po më sulmojnë ish-sigurimsat. Shih gazeta “Standard”, 13.01.2009).
            Duke qenë se unë jam njëri nga ata që kam kërkuar hapjen e dosjeve, qysh në vitin 1992 publikisht dhe në strukturat vendimmarrëse të PD - në atë kohë Topi akoma nuk ishte i njohur në politikën shqiptare - si domosdoshmëri jetike në rrugën e vështirë të demokracisë, kam të drejtën morale edhe si ish-i përndjekur politik të shprehë indinjatën time dhe të mbetem personalisht i fyer nga kryetari i shtetit. Si shumë të tjerë bashkëvuajtës të mitë, në disa shkrime të miat, edhe të kohëve të fundit, kam kundërshtuar dekorimin e ish-kriminelëve të diktaturës komuniste, si Fehmi Abdiu, Niazi Jaho, Skënder Breca, Xhevat Hana apo Fatmira Laskaj.
A është me të vertetë parodoksale që ish-të përndjekurit politikë të marrin dëshminë e persekucionit komunist pikërisht nga persekutorët e tyre, që kanë mbushur organet e drejtësisë dhe Presidenti flet pa pushim gjoja për reformën në drejtësi që në fakt është detyrë e tij që duhej të ishte inicuar. Përpjekjet për të mbuluar me natë krimet e komunizmit siç po përpiqet me manovrat e saj të dështuara e majta ish-komuniste, do të përfundojnë me turp. Për sa i përket faktit se “presidenti po sulmohet”, ky është një absurd. Përkundrazi, po bëhen përpjekje të këshillohet dhe të korrigjohet pikërisht nga njerëzit që ia duan të mirën atij, por edhe Shqipërisë e demokracisë. Unë personalisht, jam krenar për vuajtjet e mia në emër të lirisë, por edhe më tepër për faktin se nuk i kam shërbyer për asnjë minute ish-Sigurimit dhe komunizmit. Në vitin 1996, propaganda komuniste hodhi përsëri baltë mbi shtresën e ish-të përndjekurve se “gjoja ata paskan qenë në përgjithsi bashkpuntorët e ish sigurimit”. Pikërisht për të bindur opinionin e Rrethit të Hasit dhe më gjerë për pastërtinë e figurës time, në atë kohë si njeri publik, në vitin 1996 kam vendosur kandidaturën time për Kryetar bashkie me qellimin e vetëm për të verifikuar pastërtinë e figurës time në bazë të ligjit. Kjo ka qenë edhe hatërmbetja e vetme e Partisë Demokratike me mua. Në këtë këndvështrim akuza e Presidentit se gjoja po e sulmojnë ish-bashkëpunëtorët e Sigurimit të Shtetit mbetet mjaft e gabuar dhe një handikap i madh politik. Edhe abstenimi për të firmosur ligjin e dosjeve e rëndon më tepër pozicionin e tij në këtë drejtim. Nga ana tjetër ai ka dëshmuar se ka grumbulluar rreth vetes një staf njerëzish të paaftë ose një “kale Troje” në Presidencë.
Mendoj se jam në të drejtën time që sa të jam gjallë do të luftoj kundër komunizmit dhe metastazave të tij dhe të gjithë atyre që përpiqen të jetojnë në simbiozë me kolerën e kuqe që ka shkaktuar plagë, dhimbje, lot e fatkeqësi popullit tim. Isha shumë fatkeq se linda njëherësh kur kolera e kuqe zbriti nga Uralet dhe iu vërsul vendit tim si një lukuni barbarësh. Në moshën dy vjeç kam provuar burgun komunist së bashku me Nënën time të mjerë për arsye se Babai im Iljaz Peka kishte kundërshtuar me vendosmëri maksimale instalimin e regjimit komunist në Kosovë dhe në Shqipëri. Ai ishte i denuar me vdekje në mungesë edhe nga serbët edhe nga komunistët e Enver Hoxhës. E kam pirë deri në fund kupën me helm të komunizmit dhe tani në moshë të shkuar më ka mbetur vetëm fjala e gojës. Në “Zherminalin”e tij, Emil Zola shkruan se “urrejtja është e shenjtë. Ajo është një shprehje luftarake e zemrave të fuqishme që poshtëesia dhe marrëzia u ngjallin zemrim. Të urresh do të thotë të duash”. - Me të vertetë neve ish-të përndjekurit politikë e urrejmë komunizmin, por nga ana tjetër kemi lënë rininë, të afërmit tanë që nuk u gjenden varret për lirinë dhe demokracinë. Duhet të kërkojmë hapur dhe në mënyrë institucionale bashkë me hapjen e dosjeve marrjen në përgjegjësi penale të të gjithë kriminelëve të diktaturës. Kemi dëgjuar rëndom se “ne falim”. Por si mundet të falësh kur kriminelët e diktaturës jo vetëm që nuk të kërkojnë falje, por janë kapardisur në organet e drejtësisë e kudo në institucionet shtetërore, dhe bëjnë ligjin edhe në atë që ne e quajmë demokraci.
Për të mos rënë në përsëritje, Asambleja Parlamentare e KE, ka vendosur në ekuivalencë si fashizmin, edhe komunizmin, si dy regjimet kriminale të shekullit të shkuar. Fashizmi akuzohet për vrasjen e 20 milionë viktimave njerëzore, ndërkohë komunizmi akuzohet për vrasjen e mbi 100 milionë njerëzve. Në kujtim të viktimave të komunizmit është ngritur në Washington memoriali madhështor ku është përkulur me veneracion edhe Presidenti Bush. Në këtë këndvështrim,Gjermania Perendimore, nga viti 1945 deri në vitin 1966 ka arrestuar dhe nxjerrë përpara gjyqit 86.000 ish agjentë e bashkëpunëtorë të Gestapos. Ndjekja e tyre vazhdon akoma edhe sot. Po kriminelët komunistë këtu në Shqipëri përse vallë u dashkan të dalin të larë nga krimet e tyre kundër popullit, bile të ulen këmbëkryq në administratën shtetërore? A mos vallë ne shqiptarët qenkemi më të zgjuar dhe më demokratë se gjermanët. Një gjë është universale, se po nuk u ndëshkua krimi, regjimi kriminal, ekziston rreziku potencial i përsëritjes së fatkeqësive. Dekomunistizimi i Shqipërisë në të gjitha fushat e jetës shoqërore dhe politike është një domosdoshmëri jetike për të ardhmen. Secili që aspiron për liri dhe demokraci duhet të bëjë përpjekje të ndahet nga e kaluara ish-komuniste. Ky është shërbimi më i mire që i bëhet Atdheut.



(Vota: 2 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora