Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Jusuf Bajraktari: Homazh për Prof.Zekeria Canën

| E enjte, 15.01.2009, 08:42 PM |


Zekeria Cana
Zekeria Cana
Homazh për Prof.Zekeria Canën

Nga Prof. Dr. Jusuf Bajraktari

Edhe pse kohëve të fundit, prof. Zekeria Cana, nuk ndihej mirë nga shëndeti, ne sikur nuk dëshironim të pajtoheshim me atë që ai e kishte parandier si profet - vdekjen. Megjithatë, në orën 17:15 të 10 janarit të këtij viti në Qendrën Klinike të Prishtinës pushoi  së rrahuri zemra e tij  duke lënë të hapur pavdekësinë e veprës së tij të madhe.
Zekeria Cana është një emër i veçantë në plejadën e figurave të merituara intelektuale të periudhës së pas Luftës së Dytë Botërore në Kosovë dhe më gjerë. Ky emër është sinonim i një intelektuali të kalibrit të lartë, i njeriut të guximshëm,  të  vrullshëm e të vendosur për të thënë kurdoherë hapur mendimin e tij pa hezituar kurrë edhe atëherë kur ishte e ndaluar të jesh shqiptar.  Ai ishte padyshim një shkencëtar i palodhshëm dhe i mprehtë i gjurmimit e hulumtimit  të së vërtetës për historinë e lëvizjeve të mëdha shoqërore e politike, për  rolin  dhe afirmimin e figurave të njohura  kombëtare. Zëri kumbues i krijimtarisë së tij kurdoherë është mirëpritur nga opinioni ynë e më gjerë jo vetëm nga qarqet intelektuale e të specializuara por edhe nga opinioni i shumtë lexues me të cilin profesori komunikonte me besnikëri deri në ditët e fundit të jetës. Mund të thuhet me plotë të drejtë se edhe me këtë drejtim Cana mbetet një nga kampionet e mendimit intelektual që bashkëjetoi me rrjedhat e kohës dhe është ekzemplarë unikat i korrespondencës së pandërprerë me  njerëzit e tij të shumët e besnikë.
Prandaj, sot të gjithë ne jemi më të varfër për një pendë të mprehtë, për një mendimtar të shquar, për një zë fisnik e kurioz që nuk dinte për kompromise.
Megjithatë profesor Cana na la një trashëgimi të begatë shkencore e humane të  kaluarës tonë e cila padyshim është një bazë e fortë argumentuese për studiuesit e tashëm e të ardhëm. Kjo trashëgimi përmblidhet  në 14 vepra monografike, në dhjetëra e dhjetëra studime shkencore të publikuara në revistat e specializuara e në shtypin e ditës dhe po ashtu një numër të madh vështrimesh, recensionesh, kritikash, fejtonesh dhe artikujsh të angazhuar për probleme  historike, shoqërore e  politike në për të cilat ka kaluar Kosova dhe shoqëria shqiptare përgjithësisht. Në gjithë veprimtarinë intelektuale, shkencore, humanitare dhe përgjithësisht shoqërore e politike te profesor Cana shquhet sensi i  tij i hollë i profesionalizmit të mirëfilltë, për akribinë dhe pedanterinë, në metodologjinë e hulumtimit e të krijimtarisë shkencore dhe të ideve patriotike si pjesë e pandashme e integritetit personal ndër më produktivet që ka pasur ndonjëherë Kosova.
Profesor Cana është nga ata autorë që e kuptonte dhe e ndjente më mirë se kushdo tjetër etjen e madhe të opinionit kosovarë për studimet dhe shkrimet e tij të angazhuar shkencore, duke mos hezituar që të kapet e të përballet me të gjitha vështirësitë  dhe pengesat e dala në rrugë për sendërtimin e synimeve dhe ideve të shumta që kishte.
Zekeria Cana bashkë me Anton Çetën  do të mbesin sinonim i pajtimit kombëtar dhe ekzemplarë i veçantë të urtësisë dhe shqiptarizmës. Mungesa  e personalitetit të tij në auditorët, revistat, gazetat dhe publikimet tona, për shumë kohë, do të jetë një zbrazësi e madhe në Kosovë.
Ndoshta është koincidencë  po  vdekja e mori,  në janar, në muajin e shuarjes së  intelektualëve e veprimtarëve të devotshëm, tash më të njohur, të lirisë e të pavarësisë  së Kosovës. Mund të jetë janar, shkurt apo mars, po bora është këtu, në tokën tonë, e bardhë si shpirti i këtyre burrave të mëdhenj. Në këtë bardhësi  janari u shua  ky vullkan, u ndal  ky uragan  i pa kompromis i historisë dhe çështjes sonë për të  mbetur në përjetësinë e botës shqiptare.
     Sot nuk më duket aspak e habitshme edhe trajtimi i pamjaftueshëm si nga institucionet shtetërore të Kosovës, e në veçanti ato kompetente si MASHT, ashtu edhe nga mediat kosovare sidomos për lajmin e vdekjes së profesor Canës, sepse si të djeshmit edhe të sotmit kur nuk trillojnë, akuzojnë e zhurmojnë kundër tij atëherë heshtin  për këtë njeri që i sfidoi të gjitha e të gjithë ata që nuk munden ta trembin, lëkundin as konvertojnë për interesa meskine e  pazare të ditës.
Zoti e bekoftë profesor Canën.

G. 55