E premte, 29.03.2024, 10:22 AM (GMT)

Shtesë » Historia

Sami Repishti: Nën hijen e Rozafës (Epilog)

E enjte, 15.01.2009, 06:59 PM


SAMI REPISHTI
Nën hijen e Rozafës
Narrativë e jetueme

EPILOG

Nji akt aq themeltar sa arratisja ilegale në ballafaqim me vdekjen, me gjithë planifikimin e kujdesshëm, më dukej sikur ishte ndërmarrë në nji atmosferë joracionale. Kur mendojsha rrezikun e madh që kisha përballue, akti merrte karakter spontan, akt i shtymë nga instinkti i vetëmbrojtjes. Jo se nji akt i këtillë nuk u peshue mirë e gjatë para orës së veprimit; por, diten që mora vendimin me u largue, nuk u mobilizova nga nji arsyetim që më këshilloi me u hedhe në aventurën vdekjeprurëse, por nga nji shtymje e pakontrollueshme, që nuk mund të shpjegojsha e, që u ba zot i plotë i qenies sime. Arratisja me pajisi me nji identitet të ri, atë të refugjatit politik, në nji vend të huej. Qëndrimi im antikomunist në atdhe, ishte i njohun e isha i sigurtë se, autoritetet jugosllave ishin në dijeni. Ky mendim më ndërgjegjsoi se, në kurrizin tim qëndronte si barrë e kaluemja ime, definitivisht. Tashti e mbrapa e për të gjithë jetën, unë do të mbajsha mbi supe nji “trashëgim”, vlerën e përgjegjsinë e veprës sime në të kaluemen. Për të mirë ose për të keq, unë isha i pandamë nga ato, ndoshta edhe pengu i tyne! Në nji vend komunist si “Jugosllavia e Titos”, ky “trashëgim” kërkonte të isha syçelë. Veprimtaria e së kaluemes, në nji përqindje të madhe i jepte formë, jo vetëm të tashmes, por edhe të ardhmes sime. Tashti, ishte e qartë se kisha nji ide qendrore që kundërshtonte komunizmin e që pranojsha si bosht të mendimeve e veprimeve të mia. Ishte fryma e bindjes sime demokratike! Gjatë viteve të burgut në Shqipni, u përpoqa vazhdimisht me lidhë veprimtarinë time me lëvizjet e së kaluemes, me qëllim që të krijojsha atmosferën e vazhdimësisë, në kohë dhe hapësinë, e mundësinë e vendosjes sime brenda saj. Ishte thirrja e traditës! Por, në këtë qeli jugosllave për refugjatët politikë, sfera e mendimit tim ishte “përcaktue nga të tjerët”, si antikomunist, e ndihesha i kufizuem. Kjo më shqetësonte! Pjesmarrja në nji marshim historik, justifikohet nga vendi ku zhvillohet e koha në të cilën jetohet; të dyja janë mbështetja ma e fortë që mund të mendohet. Atëherë, çdo gja duket sikur zen vendin e vet, frika e botës përreth largohet për ata që mendojnë, ankthi avullohet nga vala e ngrohtë e entuziazmit të pjesmarrjes në këtë marshim. Individi i vogël rritet, merr përmasa mbinjerëzore, qe fisnikërohen nga madhështia e kauzës që i shërben. Të farkëtosh fatin tand me duert tueja e solidar me të tjerët, të shkruejsh historinë e vendit e kohës tande, janë kulmet ma të nalta që mund të arrijë çdo qenie e lirë që kërkon me justifikue jetën mbi tokë, e me ndërgjegjen e plotë të vdekjes së paevitueshme. Ky, mendojsha, ishte thelbi i heroizmit të vërtetë. Thjeshtësia e kufizimit tim në kallëpin e “antikomunizmit”, më mohonte nji privilegj të këtillë.
Unë luftojsha kundër çnjerëzimit, pavarësisht nga ngjyra...

Nana e mjerë tregonte se, në nji ditë të ftohtë e të zymtë dimni, rojet e kuqe të Sigurimit të Shkodrës nuk i tregojshin ku gjindesha. Lutjeve të saj i përgjigjeshin me tallje. Kambënguljes së plakës që kërkonte me dijtë fatin e djalit, gardiani i kuq i përgjegjej me nji ton tallës:
- Do të dijsh se ku është djali?
- Po atë pres për ma shumë se dy orë, - përgjegji plaka.
- E mirë pra. Djali yt nuk është këtu, as në burgjet e tjera....Gjeje ti vetë se ku është.
- Ku ta gjej unë e mjera? Më ranë kambët tue ecë...
- Nuk është larg! Ti e si ku janë varrezat? Atje...me të tjerët...
Plaka tregonte se kishte ra në gjuj. Kambët nuk e kishin mbajtë ma e zani nuk i kishte dalë nga goja. Me sy të drejtuem nga qielli i vranët i asaj dite dimni, kishte humbë çdo ndjenjë. Ashtu pa lëvizë, e gjunjëzueme në tokën e ngrime, dukej ma shumë si nji gur vorri pa formë se nji qenie e gjallë. Fytyra e saj e verdhë nga dhimbja e nxi nga era e akullt që e ngrinte, tregonte ma shumë nji të vdekun, se të gjallë. Buzët katran e të ngrime, nuk i kishin lëvizë, as sytë e mbërthyem ngultas në retë e murrme që mbulojshin qytetin atë ditë. Vetë vendi e pamja rreth e rrotull ishte kthye në nji vorr për djalin, që ajo ishte përpjekë me përfytyrue në mendjen e saj e me përjetue në kujtime, çastin kur djali ishte pushkatue, shtye me kambë në gropën e hapun, fytyren mbulue me dhe, i harruem, pa emën, pa gjurmë. Para nji vegimi të këtillë, të mbështjellun nga hija e vdekjes, dy duert e saj ishin ngritë ngadalë kah qielli, vendi ku për atë qëndronte Krijuesi, e i ishte dorëzue Atij, pa kundërshtim... Ishte kjo bota që unë luftojsha pa rezerva! Në atë çmendinë që ishte Shqipnia komuniste që lashë mbas shpine, rojet e kuqe ishin qen të tërbuem, të hipnotizuem nga propaganda partiake që shkatërronte çdo ditë e ma shumë në anën e tyne njerëzore. Ata kishin përvetësue zanatin e të bindunit verbënisht, rolin që u caktohej nga partia e diktaturës së proletariatit në vendin tonë. E, nëqoftëse asnjë rol i denjë nuk u ofrohej e mbetej vetëm ai i rrugaçit që vjedh e vret qytetarët, rojet e kuqe, boshllëqe shpirtnore e mendore ishin gati me pranue, vetëm me qenë pjesë e dramës së përgjakshme që luhej në kurrizin e nji popullsie të nënshtrueme me dhunë. Pretendimet e vazhdueshme të propagandës partiake se, punohet për të mirën e popullit, ishin vetëm sharlatanizëm i thjeshtë i “Nanës Parti”! Ishte bota që unë luftojsha pa rezerva! Mendja e kriminelëve komunistë ishte e smurë, ishte e mbrapshtë! Kujtojsha fytyrat e pa gëzim të “klasës punëtore” në kantierët e vendit. Nuk shihsha asnji shej nga pushteti, ose Partia, që tregojshin mirëkuptim për problemet e qytetarëve të thjeshtë. Përkundrazi! Kishte nji mungesë të theksueme dashunie, mëshirë e sensitiviteti për popullin e thjeshtë, në udhëheqjen komuniste të vendit, nji grup mjeranësh të murosun nga nji histori çapkëne dhe e pashpirt. Vetë “udhëheqja” ishte nji grup aventurierësh pa ndërgjegje, që synonte forcimin e pushtetit, mbrojtës i privilegjeve të tyne, dhe i të gjithë atyne – siç ishin rojet e kuqe! Që ishin lidhë në mënyrë të pazgjidhshme me qerren e përgjakshme të tiranisë së vendosun nga “Nana Parti!”. Ishte kjo bota që unë luftojsha pa rezerva! Ngado që sillsha sytë, vrejsha vetëm nji prirje: përdorimin e dhunës. Çdo gja sillte me vete nji tingull të përbashkët: zhurmën e përdorimit të dhunës. Emnuesi i përbashkët për të gjithë ata që quejshin veten komunistë, ishte dhuna. Në dhunën ata njihshin njeni-tjetrin, në dhunën bashkoheshin si në kungim para besimit të ri të “Nanës Parti” që i krijoi, i ushqeu, i rriti e i çoroditi. Dhuna, krahu muskular i mercenarit,e zhveshun nga çdo parim moral. Lejonte forcën brutale me shtypë, me coptue, e me asgjasue! Ishte kjo bota që unë luftojsha pa rezerva! Urrejtja e kulti i saj shiheshin kudo, në bisedimet që bajshin, në fjalimet që mbajshin, në librat shkollorë, në shtypin e përditshëm, në letërsi, në art e muzikë, kur i thurshin kangë Neronit të kuq. Urrejtja përfaqsonte dëshirën e goditjes me shpatë, ngrente cilesinë agresive të ushtarakut pa zemër, nxiste përleshjen me “kundërshtarin”, të vërtetë ose imagjinar, që nuk ishte tjetër, veçse bashkëvendasi: nji vëlla që përbuzte diktaturën, nji shok që nuk pranonte tradhtinë, nji qytetar që ngulte kambë me jetue i lirë. Lëvizja e shfrenueme e dhunës dhe urrejtjes, rrokullisej në mënyrë të paevitueshme poshtë, në humnerën e militarizmit të jetës së përditshme. “Në një dorë pushkën, në tjetrën kazmën!” që predikonte “Nana Parti!”, nuk ishte tjetër, veçse puna e detyrueshme nën frikën e pushkës, puna në shërbim të “rendit” të vendosun nga pushka, puna skllave e pushkës vrastare, dy vlera themelore të rendit të ri komunist në Shqipni!
Ishte kjo bota që unë luftojsha pa rezerva!
E gjithë historia mijëvjeçare e vendit tim, në ato çaste dëshprimi, më dukej sikur nuk kishte kuptim, sikur kishte mbetë në duert e fatit të verbët e të marshit të tij të pakontrollueshëm, çapkën e shtypës. Gjithçka ishte e ngurtë, si rregullat e burgut e të kampit të punës së detyrueshme që kisha përjetue. Të nesërmet premtuese ishin vetëm të sotmet plot vuejtje. Ku ishin shpresat për nji jetë ma të mirë? A mund të pritej nga udhëheqsit e çmendun të hiqshin dorë nga rruga e tyne, nga kambëngulja në kauzën që kishte humbë kuptimin? Por, duhej të pranojshim se tragjedia e vendit ishte e paevitueshme, sepse edhe ndryshimi i mundshëm ishte jashtë kontrollit të atyne që mbajshin pushtetin me forcë, jashtë kontrollit të “Nanës Parti!”? Nëqoftëse po, cili ishte atëherë kuptimi i rezistencës sonë antikomuniste, i vuejtjeve tona për demokraci? Nji akt guximtar, fisnik, por vetëvrasës? Shqipnia e torturueme, më dukej e transformueme në nji altar të madh, të ngritun për Meshën Solemne, ku rolin e korit kishtar e luejshin ata që mbulojshin fytyrën me duer kur vajtojshin, ata që himnizojshin me lotë, fshamje, e lutje të pambarim, Krijuesin...e Lirinë që kishin humbë.
Ishte kjo botë që unë dashunojsha pa rezerva!
Shqipnia e njimendtë ishte nën dhe! Aty ishte vuejtja e ushqyeme me sakrifica, aty ishte nderi, aty ishte fara e fitores. Vargjet e gjata të grave krahthata e të veshuna në zi, ishin aty me dëshmue. Shqipnia ishte nën dhe, por fitimtare mbi errësinën që e mbulonte për hir të peshqesheve të ofrueme Hadesit të pangopun, në atë shpellë pa dritë, të ftohët e të pashpirt. Shqipnia e njimendtë ishte nën dhe, si nji familje e vetme! Ata që ulen me frikë në tryezën me vende të boshatisuna përjetë, e ata që nuk hanë fare në qelitë pa shpresa; ata që flejnë me zemër të ngrime e ata që pa gjumë ngrihen akull në bodrumet nëntokësore; ata që jetojnë përjashta për nji copë bukë të thatë e, ata që barkthatë punojnë e coptohen në kampet e mbylluna; ata që kanë frikë me qa e ata që derdhin lotë kryenaltësie për shokët që durojnë vuejtjet pa u lëkundë, të gjithë së bashku, të lidhun si vëllau me vëlla, i jepshin madhnisht rezistencës kundër çnjerëzimit, justifikimin e përhershëm moral.
Ishte kjo bota që unë dashunojsha pa rezerva!
Shqipnia e njimendtë ishte nën dhe! Sepse, ashtu e deshtën shqiptarët që nuk deshtën vdekjen e Shqipnisë. Në këto vorreza pa emën, që kriminelët e kuq shembën nga frika se ringjallja e tyne do t’i kthente në tempuj adhurimi, gjindej i vetmi tempull i denjë për këtë emën, suaza e të cilit ishte burgu e kampi katror, i rrethuem nga telat me gjemba e gryka e pushkës vrastare partizane.
Ishte kjo bota që unë nderojsha pa rezerva!
Lavdia e trojeve tremijëvjeçare ishte fisnikëria e sakrificës supreme që u ofrue në altarin e Lirisë, nga mija të vramë e të pushkatuem, e nga dhjetramija të burgosun, që mbushën burgjet e kampet e përqendrimit. Kryenaltësia e vendit ishte shpirti i panënshtrueshëm i rezistencës antidiktatoriale që përfaqësonte demokracinë, ishte refuzimi dinjitoz i bijve e bijave ma të mira, me pranue çnjerëzimin. Kjo brezni ishte shpresa ma e mirë e vendit, e ishte kjo brezni e re, e rritun nën komunizëm, që kishte hedhë poshtë kërkesën me vu entuziazmin, në shërbim të nji kauze që nuk tërhiqte, me pranue nji ideologji që nuk frymëzonte, e me përkrahë nji pushtet që nuk përfaqësonte, veçse privilegjet e veta.
Ishte kjo bota që unë adhurojsha pa rezerva!
E, për ata që pranuen pa u ankue këtë flijim suprem, për ata që përqafuen me afshin e mistikut vuejtjen e pabesueshme që kërkoi edhe gjakun e tyne, me lehtësue qoftë edhe fajin e xhelatëve, tue marrë kështu përsipër ringjalljen e besimit të të gjithëve, në nderin e dinjitetin e qenies njerëzore, për ata që u hodhën me guxim ne zjarrin e ndezun nga çetat e satanëve të “Nanës Parti!”, akt çlirues e purifikues i fajit që verboi sytë e vllazënve e motrave të tyne, të fundosun në pellgun e humbjes së përjetshme, për ata, o vëlla e motër e imja, fjala asht e tepërt e gjesti jone mirënjohës, nuk tregon si duhet madhështinë e aktit të tyne mbinjerëzor. Ndoshta, heshtja e madhe, e plotë, e thellë, misterioze e masave të gjana besimtare, që nuk dinë me shprehë dhimbjen me fjalë, veçse me lutje, mund të jetë veli i vetëm, i hyjnueshëm, që mbështjell kujtimin e tyne të pavdekshëm e kunora e zbukurueme, aureolë shejtnie, në ballin e tyne ngadhnjimtar!
Ishte kjo bota që unë dashunojsha pa rezerva!

***

O bijt e bijat fatzeza të Shqipnisë së martirizueme!
Ju, me kockat e gjunjëve të thyeme me çekan para ekzekutimit, që të mos tentoni ikjen nga burgu;
- ju të mjerë, që ju shkulën dhambët e gojës e thonjtë e duerve, e u prenë gjuhën me gërshanë qe te mos tregoni te vërtetën qe keni dëshmue në qelitë e Sigurimit;
- ju të rrahunit egërsisht me dru të pagdhendun deri në vdekje, e me gjenitale të shkatërrueme, që të mos lindni “fëmijë reaksionarë”;
- ju me sytë e djegun me cigare, trupin e premë me thikë e plagët e mbushuna me kripë;
- ju që u varët me litar për ditë e javë të tana në degët e pemëve, dritaret e qelive e tavanet e qendrave të izolimit;
- ju që u hodhët nga dritaret e kateve të nalta, me i shpëtue torturës së padurueshme;
- ju që vdiqët nga uria e pagjumësia, nga dhimbja, dëshprimi e vetmia, në qelitë e errta;
- ju, të rij e të reja qytetarë, që vuejtet për dekada të gjata në fshatra malore, pa dritë e pa ngrohje, dimën e verë, në punë të randa krahu, vetëm sepse me guxim, përbuzët degjenerimin që kërkojshin nga ju pashallarët e kuq të harremeve komuniste;
- ju të rij e të reja, malsorë e fshatarë, që u detyruet me krrusë kurrizin në projekte të çmenduna të pushtetit të pashpirt;
- ju klerikë, paqësorë e martirë, që para vdekjes mbajtët besën e dhanë Krijuesit që adhuroni;
- ju nana, që akoma në të zeza vajtoni djalin e vramë e të zhdukun pa gjurmë, bashkëshorte të veja me burrat gjallë në burgje e kampe shfarosjeje;
- ju bija, motra e vllazën të familjeve të përndjekuna, që u rrahët, u demaskuet, u përbuzët, u ndrydhët në kantieret e punëve ma të randa, me qëllim që të përkuleshit nën presionin e tiranisë së kuqe të “Nanës Parti!” që kërkonte poshtnimin moral e shkatërrimin tuej fizik;
- ju qytetarë shqiptarë në të gjithë vendin, që u shfrytëzuet ma keq se skllavet e piramidave në kampet e punës së detyrueshme, në kantieret e “punës vullnetare”, në minierat e pasigurueme e në moçalishtet malarike, pa mëshirë e pa mbrojtje;
- ju, të gjitha ju, o krijesa fisnike, që nga Vermoshi deri në Konispol, që u persekutuat me kambëngulje e egërsi për dekada me rradhë, vetëm sepse deshët jetën e lirë,
- e, ju o luftëtarë të lirisë, që dhatë jetën me armë në dorë për çlirimin e nji populli të shtypun
e pavarësinë e atdheut të tradhtuem:
- më pranoni sot si nji vlla i familjes suej të madhe, bashkësisë dinjitoze të vuejtjes së pameritueme;
- më pranoni sot si dëshmitar i gjallë i mesazhit tuej çlirimtar, të qëndisun me duert tueja që ende dridhen nga vuejtja e pakufi, vuejtje që kthyen dinjitetin në vendin tonë të përbashkët, tue premtue shpresën e pavdekshme të demokracisë e të lirisë së plotë, për të gjithë familjen njerëzore... nji dhe e pandame!
E të gjithë së bashku, le të kalojmë mesazhin tonë çlirimtar, si trashëgim për breznitë e reja:
Qoftë tragjedia jonë kolektive, frymëzim për nji kryqezatë kundër torturës, në çdo vend dhe
në çdo kohë.
Kurrë ma, kurrë ma...!



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora