Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Bedri Blloshmi: Takim në folenë e kriminelëve

| E marte, 13.01.2009, 10:00 PM |


Takim në folenë e kriminelëve

Nga Bedri Blloshmi

I ftuar në një konferencë të organizuar nga Universiteti Europian e Tiranës, Qendra Shqiptare për Rehabilitimin e Viktimave të Torturës si dhe nga Institucioni i Avokatit të Popullit, me temë: "Shqipëria pa torturë", vendosa të marr pjesë, pasi më intrigoi një nga temat që do të mbahej nga Avokati i Popullit "Veprimtaria e Avokatit të Popullit në mbrojtje të të drejtave të të persekutuarve politikë nga regjimi komunist". Kur arrita në hollin e këtij universiteti  konferenca sapo kishte filluar. Nxitova dhe hyra në sallën ku pa zhvillohej dhe u ula ne një karrike në fund të sallës për të ndjekur punimet e kësaj konference. Dikush më njohu dhe më ftoi të ulesha në krye tryezës dhe pasi më prezantuan para auditorit duke thënë se "është kënaqësi që na nderon me pjesëmarrjen e tij Z. Bedri Blloshmi, vëllai i poetit të pushkatuar nga regjimi komunist Vilson Blloshmi”. Në sallë pati një lëvizje si gumëzhitje, sidomos nga ana ku ishin ulur përfaqësuesit e Avokatit të Popullit. Një person i ulur andej nga fundi i sallës, i kollarisur dhe me flokë të krehura komunistçe u ngrit dhe vjedhurazi doli nga salla. M’u duk se atë person kishte vite që e kisha njohur dhe fillova të mendohem se ku mund ta kisha takuar. Por, papritmas dikush që ishte ulur pranë meje më thotë me zë të ulët, ai për të cilin po mendohesh ishte Petrit Azemaj, hetuesi juaj.
Përpara syve m’u shfaqën rrufeshëm të gjitha torturat që ai dhe shefat e tij kishin bërë mbi mua dhe vëllain tim. Në këtë konferencë nuk shkova për të takuar Petrit Azemajn, por shefin e tij, Avokatin e Popullit Ermir Dobjani, sepse Petrit Azemaj shërbëtor i bindur i xhelatëve të diktaturës ka qenë dhe do të mbetet gjithë jetën.
Pasi mora fjalën, duke shprehur mendimet e mia për temat që u diskutuan, para studentëve të Universitetit Europian të Tiranës, denoncova Avokatin e Popullit Ermir Dobjani, se institucionin që drejton, e ka kthyer në një fole kriminelësh dhe persekutorësh që kanë lyer duart me gjakun e viktimave të pafajshme, të arrestuar, hetuar, torturuar, dënuar dhe ekzekutuar për motive politike. Për këtë arsye  ky "Avokat Populli" nuk ka të drejtë morale dhe njerëzore për të trajtuar të drejtat e viktimave të regjimit më të egër komunist të Europës, të cilit i ka shërbyer me devotshmëri gjithë jetën dhe vazhdon t'i shërbejë edhe sot e kësaj dite.
Pa përfunduar fjalën time dikush përballë meje më ndërpreu dhunshëm duke më akuzuar se unë, sipas tij, duke denoncuar xhelatët e diktaturës po bëja luftë klasash. Ishte në një moshë të re dhe u prezantua si përfaqësues i Avokatit të Popullit. Pra shkurt ai mbrojti me fanatizëm shefat e tij, posaçërisht xhelatin e diktaturës komuniste Petrit Azemajn.
Natyrshëm më lindën disa pyetje. Kush punon në atë Institucion? Kush i ka përzgjedhur? A kanë lidhje me diktaturën? A ka xhelatë të tjerë në këtë institucion?
Unë kam vite që shkruaj dhe denoncoj publikisht jo vetëm xhelatët që kanë arrestuar, hetuar, gjykuar, torturuar, dënuar dhe ekzekutuar në mënyrën më barbare mua dhe familjarët e mi por edhe të gjithë hetuesit, prokurorët dhe gjyqtarët që kanë masakruar barbarisht bashkëvuajtesit e mi. Ky është qëllimi im i jetës.
Pas disa hulumtimesh mësova se ai, përfaqësuesi i Avokatit të Popullit, që mbrojti me fanatizëm shefat e tij ishte pjellë e komunizmit dhe quhej Ervin Karamuça dhe që nga krijimi i Institucionit te Avokatit të Popullit, sapo ka përfunduar studimet është rekrutuar aty, sepse është i biri i një ish-prokurori te diktaturës komuniste dhe dhëndërr i Fehmi Abdiut, gjyqtarit që në vitin 1988 dënoi dhe ekzekutoi me varje poetin dhe bashkëvuajtësin tim Havzi Nela.
Në këtë shkrim e ndjej si detyrë qytatare që të ndalem më tej tek ky Petrit Azemaj që më vrau sytë në konferencën e fundit. Ky Petrit Azemaj, që u largua si mi kanalesh nga konferenca "Për një Shqipëri pa Torturë", në vitin 1976 ka filluar punë si hetues në Degën e Brendshme në Librazhd. Shef i tij në atë kohe ishte një ish-oficer i Shkollës së Bashkuar i përjashtuar për vjedhje nga shkolla, por meqenëse ishte familje komunistësh dhe kishte  prirje për xhelat, e bënë komunist dhe shef hetuesie në Librazhd, quhej Selim  Caka. Petrit Azemaj dhe Sulo Ymeri, nën urdhrat e ish-Kryetarit të Degës Merdar Hasajt, Sekretarit të Partisë të Degës së Brendshme Hekuran Rrezha si dhe nën drejtimin e shfit të hetuesisë Selim Caka, në një kohë rekord, në bodrumet e nëndheshme të degës sajuan një zyrë hetusie përballë birucave, për Gencin, Vilsonin dhe për mua. Në atë zyrë të nëndheshme ku kishte një tavolinë dhe karrike të betonuara, këta kriminelë të regjur na kanë torturuar barbarisht per netë të tëra. Nga kjo zyrë, dera e të cilës ishte e veshur me sfungjer e beze nga brenda, sado që të thërrisje dhe të ulërije nga torturat qe bënin mbi ne Selim Caka, Petrit Azemaj etj, asgjë nuk dëgjohej në koridor. Këtë qeli zyre,  Petrit Azemaj e njeh shumë mirë pasi aty, ai bashkë me Selim Cakën, Pjetër Ndrecën etj, kanë ushtruar dhunë dhe tortura çnjerzore ndaj disa bashkevujtësve të mi. Lind natyrshem pyetja: A ka të drejtë morale dhe ligjore Petrit Azemaj te flasë dhe të mbajë leksione para studentëve të drejtësisë të Universitetit Europian të Tiranës kundër torturës dhe trajtimeve çnjerzore? Studentët le ta gjykojnë.
Pa hyrë në detaje të mëtejshme, i drejtohem Presidentit të Republikës Z. Bamir Topi si dhe Kryetares së Kuvendit të Shqipërisë Zj. Jozefina Topalli qe të marrin masa të menjëhershme për të larguar këta persekutor gjakatar nga ky institucion dhe pastaj institucioni i Avokatit të Popullit të jetë në shërbim të të gjithë qytetarëve, përfshi edhe viktimat e regjimit komunist të cilët kanë shumë nevojë.
Si mund t'i drejtohemi unë dhe bashkëvuajtesit e mi këtij institucioni kur sapo afrohemi për të paraqitur ankesat dhe pretendimet tona për të kërkuar rivendosjen në vend të të drejtave të shkelura përballemi me Petrit Azemajn. Në një fletë-palosje të shpërndarë nga Avokati i Popullit në kopertinen e parë shfaqet si dikur fytyra e tmerrshme e Petritit të partisë, sadistit dhe persekutorit të bindur. Më e bukura e kësaj flete–palosje është fjalia e fundit me të cilën ai u drejtohet shqiptarëve: "duke uruar që ju të mos keni nevojë për ndërhyrjen tonë". Edhe unë i lutem Zotit që shqiptarët të mos kenë nevojë për të kërkuar ndihmë në këtë fole persekutoresh të regjimit me gjakatar që ka njohur Europa në shekullin e 20. Ne, një grup të persekutuarish politikë të regjimit komunist po krijojmë një grup nismëtar dhe së shpejti do të organizojmë prtesta demokratike përpara këtij institucioni dhe do të kërkojmë largimin e persekutorëve tanë nga të gjitha institucionet  Kushtetuese duke filluar nga Institucioni i Avokati i Popullit.

G. 55