E premte, 19.04.2024, 11:48 PM (GMT+1)

Shtesë » Lajme

Historia 53-vjecare e CIA-s

E hene, 12.01.2009, 10:47 AM


Vendimi, i cili u bë publik para disa ditësh nga zyrtarët demokratë, ka shkaktuar kundërshti brenda partisë, duke qenë se dy ligjvënës me eksperiencë vunë në dyshim faktin nëse Obama duhej të emëronte një person me eksperiencë të kufizuar në çështjet e inteligjencës. Ky pozicion ishte posti i fundit i rëndësishëm që priste fjalën e Obama-s. Panetta, 70 vjeç, konsiderohet si një menaxher i mirë, i cili e njeh po ashtu mirë burokracinë e qeverisë. Panetta nuk ka lidhje domethënëse me agjencinë, të cilën Obama e ka kritikuar për përdorimin e metodave të ashpra të marrjes në pyetje. Ai ka kundërshtuar hapur përdorimin e metodave të tilla, duke shkruar në një ese vitin e kaluar, se SHBA-ja "nuk duhet të torturojë në asnjë lloj rrethane". Obama u përball me vështirësi në emërimin e drejtorit të ri të CIA-s, sepse kandidatët e tjerë u perceptuan si të njollosur, pasi kishin mbështetur aspekte të marrjes në pyetje dhe programeve të inteligjencës gjatë administratës së Bushit. Sidoqoftë, Panetta, i cili ka shërbyer si drejtor i zyrës së menaxhimit dhe buxhetit gjatë presidencës së Clinton-it, nuk ka eksperiencë me sfidat më të mëdha, duke përfshirë edhe mbledhjen e inteligjencës njerëzore jashtë vendit. Një zyrtar pranë procesit të përzgjedhjes u shpreh se Obama synonte një figurë të pavarur për drejtimin e CIA-s, me shpresën e restaurimit të imazhit të saj. Edhe pse ai ka qenë një kongresist demokrat nga Kalifornia për shumë vite dhe zyrtar i administratës së Clinton, ndihmësit demokratë kanë theksuar më së shumti kredencialet e tij të fundit si kryetar i qendrës jopartizane publike "The Leon and Sylvia Panetta Institute for Public Policy" në Universitetin e Kalifornisë. Duke zgjedhur Panetta-n, Obama po vendos një civil në krye të një agjencie kritike për inteligjencën ndërkombëtare. "Nevoja që drejtori i CIA-s të jetë krejtësisht apolitik dhe mungesa e eksperiencës së Panetta-s më shqetëson", u shpreh senatori John D. Rockefeller IV. Në një intervistë në mars, Obama është shprehur se ai ishte "i turbulluar nga politizimi i inteligjencës në këtë administratë dhe qarkullimi në krye të agjencive tona të inteligjencës". Sidoqoftë, të tjerë zyrtarë të lartë kanë reaguar me optimizëm të matur, duke e synuar emërimin si një "ndryshim në kulturën e CIA-s". Një sërë ekspertësh të inteligjencës, duke përfshirë edhe ish-drejtorin George Tenet, e lavdëruan zgjedhjen dhe hodhën poshtë rezervat e shprehura nga senatorët Feinstein dhe Rockfeller. Tenet u shpreh se Panetta ishte një "zgjedhje fantastike". "Ai do t‘i japë lartësi dhe drejtimin e duhur agjencisë". Ndërkohë, Panetta do t‘i raportojë admiralit Dennis Blair, i cili nëse konfirmohet si drejtor i inteligjencës kombëtare do të mbikëqyrë 16 agjenci të inteligjencës amerikane, të cilat kanë një buxhet të kombinuar deri në 47.5 miliardë dollarë. Për sa i përket Blair, senatorja Diane Feinstein u shpreh se synonte konfirmimin sa më të shpejtë të tij në detyrë. "Eksperienca e tij i jep thellësi të vlefshme në sfidat me të cilat përballet komuniteti i inteligjencës dhe e bën atë një kandidat të fortë", u shpreh ajo. Nën administratën e Bush-it, CIA është kritikuar se torturonte të dyshuarit për terrorizëm, ose i dërgonte në vende të njohura për taktikat e ashpra të marrjes në pyetje.


1. Sidney William Souers

Në detyrë: janar 1946 - qershor 1946

Përshkrimi: Admirali Souers u emërua drejtori i parë i Inteligjencës Qendrore (CIA) nga Presidenti Harry S. Truman. Më parë, si zëvendësdrejtor i inteligjencës së Marinës, Souers ishte një prej arkitektëve të sistemit që u krijua me direktivën e Presidentit.


2. Hoyt Sanford Vandenberg

Në detyrë: qershor 1946 - maj 1947

Përshkrimi: Vandenberg shërbeu për një kohë të shkurtër si shef i

inteligjencës Ushtarake gjatë Luftës II Botërore, por detyra e tij kryesore ishte ajo e gjeneralit komandues të Forcës së Nëntë

Ajrore, një forcë taktike ajrore në Angli dhe Francë që mbështeste Ushtrinë.


3. Roscoe H. Hillenkoetter

Në detyrë: 1947 - 1950

Përshkrimi: Gjatë detyrës së tij, Drejtoria e Këshillit të Sigurisë Kombëtare i dha CIA-s autoritetin për të kryer operacione të fshehta "kundër shteteve dhe grupeve të huaja armiqësore, apo në mbështetje të vendeve të huaja mike, por në mënyrë të tillë që përgjegjësia e qeverisë amerikane ndaj këtyre operacioneve të mos ishte asnjëherë e dukshme".


4. Walter Bedell Smith

Në detyrë: 1950 - 1953

Përshkrimi: Gjatë viteve të para të ekzistencës së saj, degët e tjera të qeverisë nuk ushtronin shumë kontroll mbi CIA-n. Kjo justifikohej me dëshirën për t‘u krahasuar dhe për të zbuluar aksionet sovjetike në të gjithë globin, një detyrë kjo që sipas disave mund të arrihej vetëm nëpërmjet një qëndrimi të njëjtë me atë të agjencive sovjetike të inteligjencës.


5. Allen W. Dulles

Në detyrë: 1953 - 1961

Përshkrimi: Pas Gjirit të Derrave të vitit 1961, Presidenti John F. Kennedy ushtroi mbikëqyrje më të madhe ndaj agjencisë, edhe

pse ajo e zgjeroi aktivitetin në Azinë Juglindore nën Presidentin Lyndon B. Johnson, duke zëvendësuar Dulles me McCone.

Autobiografia e Dulles është me vlerë, për shkak se ofron shpjegime mbi njerëzit kyç në veprim, sesa një përshkrim të detajuar të CIA-s.


6. John McCone

Në detyrë: 1961 - 1965

Përshkrimi: Pavarësisht mungesës së një sfondi në fushën e inteligjencës, McCone është cilësuar shpesh si një prej menaxherëve më të aftë dhe të shkëlqyer të CIA-s. Ai drejtoi agjencinë gjatë Krizës së Raketave Kubane. McCone dha dorëheqjen në prill të vitit 1956, me pretendimin se ai nuk vlerësohej sa duhej nga Presidenti Johnson.


7. William Raborn

Në detyrë: 1965 - 1966

Përshkrimi: Raborn, një oficer Marine i shquar, i cili kishte drejtuar krijimin e nëndetëseve me raketa balistike, pati një kohëzgjatje të shkurtër dhe të palumtur në krye të CIA-s. Ai nuk kishte eksperiencë në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe në fushën e inteligjencës, njohuritë e tij shtriheshin vetëm në aksionet e marinës. Raborn dha dorëheqjen pas 14 muajsh nga fillimi i detyrës.


8. Richard M. Helms

Në detyrë: 1966 - 1973

Përshkrimi: Para se të merrte drejtimin e agjencisë, Helms kishte shërbyer në rangjet e ulëta të CIA-s. Pasi marrëdhëniet e tij me Kennedy-n u prishën, ai u dërgua në Vietnam, ku parashikoi një grusht shteti për rrëzimin e Presidentit Ngo Dinh Diem.

Pas vrasjes së John F. Kennedy-t ai u bë zëvendësdrejtor i CIA-s, nën admiralin William Reborn. Një vit më vonë, Helms u emërua drejtor.


9. James R. Schlesinger

Në detyrë: shkurt 1973 - korrik 1973

Përshkrimi: Edhe pse detyra e tij në krye të CIA-s nuk ishte më shumë se gjashtë muaj, ai ndërmori një sërë ndryshimesh organizative dhe në personel. Ai u bë aq i papëlqyeshëm në shtabin e CIA-s në Lengli, Virxhinia, saqë u nevojit të instaloheshin kamerat e sigurisë përballë portretit të tij, nga frika se mund të vandalizohej.


10. William Colby

Në detyrë: 1973 - 1976

Përshkrimi: Colby ishte një tjetër profesionist i inteligjencës, që u bë drejtor i shërbimit më të lartë të inteligjencës. Në dhjetor 1974, gazetari investigativ, Seymour Hersh, bëri publik lajmin e "Family Jewels" në një artikull të faqes së parë në "New York Times", duke zbuluar se CIA kishte vrarë liderë të huaj dhe kishte përgjuar shtatë mijë qytetarë amerikanë të përfshirë në lëvizjen antiluftë (operacioni KAOS).


11. George H. W. Bush

Në detyrë: 1976 - 1977

Përshkrimi: Bush qëndroi në detyrë për 355 ditë. CIA ishte tronditur nga një sërë zbulimesh, duke përfshirë këtu demaskimin e veprimeve ilegale të CIA-s e aktiviteteve të paautorizuara dhe Bush-it i atribuohet restaurimi i imazhit të agjencisë. Në detyrën e tij si drejtor i Agjencisë Qendrore të Inteligjencës, Bush i paraqiste përmbledhjen e aktiviteteve Jimmy Carter dhe si president i zgjedhur dhe si kandidat presidencial.


12. Stansfield Turner

Në detyrë: 1977 - 1981

Përshkrimi: Turner eliminoi mbi 800 pozicione operacionale në atë që u quajt "masakra e hallouinit". Ky drejtim organizues u bë i njohur, sepse pasardhësi i tij pati një qëndrim krejtësisht të ndryshëm. Turner dëshmoi përpara Kongresit, duke dhënë informacion për programin "MKULTRA", që CIA zhvilloi prej fillimit të viteve ‘50 deri në fund të viteve ‘60.


13. William J. Casey

Në detyrë: 1981 - 1987

Përshkrimi: Gjatë qëndrimit të tij në krye të CIA-s, Casey luajti një rol të madh në formësimin e politikës së jashtme të Reagan-it, veçanërisht në qëndrimin ndaj aktivitetit ndërkombëtar sovjetik. Casey mbikëqyri rizgjerimin e Komunitetit të Inteligjencës, veçanërisht CIA-s, në nivele burimesh njerëzore dhe fondesh më të mëdha seç ishin përpara se të priteshin nga administrata e Carter-it.


14. William H. Webster

Në detyrë: 1987 - 1991

Përshkrimi: Webster vinte nga fusha gjyqësore, duke përfshirë këtu dhe punën si gjykatës e drejtor i FBI-së. Ai pritej që me këtë eksperiencë të rregullonte shkeljet ligjore në CIA. Webster krijoi Aktin e Autorizimit të Inteligjencës në vitin 1991. Ky akt përcaktonte operacionet e fshehta si misione sekrete, në zonat gjeopolitike, ku SHBA-ja nuk është përfshirë hapur dhe dukshëm.


15. Robert M. Gates

Në detyrë: 1991 - 1993

Përshkrimi: Gates u emërua në krye të Agjencisë Qendrore të Inteligjencës nga Presidenti George H. W. Bush, më 14 maj 1991, duke u bërë i vetmi oficer në karrierë në historinë e CIA-s, që u ngrit nga niveli i nëpunësit në rangun e drejtorit. Pasi u largua në CIA, ai u bë president i universitetit "Texas A&M" dhe ishte anëtar i shumë bordeve të korporatave.

16. R. James Woolsey

Në detyrë: 1993 - 1995

Përshkrimi: Si drejtor i Inteligjencës Qendrore, Woolsey është i njohur për marrëdhënien e kufizuar me Presidentin Bill Clinton. David Halberstan thekson në librin "War in a time of peace" se Clinton zgjodhi Woolsey si drejtor i CIA-s, sepse fushata e Clinton-it u kishte bërë kortezh neo-konservatorëve, duke premtuar qëndrim më të ashpër në çështjen e Tajvanit, Bosnjës dhe të drejtave të njeriut në Kinë.

17. John M. Deutch

Në detyrë: 1995 - 1996

Përshkrimi: Deutch vazhdoi politikën e paraardhësit të tij, R. James Woolsey për deklasifikimin e të dhënave që i takonin operacioneve të fshehta amerikane gjatë Luftës së Ftohtë. Deutch vuri kufizime ndaj asaj që ai e konsideronte si politikisht jo korrekte në rekrutimin e agjentëve dhe synoi diversitetin në agjenci, në mënyrë që të përfshiheshin më shumë femra dhe minoritete.


18. George J. Tenet

Në detyrë: 1997 - 2004

Përshkrimi: Tenet ndërmori një mision për rigjenerimin e CIA-s, e cila po përballej me kohë të vështira që prej Luftës së Ftohtë. Numri i agjentëve të rekrutuar për çdo vit kishte rënë në 25. Tenet bëri thirrje për një mision origjinal të agjencisë, sipas të cilit duhej parë se nga cilat vende të botës së post-Luftës së Ftohtë mund të vinte rreziku.


19. Porter J. Goss

Në detyrë: 2004 - 2005

Përshkrimi: Goss u rekrutua nga CIA kur ishte në vit të tretë në universitet, në Yale. Fillimisht ai punoi në Amerikën Latine dhe më vonë në Evropë. Më pas punoi në Kongres për 16 vjet, deri sa u emërua drejtor i CIA-s. Sipas analistëve, ai nuk ishte shumë i suksesshëm, pasi gjatë kohës së tij në detyrë, Shtëpia e Bardhë

kishte humbur besimin në aftësinë e tij për të riorganizuar CIA-n.


20. Michael Hayden

Në detyrë: 2006

Përshkrimi: Michael Hayden është drejtori i fundit i CIA-s, i cili tashmë do zëvendësohet nga Leon Panetta. Gjatë drejtimit të Hayden, në qershor të vitit 2007, CIA bëri publike dy koleksione dokumentesh të klasifikuara, të cilat përshkruanin aktivitete të ndryshme, në të cilat vihej në dyshim ligjshmëria.


Leon Panetta lindi më 28 qershor 1938 në Monterei, Kaliforni dhe është djali i emigrantëve italianë që kishin një restorant. Ai ndoqi shkollat katolike "St. Carlos Grammar School" dhe "Carmel Mission School". Panetta vazhdoi arsimin në shkollën publike të Montereit, ku u përfshi në politikat studentore. Në vitin e tretë ai ishte zëvendëspresident i Trupës Studentore dhe në vitin e katërt u bë President. Në vitin 1956 hyri në Universitetin "Santa Clara" dhe u diplomua në Shkenca Politike. Në vitin 1964 u regjistrua në Ushtrinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës si zëvendëstoger dhe dy vjet më vonë u emërua si toger. Panetta u përfshi në politikë në vitin 1966, si një asistent legjislativ i senatorit Thomas Kuchel. Në vitin 1969 u bë asistent i Robert H. Finch, sekretar i Departamentit amerikan të Shëndetit, Arsimit dhe Ndihmës Sociale.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora