E enjte, 12.12.2019, 10:42 PM (GMT)

Kulturë » Kinema

Agron Hamo

E marte, 31.01.2006, 10:29 PM


Agron Hamo: Do ta ndiejmë mungesën e Manes në skenë

Iva MUSARAJ

Parodia është një zhanër i komedisë dhe veçanërisht siç shprehen dhe vetë parodistët e Vlorës, të cilët janë të vetmit që e kanë bërë këtë rrymë humori të njohur në të gjithë Shqipërinë, “Parodia është humor, por që këndohet”. Në ditët e sotme, ajo ka korrur shumë sukses, gjithashtu dhe publiku artdashës shqiptar e ka mikpritur dhe duartrokitur. Ata janë grupi shqiptar më i njohur i të gjitha kohërave, të cilët na kanë sjellë në shtëpitë tona, sidomos në ditët e festave tradicionale siç është Viti i Ri, humorin dhe të qeshurat me këngët e tyre. Kanë qenë katër dhe quhen: Mane Lumani, Afrim Agalliu, Agron Hamo si dhe Muhamet Lika.Të katërt në skenë sillnin emocione të mëdha për publikun dhe si shpërblim merrnin duartrokitjet dhe dashurinë e njerëzve, respektin dhe mirënjohjen.Tani ka disa kohë që ata nuk dalin më në skenë, kjo për mungesë fondesh, si dhe një nga arsyet kryesore ishte largimi nga grupi i parodistit më të vjetër në moshë, Mane Lumani. Ai është larguar përfundimisht nga skena, pasi kishte probleme me shëndetin. Gjithsesi ai ka qenë dhe mbetet parodisti i katërt dhe pse në skenë ata janë vetëm tre. Agron Hamo, prononcohet për gazetën “Sot”, ku tregon gjithçka për jetën e tij artistike e më gjerë.
Kush është Agron Hamo, njëri nga Parodistët e Vlorës...
Agron Hamo është lindur në 15 janar të vitit 1950 në qytetin e bukur bregdetar të Vlorës edhe pse me origjinë është gjirokastrit. Ai vjen nga një familje arsimdashësish. Babai i tij ka qenë arsimtar ndërsa nëna punojëse e thjeshtë. Është 55 vjeç dhe ka një aktivitet të pasur artistik. Është i martuar dhe ka dy vajza, 25 dhe 20 vjeç. Karrierën e tij artistike e ka filluar rreth vitit 1966 si amator në uzinën e sodës kaustike. Thotë se fati deshi që të katërt u mblodhën për të vazhduar jetën e tyre artistike pranë Teatrit të Varietesë “Petro Marko” në Vlorë. Në atë vit, mblidheshin paroditë, skeçet më të bukura, trupat më të mirë, aktorët më të zotë dhe inkuadroheshin tek trupa profesioniste. Në vitin 1996 ai ka shkelur për herë të parë në skenë si profesionist ose siç quheshin në atë kohë, si probist, pasi në atë kohë ishte akoma në provë, sapo mbaroi nga amatorja. Në estradën e Vlorës ai ka korrur shumë sukses dhe sidomos në zhanrin e parodisë. Ai ka marrë titullin “Naim Frashëri i Artë” duke qenë se ka ngritur në piedestal vlerat e humorit shqiptar.
- Si u ndjetë kur u ngjitët për herë të parë në skenë si profesionist?
Kur hyra për herë të parë në Estradën profesioniste, kishte aktorë kolozë të humorit shqiptar si: Leka Kruta me shokë. Pra me fjalë të tjera ka pasur aktorë, të cilët e kanë lëvruar parodinë në mënyrë të paimagjinueshme. Dhe unë do të thoja që ata ishin shkolla ime e parë. Kjo bëri që dhe unë të apasionohesha kaq shumë pas zhanrit të parodisë. Gjithashtu më jepej dhe shumë për të kënduar. Madje më thonin që pse nuk bëhesh këngëtar, por mua më pëlqente më tepër humori dhe mbi të gjitha parodia.
- E keni provuar ndonjëherë veten si këngëtar?
Jo, nuk e kam provuar asnjëherë veten në këtë zhanër tjetër të artit. Them se në ato vite mund të kisha korrur sukses dhe në këngë dhe të ecja përpara në këtë art, por që nuk kam pasur dëshirë isha më shumë i apasionuar dhe i dhënë pas parodisë.
- Cila ka qenë parodia juaj e parë që ju keni interpretuar?
Për herë të parë kam kënduar në uzinën e sodës kaustike. Isha duke parë dy djem, të cilët regjisori i njohur Pirro Sama i kishte marrë për të interpretuar një material. Njëri nga djemtë nuk mbante dot ritmin dhe unë nga jashtë dritares i dëgjoj dhe i them atij djalit: “Po bëje kështu...” dhe po e mësoja. Regjisori më dëgjon dhe më thërret të hyj brenda. Dhe ky ishte momenti im i parë, ose si të thuash, parodia e parë që interpretova.
- Si u njohët me pjesën tjetër të grupit?
Me kalimin e viteve unë u takova me Afrim Agalliun, i cili u bë kolegu im dhe parodisti tjetër. Po bëj një biografi të vogël të të gjithë pjesëtarëve të grupit. Të jem i sinqertë, për ne parodistët, po vinin ditë shumë të bukura. Jemi dalluar në të gjithë takimet me Estradat Profesioniste, të cilat në ato vite bëheshin shumë dhe ishin shumë të frekuentuara. Kishte shumë takime estradash dhe teatrosh dhe rreth viteve ‘83, ‘84 apo dhe ’85 hipin në skenë si parodistë Mane Lumani me Muhamet Likën dhe në atë periudhë luanin skeçe. Më pas aty nga vitet 1988 ne të katërt u bashkuam dhe formuam “katërshen” e parodistëve të Vlorës.
- Jeni ngjitur në skenat e disa prej vendeve fqinje, ku keni interpretuar disa nga paroditë tuaja më të njohura, për emigrantët që punojnë dhe jetojnë jashtë vendit. Si jeni pritur?
Jemi pritur shumë mirë nga bashkatdhetarët tanë jashtë kufijve. Gjithashtu jemi ndjerë shumë mirë mesh shqiptarëve, duartokitjeve të tyre të ngrohta dhe papushim. Kemi kënduar së bashku, kemi qeshur, jemi mallëngjyer me njëri-tjetrin. Pra me pak fjalë, kemi qenë si në vendin tonë dhe i kemi mundësuar apo dhuruar atyre diçka, ose pak çaste nga Shqipëria.
- Çfarë mendimi keni për të rinjtë që mbarojnë Akademinë e Arteve të Bukura, veçanërisht për ata që mbarojnë për dramaturgji, aktrim, etj., të cilët, pasi nuk gjejnë punë, e gjejnë veten diku tjetër edhe pse jashtë profesionit të tyre?
Do të thoja që Ministria e Kulturës nuk duhet t’i prishë disa tradita të bukura, të cilat deri në një farë mase e bën për dramën ndërsa për humorin nuk organizon diçka speciale të veçantë dhe ndryshe. Kjo dhe për të mos humbur traditat e humorit. Në Shqipëri kanë ngelur shumë pak humoristë, psi pjesa më e madhe ka ikur jashtë. Unë çuditem si ka mundësi që favorizohet drama më tepër. Në ditët e sotme njerëzit dhe shoqëra shqiptare po përjeton momente jo të mira, si dhe njerëzit janë më të stresuar, kështu që humori është edhe relaks. Është medikamenti i shpirtit. Pra disa gjëra duhen kaluar dhe me të qeshur. Një shembull tipik shumë i mirë është emisioni i “Portokallisë”. Pavarësisht se çfarë ka brenda, unë shoh që ai emision po i ndihmon aktorët e rinj, të ecin përpara. Dua të shtoj dhe të them që Agron Llakaj është një inisiator shumë i mirë për zbulimin e talenteve të reja si dhe një humorist i zoti. Ndërsa përsa i përket Institutit të Lartë të Arteve, jam shumë kritik dhe më vjen keq që nuk i favorizon.
- Meqenëse ju jeni artist, sa vlerësohet artisti dhe arti në Shqipëri?
Do ta them me shumë sinqeritet. Artistët presin deri sa të vijnë fushatat elektorale, ndonjë dasëm, për të fituar diçka. Kjo është për të artdhur keq, sepse këto po i vuajnë pak a shumë të gjithë artistët dhe unë midis tyre.
- Kush është përgjegjës për këtë?
Organet kompetente, financat. Ministria e Kulturës duhet të mendojë patjetër për këta artistë.
- Nëse nuk do të ishit aktor, çfarë do të donit të ishit bërë?
Unë kam mbaruar shkollën e mesme për Eonomik. Do të doja të kisha një bazë ekonomike që të ngrija një biznes të këndshëm, të vogël familjar.
- Mendon se Ministria e Kulturës mbështet më tepër “tregëtarët” se sa artistët e mirëfilltë?
Kjo është e padiskutueshme. Madje unë do ta vazhdoja mendimin që Ministria e Kulturës mbështet në mënyrë të padiskutueshme spektakle si: Miss-et. Të bëhen në vit katër spektakle të tilla dhe të mos favorizosh artin e mirëfilltë, traditat dhe vlerat shqiptare, është për të ardhur keq. Do ishte më bukr që dhe Miss-et të bëhen, sepse dhe ato kanë vlerat e tyre, por t’i kushtojnë dhe aq rëndësi një spektakli të humorit. Të organizojnë diçka të bukur për pushuesit në stinën e verës duke qenë se Shqipëria është një vend turistik, ajo do të ishte diçka shumë e bukur dhe e veçantë, relaksuese dhe që do të mbahet mend. Shqipëria ka aktorë të mrekullueshëm, le të bashkohemi së bashku dhe të bëjmë diçka vërtet të bukur që nga Velipoja e deri në Sarandë.
- Çfarë planesh keni ju si parodistë për këtë sezon turistik, për pushuesit e shumtë?
Bashkia na ka piketuar për disa aktivitete të bukura, të cilat do të bëhen enkas për pushuesit e shumtë. Tani po shohim mënyrën e organizimit se si duhet të veprojmë. Pra do të lëvizim nëpër vendet ku ka më shumë pushues. Në këtë kohë dhe moshë, me gjithë eksperiencat që kemi pasur gjatë gjithë këtyre viteve, ne jemi në kulmin tonë artistik dhe në këtë kohë duhen kënaqur pushuesit e shumtë.
- Ju jeni aktor profesionist i zhanrit të parodisë. Meqenëse i përkisni fushës së artit, e keni ndjekur festivalin e teatrove “Butrinti 2000” dhe çfarë mendimi keni për të?
Nuk e kam ndjekur sepse nuk kam marrë asnjë ftesë për të qenë i pranishëm. Do të më pëlqente të merrja një ftesë ku të ftohej e gjithë trupa e teatrit “Petro Marko”, për të ndjekur një spektakël të kësaj përmase. Dhe unë apo artistët e Vlorës do të donim ta ndiqnim, por këto janë disa gjëra të vogla dhe aq banale, sa që as nuk duhen menduar. Një trupë teatrore, që ka dhënë kaq shumë për kultivimin e artit dhe të kulturës shqiptare, të mos ftohet në një spektakël ku janë pjesëmarrës trupa teatrore nga shumë vende të ndryshme.
- Artisti gjatë gjithë jetës së tij bën një gjetje dhe më pas ecën pas saj. Ju si mendoni, po me aktorin a ndodh kjo?
Po flas për parodinë dhe në veçanti çfarë ndodh me ne të katërt, përveç Mane Lumanit, sepse është një pikë tjetër diskutimi. Unë, Afrimi, Meti dëgjojmë kaq shumë muzikë popullore dhe shohim tekstin duke menduar se cila melodi është pak abuzative, me një tekst që mua më jep mundësi ose më krijon horizont dhe pika referimi që unë të bëj parodinë. Pra unë duhet të kem një bagazh shumë të madh muzikor, një repertor të gjerë në mënyrë që të jem i aftë të bëj parodinë, duke filluar që nga muzika e huaj e deri tek ajo popullore. Pra ato këngë që shumica e tyre janë popullore dhe që kthehen në muzikën hit të muajit e të javës. Kështu me të dëgjuar një muzikë të tillë, unë ulem dhe shkruaj apo krijoj një tekst me muzikën e saj. Këto kohët e fundit ne të tre kemi punuar për një parodi vërtet shumë të suksesshme.
- Për një periudhë të gjatë “Parodistët e Vlorës” i kanë humbur paksa syve të publikut, nuk janë lançuar shumë. Pse ndodhi kjo?
Bëhet një numër estrade dhe ai që xhiron e ka të drejtën ekskluzive për ta transmetuar dhe i transmetojnë ato ku të duan dhe marrin para, ndërsa ne, të cilët jemi protagonistët kryesorë të humorit, nuk paguhemi fare. Këto humore që ne bëjmë dhe paguhemi, i shiten televizioneve lokale dhe ne as nuk na pyet njeri për këto shetje, apo gjëra të tjera. Pra transmetohen pa kufi. Kjo është ajo, që ne duket sikur jemi larguar nga skena. Por qëllon që paroditë që bëjmë ne, të cilat akoma nuk janë shfaqur në televizion, t’i ketë marrë një televizion lokal dhe kur ajo të shfaqet, njerëzit të thonë se e kanë parë këtë parodi dhe se për ta, nuk është e re. Kjo është dhe arsyeja se pse artistët në Shqipëri kanë mbetur të varfër.
- A jeni edhe në familje po i njëjti person që jemi mësuar të shohim dhe në skenë?
Jo nuk jam aspak i tillë. Unë bëj një jetë krejtësish normale. Vajzat i kam me shkollë në Itali dhe unë jetoj në shtëpi vetëm me bashkëshorten time. Kur mblidhemi me shoqërinë bëjmë humor, shaka, tregojmë ndonjë gjë që gratë tona nuk e dinë.
- Do ju shohim sërish në skenë të katërt si dikur?
Kam frikë se jo, do të jemi vetëm tre, sepse kolegu ynë i dashur, Mane Lumani nuk do të bashkohet sërish me ne, pasi ka probleme shëndetësore. Kështu që ne do të jemi tre.Pavarësisht se Mania nuk do të jetë në skenë me ne, ai është një nga katër parodistët e Vlorës. Dhe kuptohet që mungesa e tij do të ndihet shumë si tek ne, ashtu dhe tek publiku.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT